VRASJA E LEJLEKUT
Historia e një të burgosuri politik 15 vjeç
Kur u çlirua Shqipëria bashkë me familjen e vet jetonte në Tiranë dhe ishte në klasën e tretë fillore. Po i afrohej moshës së nëntë vjetëve, sepse pati lindur në Vlorë në 28 janar 1936. Kaq i vogël sa qe, nuk mund të gjykonte se çfarë realisht po ndodhte ato çaste. Pushtetarët e rinj bënë në kryeqytet, nën fluturimin dhe përshendetjen e disa bombarduesve anglo-amerikanë, një parakalim të madh dhe thoshin se në Berat, në një mbledhje të tyre, patën shpallur një lloj Karte e të Drejtave të Njeriut dhe ngritur një Qeveri Demokratike.
Thjesht për moshën e vogël po ashtu nuk mund të ishte i qartësuar pse qe vendosur nga fuqitë e mëdha fitimtare të Luftës së Dytë Botërore që Shqipëria t’i kalonte nën ndikim Bashkimit Sovjetik dhe “Mustaqes”, siç me këtë nofkë atë kohë i thoshin Stalinit dhe jo “Çibukut”, siç thërritej Çurçilli.
Ky moshë-vogël dhe trupimtë quhej Reshat dhe ishte njëri nga shtatë fëmijët e Qazim Kripës. Mbiemrin e kishin nofkë. Gjyshi i tyre, Hamdiu, pati qenë për një kohë shumë të gjatë (katër dekada) drejtor i Kripores në Vlorë dhe aq fort peshë dhe autoritet pati pasur ky fakt saqë njerëzit, kur e citonin, i binin shkurt: Hamdiu i Kripës.
Kur qe dy vjeç e gjysmë Reshati për pak sa nuk kishte vdekur. Në korrik 1938 qenë me pushime familjarisht në vilën e plazhit, kur një pasdite, ndërsa gjyshi dhe gjyshja qëndronin në verandën duke pirë kafe, i shpëtoi kontrollit të prindërve dhe u nis për tek deti. Ai kishte valë të mëdha, të cilat i hidhte me shkulm drejt bregut.
Vocraku u ndal në buzë të ujit, vështrimi iu përpi nëpër trazimin e dallgëve dhe nuk ndjeu se ato po ia lagnin këmbët njomzake. Njëra prej tyre krejt befas u përplas me forcë mbi trupin e tij, por ai, ende në këmbë, i parrëzuar, qeshi nga kënaqësia që mbi vrullin e saj doli fitimtar. Bëri dy hapa përpara, tani për ta sfiduar me të vërtetë detin. Një dallgë tjetër, më e madhe, e goditi, e shkundi fort dhe e rrëzoi. Pastaj e gëlltiti brenda masës së shkumbëzuar të ujit.
Po mbytej, jeta e tij qe në fill sekondash.
Fati iu shfaq në formën e një karrocieri, të cilin vlonjatët e thërritni “Zdrypni“, sepse ishte me origjinë nga veriu dhe kur mbërrinte në stacionin e Skelës thoshte gjithmonë “zdrypni, zdrypni!” Sillte në plazh pushuesit. Ai e pa vogëlushin që po mbytej, u hodh në det dhe e ngriti vetëtimshëm. U mblodh tërë plazhi. I nxorrën ujin që kishte pirë dhe e përmendën.
Reshat Kripa shkruan (sepse Reshat Kripa vitet e fundit ka botuar edhe disa libra): “Pas disa ditësh kaloi andej një arixhofkë, nga ato që parashikonin fatin. Nëna e pyeti për të ardhmen time dhe ajo, pasi mori një fije nga flokët e mi, tha: “Djali do të kalojë një rini të rëndë, një burrëri të vështirë dhe një pleqëri të qetë”.
Për PKSH ishte borgjez, edhe pse vetëm dhjetë vjeç
Babai i këtij imcaku në moshë dhe në shtat që i kishte shpëtuar njëherë vdekjes, gjashtë vjet shkollë të mesme i pati përfunduar në Selanik. Këtu bashkë me të qe edhe Avni Rustemi, të cilit i lutej të mos merrej me politikë se prej saj kishte për të ngrënë kokën. Pas shkollimit në Selanik Qazim Kripa kreu dy vite studimi në kolegjin “Robert College“ të Stambollit.
Në 1920 u martua me Myneveren, bijën e Mehmet Radhimës, një avokat i njohur i asaj kohe, ish-drejtor dogane në Vlorë në motet 1913–1914. Banesën prindërore Qazimi e kishte patur tek Kriporja, por vitin e dasmës përfundoi ndërtimin e një shtëpie të re dykatëshe”. “Ndërsa në vitin 1929, shkruan në kujtimet e tij Reshati, ndërtoi një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Ndërtoi edhe një dyqan të madh ku tregëtonte vajin…Në vitin 1936, së bashku me të vëllezërit, përfunduan së ndërtuari një vilë tjetër në plazhin e Vlorës, si dhe një shtëpi verore prej druri në Llogora. Ndërsa në vitin 1941 blenë një truall në Lagjen e Re, ku filluan ndërtimin e një fabrike të re vaji, më të madhe dhe më moderne se e para”.
