Kanë mbetur edhe disa veprime për të cilat duhet t’i votojnë Parlamenti i Kosovës dhe Parlamenti i Holandës, deri në funksionalizimin e plotë të Gjykatës Speciale, ka thënë ministrja e Jashtme e Holandës, Renee Jones.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Jones ka potencuar se Holanda ka qenë gjithmonë e gatshme të ndihmojë në funksionalizmin e Speciales, por, siç ka thënë ajo, aktualisht negociatat janë duke u zhvilluar mes Bashkimit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës.
Diplomatja holandeze e cila ka vizituar Kosovën në kuadër të përgatitjeve për marrjen e presidencës në BE gjashtë muajt e ardhshëm, ka thënë se nënshkrimi i MSA-së është një kornizë e mirë për ta zhvilluar më tej shtetin. E pyetur se kur Kosovës do t’i hiqen vizat, Jones ka deklaruar se fokusi kryesor duhet të jetë në përmbushjen e kritereve të cilat kryesisht ndërlidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit:
“Jam në Kosovë para marrjes Presidencës në Bashkimin Evropian, sepse nga fillimi i janarit, Holanda do ta marrë udhëheqjen e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie dhe njohuri të mira për zhvillimet në vendet e shumta. Pra, vizita ime është në kuadër të këtij qëllimi dhe do të bëhet edhe në rajon. Përveç Kosovës, kam qenë në Shqipëri dje, do të shkojë në Maqedoni më vonë. Edhe kolegët e mi janë duke realizuar vizita të tilla në kuadër të përgatitjes për Presidencë në BE. Kam ardhur këtu të shoh situatën, progresin, i cili mendoj se është bërë në fusha të ndryshme. Kemi biseduar me zyrtarë të Qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertët holandezë që punojnë këtu dhe mediet, këtë rast juve.”
Komentet