Çdo mëngjes vihemi ne dijeni të të rejave nga vendi ku jetojmë dhe gjithçka që ndodh në rruzullin tokësor. E megjithatë, nga pikëpamja kulturore, dhe ca më tepër nga ajo e kulturës politike, jemi ende shumë të varfër. Një nga arsyet është se asnjë ngjarje nuk vjen tek ne pa qenë e mbushur me shpjegime të çdo lloji.
Me fjalë të tjera, sot pak gjë i shërben analizës, thellimit të dijes, të menduarit kritik, reflektimit mbi ngjarjet dhe nxjerrjes së shembujve të dobishëm mbi të ardhmen, pothuaj çdo gjë i shërben informacionit dhe marketingut. Megjithatë, në “oqeanin” e madh të librave të botuar, me pak durim mund të gjesh “perla” të historisë politike të Evropës, traktate politike apo ese për politikën dhe historinë e saj. Shembull janë librat e Prof. Adem Mezinit, që duke marrë në shqyrtim shekullin XX, prurjet e prirjet e tij dhe gjurmët që na vijnë nga e kaluara, jo vetëm na fut në hullinë e kulturës politike, por na ndihmon të kuptojmë misionin më të madh të historisë: që prej saj duhen nxjerrë mësime. Profesori i dashur dhe aq i mençur, sot na la. Profesori që fliste veç për të ardhmen, e që të gjithë ne i kërkonim të na thoshte se çfarë mendonte lidhur me ato që do pasonin në zhvillimet politike të së nesërmes, sot nuk është më mes nesh.
Mund të duket e habitshme, madje paradoksale, që t’i kërkosh një historiani të të flasë për të ardhmen, megjithatë na duhet të biem dakord mbi faktin se ç’është historia dhe se cili është funksioni e profesioni i historianit. Për një kohë të gjatë është thënë që historia është shkenca e së shkuarës, por gjithnjë e më shumë historianët, si dhe ajo pjesë e shoqërisë që është më e afërt me ta, ndërgjegjësohen për faktin që – siç ka thënë historiani i madh francez, Mark Blok, – “historia është shkenca e njerëzve brenda një shoqërie, në një kohë të caktuar”. E thënë ndryshe, historianit i del detyrë që të shfaqë interesin për të ardhmen.
E tashmja dhe e ardhmja lindin nga e shkuara: e ardhmja është e panjohur dhe në këtë pikë historiani nuk mund të jetë fallxhor, – thoshte profesor Mezini. Ai nuk e njeh të ardhmen, por mundet dhe, për më tepër, me aq sa njeh nga e shkuara, si dhe duke analizuar të tashmen, duhet ta ndriçojë të ardhmen. Në fakt, profesor Ademin mund ta karakterizojmë edhe si specialist të vazhdimësisë dhe të ndryshimeve në evolucionin e shoqërive njerëzore, përgjatë kohës. Atij shpesh i është dashur të zbulojë atë çka ekziston si strukturë dhe dukuri e thellë, nën sipërfaqen e shndritshme dhe të ndryshueshme të ngjarjeve. Këtë e ka bërë rëndom, e sidomos ne librat e tij, siç janë “Alternativat e shekullit XX”, “Refleksione për kohët moderne”, “Bota nuk ndryshon vetiu”, “Rusia në kohën e ndryshimit, nga Gorbacovi, tek Putin”, si dhe në dhjetëra tekste shkollore e leksione. Nga ana tjetër, ai ishte i ndjeshëm ndaj ndryshimeve, sepse historia nuk është statike dhe shoqëritë që përbëjnë objektin e saj të studimit nuk janë të pandryshueshme. Prandaj mund të thuhet me plot gojën që Prof. Mezini kishte patjetër diçka për të thënë mbi mënyrën sesi na paraqitet shekulli XXI, madje mund të formulonte hipoteza të arsyeshme mbi bazën e asaj që di mbi të shkuarën dhe të tashmen, mbi mënyrën sesi kemi hyrë në shekulli XXI. Të gjitha këto probleme që shekujt i përcjellin e i mbartin nga njëri-tjetri përbënin fokusin e studimit të autorit të njohur dhe mësimdhënësit të shquar, Profesor Adem Mezinit, që veç librave është përkushtuar edhe në arsimimin e mbrujtjen me dashurinë për historinë të dhjetëra breza studentësh.
Nga këndvështrimi politik dhe shoqëror, Prof. Mezini gjithmonë diskutimet e sjella i kishte në një masë të madhe rreth problemeve të lirisë, demokracisë, nacionalizmave, të rendit ndërkombëtar dhe të paqes.
Detyra e historiani, – përsëriste ai, – është të thotë që ka një moral historik, i cili konsiston në orvatjen për të treguar atë që duhet thënë realisht mbi të vërtetën e së shkuarës.
Na nevojitet të kemi një qëllim në histori, një pikëmbërritje që të na tërheqë dhe që të na lejojë të përmirësohemi, – thoshte shumë shpesh profesori. Por historia, ky demiurg hyjnor (arsye e perëndishme në sistemin filozofik të Platonit), nuk ka nevojë për protagonizëm, por për liri e kthjelltësi gjykimi. Pikërisht këto dy aftësi të Profesor Mezinit bëjnë që në çdo gjë ai të mbështetej tek parimin themelor i çdo analize frytdhënëse politike e historike. Ai nuk hyjnizonte asgjë, por përpiqej ta bënte çdo gjë njerëzore e të kapshme, duke shmangur argumentet artificialë e duke i drejtuar reveranca vetëm të vërtetës dhe logjikës së fakteve.
Të artikulosh historikisht e politikisht të kaluarën, – siç ia dilte mbanë ta bënte Prof. Mezini, – nuk do të thotë vetëm ta njohësh atë siç ka qenë në të vërtetë, por do të thotë të bëhesh i vetëdijshëm për të zbatuar ato çka ajo ka pasur më të mirë, duke u ruajtur të mos përsërisësh të metat, për të ndriçuar këdo në rrugën e gjatë e po aq të vyer të dijes e progresit.
Ndriçofsh gjithmonë atje lart në qiej, PROFESOR i dashur!
Nuk është rastësi që nga ty na privoi viti i mallkuar 2020, ashtu siç na ka privuar nga të tjerë njerëz të vyer përgjatë gjithë zymtësisë së tij.
Një mendje e ndritur ishe mes nesh, një yll më tepër do jesh atje lart, ku kam bindjen se një pafundësi shpirtrash të mirë do kenë kërshëri të dëgjojnë të gjitha gjërat e vlefshme që do vijosh t’ua mësosh me plot përkushtim!
Prof. Asoc. Dr.
Eva Tafili (Hyskaj)
Tiranë, dhjetor 2020
Komentet