Kritikët e dikurshëm e vinin poetin Fatos Arapin, përherë të tretin në radhë, pas Kadaresë dhe Driteroit. Ka që thonë se është i treti i vërteti. Pavarësisht radhës: a ishin “tre shokët” poetë të realizmit socialistë? A ka vend shqetësimi se “nostalgjikë dinakë”, revanshist të metodës, po duan rikthimin e saj? “I përballur me një jetë të stuhishme, Arapi, në mbi 60 vjet aktivitet krijues, synoi krijimin e një poezie që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akulltë të realizmit socialist.”-lexova së fundi në gazetën “Dielli” shkrimin e një dashamirësi të poetit, A. Iljazi. Pse në 60 vite refuzues, kur socrealizmi i përket 30 vjeçarit të parë? Poeti i talentuar i bindet vetëm ligjeve të artit, ndërsa mediokrit parimeve të metodës. (Grekërit i vjetër, kur donin të shkruanin, thërrisnin muzën në ndihmë dhe jo monarkët, pavarësisht elozheve, që mund t`u bënin atyre.) Që, Fatos Arapi, ka refuzuar realizmin socialist s`është një mendim personal vetëm i autorit në fjalë, por një opinionin letrar i konfirmuar ndër vite, duke marr vlerën e një aksiome, që pranohet pa vërtetim. Deri më sot s`kam lexuar asnjë shkrim negativ kundër tij, as “kritikëve negativistë” s`u është ndjerë zëri, ndërsa proza i lihet në hije. Mos në novela dhe romane s`është refuzues?
Vetvetiu vjen pyetja: vetëm poeti Fatos Arapi e ka refuzuar metodën e realizmit socialist dhe se revanshistët, nostalgjikët dinakë duhet t`i kërkojmë tek Ismail Kadare, Dritero Agolli, Dhori Qiriazi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Vehbi Skënderi, Faslli Haliti, Agim Spahiu, Rudolf Marku, Iliria Zhupa, Anton Papleka, Sadik Bejko, Natasha Lako, Skënder Rusi, Bardhyl Londo, Agim Spahiu, Hiqmet Meçe, Preç Zogaj, Skënder Buçpapaj, Sulejman Mato, Petrit Ruka, Besnik Mustafaj, Hamit Aliaj, Petraq Risto, Shefku Karadaku,Frederik Reshpja, Koçi Petriti, Bilal Xhaferri, Visar Zhiti, Petro Çerkezi, Roland Gjoza, Thanas Dino, Niko Kacalidha, Viktor Qurku, Sherif Bali, Bujar Xhaferri, Musa Vyshka, Xhelal Tosku, Ruzhdi Gole? (Renditja e autorëve është rastësore dhe e hapur, pasi nuk jam unë që e krijoj herarkinë.) Këta e shkruan historinë e poezisë shqipe në diktaturë, duke botuar libra, poezi në shtypin letrar dhe të përmendur nga kritika. E refuzuan realizmin socialist apo u bënë epigon të metodës? (Edhe një prift, që gjithë jetën i është drejtuar “grigjës”, s`do guxonte t`i përçmonte poetët si “tufëzime të partisë”!) Mos poeti Arapi po i drejtohet një “brezi të humbur”, kur shkruan vargjet: “Artin e shkëlqyer të humbjes/Ne e kemi ngritur në fat./Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë./Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim./Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim./Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim./…Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,/Ata s’humbasin kurrë, sepse/Kurrë nuk gabojnë.” Dikur “gabimet ideologjike” të poetëve i mbikqyrnin me lupë, ndërsa tani vënë dylbit mos po gjejnë vargje kompromentuese me regjimin.
