Në rrugët përqark Bllokut has shpeshherë edhe Saimir Malokun. E keni harruar sakaq, Saimirin, këtë inovator të rëndësishëm për ne shqiptarët, ndonëse për paisjen e tij, nuk mori ndonjë patentë të përkatëse, por përkundrazi u fut në burg ?
Eh Saimir Saimir; për sa kohë të endesh lart e poshtë nëpër rrugët e Tiranës, e më tutje tyre , me ca qese plot qepë e domate dhe, bukën e përditshme të bekuar nëpër duar, zor se e fiton statusin e heroit të emancipimit shoqëror, të cilin e ke merituar prej vitesh, me kontributin vetjak, ashtu si edhe mjaft të tjerë të persekutuar, secili në fushën e tij…
Të sqarohemi : mes njerëzish me mendje të shëndetshme, që nuk nxiten nga paragjykimet dhe smira, u nderove dhe u vlerësove nën zë ( sigurisht !), si hero i vërtetë, fill pas realizimit me sukses të pajisjes tënde aq modeste në paraqitje, të cilën komunistët e përcaktuan si një pajisje dëmprurëse, e prodhuar privatisht në kushte primitive dhe, e shpërndarë fshehtësisht në mënyrë të paligjshme, për të kryer diversion , me synim, dobësimin e rendit shoqëror e politik në vend, nëpërmjet përhapjes së propagandës helmuese të televizioneve perëndimorë…
Sa i zhgënjyer je Saimir, sa i zhgënjyer; përjetimi që po kalon, kuptohet që për së largu nga densiteti i ulët i dritës që ke në fytyrë dhe, pjerrësimi i cepave të buzëve, nga të shprehurit plot sarkazëm.
Eh, inxhinier i elektronikës; në fakt, nga kjo botë , zor se ka ikur ndokush i pazhgënjyer, por çështja qëndron te natyra dhe pesha e zhgënjimit që pëson.Ti besove te demokracia, besove te principet e saj aq humane, hehe, besove te liria që do të shkëlqente, te përfshirja e përshpejtuar e Shqipërisë n’Europë, besove tekefundit , edhe se, do të rehabilitoheshe gjithë dinjitet pas burgut, do të rehabilitoheshe moralisht, duke u respektuar prej kujtdo si një qytetar, që i kishe paraprirë demokracisë…
Besove shumë Saimir dhe , u zhgënjeve shumë !
Ata që të akuzuan dhe, të mbyllën në burg, sigurisht që e kishin parashikuar, që do të vepronin edhe më tutje për të ta përdhosur krejtësisht , siç kishin bindjen , personalitetin tënd, sipas një skenari që zbatohej rreptësisht: të të shpallnin të çmendur klinikisht, me një fjalë, sëmundje që nënkuptonte drejtpërdrejt papërgjegjshmëri të plotë të sjelljeve të tua në komunitet…
Disa prej hierarkëve të Komunizmit që t’u kundërvunë ty , kanë vdekur, ndërkohë , natyrisht, por patën kohë në të gjallë të tyre, të vënë në krye të punëve të shtetit, bijtë e tyre të paepur. Atëherë, e si mund të prisje ti, të rehabilitoheshe, qoftë edhe në stilin e demagogjisë? T’i kundërviheshin të kaluarës atërore të lavdishme bijtë e palëkundur të nomenklaturës së kuqe, ta denonconin atë, ta zhvlerësonin , siç zhvlerësohen edhe kartmonedhat, kur dalin nga qarkullimi ?
