Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist, deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata në “sitë” vit pas viti.
Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te dyert ky hynin e dilnin. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore, që janë pjesë e një dosje që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.
Nga kjo dosje e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat tashmë janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), kemi përzgjedhur disa dokumente që i përkasin viteve ’70-‘80-të, duke filluar publikimin e tyre me tre dokumente të periudhës së viteve 1978, 1980 dhe 1981, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni.
Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, ku krahas një numri të madh punonjësish të atij institucioni, që janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit ndër vite, rezultojnë gjithashtu edhe disa prej emrave shumë të njohur, që janë konsideruar si “ikona” të Radio-Televizionit Shqiptar, para dhe pas viteve ’90-të, si; Robert Shvarc, Gaspër Çurçia, Alfon Gurashi, Gjon Simoni, Qemal Xhomo, Viktori Xhaçka, Meropi Xhai, Shpresa Musliu, Gjergj Pekmezi, Alfred Papuçiu, Xhezair Abazi, Shpëtim Gina, Edmond Dilaveri, Mërkur Bozgo, Agron Aranitasi, Jochen dhe Irene Blanke, Muhamet Oseku, Arben Xoxe, Janka Selimi, Timo Luto, Xhuni Tejlor, Arjan Bakiri, Gazmor Halilaj, Mond Lako, e deri te Vera Grabocka, etj. Këto dokumente, publikohen për herë të parë në disa numra./Memorie/