I pasionuar pas veprimtarisë së bisnesit Qazimi ishte tërësisht indiferent ndaj politikës dhe çdo posti që të jepte ajo. Nuk e kishte kursyer këtë qëndrim edhe kur u shpall Pavarësia dhe qeveria e Ismail Qemalit i ofroi disa nëpunësi.
Çifti Qazim-Mynevere lindi katër vajza dhe tre djem. Fëmijës së parë, e cila qe vajzë, i vunë emrin kuptimplotë Liria. Të tjerëve: Drita, Agim dhe Besnik. Për tre të tjerët u përdorën kujtime të shtrenjta të së shkuarës familjare: Qamile, Fatushe dhe Reshat.
Në skaj të viteve tridhjetë hapën një dyqan për tregtim vaji në Tiranë, ku edhe u vendosën familjarisht në një banesë me qera tek Rruga e Kavajës, karshi Radio-Tiranës. Pas një bombardimi të aleatëve antifashistë kundër aerodromit ushtarak italian shkuan në një vend më të sigurt, tek lagjia me emrin “Pazari”, në katin e dytë të vilës së një mjeku të njohur të kryeqytetit.
Vitet e luftës i ndanë shqiptarët në kahe të ndryshme, madje edhe politikisht kundërshtare, por tek familja Kripa kjo nuk ndodhi. Asnjë prej tyre nuk u lidh me Ballin Kombëtar apo me Legalitetin. Drita dhe Fatushja, nxënëse tek “Nëna Mbretëreshë”, u aktivizuan me grupet ilegale të drejtuara nga Fronti Nacionalçlirimtar. Shkruan Reshat Kripa: “Po ashtu dy djemtë e hallës, Bardhyli dhe Petriti, kishin qenë partizanë. Dajo Nuriu dhe teze Zyhraja gjithashtu. Sinan Gjoni dhe Shyqyri Alimerkua, që më vonë u shpall hero, dy nga komunistët e parë të qytetit të Vlorës, ishin kushërinjtë e parë të nënës”.
Gjatë vitit 1945 familja Kripa ndihej e sigurt se pushteti i ri, i cili po i shpërsonte qëndrimet ndaj mospajtuesve me të, nuk i konsideronte shenjë goditjeje. Ndërsa Drita qe martuar me këngëtarin bariton Hysen Pelingu, një veprimtar i njohur i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, tashmë pjesëmarrës në Filarmoninë e Shtetit, u punësua në Teatrin e Shtetit, duke u bërë njëra prej themeluesve të tij. Ndërkaq Liria qe kthyer në Tiranë, sepse i shoqi ishte emëruar në Bankën Kombëtare të Shtetit. Motra tjetër, Qamilja, qe fejuar me Muharem Çoratin nga Libohova, bërë zëvendësministër i Industrisë dhe i Minierave.
As në rrethin e saj më të afërt Familja Kripa nuk kishte ndonjë të arratisur jashtë shtetit apo ilegal në male.
Në mes të majit 1946 Reshat dhjetëvjeçar pa mbi tavolinën e shtëpisë, sjellë prej të atit, gazetën “Bashkimi”. Në faqen e parë qe një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, sipas të cilit shtetëzoheshin pa asnjë shpërblim të gjitha fabrikat e vajit. Në mënyrë të vetëtimtë kuptoi se tani do të humbnin tërë pronën e tyre të vënë me punë të ndershme sipërmarrjeje.
Për herë të parë ndjeu mbi vete peshën e fjalës “borgjez”.
Ai me kostum blu është Bahri Omari!
Për herë të parë e kishte dëgjuar atë fjalë, “borgjez”, kur u bë Gjyqi Special. Qe, me një bashkëmoshatar, ai edhe ai tjetri vetëm nëntë vjeç, mes grumbullit të kuriozëve jashtë godinës kinema të shndërruar në gjykatore. Kur ata që do të dënoheshin, i zbrisnin nga makinat e burgut dhe i futnin në sallë, njerëzia më shumë i kishin ngulur sytë tek kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari. “Po pushkatoi atë, ka për t’i bërë kërmë të tjerët” thoshin ata, duke shtuar njëkohësisht se ai do të vritej pikërisht që të pranohej vrasja në masë e të tjerëve.
Ishte e lehtë ta identifikoje me sy Bahri Omarin: qe i veshur me një kostum blu.
Përreth ndërtesës-gjykatore mbështetës së Partisë Komuniste, kapur dore për dore, vallzonin dhe këndonin: “Përpara në luftë, përpara, urra, urra!/ Ndër barrikadat proletare urra, urra!/Rendin borgjez do ta shkatërrojmë!”… “Mbi kufomat e tradhtarëve do marshojmë!”
Borgjez, tradhtar…Këto dy fjalë iu ngulën në tru si të qenë gozhdë.
Pas shtetëzimit të fabrikës së vajit në Vlorë si edhe të godinës së fabrikës së dytë po aty, e cila qe ende në ndërtim (me muret e vetëm katit të parë), po ashtu edhe shlyerjes së detyrimit të një tatimi të jashtëzakonshëm, nga Ministria e Brendshme në fundtetor të të njëjtit vit, 1946, mbërriti urdhri që brenda dhjetë ditësh familja Kripa duhej të largohej nga Tirana për t’u rikthyer në Vlorë.
U dërguan edhe kamionin. Qe një “Trentaquattro”.
