Voal – Një studim i fundit ka arritur në përfundimin se një në katër banorë në SHBA vuan nga mungesa e vitaminës B12. Ajo ndihmon në mbajtjen e shëndetshme të nervave dhe qelizave të gjakut. Vitamina B12 ndihmon gjithashtu parandalimin e një lloji anemie që quhet anemi megaloblastk që i shkakton njerëzve lodhje dhe dobësi. Vitamina B12 është e pranishme tek mëlçia dhe veshkat.
B12 është e rëndësishme për funksionimin e nervave, sistemit tretës, vaskular dhe atij riprodhues. Rregullon prodhimin e hormoneve, forcon imunitetin, ndërton qelizat e kuqe dhe AND-në. Është e lidhur me aftësitë njohëse dhe stabilitetin emocional.
Pasojat që sjell mungesa e vitaminës B12
Mund të keni mungesë të vitaminës B12 për dy arsye, ose ju nuk konsumoni ushqime që kanë sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine, ose ju nuk jeni në gjendje ta absorboni atë. Meqënëse vitamina B12 ndodhet kryesisht tek prodhimet me bazë shtazore, vegjetarianët janë më të rrezikuarit nga mungesa e saj. Prandaj gjëja e parë që duhet të tregoni kujdes është dieta, mënyra si ushqeheni.
Ushqimet kryesore me vitaminë B12 janë mishi, peshku, produktet e qumështit dhe vezët. Duke ngrënë rregullisht këto ushqime do të siguroni sasinë e kësaj vitamine në mënyrë natyrale. Nëse keni mungesë të vitaminës B12 atëherë ka të ngjarë të vuani nga anemia, që do të thotë se ju keni më pak qeliza të kuqe në gjak – qeliza këto që transportojnë oksigjenin dhe rregullojnë metabolizmin që ofron energji për të gjitha funksionet e trupit. Ndoshta mund të vuani nga anemia për shkak të mungesës së hekurit, por edhe për shkak të mungesës së vitaminës B12.
Ndoshta ju keni mungesë të kësaj vitamine pasi trupi nuk arrin ta përthithë atë, dhe kjo mund të vijë për shkaqe të ndryshme duke nisur që nga problemet me stomakun e deri tek sëmundjet auto-imune. Po ashtu, tek personat mbi moshën 50 – vjeçare mungesa e kësaj vitamine sa vjen dhe shtohet për shkak se absorbimi ulet si pasojë e pakësimit të lëngjeve të stomakut. Ushqimi ka vështirësi për t’u përthithur nga organizmi sidomos nëse vuani nga ulcera, sëmundja Crohn, sëmundja celiake, gastriti ose nëse keni operuar stomakun. Gjithashtu disa ilaçe mund ta vështirësojnë absorbimin e kësaj vitamine nga trupin përfshi edhe metforminën apo ilacin e diabetikëve.
Gjithashtu, nëse konsumoni më shumë se 4 filxhanë kafeje çdo ditë reduktoni nivelin e sasisë së vitaminës B12
Simptomat e mungesës së vitaminës B12
Zakonisht simptomat nuk janë shumë specifike, kështu që nuk do ta kuptoni prej vitesh ndoshta se në trupin tuaj ka mungesë të vitaminës B12. Gjithashtu simptomat mund të ngatërrohen me sëmundje apo shqetësime të tjera në organizëm. Për të zbuluar këtë gjë ju duhet një analizë gjaku për të parë nivelin e kësaj vitamine. B12 njihet edhe me emrincobalamin.
Ja simptomat më të zakonshme:
– Lodhje dhe mungesë energjie
– Frymëmarrje të shkurtër
– Dhimbje koke
– Probleme me kujtesën apo vështirësi në përqendrim
– Zbehje lëkure
– Probleme me stomakun
-“Miza” në gjymtyrë
– Dobësi muskulare
– Luhatje humori
– Tharje goje
– Tinnitus apo tingëllim në vesh
– Vështirësi për të fjetur
Në raste të rralla mund të çojë në depresion, psikozë apo dementia. Simptomat nisin ngadalë dhe përkeqësohen me kalimin e kohës. Për shkak se vitamina B12 është e përfshirë në shumë funksione të organizmit, mungesa e saj mund të çojë në një sërë shqetësimesh apo sëmundjesh serioze. Sipas studimeve, mungesa e vitaminës B12 është e lidhur me sëmundjet kardio-vaskulare, kancerin, sulmet në tru, defektet në lindje etj.