Ç’thua Saimir; kot s’i lanë ata të drejtojnë Shqipërinë gjer më sot. Demokracia te ne erdhi përmes sekretarëve të Partisë së Punës, prandaj , edhe ofiqarët e djeshëm , edhe ofiqarët e sotëm, të shpërfillën Saimir; nuk iu vete për mbarë të përmendin inovacionin tënd dhe, vetë emrin tënd. Sepse heronjtë e vërtetë më së shumti injorohen zotëri; gjëra që dihen po them ! Mesa duket ato ,gjërat që dihen u dashkan përsëritur e përsëritur. Lypsen heronj kallpë, të klonuar nga ata që militojnë në krah të parties dhe pushtetit dhe, nuk kundërshtojnë…
Dhe i kanë dhënë vetes status suprem, inxhinier dhe, rrojnë të kalamendur në një iluzion madhështie false, këta shefat e mëmëdheut tonë, të cilët me një fjalë të vetme përmbledhëse, mund t’i njollosësh si të paturp ! Dhe , vërtet; duke zbatuar stratetgjinë e paturpësisë qeverisin siç ua do qejfi, pa u shqetësuar fare nga kritikat dhe akuzat e rënda…
BF272 /AF106
Armiku majtas /Armiku djathtas
S’ishin inicialet dhe numri i një teksti sekret i koduar, të cilin e transmetonte agjencia inteligjente e ndonjërit nga vendet armike të Shqipërisë; ishin emërtimet e tranzistorëve të imët magjikë, që përdore ti për atë pajisjen që, ua përndezi mendjen shqiptarëve të mbyllur dhe, të ndarë nga e gjithë bota ! Pale të thonë sot ç’të duan ata që kanë filluar ta zhdramatizojnë periudhën e diktaturës, të mashtruar ëmbëlsisht edhe nga nostaligja, që ngjallet edhe për vitet e vuajtjeve të mëdha…
Ti prodhove me metoda artizanale atë instrumentin , që iu futi shkëndijat emancipuese shqiptarëve në shtëpi, të cilët , gjer atëherë, merreshin çdo mbrëmje me lloj – lloj antenash, kabllo tepsi e kapakë tenxheresh prej bakri, apo prej alumini, duke u rrotulluar, duke u ulur e duke u ngritur me durim e zell të madh me to nëpër duar, majë tarracave të pallateve, apo majë pemëve, aty mes kopshteve të shtëpive për të gjetur një pozicion sa më të përshtatshëm, ku zhurmuesi i tmerrshëm , që i kishte vënë Partia sinjaleve të televizioneve të huaja, nuk para ndihej. Ishte një perde e zezë blozë si mosdija , ai zhurmues, që na nervozonte, na poshtëronte dhe, na injoronte dhunshëm çdo natë, kur mblidheshim për të parë gjësendi ndryshe, pa kazmë e lopatë…
Tek i shihje siluetat e këtyre qytetarëve nën qiell, të kujtonin (kur dëshiroje të bëje pak humor ) ata fotografët mashtrues, të cilët i shisnin për UFO tepsitë e kapakët me vëllime rrethore bashkëqendrore që i fotografonin, pasi i vërtisnin n’ajër…
Por, më së shumti, episodet surrealiste të pamtomimës së tyre, me figura të çrregullta, të ngjanin me një valle rituale mistike, kërcimtarët e së cilës, ashtu të përfshirë në trans, i luteshin e i luteshin Qiellit t’iu dërgonte ca imazhe të largëta e të qarta …
Epo ne,shqptarët dihet që harrojmë fatalisht shumë, siç duket nga mungesa e dinjitetit dhe e kulturës për të kundërshtuar…
BF272/AF239S
Armiku para / Armiku mbrapa
Kanoçja kanoçja çudibërëse…
Po, kush vajti dhe e quajti kështu, me këtë emër ( për Zotin ! ) qesharak, aq më tepër, që ajo pajisje nuk kishte aspak formën e një kanoçeje, pavarësisht se, tranzistorët ngjiteshin mbi një bazament prej llamarine me buzë të kthyera nga të katër anët ?