Udhëtimi zgjati pothuaj tetë orë. Rrugët dhe urat qenë ende të shkatërruara dhe në çdo hyrje dhe dalje qyteti postblloqe të policisë kontrollonin pa rreshtur dokumentet e udhëtarëve.
Në Vlorë katin përdhes të shtëpisë së tyre këshilli i lagjes ia kishte dhënë një familjeje nga Tragjasi. Ata u sistemuan në katin e sipërm. Qazimin e punësuan si teknik në ish-fabrikën e tij. Në nëntor Reshati filloi klasën e gjashtë tek shkolla shtatëvjeçare “Naim Frashëri”.
Në një nga ditët e zakonshme në koridor, tek “Gazeta e Murit”, gjeti një karikaturë të pamjes së tij. Poshtë nxinin me laps të trashë fjalët “Poshtë borgjezia!” Në mbrëmje thuri poezinë e tij të parë. Qenë pesë strofa. Titulli ish “BORGJEZ…!?” Disa nga vargjet: “Pse ky term po më përndjek?/Jam i vogël, jam fëmi,/Kudo shkoj para e gjej,/Si demon prapa më rri./E dëgjoj kudo në shkollë,/Dhe nga njerëzit në rrugë,/Më tmerron, fikson në kokë,/Një mendim që s’dua unë./Pse s’e lini botën time,/Botën time shpirtërore,/Po e ndrydhni me fiksime,/Më prishni ëndrrat rinore?/Lermëni të ëndërroj,/Të këndoj si zog i lirë,/Jetën time ta ndërtoj,/Më të bukur, më të mirë./Porse termi më përndjek,/Që nga mbrëmja në mëngjes,/Dhe në gjumë më thërret,/Ti s’je yni, je borgjez…..!?”
Shkruan në kujtimet e tij Reshat Kripa: “Ishte vetë shteti që po na hidhte në kampin kundërshtar. Po na bënte armiq të tij pa dëshirën tonë”.
Një porosi e Stalinit për Enver Hoxhën
Në 23 mars 1949 Enver Hoxha u takua në Moskë me Josif Visianoroviç Stalinin. Ky, mes të tjerash, i tha: “Në vendet e demokracisë popullore, borgjezia kombëtare është e njollosur me lidhjet e saj me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj kur ushtria sovjetike hyri në këto vende, borgjezia ia mbathi me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë nuk pati as ushtri sovjetike dhe as ushtri jugosllave. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, në qoftë se shokët shqiptarë nuk e kanë likuiduar”.
Pastaj: “Të përçmosh një borgjezi të tillë, që është për pavarësinë e vendit, nuk është gjë e mirë”.
Pak minuta më vonë Stalini mëshoi fjalët: “Në qoftë se do të ketë në Shqipëri kapitalistë të vegjël, që do të hapin ndërmarrje të vogla, dyqane apo punishte, atëherë u duhet dhënë atyre patenta, t\’u vendosen taksa, por atyre u duhet krijuar mundësia të merren me tregti dhe veprimtari industriale gjersa të forcohet ekonomia e Shqipërisë. Kur kjo gjë të realizohet, atëherë do të krijohet një situatë tjetër dhe mund të dalë përsëri çështja e borgjezisë”.
Por në 23 mars 1949 Stalini, megjithëse në atdheun e vet kishte bërë kërdi të brendshme, ka menduar se në takimin që bëri me Enver Hoxhën, ky porosinë e tij për një taktikë të kujdeshme ndaj borgjezisë kombëtare, sapo të rikthehej në Tiranë, do ta vinte në jetë.
Gabohej. PKSH e kishte shfarrosur brenda vitit 1946 të gjithë atë shtresë dhe kush shpëtoi nga progromi i parë, u zerua në 1947. Një vit më pas Shqipëria nuk kishte më as borgjezi të madhe (të cilën nuk e kishte pasur kurrë), as të mesme (kjo sa pati lëshuar sythet e parë) dhe as të vogël (që ishte fare pak dhe si forcë ekonomike nuk kërcënonte asnjë pushtet politik).
Arrestimi i të vëllait
Nga takimi Enver Hoxha-Josif Visianoroviç Stalin, ku ky e porositi të fortin e Tiranës të mos e persekutonte tani për tani borgjezinë kombëtare, por ta licensonte për të punuar me sipërmarrjen e saj ekonomike, pati kaluar një vit i tërë kur në 15 prill 1950, Reshat Kripës i arrestuan të vëllanë, Besnikun. I vunë prangat edhe dy të tjerëve, bashkëpunues me të. Nëpërmjet trakteve kishin zhvilluar veprimtari propagandistike klandestine kundër pushtetit në fuqi. Pas gjashtë muajsh hetimi u dënua me njëzetë vite burgim. Në gusht 1950 “borgjezin” Qazim, që ishte vetëm një teknik me rrogë shteti në ish-punishten e tij, e larguan nga puna. Arsyeja iu tha troç: “Pushoheni për shkak të aktivitetit armiqësor kundër Pushtetit Popullor të djalit tuaj Besnik Kripa”.
