Mik i dashun,
Nga bregu i Lemanit, tue jetue e tue punue n’at atmosferë të pastër, të shëndoshë e tradicjonalisht të lirë, të paska râmë ndër mênd të më pyesish mbi gjêndjen t’onë këtu n’ Itali.
Të falem nderës për kujdesin t’ând. Veç, a s’gjete tjetër, me e futun në këtê pyll, posë meje?…
E ku po don tash me t’a fillue? Kishte me t’interesue, besoj, mâ fort kjo faza e re e jetës s’onë, mbasi u rralluem e mbetëm tepër pak këtu n’Itali e sidomos na këtu në Zarë. Por un due me t’a nisun qysh ditën qi kemi shkelun në këtê vênd, tue të përshkrue faktet bashkë me gjithë nështypjet e mia. Nga jeta private, si hajmë, si pijmë, si rrijmë, si e çojmë kohën, asnji fjalë mos prit! Për këto kishte me u dashun leja e të gjithve, se janë sênde intime!… Do të të them, se prej malsorit mâ të pagdhêndun – kemi edhe malsorë, si dihet, në mest të refugjatvet – e deri ke intelektuali mâ i hollë s’ka asnji prej nesh qi mos t’i ketë nderue shkrupullozisht detyrat e mikut në vêndin qi i pret. Dihet se shqiptari e ka zanat mâ mirë se askush miqsín, si në shtëpi të vet ashtu edhe në shtëpi të huej : din si pritet miku e din si rrihet tu miku!
E tashti qe këtu fill e për pê se si janë sjellë e si janë tue u sjellë auktoritetet italiane me ne, të zotët e shtëpisë me miqt e vet. Ti do faza të kësaj jetës s’onë këtu i ke pamë vetë me sŷ a mâ mirë me thânë i ke vuejtun vetë e s’kishe me pasë nevojë me t’i përsëritun un. Por mbasi m’u mbush mêndja me i hŷ kësaj pune, po më duket mirë me të bâmë nji compte-rendu të plotë për Lirín, për kënduest e saj mâ fort se për ty.
*****
Kur ndodhi katastrofa e Shëndreut 1924 për shtetin t’onë, shumica e madhe e patriotvet u shtrëngue të kërkojë strehë në dhé të huej e sidomos n’ Itali. Metcovich-i mblodh në tri skele të Shqipnis, Shën-Gjin, Durrës e Vlonë, ajkën e Inteligencës Shqiptare për me e shkarkue në Brindisi.
Nuk kishim shumë arsye të shpresojshim nji pritje të mirë në këtê vênd i cili, lemë tepër si shtet i math, shkelun e përbuzun gjithmonë e në ç’do rasë prej Fuqivet të Mëdha qi e kishin rândë në shoqnín e tyne, jo aq’ i respektuem as prej kombevet të vogla, s’ka pasun kurrë shumë shkrupull në zgjedhjen e mjetevet e t’udhvet për t’arrijtun në shkallën e prestigjit qi pretendon me pasun si nji ndër popujt mâ të mëdhâj t’Evropës. Ndonji naiv e profan në djallzít e diplomacís imperialiste mund të mêndonte se na, të shtrënguem me e lânë Atdheun t’onë ndën çizmen e Kozakut vrangelist të mbathun në tokë jugoslave e ndën opangën serbe, do ishim miq të pritun me mëshirë e hare, si dikur stërgjyshat t’anë të dbuem prej turkut aziatik, në nji shtet qi duhej t’ishte mjaft sensibël për interesat e veta kundrejt nji invazjoni t’atillë. Por puna ishte krejt ndryshe. Fuqit mercenare t’ Ahmet Zogut, të pagueme me stërlinat e anglo-persianes e me dinarët e këthyem n’ar të Pashiq-Ninçiqit, përgatitun për të gjatë kufîjvet serbo-shqiptarë, në tokë serbe e ditën për diell ndër sŷ të gjithë botës, pritshin urdhën për me fillue zjarrmin prej bregut të Bunës e në breg të lëqênit t’Ohrísë. Ky urdhën epej me 12 Dhetuer 924 në nji komunikatë t’ agjencís Stefani qi deklaronte se Mussolini me Ninçiqin kishin râmë në nji mênde (d’accordo!) mos me u përzie në lëvizjet e…. mbrêndshme shqiptare!… Fabrikat e armve t’Italís kishin urdhën mos me ia shitun asnji fishek qeverís shqiptare.