Fatos Arapi ishte vëllai i një dëshmori dhe i një të zhdukurit në mënyrë misterioze. Nëse do bënim kritizerin, ta shihnim me sytë e vëllait dëshmor, poemën “I përkasim komunizmit” mos duhet ta shënojmë si dëshmi të socrealizmit? Komunizmi ishte ëndërr, ndërsa socializmi realitet objektiv. Si trajtimi i temave të së shkuarës dhe ato të së ardhmes, në thelb kishin arratisjen nga e tashmja. Sa herë që dëgjoj sirenat e alarmit në qytetet e Ukrahinës, të Izraelit, Palestinës, Libanit, Iranit, qoftë dhe në Florida e kërcënuar nga uragani më kujtohet poema “Alarme të përgjakura” e Fatos Arapit. “Hej, vend!/Plot diell e pa dritë!/Pagan dhe fron për perënditë!/Jetojmë nër male të lartë,/Ku qiellin me dorë mund të zëmë/Dhe prapë:/Në ç’humnera kemi rënë!” Poema është shkruar në diktaturë, ilustrojeni nëse doni me vitin e mbrapshtë të `97-ës. Nuk ju bën përshtypje vargu: “Plot diell dhe pa dritë”, kur vendi ishte i elektrifikuar? Nëse do i referoheshim vëllimit me poezi “Ritme të hekurta”, në dukje socrealist, me klasë punëtore, në fakt: futurist. A s`ishin futuristët që të ardhmen e njerëzimit e shihnin tek dinamizmi, shpejtësia, teknologjia, rinia, makinat, avionët dhe qytetet industriale? E tillë ishte dhe poema e Kadaresë “Ëndërr industriale”. Ndërsa në poezinë “Çast buzë Jonit” shkruan: “Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra”. Romani “Dhjetor i shqetësuar” përshkruan solidaritetin e shqiptarëve në ndihmë të zonave të dëmtuar nga tërmeti, gjë që e pamë dhe tërmetin e pak viteve më parë. S`kam për ta harruar kurrë një të sëmur të okologjikut, i cili kursimet e veta i dhuroi në ndihmë të dëmtuarëve nga tërmeti. Partia dhe udhëheqësit kërkonin unitetin lart, që mbahej artificialisht, duke u ankuar për komplote e puçe, ndërsa poshtë solidariteti ishte i natyrshëm. Shqipëria është një zonë sizmike dhe kjo temë ka për të qenë prezente. Shkrimtarit me vëlla dëshmor i ndalohen, si: “Drama e një partizani pa emër” e cilësuar si një vepër kundër realizmit socialist dhe vëllimi poetik “Më jepni një emër”. Nuk është e lehtë të bësh emër, aty ku ligjin e bëjnë mbiemrat apo statujat prej dylli. Me përmbysjen e regjimit, mos këndvështrimi ndaj autorit ndërron kah, mënjanohet vëllai dëshmor dhe shihet nga pozita e vëllait të zhdukur në mënyrë misterioze? Për fat të keq kriteri biografik vazhdon ende, por, Fatos Arapi, s`ka trukuar asnjëherë me dukuri jashtëletrare.
Fatos Arapit ia kam lexuar me poezi, novela, drama, një studim për eposin e kreshnikëve, sikurse kam patur rastin ta njoh personalisht. I përzemërt e i pastër në gjithçka, shprehur dhe tek jaka e bardhë e këmishës hedhur mbi xhaketë, por jo i lustruar. Në kafen e katit të sipërm të Pallatit të Kulturës, nuk pranonte ta qerasje, teksa po dilja me një shkrimtare të njohur, e hijshme, e cila sapo më kish dhuruar librin me autograf me premtimin se kur të merrte lekët e librit do më qeraste në një restorant, gjë që s`ndodhi, në hyrje këmbehemi me Fatosin. Ai ndali dhe iu drejtua si një lab, dil moj qeni dil: “Nga ke humbur apo po të pëlqejnë këta çunat e rinj tani?!” Ajo s`i ktheu përgjigje, por pashë që fytyra iu bë prush dhe u largua pa na përshëndetur. “Hajd me mua!-mu drejtua, Fatosi, sikur s`kishte ndodhur asgjë. Në sallën e mbledhjeve bëhej një plenum për poezinë. Në tribunë ishte duke folur një kritik nga ata të lupës. Për momentin bëri një veprim të çuditshëm, sikur po i fliste dikujt në telefon: “Alo”, salla mbeti, po kur ai qeshi, qeshën dhe të tjerët. “Sa më pa mua që hyra në sallë e pe si u ngatërrua? E humbi davanë!”-më tha Fatosi pa e fshehur mburrjen. Unë i mbaja inat dhe bëra sikur s`e dëgjova. Tek shëtisnin një mbrëmje në bulevardin kryesor ku sfilohej, sikurse e kishte zakon fliste me pasion dhe në një moment ndalet, duke më thënë: “Të lutem mos ma përdor këtë që thashë!”, realisht s`kish thënë ndonjë gjë, që ndriste. Më thoshin se fliste kundër Kadaresë, gjë që me mua s`kish rastisur. Kur dikush në praninë time po e spiunonte tek Ismaili, ai mblodhi buzët, duke shkoqur fjalë që më mbetën: “I shkoj jeta duke më sharë mua”. Pas shumë vitesh ndodhi të takoheshim në Lushnje. Kur fliste përlotej kollaj. Doni t`i njihni poetët, që refuzuan realizmin socialist, lexoni këto vargje të Fatos Arapit:
“Poetët shpejtojnë përherë për diku,
Të pinë një kafe me një shok që i pret
Dhe ka vdekur qyshkur.
Shpejtojnë në ecje dhe s’dinë përse.
Në gjumin e shprishur shpejtojnë dhe atje.
Vjeshta pa ardhur, ata janë vjeshtë,
Vetmia ku është, janë vetmi…
Poetët shpejtojnë përherë për diku
Përkëdhelin marrëzitë,
Ngushëllojnë tragjeditë.
Në këngë pa këngë, në rrugë pa rrugë,
Nga xhepat e gërryer u bie vetvetja,
Ata kërkojnë njeriun që s’është.
Dhe falen, dy qirinj ndezin:
Një është për shpirtin, një tjetër për ty
Poetët shpejtojnë të vdesin,
Dhe s’dinë se ku.”