Shqipëria rekord minorenësh që kërkojnë strehim më Itali, 7% që braktisin vendin janë të rinj
Sipas të dhënave zyrtare 7% e personave që braktisin Shqipërinë janë të rinj e një numër i lartë i tyre janë minorë e adoleshentë që mbërrijnë në Itali.
Brenda një muaji nga 1 janari në 31 janar 2023 në Itali kanë kërkuar strehim 62 minorë shqiptarë pa prindër e 84 minorenë nga Kosova duke lënë pas emigrantët minorenë që mbërrijnë nga Ukraina, Sudan, Mali, Pakistan, Marok etj.
E konfirmojnë këtë fakt, të dhënat e Ministrisë italiane të Çështjeve Sociale si dhe rastet e dokumentuara nga Policia Italiane.
Pak orë më parë Ministria Italiane e Çështjeve Sociale ka publikuar raportin e parë mujor për vitin 2023 e deri më 31 janar 2023 janë 1329 minorenë shqiptarë emigrantë pa prindër që kanë kërkuar strehim nga shteti italian.
Për nga numri ata renditen të katërt pas minorenëve ukrainas, egjiptianë e tunizianë e lejnë pas ata nga Pakistani, Afganistani, Bregu i Fildishtë, Guinea etj.
Ndërsa minorenët e pa shoqëruar kosovarë janë 283.
Në raportin e Ministrisë Italiane dokumentohet se 40 nga minorët shqiptarë të strehuar në Itali janë vajza në o nën moshën 17-vjeçare.
Po pak orë më parë Policia italiane e qytetit të Pizës ka informuar se një çift prindërish shqiptarë janë denoncuar tek autoritetet gjyqësore për shtirje të braktisjes së djalit minoren me qëllim strehimin e pajisjen e tij me leje qëndrimi në Itali.
17-vjeçari shqiptar është prezantuar në Policinë e Pizës duke deklaruar me ndihmën e një përkthyesi se ka mbërritur i vetëm në Itali e kërkon mbrojtje nga autoritetet italiane.
Ndërsa minoreni është strehuar në një qendër për minorët e është orientuar në një plan studimi e përfshirje sociale së bashku me leje qëndrimin përkatës, autoritetet policore kanë vazhduar hetimet për të kuptuar pikën e hyrjes së tij në territorin italian.
Në bashkëpunim me homologët shqiptarë është vërtetuar se 17-vjeçari ka mbërritur në Piza së bashku me prindërit dy ditë më parë, me një udhëtim ajror. Është vërtetuar falsitetit i deklaratës së minorenit. Dy prindërit janë identifikuar në portin e Barit ndërsa po merrnin tragetin për t’u kthyer në Shqipëri.
Autoritetet policore kanë ndaluar udhëtimin e tyre duke i detyruar të mbërrijnë në Piza për të marrë djalin e me denoncimin pranë autoriteteve gjyqësore për deklarim fals.