Por aparatit tënd, inxhinier, që shëronte sytë e ekraneve të televizorëve nga perdja e rëndë që i qorronte, e quajtën kanoçe, gjoja se e shpërfillnin dhe e injoronin! Ç’është more, ajo vegla që përdoret për të hequr zhurmuesin? E mo’ një biçim kanoçeje, përgjigjeshin shpesh ca e ca, pa u merakosur. Ose, kanoçe ? Se ç’është një vegël e shpifur, punë kanoçesh, me një fjalë…
BF272/AF106
Me sa këmbë e ke tranzistorin tënd, me tre ? O, unë e kam me katër, të grin ai imi, fjaloshesin miqtë dhe kolegët e trimëruar. U kënaqëm mbrëmë duke parë ca spektakle të mrekullueshëm. O, ashtu ? Ne ndoqëm një film, të ri, të ri. Aman ore, pa sekretar partie, pa nitrat e superfosfat, pa zotime për tejkalimin e planeve pesëvjeçarë, pa lopë e pa dhen e dhi. Ne s’shohim mish me sy, këta na mbysin me filma e me kronika fund e krye me bagëti. Po ata të Bllokut, si ia bëjnë, sepse, që shohin, ç’iu do qejfi, nuk ka dyshim ? A i varfëri ti ; ata s’kanë nevojë për kanoçen tënde ; atyre iu vete sinjali i RAI-t, e ku ta dish edhe i ç’televizioni tjetër me kabllo nëntokësor, të cilin e kanë kaluar pusetë më pusetë nga Televizioni Shqiptar, drejt e në Bllok, hehe ! Nga ana e tij, Televizioni i merr sinjalet nga antenat e instaluara në Malin e Dajtit, te trualli i të cilave, u bë kurban edhe ai specialisti kinez…
Mirë mirë, po sfilatat e modës, i ndoqe ? Çfarë tendence : të rinjtë proletarë preferonin të visheshin si të rinjtë aristokratë dhe, të rinjtë aristokratë preferonin të visheshin si të rinjtë proletarë, duke krijuar kështu një vorbull që i përziente dhe i rrafshonte gjithsesi dallimet klasore, së paku në paraqitje. Ç’thua ? Sa naiv që je, o shoku im i mirë; lufta e klasave …
BFR 9001/AFR
Iu duhej patjetër të të demaskonin zyrtarisht si të çmendur dhe, për t’ia arritur qëllimit, i bënë të gjitha. Komunistët, jo më kot e kishin situatën plotësisht në dorë.
Eh, ç’dëm të madh na bëri ai inxhinieri i paudhë me atë teneqeçkën e tij, që ne e nënvlerësuam, u shpreh i shqetësuar një pasdite të shkurtër dimri, njeri nga anëtarët e Komitetit Qendror, tek gjerbte kafenë e cilësisë së parë, ashtu i lëshuar në kolltukun e rëndë, në sallën e t’ashtuquajturës Shtëpia e Çlodhjes dhe e Argëtimit, brenda në Bllok, ku mblidheshin kryesisht anëtarët e Byrosë Politike dhe ata të Komitetit Qendror për të luajtur pingpong ( si vëllezërit kinezë, sa kohë që partitë i kishin motra) bilardo, e cila ndalohej për popullin, apo për të ndjekur kinoditarët e fundit me kronikat e ndërtimit socialist të vendit dhe, mbi të gjitha , për të lexuar e konspektuar dukshëm veprën më të re të shokut Enver, tek tymosnin mendueshëm cigare Partizani, nga paketat që prodhoheshin posaçërisht për Bllokun. Për besë , ai bukëshkali që vajtëm e i dhamë edhe shkollë të lartë na hapi Kutinë e Pandorës, kishte vazhduar teksa skërmitej i nervozuar partiaku i rreptë…
Le të vazhdojmë me narracionin fantastik të mitilogjisë : ti vërtet hape Kutinë e Pandorës, Saimir, ( që me siguri dënuesit e tu, emrin ta kanë shqiptuar Saikeq…) por ajo jotja ishte Hapja e Dytë e Kutisë, domethënë , kur prej saj doli Shpresa dhe, jo e Keqja …
BF272/AF106
Kanoçja elektronike
Fosilja elektronike…
E si t’i vinin një emër shkencor profesional asaj, që të tërhiqte kështu, menjëherë vëmendjen e veshgrehurve spiunë ?