Në shtator të vitit 1950, kur i arrestuan të vëllanë, Besnikun, Reshati filloi klasën e parë në gjimnazin “Ali Demi”. Katërmbëdhjetë vjeçari e kishte kuptuar çfarë pati ndodhur në vetëdijën e të vëllait që befas qe shndërruar në kundërshtar të rreptë të regjimit shoqëror komunist. Tashmë i njëjti proces ndryshimi kishte nisur edhe tek ai. E ndjente se po tjetërsohej. Megjithatë kjo gjendje e re nuk e frikonte, përkundrazi po e heroizonte. I dukej vetja si dragua.
Kundër komunizmit me frymëzim vetë librin komunist “Garda e Re”
Në 1951 ende kishte në shtëpi, përveç librin “Nëna”, edhe “Garda e Re”. Rinia e reshtave të këtij qe nxitëse për të përmbysur tërë padrejtësitë e botës. Por ai shihej si një i papërshtatshëm për atdheun e tij. Kur në gjimnaz iu kërkua nxënësve të paraqitnin kërkesat për t’u anëtarësuar në organizatën e rinisë dhe bëri një të tillë edhe Reshati, nuk ia miratuan. Dy-tri muaj më pas një avion i angloamerikanëve fluturoi mbi Vlorë dhe hodhi trakte. Mori njërin dhe e lexoi. Bënte thirrje që shqiptarët të organizoheshin në grupe me jo më shumë se tre veta, ku anëtarët të mos njihnin në fytyrë kryetarin dhe ky as drejtuesit apo pjesëtarët e grupeve të tjerë. Misioni i këtyre celulave klandestine treshe: përmbysja e regjimit komunist.
I hyri “krimbi”.
Në fund të tekstit udhëzues në trakt qenë fjalët “Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!” Kjo e ndezi me entuziazëm.
Në janar 1915 mbushi pesëmbëdhjetë vjeç. Një ditë shkurti, kur një shok i tij gjimnazist qe i revoltuar se pas humbjes aksidentale të triskës së bukës familjes së tij ia kishin ndaluar zëvendësimin e saj me një tjetër dhe kështu për një muaj të tërë nuk kishin çfarë të hanin, bashkë me një të tretë, vendosën krijimin e organizatës ilegale “Atdhetari”. Që atë ditë bënë me shkrim dore tre copë traktesh me të njëjtën përmbajtje: “Le të sulemi, nën flamurin e kuq, në flakë të luftës, që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpyrti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thirrur: RROFTË SHQIPËRIA!”
Me brum i ngjitën në lagjet gjithsecilit: një trakt në Tophana, të dytin në Muradie dhe të tretin në Vrenez.
Vazhduan kështu, me intensitet çdo dy-tri ditë, deri në maj. Qenë të ngazëllyer. Shkruanin dhe shpërndanin lehtësisht thirrjet “Poshtë Stalini dhe satelitët e tij! Poshtë këlyshi i Stalinit, duhanxhiu Enver Hoxha! Poshtë satrapi Mehmet Shehu!”
Por erdhi papritmas dita e gabimit fatal. Dikush i pa duke ngjitur një trakt dhe i spiunoi. Qe 24 maj 1951. Thirrja e asaj dite, e bërë vetëm në dy kopje, ishte më e ashpra e shkruar deri atëherë: “…Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre të poshtërve! Vrajini këta mizorë të mallkuar!…”
Njerëzit e Sigurimit i erdhën në shtëpi Reshat Kripës në orën dhjetë të natës së 24 majit. Ai kishte ende në xhepin e jashtëm të xhaketës njërin nga dy traktet e asaj dite. Kur në Degën e Brendshme e nisi hetimin vetë nënkryetari dhe të porsa arrestuarit përpara i patën nderur një dosje të tërë me të gjitha traktet që të tre kishin shpërndarë, ndërsa po e goditnin me grushte deri në alivanosje, kreu instiktivisht një gjest për ta bërë të mosdallueshëm copë-letrën e mbetur në xhep. Tjetri, nënkryetari i degës së Punëve të Brendshme, i stërvitur në punë të tilla, e diktoi dhe ia mori. Ky do të qe edhe çasti kur pesëmbëdhjetë vjeçari do t’i pranonte të gjitha akuzat.
Në një natë tjetër shtrëngimi dhe gjaku të pafund nga hundët, nga ndjenjë humbur i sjellë në vetëdijë me një kovë ujë, pyetjes këmbëngulëse “A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?”, iu përgjigj “Aspak”. “Atëhere bëj një deklaratë për sa the!”, i bërtiti nënkryetari. I vuri para letër dhe penë dhe pesëmbëdhjetë vjeçari shkroi: “Dekllaratë. Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë: Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj. Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mija. Deklaron i burgosuri Reshat Kripa. Vlorë më 11-VIII-1951”.
U dënuan që të tre me vendimin numër 111 të datës 11.12.1951. Pesë vjet për të: “Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet”. Një rekurs në Gjykatën e Lartë Ushtarake nuk iu pranua. Erdhi përgjigja “Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar”.
Vrasja e lejlekut
Në 12 Dhjetor 1951 u transferuan në burgun e Vlorës, prej këtej, në gusht 1952, në kampin e punës të Urës Vajgurore. Këtu po ndërtohej aerodromi i parë ushtarak i vendit. Aty Reshati u takua me të vëllanë e burgosur që më parë, Besnikun. Pas dy muajsh u erdhi si operativ i Sigurimit togeri me emrin Adem. Qe njeri i zi. Por aty kishte po ashtu edhe një njeri të bardhë. Ishte mjeku i burgosur Isuf Hysenbegasi nga Pogradeci. Të vëllanë ia kishin dënuar me pushkatim, pastaj i qe shndërruar në prangosje shtetërore të përjetshme. Shumë shpejt pati vdekur në burg. Me pushkatim ishte dënuar edhe ai, por ia kishin shndërruar në burgim deri në fund të jetës.
