“Kinemaja për mua është një univers ëndrrash ku gjej dhe zbuloj çdo herë vetveten dhe kthehem gjithnjë më i mirë”. Bujar Alimani
Nuk lodhem së thëni që kam një admirim të madh për njerëzit që punojnë fort. Por ruaj një vend të veçantë në bankën e vlerësimeve të mia për ata dhe ato që ëndrrat e një nate vere apo edhe të një dite dimri i ndjekin pas dhe vrapojnë me pasion t’i bëjnë realitet. Një prej tyre është Bujar Alimani, regjisor, skenarist, producent, artist ëndërrimtar, i cili u gjend për herë të parë në një shesh xhirimi diku andej nga viti ’96 dhe kuptoi se kinematografia do të ishte udhëtimi i tij. Në vëmendjen time emri i Bujar Alimanit erdhi dje, (sigurisht jo për herë të parë) pikërisht kur mikja ime e dashur Eda Çini njofton se kishte parë një film shqiptar nën firmën e Bujar Alimanit, në Festivalin e Filmit të Blue Mountain, Ontario. E interesuar për njerëzit që arrijnë sukses në emigracion, i shkruaj regjisorit të di më shumë dhe ashtu siç duhet të jetë artisti, zemërgjerë dhe modest, pa më zhgënjyer më përgjigjet pa vonesë.
Jeta Dedja: Bujar mbaruat studimet në pikturë, emigruat në Greqi, nisët të bëni filma, emigruat në USA, dhe me filmat vazhduat. Kur i rendis këto në mendje më krijohen imazhet e një njeriu ëndërrimtar që s’ndalet e nuk dorëzohet. Si do ta përshkruanit ju veten?
Bujar Alimani: Unë jam një njeri normal me profesion emigrant që përpiqem të flas me të tjerët nëpërmjet historive që tregoj me anë të kamerës. Një njeri që e ndaj jetën time pothuaj përgjysmë ndërmjet të përditshmes dhe të përjetshmes, të paktën ajo që besojmë të gjithë kur merremi me diçka kaq të shenjtë siç është arti. Kam nisur karrierën time që nga viti 1996 kur për herë të parë u gjenda në një shesh xhirimi dhe kuptova se kjo ishte deri më tani gjëja më e mirë, e cila mund të më shkonte për shtat – kinematografia. Duke qenë se kisha studiuar pikturë 4 vjet u njehsuan butë elemente të estetikës në çfarë unë doja të tregoj. Me pak fjalë jo vetëm historia por mënyra ikonike sesi ti e shpreh atë. Kuadri, ekuilibret e volumeve, planet, perspektiva, ngjyrat, gjithcka. Gjithnjë një film timin e shoh si një telajo pikture. Që nga 2002 kur kam bërë filmin tim të parë të shkurtër “Katoj” nuk jam ndalur të ecë në dy vija paralele: si njeri dhe si artist. Nuk kam pasur asnjëherë luksin të merrem vetëm me art. Kurrë! Kështu që edhe mundimi ka qenë shumë i madh.
Jeta Dedja: Tingëllon e mundimshme rruga e artit, por duket sikur edhe sukseset ju kanë ndjekur pas.
Bujar Alimani: Jetoj si njeri i cili nuk e ka njohur fjalën fat por e ka kërkuar atë. Nëpërmjet punës dhe filmave të cilat nuk sjellin asnjëherë mjaftueshëm të ardhura, por kjo është një temë tjetër. Është dashuri kjo gjë dhe për dashurinë njerëzit shumë shpesh paguajnë shtrenjtë. Nuk kam pranuar asnjëherë për asnjë sekondë në jetën time qëkurse njoha kinemanë dikur në vitin e largët 1996, që ta braktis ëndrrën. Andej dhe këtej oqeanit. Jetojmë në një botë ku bota dhe njerëzit po bëhen racionalë dhe ëndrra po zhduket. Kinemaja për mua është një univers ëndrrash ku gjej dhe zbuloj çdo herë vetveten dhe kthehem gjithnjë më i mirë.