Dhe, tiranasit e braktisnin si me komandë të gjithë njëherësh ,atë xhiron mjerane që i ktheheshin e i ktheheshin disa herë, në bulevardin e madh, pa makina.
Ç’bëhet kështu , pyesnin të habitur dhe me naivitet, të huajt e paktë, që e ndiqnin xhiron që nga trotuari bosh, përpara Hotel Dajtit. Përse e zbrazin bulevardin në të njëjtën orë, madje në të njëjtin çast ? Oho, nguten për të ndjekur programet artistikë të RAI-t , televizionit shtetëror italian; madje edhe të kanalit Beograd 2; ua ua…
Po s’u hoqe sysh, ( sa proçes cinik, hë ? ) po s’u largove nga kjo botë , siç duket nuk fillon përpunimi i lirë artistik i legjendës, pale i glorifikimit, kur askush nuk priret më të të sulmojë e të të shajë mbarë e prapë. Sepse i vdekuri nuk është më konkurrues dhe nuk vazhdon të të rrezikojë. Atij mund t’i këndosh e t’i thurësh lavdi pa gajle, duke u paraqitur, madje edhe si burrë i mirë dhe fisnik.
Po pra, Saimir, tepër e hidhur për të qenë kështu, por ja, që kështu funksionon mekanizmi moral i njerëzve…
E bleve kanoçen / Po i shijon programet …
Marinarët shqiptarë t’anijeve tejoqeanore, që trasportonin më së shumti mineral hekuri , kromi, apo edhe bitum, kur zbrisnin në stere, në portet e Mesdheut e më tutje, ashtu si edhe shoferët e mauneve, që nxitonin të çonin të parët perimet e freskëta të stinës në Vjenë , në Budapest, në Rijeka,etj, zhvillonin, me t’u lëshuar dyqaneve, në periferitë e metropoleve t’Europës, një tjetër tregti, këtë herë private dhe, madje krejtësisht kontrabandë, të cilës ia kishin marrë dorën prej kohësh. Izraelitët , ku blinin zakonisht të privilegjuarit e shtetit të kyçur komunist, i prisnin krahëhapur në dyqanet e tyre dëng me mallra , këta shqiptarë shpirtnjeriu, të vetmit që dilnin jashtë rregullisht. Së pari, sepse ata blinin me dollarë në dorë, po se po, por (ehe), edhe me flori, pare e emetuar nga Mbreti Zog, e cila sakaq kishte fituar edhe vlera numizmatike…
Ja, ç’blinin shqiptarët: sahatë dore ,këmisha burrash e grash, çorape pulovra lonzhëri etj, të gjitha prej materialesh sintetike surrogato siloni e najloni, që në Shqipëri t’i rrëmbenin nga dora, sado shtrenjtë t’i mbaje. Por këtyre marinarëve dhe shoferëve të shkathët, iu shtua edhe një mall tjetër për të blerë, jo më për të plotësuar nevojat e ngutshme të shqiptarëve për t’u veshur e mbathur njëfarësoj , jo më për të sjellë orë, unaza e gjithë ç’iu nevojitej atyre që fejonin vajzën apo djalin; tashmë ata duhej të sillnin në Shqipëri, një mall tjetër që kishte filluar të përlahej e të dëshirohej shumë më tepër se leckurinat e të tjera si ato. Tashmë duhej të sillnin tranzistorë për Kutinë e Pandorës që, ishte hapur për së dyti, për Shpresën ,pra. Për fat tranzistorët i përkisnin mrekullisht kohës së miniaturizmit, kësisoj mund t’i fshihje lehtësisht disa qindra edhe nëpër xhepa…
Ah, kanoçja, kjo relikte e izolimit, e ku tjetër do të shfaqej vallë, pëveçse në Shqipëri ?