Janë sênde të thâna e të përthâna. Nuk do t’a ketë harrue kurrkush prej shokvet të Metcovich-it se si na u desh me bâmë karantinë nji ditë gjithë ditën në liman të Brindisit për me u dlirë, ndoshta, prej mikrobvet… të kuq!
N’ atê qytet pritëm gati nji muej derisa Noli e Gurakuqi na nxuerën njifarë lirie tue puthun për ne praqet e shênjtnorëvet politikë të Romës. Lirí me zgjedhun secili nji vênd internimi në provincat e Puglies.
Mbas pak kohë auktoritetet italiane filluen të mbyllin sŷtë kundrejt lëvizjevet t’ona. Jo vetëm mbrênda n’ Itali, por edhe përjashta vejim e vijim pa na pyetun askush. Ç’ishte vallë arsyeja e këtij ndryshimi, e kësaj tolerance? Duket se Ahmet Zogu, ndên shtrëngimin e Beligradit, qëndronte pak i fortë kundrejt kërkesavet italiane e lëvizjet t’ona tutje tëhu mund t’a tutshin ndonji grimë. Por psikologët e mirë e dijnë se vetëm friga nuk mjafton për t’a zbutun nji njeri e për t’a sjellë në rrugën qi dëshirohet. Duhet edhe shpresa. E qe gjyqi i Tranit, rasa mâ e bukur për t’a magnetizue tipin e A. Zogut! Ç’u bâ? E dijmë dhe e dijnë të gjithë. Para sŷvet të Tiranës u hapën prospektiva tepër përkëdhelse. I çilej udha edhe për gjoje tjera midis kryemartirit qi lau me gjak të tij prakun e derës së restorantit “Cavour” në Bari.
Mrekulli!… Nji okqidental i mirë do të kishte nxjerrë shkumë të kuqe, zjarrm e flakë prej goje kundra nji sentence ballkanike si ajo e Tranit. Megjithë këtê na ballkanasit e mjerë, aqë shumë të përbuzun prej politikanvet t’okqidentit, besa, e kemi mjaft të vështirë me i pajtue me burrnin t’onë primitive disa vepra qytetnimi qi gjajnë n’Evropën okqidentale! Për shembëll më 1922 un isha në mërgim i internuem në nji qytet të vocërr të Serbisë, e Pjetër Çaulefi gjindej asokohe në Tiranë. Ahmet Zogu, qi sundonte edhe atëherë në Shqipní me tjetër titull e ndên okqidentalët e qytetnuem, arrin me i proponue qeverís serbe këmbimin t’êm me Çaulefin. Ishte drejtpërdrejt nji këmbim lëkurash naturisht, alla A. Zogu qi proponohej e jo nji ndrrim personash për t’u dorzue reciprokisht në bazë të ndonji traktati ekstradicjoni qi nuk ekzistonte e qi as mund t’ ekzistojë për refugjatë politikë. Nuk dij se me ç’farë nështypjeje do të jetë pritun ai proponim konfidencjal prej përfaqësuesit jugosllav në Tiranë. Dij vetëm dy telegrafa, njêna prej ministrís së mbrêndshme dhe tjetra drejtpërdrejt prej asaj së jashtmes të Beligradit qi më komunikon, krejt i turbulluem, prefekti i Gornji Milanovacit, me të cilat i urdhnohej me vûe në dispozitë t’ême ç’do mjet sigurimi e projtjeje qi të kërkojsha, “mbasi qeveria shqiptare ishte tue komplotue kundra jetës s’ême.” E pra serbët mund të kishin arsye të më konsiderojshin mjaft suspekt për interesat e tyne në Shqipni ! Ahmet Zogu sidomos nga kjo pikpamje âsht mundue t’ua mbushë mênden kur më ka porositun në kujdesin e tyne.