Jeta Dedja: Unë jam njohur me krijimtarinë tuaj përmes filmit tuaj të parë me metrazh të gjatë “Amnistia”, shfaqur në 2011, më tej filmin “Krom” dhe “Vëthi i munguar”. Kam konstatuar me syrin tim amator rritjen tuaj artistike. Jam kurioze, po ju, kur shihni punët tuaja sot që po flasim, çfarë ndjesish keni?
Bujar Alimani: “Amnistia” është filmi i cili mund të them se më katapultoi në listën e autorëve të rinj evropianë të kinemasë dhe gjithnjë para meje ka qenë dilema sesi do ishte puna ime e ardhshme. Fare kollaj, aq sa të ngrenë lart po aq, pa kurrëfarë hezitimi të flakin përtej, e askush nuk merret më me ty. Flas për kritikën e cila sot luan një rol të rëndësishëm në pozicionet të cilat u jep krijuesve. Nuk mendoj se filmat e mi pëlqehen totalisht nga njerëzit. Kjo nuk më trishton aspak. E kundërta do më mërziste. Arti është subjektiv po aq sa edhe haluçinativ njëherësh. Që do të thotë se secili e sheh, imagjinon dhe percepton sipas një mënyre të vetën të caktuar. Psh: filmi im më i diskutuar është “Krom”. E megjithatë kritikën më të mirë ndër gjithë filmat e mi e kam marrë nga “Hollywood Reporter” pikërisht për “Krom”. Kur puna jote ngjall refleksione të ndryshme në njerëz të ndryshëm, kjo është thjesht e përsosur, ështe ndjesi e mrekullueshme.
Jeta Dedja: Më tregoni rreth filmit “Virgjëresha Shqiptare” me të cilin morët pjesë në Festivalin e Filmit të Blue Mountain Ontario, Kanada. Si ndodhi që morët përsipër regjinë e këtij filmi?
Bujar Alimani: Kur producentja gjermane Anita Elsani dhe skenaristja gjermane Katia Kittendorf ma ofruan të jem unë regjisori i këtij projekti, hezitova fillimisht pasi tema mu duk e zakonshme në çfarë të huajt shihnin te shqiptarët e sapo dalë nga errësira komuniste, të cilët kishin nisur të rihapin plagët e vjetra të Kanunit. Megjithatë skenari ishte i mirë dhe unë ndjeva se mund të bëja një film të mirë me të. Përcaktuese në vendimin tim ishte marrja pjesë në film e drejtorit të fotografisë Jorg Widmer, një nga mjeshtrat e kamerës kinematografike sot në gjithë botën. Mendoj se kemi bërë një film të mirë.
Jeta Dedja: Si u prit filmi në Blue Mountain dhe ka ndonjë shans të vini në Montreal?
Bujar Alimani: Në Blue Mountain ishte padyshim filmi me audiencë më të lartë në të dy projeksionet e datave 3 dhe 4 qershor. Do dëshiroj shumë ta sjell filmin në Montreal. Uroj t‘ia dalim ta sjellim deri në vjeshtë.
Jeta Dedja: Si është të punosh me një emër të madh si Viktor Zhusti në kushtet e sotme të kinematografisë shqiptare?
Bujar Alimani: Me Viktor Zhustin është hera e dytë që punoj pas filmit “Delegacioni” ku Viktori kishte rol kryesor. Dikur e kisha pedagog, sot jemi miq dhe kolegë. Plejada e tyre ndihmon shumë me përvojën dhe maturinë, me kodet e fshehta të mënyrave të interpretimit të cilat janë lehtësira shumë të mëdha në realizimin e roleve dhe marrëdhënieve me personazhet e tjerë kryesisht aktorë të rinj.

Jeta Dedja: Kur shoh titrat e filmave, syri më zë emrin e Teftës, bashkëshortes suaj. Duket si një sipërmarrje familjare, gruaja dhe vajza ju shoqërojne kudo. Cili është roli i tyre në prodhimtarinë tuaj?
Bujar Alimani: Në familjen tonë flitet vazhdimisht për kinematografinë. Diskutime për skenare, ide, shohim bashkarisht filma jo vetëm në shtëpi por edhe në salla kinemaje. Tefta dhe Savina janë filtrat e parë të provës nëse një ide ia vlen ose jo të shkojë më tej. Savina ka përfunduar “Hunter College” në New York City për “Film Study” dhe ka nisur të realizojë filma të shkurtër, ndërkohë që më ndihmojmë shumë me grupin e xhirimit dhe gjithë mbështetjen me produksion. Vajza është e re dhe na balancon nëse ne jemi pak “old fashion” në ide.

Jeta Dedja: Çfarë jeni duke krijuar këto kohë?
Bujar Alimani: Aktualisht jam në fazat e fundit të postproduksionit të filmit dokumentar “Fluturat” i cili rrëfen dëshmitë e 20 vajzave të dikurshme të lindura e rritura në internimet komuniste në fshatrat e Myzeqesë.
Jeta Dedja: Nëse dikush është i interesuar të shohë filmat tuaj, ku mund t’i gjejë ato?
Bujar Alimani: Filmat e mi, por jo të gjithë gjenden në paketat digjitale. Në Amazon Prime është filmi “The Delegation” (Delegacioni) ndërsa te faqja “Gjirafa.com” gjendet “Vëthi i munguar” dhe “Krom”.
*Aneks
Shkurtimisht krijimtaria e Bujar Alimanit
- Në 2006 realizon dy filma të shkurtër “Gas” dhe “Busulla”
- Në 2010 xhiron filmin e tij të parë “Amnistia” i cili është dhe filmi i parë shqiptar që hyri në Festivalin e Berlinit.
- Në 2015 merr pjesë në Festivalin e Filmit në Karlovy Vari, Çeki me filmin “Krom”.
- Në 2018 me filmin “Delegacioni” fiton Grand Prix në Festivalin e Filmit në Varshavë të Polonisë dhe po në këtë festival, në tetor 2021 prezantohet me filmin “Virgjëresha shqiptare” me të cilin fiton çmimin “Ecumenical” dhe “Special Jury mention”.
- Në mars 2022 fiton Çmimin e publikut në Oostende, Belgjikë.
- Ndërkohë ka realizuar dy dokumentarë dhe një film me metrazh të mesëm “Vëthi i munguar”.
6 Qershor, 2022
©FlasShqip.ca
Komentet