E bleve kanoçen, po kënaqeni ? O, mbrëmë ndoqëm një spektakël, të moderuar nga Pipo Baudo. Ah, ç’këngëtarë kishte ftuar, çfarë humoristësh dhe imituesish. E adhuroj Pipo Baudon ! Oho, të ranë në sy pantallonat xhins me prerje kauboj të artistëve ? Vdiqa të kem një palë pantallona kauboj, por këtu s’të lënë të mbash xhins të zakonshëm , le pastaj…
BF272 BAUDO/ 06/AF239S
Dhe Pipo Baudo erdhi vetë në Shqipëri, i përgjithmontë në formë, zotërues, i shendtë !
Sigurisht erdhi si i ftuar i veçantë në një vend ku kishte adhurues plot vlim nostalgjie, për të marrë pjesë në një spektakël që, këtë herë e organizonte një televizion shqiptar, i pajisur me aparaturat më të fundit të elektronikës dhe, ku mjeshtri i dekorit dhe, mjeshtri i dritës, ishin dy bashkatdhetarët e tij, që përfshiheshin vit pas viti në realizimin e Festivalit të Sanremos . Ehe, Pipo Baudo, ja ç’sjell koha !
Por, a e ndërmend Saimir, kur i sollën Pipos në skenë atë kanoçen tënde, që tashmë është një objekt interesant i arkeologjisë elektronike ? Ç’është kjo , pyeti Pipoja, duke e rrotulluar ndër gishtërinj teneqeçkën , gjithë kuriozitet. Përmes kësaj të shihnim e të ndiqnim ty, Pipo; pa këtë pajisje ti asqë do të ekzistoje për ne shqiptarët…
E të tjera e të tjera …
Këtë herë Pipos nuk i sugjeroi kush t’i fshinte qelqet e gjyzlykëve për të shikuar më qartë, siç i tha Sharon Ston , të cilën e kishte përballë lëshuar mbi krevat veçse me brekë; këtë herë Baudo mbeti aq i habitur, saqë i hoqi dhe i fshiu vetë reflektivisht qelqet, për të arritur të shihte qartë e më qartë….
Shqiptarë t’Italisë, Gjermanisë, Anglisë, Holandës, hehe, shqiptarë t’Europës mbarë, që jeni në numër po aqsa edhe ne këtu n’atdheun mëmë, a i ndiqni programet e televizioneve shqiptare ? Jo, kur transmetojnë ato telenovelat mizerabël jo, por kur transmetojnë seancat e kuvendit, lajmet, fushatat elektorale, hipje – zbritjet e politikanëve nga automobilat fabulozë…
Ndiqini ndiqini, sepse, siç po vijnë punët, ju do të ndikoni dhe, do të imponoheni në zhvillimin liberal europian të Shqipërisë, më fuqishëm dhe më shumë sesa ne, të brendshmit butakë dhe konformistë, të shëmtuarit dhe dembelë, që jemi gati t’i kthehemi tollonit ushqimor dhe Kanoçes të Saimirit …
Se ç’janë hapur ca muzeume lart e poshtë, njeri i quajtur BunkArt e tjetri Shtëpia e Gjetheve , e cila tashmë pikërisht Gjethet nuk i ka më. Gjethet duhej t’ia kishin lënë, ca gjethe dekorative ndoshta, të stilizuara që t’ia mveshnin sërish fasadën ngrehinës, si ato kamuflazhet e objekteve ushtarake . Gjithsesi puna e ideatorëve…
Nuk jam futur t’i shoh këto muzeume , ngaqë mua nuk më ka marrë ende malli, që të më ringjallet, qoftë edhe virtualisht komunizmi . Por nëse në stendat e tyre nuk ndodhet as edhe një Kanoçe e vetme, trashëgimia e diktaturës shfaqet e mangët…
E kam të qartë se, me t’u botuar kjo sprovë, do të lëshohen së pari ca të vetëmbajtur komunistë, të cilët, as e kanë ditur dhe, për pasojë as edhe e dinë sot e kësaj dite që s’janë komunistë, përderisa këtë doktrinë e njësojnë me diktaturën e Enver Hoxhës…