Si ta parandaloni apo trajtoni këtë problem?
Në ditë këshillohet të merrni 2.4 mikrogramë të vitaminës B12 në ditë. Mënyra më e mirë për ta parandaluar mungesën e vitaminës B12 është konsumi i ushqimeve të duhura. Mishi, prodhimet e detit, qumështi dhe vezët të gjitha përmbajnë cobalamin.
Vegjetarianët duhet të përpiqen ta marrin këtë vitaminë përmes burimeve të tjera si qumësht bajame dhe cerealët, po ashtu edhe buka.
Një burim i mirë i kësaj vitamine është edhe spirulina – një lloj alge me ngjyrë blu në të gjelbër, një superushqim i pasur në proteina. Spirulina është e pasur gjithashtu në antioksidantë, si betakaroten (30-40 herë më shumë se karotat), selen, zink, hekur dhe vitaminë C, E dhe B kompleks, vitamina dhe minerale. Mund ta shtoni atë në formë pluhuri në lëngjet që konsumoni përditë. Do të vini re ndryshimin e ditëve kur merrni spirulina që jeni me më tepër energji, më të qartë në të menduar dhe me humor më të mirë, se sa në ditët kur nuk e merrni.
Arsye për të marrë spirulinën përditë
1. Spirulina është anti-kancer, lufon shumë sëmundje, duke qënë një antioksidant i fuqishëm. Lufton aneminë, forcon sistemin imunitar dhe gjallëron organizmin.
2. Për sportistët spirulina është efektive kundër lodhjes muskulore në ndërtimin e muskujve dhe furnizon trupin me oksigjen.
3. Spirulina është e pasur me acide yndyrore esenciale (omega 3,6 dhe 9). Sidomos omega 3, i cili luan rol kryesor në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, uljen e kolesterolit të keq, uljen e depresionit, artritit, osteoporozës dhe diabetit. Peshku shpesh është njohur për përmbajtjen e tij me omega, të cilat i marrin nga algat e tilla si Spirulina.
Ushqimet më të mira, burim i shkëlqyer i vitaminës B12 janë sardelet, saloni, toni, karkalecat, mishi i viçit, i qengjit, kosi, qumështi, vezët, mishi i pulës, i gjelit të detit, djathi etj
Vitamina B12 është një vitaminë tepër e rëndësishme që nuk duhet ta lini pa marrë gjatë ditës.
Spirulina
Spirulina është një algë mikroskopike ujore që gjendet tek ujërat e ëmbla, ka ngjyrë të gjelbërt dhe është një ndër ushqimet më të plota në botë. Është një organizëm bimor qe përmban shumë vitamina, minerale dhe elemente ushqyese për njeriun. Gjithsej, përmban mbi 100 elemente ushqyese dhe oligoelemente, pikërisht për këtë arsye NASA e përdor si ushqim për austronautët. Spirulina është zbuluar shekuj më parë, thuhet se Aztekët ishin ndër popujt e parë që e përdorën në menunë e tyre.
Elemente ushqyese
Spirulina përmban mjaft elemente antioksidante që veprojnë pozitivisht në rinovimin e qelizave, pra edhe në luftimin e plakjes. Përmban gjithashtu aminoacide që përmirësojnë funksionimin e sistemin nervor. Spirulina pastron gjakun, mëlçinë dhe veshkat për shkak të vetive detoksifikuese që ka, dhe forcon sistemin imunitar. Disa nga elementet e pasur të Spirulinës janë : vitamina A, B, B12, C, E dhe Q10. Gjithashtu, përmban hekur, një element thelbësor për trupin e njeriut madje dhe në sasi të madhe. Mjafton të thuhet se Spirulina përmban 58 herë më shumë hekur nga ç’përmban spinaqi. Elemente të tjera të rëndësishme që përmban janë : magnezi, kaliumi, zinku dhe seleni. Spirulina ka efekt imunofuqizues dhe vlerësohet maksimalisht nga mjekët popullorë dhe dentistët për përçueshmërinë e Amalgamit. Kjo është kryesisht e rëndësishme për çiftet që dëshirojnë të bëhen prindër. Spirulina mund të lidhë materiet e dëmshme në mënyrë të veçantë, p.sh : metalet e rënda siç është Kadmiumi. Spirulina përmban substanca që inhibojnë lirimin aktiv të Histaminës nga granulat e mastrocive. Spirulina mund të aplikohet edhe tek osteoporoza, pasi përmban shumë kalcium. Pothuajse gjysma e grave mbi 45 vjeç vuajnë nga osteoporoza. Spirulina përmban mbi 60 % të një proteine të tretur lehtë që lufton osteoporozën në organizëm. Nëpërmjet spirulinës mund të trajtohen në mënyrë të suksesshme edhe pezmatimi, gripi, neurodetermati dhe aknet. Hulumtime të ndryshme kanë treguar se efektet pozitive që posedon spirulina janë mjaft impresionuese. Disa nga llojet e sëmundjeve të cilat mund të trajtohen me spirulinë janë : diabeti, anemia, pankreati akut, ulçera peptike, ciroza e mëlçisë, katarakta, sëmundja e pleqërisë, alergjia, humbja e leukociteve, stresi, koliosteroli i lartë, problemet me prostatën, problemet me fshikëzën urinare etj.