Një vit më pas, në 1953, të dënuarit politikë të aerodromit të Urës Vajgurore i çuan në Vlashuk, ku po hapej një kanal për të bonifikuar kënetën e Tërbufit. Ai duhej bërë i thellë, shpesh deri në tridhjetë metra. Dheu më së shumti ngrihej me krahë, duke e hedhur nga skela në skelë.
Qe fillimi i vjeshës kur nga qielli erdhi një tufë lejlekësh. Ata u ulën, mbase për t’u shlodhur pak. Pas disa orësh u bënë gati të ngriheshin sërish. Mes tyre qe edhe një lejlek i vogël, i cili nuk po fluturonte dot. Të mëdhenjtë u përpoqën disa herë ta ngrinin, por ishte e pamundur. Herën e fundit bënë me të pak metra në ajër, por më në fund ai ra në mes të kampit dhe shpezët, edhe pse leshuan piskama, u larguan. Doktor Isufi vrapoi menjëherë, e mbështolli në krahë zogun e vogël, e çoi në infermierinë e tij dhe e mjekoi. I vuri emrin Sait, në kujtim ndoshta të ndonjë personi të dashur. E ushqeu nga racioni i tij i pakët dhe ai u rrit. U zbut. Nuk iku. Kur të burgosurit iknin për në punë lejleku Sait shkonte në fluturim me ta. Qëndronte gjithë kohën aty, herë në ajër dhe herë në tokë. Kthehej bashkë me të burgosurit në fund të ditës.
Në shkurtin e vitit 1954 i transferuan në kampin e Shtyllasit, një fshat afër Levanit të Fierit. U nisën makinat, e filloi fluturimin pas tyre edhe lejleku. Gjatë rrugëtimit të të burgosurve, mes të cilëve qe edhe doktor Isufi, ai herë rrihte krahët në ajër, herë pushonte mbi ndonjë pemë apo breg toke. Gjithsesi Saiti nuk i humbte nga sytë miqtë e tij dhe as këta, që nga karoceritë e kamionëve, nuk ia ndanin vështrimet.
Kur makinat me të dënuarit politikë hynë në kampin e porsangritur të Shtyllasit, lejleku Sait kishte mbërritur atje pak minuta më parë dhe bënte rrotullime gëzimi mbi sheshin e kapanonet. Të burgosurit po uleshin nga karroceritë kur u dëgjua një krismë pushke, pastaj edhe një tjetër. Doktor Isufi klithi i pari. Rënkuan njëherësh gjithë të tjerët. Lejleku Sait, tashmë me krahë të mpirë, po binte drejt tokës. E kishte qëlluar njëri nga rojet e portës kryesore të kampit. Kur Isuf Hysenbegasi vrapoi dhe e mori në krahë, ai tashmë kishte vdekur. Qau. Gjeti një kuti kartoni, e mbështolli me të dhe e varrosi.
Toger Ademi
Ishte ditë e nxehtë vere kur një mëngjes i dënuari politik Sulejman Dizdari u gdhi me temperaturë. Doktor Isufi dha urdhër ta shtronin në infermieri, por menjëherë u shfaq toger Ademi dhe e ndaloi: “Është në forcën e atyre që duhet të shkojnë në punë!” Kështu i sëmuri u nis me të tjerët. Udhës marramendej. Kur mbërritën te kanali nuk qëndronte dot më në këmbë. Besniku propozoi që t’ia bënin ata, të tjerët, normën. Roja që i shoqëronte, u dha leje. Mirëpo kur afroi dreka u rishfaq toger Ademi. Dielli digjte. E pa Sulejmanin shtrirë dhe e urdhëroi të ngrihej për të shtyrë karron e dorës. Të burgosurit politikë i thanë se normën e tij po e bënin ata. Tjetri refuzoi. Sulejmani u çua me mundim, e shtyu karrocën disa metra, pastaj edhe pak, deri sa më në fund mbërriti te vendi ku shkarkoheshin. Këtu fuqitë iu prenë dhe ra përtokë. Toger Ademi urdhëroi të burgosurit e tjerë politikë që, ashtu të shtrirë, ta mbulonin me dhe. Këta nuk pranuan. Atëherë ky solli një skuadër me të burgosur ordinerë, të cilët e mbuluan në pak minuta. I lanë jashtë vetëm fytyrën. Deri në fund të turnit, që ishin plot katër orë, Sulejmani vetëm rënkoi. Nuk nxirrte dot fjalë, mbase nga që dheu ia shtypte krahërorin dhe mushkritë. Kur erdhi orari i kthimit për në kamp shokët ia hoqën dheun, e morën në krahë dhe doktor Isufi përkushtoi gjithë përvojën e tij profesionale që ta shpëtonte nga një vdekje e sigurt. Atë mbrëmje, i revoltuar, ai i tha toger Ademit “As nazistët nuk kanë bërë tortura të tilla”. “Ky desh ta ndëshkonte, por e shpëtoi ndërhyrja e komandantit të kampit”, shkruan në kujtimet e tij Reshat Kripa. Ndërkohë një nga të burgosurit politikë me emrin Allamani thurri vjershën “Miku im”. Një strofë e saj thoshte “Ty të mbuluan dje,/ Diku në Myzeqe,/Të gjallë në një fushë,/Me dhe, o vlla me dhe!”