Këta të shtirur, që tashmë, besojnë se kanë zënë një pozicion të përcaktuar ideologjik në shoqëri, e që për këtë arsye, nuk durojnë dot t’ua shash Enverin dhe shtetin e tij, ndonëse kur u shembën monumentet e dktatorit, u fshehën ku mundën si minjtë, më së shumti janë ca injorantë dhe pjesa e mbetur ca marifetçinj të pasuruar përmes praktikave kriminale sa hap e mbyll sytë, sigurisht pas viteve të shthurur nëntëdhjetë, por po të provosh t’i vësh, të simulojnë qoftë edhe për dy ditë rresht, mënyrën e të jetuarit në kushtet e në rrethanat, edhe ato të improvizuara, të kohës së diktaturës, do të ulërijnë kolektivisht : na ktheni vilat mercedesët kishat xhamitë modën celularët pasaportat; duam të shprehemi të kundërshtojmë, jo radhës për qumësht më dy pas mesnate, s’duam zbor as punë vullnetare të dielën as luftë kundër Amerikës, as …
Ata ata…
Ky shkrim, së tepërmi në frymë letrare, duhet kuptuar me pak mirësi, që shkon, sheh e synon përtej Kanoçes si shpikje në vetvete. Eshtë për t’ardhur keq që duhet të kujtojmë këtu se, zanafilla e një shpikjeje apo edhe e një zbulimi, të çfarëdo përmase që të jenë, mund të jetë shumë më e hershme se data që njohim ne botërisht dhe, që është vulosur zyrtarisht.
Ah, por në fillim përdorëm fjalët inovacion dhe innovator dhe, jo shpikje dhe shpikës. Nëse këto fjalë janë denotativisht të njëjta, le t’i pranojmë si sinonome, por ngjyrimet kontekstuale, jo rrallëherë i shprishin sinonimet. Në Komunizëm , novator quhej ai që vinte në jetë një metodë a një ide të re përparimtare në një fushë prodhimi ,shkence apo arti. Dhe, novatorët kishin edhe 11 Shtatorin , ditën e tyre. Atë çka realizoi Maloku, kurrsesi nuk mund t’ia njihnin si novacion, ndoshta si kundërnovacion. Prandaj Kanoçja u quajt me keqësi shpikje, shpikje e ligë, e mbrapshtë , e dënueshme. Por le të mos përfshihemi nga semantika apo sinonimia, po të doni…
Duam apo s’duam , në krye të çdo shpikjeje, kur ajo shpallet dhe miratohet, ka pothuaj çdo herë një emër të vetëm .
Sa shkencëtarë të njëmendtë bashkëpunuan me Edisonin Bellin Fermin ? Sa debate e gjyqe u zhvilluan, gjersa më në fund shpikja e radios iu njoh Markonit dhe jo Teslës, kolosit tjetër ?
Sa i mjerë mendërisht do të dukej sot kushdo që do të deklaronte se,Kolombi na qenkësh i pari që shkeli në kontinentin që u quajt Amerikë…
Dhe bëhet fjalë për shpikje e zbulime epokale nën vëmendjen , vëzhgimin dhe interesin e shumëkujt, të cilat ndikuan drejtpërdrejt dhe rrënjësisht në jetën e mbarë njerëzimit e jo për një shpikje fare modeste e ndoshta edhe jo të mirëfilltë, si Kanoçja, e cila shërbeu përkohësisht në Shqipërinë e vockël hermetike…
Nuk ka dyshim që për këtë Kanoçe, kanë kontribuar paralel me Saimirin edhe inxhinierët e përkorë të URT –së së Durrësit, apo edhe disa të tjerë në TVSH, me të cilët unë punova nën një çati për disa dekada rresht, por ja që Saimir Maloku bëri burg, i akuzuar pikërisht për prodhimin dhe përhapjen e Kanoçes dhe, për agjitacion e propagandë nëpërmjet kësaj shpikjeje. Kështu që Kanoçja emrin e tij mban si identitet.
Përgjithmonë ka veçse një prirje: në krye të çdo vepre sublimohet një emër i përveçëm.
Ç’kemi Saimir ?
2014
Komentet