Si përdoret
Spirulina mund të blihet në forma të ndryshme, më e zakonshmja është ajo në pluhur, të cilën mund ta tresni në lëngje frutash, në sallatra etj, me këtë mënyrë përveç dobive që ka ju ofron edhe një shije unike në gotën ose pjatën tuaj. Ia vlen të theksohet se kur përdoret në gatim nuk duhet të piqet në temperatura të larta, pasi shkatërrohen shumë elemente ushqyese që përmban, prandaj do të ishte e rekomandueshme të përdoret gjithmonë në fund. Për të kuptuar vlerën e Spirulinës është e mjaftueshme të shihni se sa industri farmaceutike përgatisin tableta Spirulina si plotësuese ushqimi, ose në formë pilule, akoma edhe shurupi.
Një studim i ri thotë se mungesa e vitaminës B12 mund të jetë përgjegjëse për rënien e funksionit të trurit tek personat e moshuar. Megjithëse njerëzit zakonisht marrin vitamina B12 nga mishi, peshku, nënprodhime të qumështit dhe të drithërave, aftësitë e tyre për të asimiluar vlerat ushqyese mund të bllokohen nga një numër faktorësh, siç janë konsumi i tepërt i alkoolit, anemia dhe çrregullime të ndryshme në sistemin e tretjes. Ekspertët e shëndetit thonë se vizitat e rregullta mjekësore dhe ndërgjegjësimi i publikut mund të shmangin dobësitë e funksionit të trurit si pasojë e mungesës së vitaminës B12.
Ashtu si muskujt dobësohen e tkurren nga kequshqyerja, edhe truri i njeriut fillon të tkurret kur vitamina B12 në trup nuk është e mjaftueshme.
Mjeku neurolog Michael Yokelson thotë se vitamina B12 është pjesë e rëndësishme përbërëse e neuroneve që transmetojnë sinjale në tru, si dhe ushqim kryesor i qelizave të trurit.
Dr. Michael Yochelson është neurolog në Spitalin Kombëtar të rehabilitimit në Uashington.
Ai thotë se lidhja midis mangësisë së vitaminës B12 dhe humbjes së vëllimit të trurit është e rëndësishme të dihet, për shkak se kjo vitaminë luan një rol kyç në aftësitë e njeriut për njohje a për të mësuar.
Dr. Martha Claire Morris është një nga autorët e studimit.
Ajo thotë se gjatë studimit u zbuluan prova se mangësia e vitaminës B12 shoqërohej me tkurrje të trurit dhe shtimim të intensitetit të tij. Gjithashtu u konstatua se mangësia e vitaminës B12 lidhej me nivelin e ulët të njohjes.
Peshku, mishi, bulmeti dhe ushqime të pasura me proteina janë burime të mira të vitaminës B12. Neurologu Michael Yochelson thotë se dietat me bazë bimore, si dhe dieta të larta në karbohidrate, janë të varfëra me vitaminë B12.
Ai beson se njerëzit në mbarë botën duhet të marrë vitaminë B12 shtesë – në formën e pilulave, injeksione – për të parandaluar një lloj humbjeje në funksionin e trurit.
Dr Yochelson thotë se është me rëndësi që njerëzit të kryejnë analiza për të kontrolluar herë pas here nivelin e vitaminës B12 në organizmin e tyre, sepse kështu do të parandalohej çdo mangësi e saj në organizëm.
Dr Yochelson thotë se studimi i kryer mes personave 65 vjeçarë, duhet të shërbejë si bazë për kërkime të tjera mes personave të moshave më të reja, veçanërisht në Afrikë, Azi Jugore, dhe Amerikë Jugore e Qendrore, rajonet me shkallën më të lartë mangësie të vitaminës B12.
Komentet