Nga mesi i nëntorit 1954 të burgosurit politikë që patën qenë në Urën Vajgurore, pastaj në Vlashuk dhe tashmë prej tetë muajsh në Shtyllas, i transferuan në Bulqizë. Qenë pesë kamionë “Skoda” dhe ata të lidhur dy nga dy. Në këtë kamp pune të ri ardhja e të burgosurve vazhdoi për disa ditë rresht, gjersa arritën në mbi dymijë e pesëqind vetë. Pozicioni i kampit në një grykë malesh, kishte katër deri pesë orë diell vetëm në verë. Pjesën tjetër të motit nuk depërtonte asnjë reze. Dimri zgjaste pothuaj gjashtë muaj, temperatura zbriste deri në minus njëzet gradë.
Në një ditë të tillë, janar 1955, një i burgosur nga Mirdita, i ri shtatëmbëdhjetë vjeçar, të cilit ia kishin pushkatuar të atin dhe atë burgosur, po priste tek menca të merrte racionin e supës. Iu afrua toger Ademi dhe e pyeti përse nuk kishte realizuar normën. Tjetri nisi t’i përgjigjej, por operativi i Sigurimit nuk e la as të shpjegohej dhe as të hante bukë, por e mbylli në birucën e izolimit. Në mbrëmje një nga të burgosurit politikë hoqi nga goja një pjesë të ushqimit të tij dhe ja çoi të riut mirditor. Toger Ademi e mori vesh, erdhi rëmbimthi në qeli dhe i kërkoi shtatëmbëdhjetë vjeçarit t’i kallzonte cili qe personi që i pati dhënë ushqim. Malësori nuk e hapi gojën. Atëherë togeri e nxorri në obor dhe e lidhi fort në një shtyllë telefoni. Gjithë natën, nga që po ngrinte, i riu thërriste “Ftoma! Ftoma!” Me kalimin e kohës rënkimi gjithnjë e më shumë iu fik, deri sa ndaj të gdhirë nuk iu dëgjua më. Kur u lejua dalja e të burgosurve në obor ata vrapuan tek ai, por shtatëmbëdhjetëvjeçari ishte i pajetë.
Jeta, megjithatë, është e bukur
Reshat Kripa u lirua në 11 dhjetor 1955 dhe tek porta dalëse e burgut oficeri i rojes i tha: “Një porosi ke nga unë. Vuri drynin gojës se përndryshe do të kthehesh përsëri këtu!” Veproi ashtu si e këshilluan. E donte jetën, por edhe e dinte që, duke qenë i ri, diktatura do të shembej para syve të tij. Siç edhe ndodhi. Që në fund të vitit 1990 u bashkua me Lëvizjen e Dhjetorit. Rinisi, pa u lëkundur nga pikëpamjet e mëparshme, të merrej me politikë. E kishte pasion dhe këshillat e të atit për Avni Rustemin nuk e ndikuan.
Shumë ngjarje ia shënuan jetën ndërkohë, përveç parashikimit të saktë të fallit të harixhofkës kur qe vetëm dy vjeç e gjysmë. Ra në dashuri dhe u martua me Idën, bijën e Ago Agajt, inxhinier agrar diplomuar në Vjenë, pjesëmarrës në luftën e Vlorës më 1920, në vitet e luftës prefekt në Mitrovicë dhe në shtator 1943 Ministër i Ekonomisë Agrare.
Ngjarja tjetër e spikatur i ndodhi në vitin 1992. Rastësisht takoi toger Ademin. Tashmë ishte me një gradë të lartë dhe punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ylli Polovina
Tiranë, më 20 tetor 2015
Lamtumirë Reshat!
U nga jeta më 5 dhjetor 2019 në moshën 83-vjeçare Reshat Kripa një intelektual dhe aktivist i përkushtuar, ish i burgosur politik, anëtari i kryesisë kombëtare dhe themelueses i Shoqatës së ish të përndjekurve në Shqipëri,shkrimtar e publicist.
Zoti Reshat jetoi një jetë plot andralla e vuajtje përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist. U arrestua që në moshën 15 vjeç, i akuzuar se kishte ngritur një organizatë antikomuniste dhe me në grup shokësh shkolle shpërndanin trakte kundër regjimti të Hoxhës në Vlorë,
Ka lindur mё 28 janar 1936 nё qytetin e Vlorёs. Rjedh nga njё familje intelektuale qytetare. I ati, Qazim Kripa ka kryer studimet nё “Robert College”, nё Stamboll. U kthye ne atdhe nё prag tё shpalljes sё Pavarёsisё kombёtare, mё 1912. Pas kthimit nё atdhe u mor me tregti, fillimisht me njё kafe dhe mё pas me ngritjen e njё fabrike pёr prodhimin e vajit tё ullirit dhe tregtimin e tij.
