Nën sloganin “Shqipërisë i dalim zot”, opozita shqiptare mbajti protestën e katërt të thirrur nga Partia Demokratike (PD), që kur drejtimin e këtij subjekti e mori Sali Berisha.
Protesta vjen pas rastit “McGonigal”, ish-zyrtari i lartë i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), i cili u arrestua edhe për lidhjet e dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria.
Para qindra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë së Shqipërisë, përfaqësuesit e opozitës kërkuan largimin e kryeministrit, Edi Rama.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se protesta e 11 shkurtit është dita e “siparit te revolucionit demokratik”.
“Rama jep dorëheqjen, pas aktit te pabesë ndaj aleates sonë më të madhe, SHBA-së. Duke korruptuar një zyrtar të FBI-së, ke kryer një akt të pashembullt, kjo është tradhtia më e ulët. Për shkakun e tij, Shqipëria shihet si një vend ku mafia pastron paratë e krimit, ai e ka kthyer vendin në Kolumbinë e Evropës. Revolucioni ynë nuk ndalet deri në largimin e Ramës”, tha Berisha.
Kur mbaroi fjalimin Berisha, protestuesit hodhën disa tymues drejt ndërtesës së Zyrës së Ramës, që u pasua me ndërhyrje të menjëhershme të Policisë.
Berisha tha se të hënën do të protestohet para Parlamentit, dhe më pas u largua nga sheshi drejt ndërtesës së Parlamentit. Pas kësaj, Berisha dhe mbështetësit e tij marshuan drejt Ministrisë së Brendshme dhe Komunës së Tiranës. Berisha i cilësoi këto institucione si të “inkriminuara”.
Marshi i protestuesve vazhdoi drejt ndërtesës së Partisë Socialiste të kryeministrit, Edi Rama.
Pas hedhjes së tymuesve, në Polici janë shoqëruar disa protestues. Berisha kërkoi lirimin e tyre, teksa thirri një protestë të re të hënën.
Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se Rama e zëvendësoi integrimin evropian me “korruptimin ndërkombëtar”.
“Çdo qelizë e qeverisjes është e korruptuar, ndërsa qytetarë të shumë jetojnë në kufijtë e varfërisë. Me ne sot janë edhe punonjësit e administratës që frikësohen nga presionet politike. Numërimi mbrapsht për rrëzimin e Ramës ka filluar. Populli ka vendosur largimin e Ramës, ai është tashmë subjekt i drejtësisë, përgjegjës i shpopullimit të vendit”, tha Meta para protestuesve.
Pak ditë më herët, Komisionit i Votimit dhe Etikës përjashtoi për dhjetë ditë nga punimet e Kuvendit dhe seancat plenare tetë deputetë të opozitës: Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati.
Ata u përjashtuan pas tensioneve të krijuara në seancën ku opozita kishte kërkuar interpelancë të kryeministrit, Edi Rama, për rastin McGonigal. Kryeministri Rama nuk u paraqit në Kuvend dhe pyetjeve të opozitës tento tÇu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Kuvendin, Elisa Spiropali, por nuk u lejua.
Mbi 1.000 forca të policisë mbikëqyrën protestën, duke krijuar një kordon para dhe përreth ndërtesës së Kryeministrisë.
Në rrugët kryesore pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Policia shqiptare ndaloi qarkullimin e mjeteve pas orës 10:00.
Protesta e opozitës nisi duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Turqi dhe në Siri.