Nёna, Mynevere Kripa, ishte e bija e njё avokati tё njohur nё qytet, Mehmet Radhimёs, i cili ishte drejtor dogane nё qeverinё e Ismail Qemalit. Nё vitin 1942 familja e Reshat Kripёs u shpёrngul nё Tiranё dhe vazhdonin me tregtinё e vajit. Nё vitin 1946 pas shtetёzimit tё fabrikёs sё vajit, me vendim tё Ministrisё sё Brendshme dёbohen nga Tirana pёr motive politike. Shpёrngulen sёrish nё Vlorё, ku fillojnё tё trajtohen si armiq tё popullit.
Mё 1950, vёllai i Reshat Kripёs, Besniku krijoi njё grup tё fshehtё sё bashku mё dy shokёt e tij, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon dhe shpёrndanin trakte nё gjimnazin e qytetit. Ata u dёnuan me 15 vite burg.
Nisur nga kjo situatё, Reshat Kripa nё moshёn 15 vjecare nis njё revoltё kundёr pushtetit. Sё bashku me dy shokё tё klasёs, Myrteza Babocin dhe Jorgo Beshon, nё vitin 1951 krijuan njё grup tё fshehtё qё shpёrndante trakte nё qytet. Pas katёr muajsh, mё 24 maj 1951 ata arrestohen. Akuza e dёnimit ishte : “Pёr Agjitacion dhe Propagandё”. Pёr shkak tё moshёs sё mitur ai dёnohet me 5 vite burgim.
1942 familja e Reshat Kripёs shpёrngulet nё Tiranё, ku vazhdojnё tregtinё e vajit.
1946 pas shtetёzimit tё fabrikёs sё vajit dёbohen nga Tirana nё drejtim tё Vlorёs pёr motive politike.
1950 vёllai i Reshat Kripёs, Besniku dёnohet me 15 vite burg
1951 Reshat Kripa nё moshёn 15 vjecar krijoi njё grup tё fshehtё pёr tё shpёrndarё trakte nё qytet.
Poezi nga Reshat Kripa
Vargje zemre
KONFUZ?
Mendja ime çoroditur,
Zemra ime e habitur,
Shqetësuar po mendon,
Flakë e zjarr përvëlon.
Po përse do pyesni vallë,
Të ka zënë ty ky hall?
Më ka zënë miqt’e mi,
Për të shtenjtën Shqipëri!
Që dhe sot mbeti pa zot,
Nëpër vaj e nëpër lot
Nëpër lot e nëpër vaj,
Askërkush nuk mund ta qajë.
Zemra ime e lënduar,
Po vajton e pikëlluar,
Ca përpiqen ta ndërtojnë,
Ca të tjerë ta shkatërrojnë.
Po kur fjalën do ta gjejnë,
Po kur fjalën do ta mbajnë,
Të mos ketë më mëri,
Të mendojnë për Shqipëri?
Oh, kjo pyetje bërë thjeshtë,
Më le pa besim e shpresë,
Pa besim dhe pa drejtim,
E ardhmja e vendit tim!
Tiranë, korrik 2003
QYTETIT TIM
Atje lart në Qafë të Topit,
Hedh vështrimin mbi qytet,
Sytë më lagen prej lotit,
Zemër vrarë oh, medet!
Ç’ke moj zemër që vajton?
Pse më rri e pezmatuar?
Vlora ime më kujton,
Atë kohën e kaluar.
Më kujton fëmininë time,
Frymëzime dhe pasion
Plot me brenga, hidhërime,
Shpirtin po ma torturon.
Pse këto mendime vallë,
Zemrën time e pushtuan?
Unë për ty sot kam një mall,
Vlora ime adhuruar
S’të ndërroj me asnjë tjetër
O qyteti im i rrallë.
O vendlindja ime vjetër,
Jeta më duket përrallë.
Si parajsë je, o Vlorë,
Si parajsë je ndërtuar,
Ku ullinjtë rreth kurorë,
Perëndit t’i kanë dhuruar!
Vlorë, prill 1992
SHITËSI I BAJAMEVE
Të dy ulur në kafe, me një mikun tim të vjetër,
Bisedonim sy për sy, për hallet e botës tjetër.
Asaj bote të panjohur, jashtë luksit dhe shkëlqimit,
Ku sundonte tragjedia, hija e rëndë e mjerimit.
Miku, mësues i njohur, nëpër rrethet arsimore,
Më tregonte pikëlluar, plagët tona shoqërore,
Plagët e brezit të ri, plagët që shumë e lëndonin,
Për të ardhmen vendit tonë, zemrat tona përvëlonin.
Krejt papritmas që nga prapa, u dëgjua zëri dridhur
– Doni bajame zotni, doni ndonjë gjë të kripur?
Po vështronim nga djaloshi, që bajamet na ofronte,
Ishte fare njomëzak, njomëzak që të punonte.
Porsa ne i kthyem kryet, djaloshi ngriu në vend,
Si një shtatore mermeri, as që merret dot me mend,
Nga syt po lotonin lotët, buzët dridheshin me dhimbje
Gjithë bajamet që nga dora, u përhapën tokës shqime.
– Zoti mësues, më falni! – foli djali nëpër lot,
Zëri i tij po i dridhej, ne s’ishim në këtë botë,
Kishim fluturuar tutje, në botën e dhimbjes prore,
Po përse, përse të ketë, kështu dhimbje shpirtërore?
– Sa kushtojnë ato bajame? – foli mësuesi urtë,
Por djaloshi s’fliste dot, zemre tij tepër e butë,
Ishte vrarë, ishte plagosur, turpi e kishte mbuluar,
Pranë mësuesit të tij, po qëndronte turpëruar.
– Mos u skuq, mos u ndro, puna gjithmonë është nder,
Je nxënës i mrekullueshëm, je simbol për të tjerë. –
Nxorri një grusht me monedha, e djaloshit ia drejtoi,
Ia dhuroi me dashuri dhe në dorë ia dorëzoi.
Djali gjorë turpëruar, monedhat në dorë mori,
– Faleminderit për ju! – Dhe me vrap jashtë doli,
Ky mësuesi tronditur, foli me një zë të rëndë:
– Është nxënës i shkëlqyer, ka vetëm të zezën nënë!
S’folëm më, nuk biseduam, goja na ishte bllokuar,
Po kujtonim djalin mbarë, ngjarja na kishte shokuar,
Po vështronim gjithë bajamet, an’e kand në dysheme,
Përse kjo ngjarje e rëndë, të ndodhë këtu te ne?
Tiranë, qershor 2005
DUA!
Dua detin, dua malet,
Dua fushat, dua pyjet,
Dua lumin, dua zallet,
Dua diellin, dua yjet!
Dua dhe të zbehtën hënë,
Dua edhe gjithësinë,
Mbi të gjitha hije rëndë,
Dua shumë Shqipërinë!
Ndonëse është sakatosur,
Për mua mbetet e bukur,
Leqendisur e plagosur,
Atje ndiej veten të lumtur.
Veten të lumtur e ndiej,
Sepse ky është vendi im,
Në çdo kënd të tij unë gjej,
Paqen edhe dashurinë.
Këtu kam miq edhe shokë,
Edhe truallin ku kam lerë,
S’dua të jetoj në botë,
Dua këtu ku kam nderë!
Tiranë, korrik 2007
KËRKOJ
Kërkoj në qiell dhe në dhe,
Kërkoj në diell dhe në yje,
Kërkoj dhe lart përmbi re,
Kërkoj poshtë nëpër pyje.
Kërkoj dhe ku nuk kërkoj?
Në çdo cep në këtë botë,
Fusha male i përshkoj,
Që të gjej një vend pa lot.
Jam i lodhur, i trishtuar,
Nga brengat e kësaj jete,
Jetën shkoj duke menduar,
Duke bredhur nëpër dete!
Kërkoj dhe pak dashuri,
Por atë nuk e gjej dot,
Nuk gjej dot pak mirësi,
Kërkoj dhe kërkoj më kot.
Botë, moj botë barbare!
Ti bari dhe ti o bujk,
Qytetarë dhe fshatarë,
Njeriu për njerin ujk.
Andaj sot unë po mendohem,
Që më kot të mos kërkoj,
Të mos lodhem, përgjërohem
Për atë që dëshëroj.
Tiranë, gusht 2007
LULE “ MOS MË PREK “
Po shetisja në lulishte, nga zambakët i rrethuar,
Nga begonjat, trëndafilat, karafilat lulëzuar,
Nuk mendoja, nuk besoja isha apo jo në botë,
Isha si në një parajsë, isha në një vend pa lot.
Tek qëndroja i mahnitur, në atë botë përrallore
Ndieja zemrën të gëzonte, kënaqësinë shpirtërore,
Si pa dashur zgjata dorën, lulen pranë për të këputur,
Lule jo si gjithë të tjerat, ishte lule shumë e bukur.
Për çudi lulja më foli, zëri i saj më habiti,
Seç më solli nëpër botë, më hutoj dhe më goditi,
– Ik or djalë mos më nga, se jam lule “Mos më prek“,
Më e mira nga të gjitha, jam një lule, lule mbret.
Hoqa dorën turpëruar, isha sjellë si fëmi,
E sodita lulen bukur, lulëzonte mrekulli,
Atë çast seç u mendova, kësaj lule madhështinë,
Nuk do mundin dot t’ia prekin, nuk ia thyejnë krenarinë.
Tiranë, gusht 2008
Lamtumire o mik i vyer i kohes se Iluzioneve dhe Zhgenjimeve!
Shpirti Yt i bardhe u prehte mes luleve, zogjve, dritave e ngjyrave , te cilave u kushtonje vargjet e Tua kur enderronje, qofte edhe duke baritur mbi ate “lendine lotesh” qe qe rruga e jone mbi kete toke. Por ti e parandjenje Parajsen e Zotit. Paç shperblimin e Tij per gjithe mundimet qe koha e tmerrit Te detyroi t’i kalosh ne Atdheun Tend, te cilin e deshe me gjithe fuqine e shpirtit Tend fisnik, e deshe shume me teper se shume te tjere, te cilit atij i grabiten gjithshka.
Te qofte i lehte Dheu i tij, u prehsh ne Paqen e perjeteshme!
Mirupafshim n’atw Botw ku shperblehen dhimbjet, vuajtjet, cfilitjet fizike e shpirterore , ku gjen vleresimin ndershmeria, ku gjen melhemin shpirti i vrare!
Ngushullimet me te ndjera e me te sinqerta njerezve te Tu te dashur, familjes edhe n’emer te nje miqesie te hershme, miqve e shokeve, te gjithe atyre qe me ikjen Tende te shpejte u ke lene nje zbrazesi ne shpirt!