I shkreti Gurakuq vjen e i ep fund jetës në vêndin qi ka dashun mâ fort mbas Atdheut të vet e gjaksi i tij merr prej gjyqit të këtij vêndi diplomën për idealist!…
Auktoritetet italiane, si me dashun të tallen me ne ase me porotën e Tranit, na vûen atëherë, disave nesh, nga nji agjent policie përmbrapa qi të na ruejnë – na thojshin – nga atentatet!
Ky regjim lirim – shtrëngimi vazhdoi për na deri në paktin italo-shqiptar qi mbylli vargun e traktatevet ekonomiko-politike ndërmjet Mussolinit e Zogut simbas dëshirit të plotë të të parit. Qyshë atëherë, qe pesë muej e këndej, pozita e jonë në këtë vênd âsht bâmë krejt e padurueshme. Masa mâ e parë qe internimi i ynë nëpër qytetet ku gjindeshim. E ndjekin këtê : tentativa për të na pajtue me A. Zogun, të garantuem prej Rome ; tentativa për nji kongres refugjatësh në Trieste, ku, me shumë gjasë, do t’u përdorte ç’do mjet për të sigurue edhe pëlqimin t’onë për paktin e Tiranës. Të gjitha këto tentativa ndeshën në nji qëndrim krenar kudo qi u bânë.
Mâ vonë na thanë se ishim të lirë me udhtue mbrênda n’ Itali e jashta jo pa lêjen e ministrisë për ç’do udhtim qi do të bâhej. Lirín e udhtimit përmbrênda e shprovova un vetë para disa ditve. Më duhej të veja deri në Firencë. Qeshë i shoqnuem gjithë rrugës prej nji mareshali karabinierësh të veshun civil, posë agjentve qi më pritshin e më përcillshin stacjon më stacjon. Në stacjon të Firencës mareshali i im kishte mbërrî para meje te porta e daljes dhe kur po veja un më prezanton për së largu te nji agjent civil i vêndit:
̶ Quello con la pellicia!
Ishte dorzimi. E tu praku i portës, ndoshta për t’a sigurue shoqin e vet edhe mâ mirë kundra ç’do lajthimi, më bân nderën të më përshëndesë tue më dhânë dorën:
̶ Arrivederla, signore!
Udhtimi në t’u këthyem nga Firenca në Zara nuk qe i ndryshëm. Kur arrijta, por, këtu gjeta mjaft ndryshime. Shumicës së shokvet qi banojshin në këtê, nji ditë të këthiellt me nji diell të kândshëm u qênka tekun për nji shetitje deti! Xhemal beg Bushati, Sejfi Vllamasi me të shoqen, Ahmet Dakli, Dan Hasani, Riza Dani, Qazim be Mulleti, Mahmut Çela, Prelë Keri na zânkan nji barkë me motor dhe, ditën e mërkurë 23 mars, në nji skâj të qytetit, ku prej drejtimeve të ndryshme arrijnë kronometralisht ora më 13.30, i hypin njêni mbas tjetrit e atê ças… ngrehin pelën! Nji shetitje, por, kjo plot emocjon prej friget se mos të bijshin në rrjet të policisë italiane para se kapshin bregun jugosllav. Prej kah, mandej, çuen fjalë se arsyeja qi i shtŷni në këtê gjest âsht gjith’ ajo qi na ka shtrëngue të gjithve me lânë Atdheun t’onë : dëshiri me jetue të lirë e me punue për lirín e Shqipnís!
S’ke ç’u thue, megjithë qi gjesti i tyne pat për ne tjerët qi mbetëm këtu konsekuenca jo fort të kënaqshme!
Policia e krejt auktoritetet e Zarës turbullohen keq përpara këtij fakti t’idhtë qi i gjên. Nuk dijnë se ç’të bâjnë? I vogli ka frigë të lajmojë mâ të madhin. Fillojnë hetimet në të katër anët! Kur po atê ditë në mesnatë, hetimet tue u bâmë, çajnë edhe dy tjerë : Et’hem be Vlora me nji malsuer Shkodre!…
Pa dyshim edhe Roma idhnohet mjaft prej kësaj pune. Telegrafisht pushon kuestorin qi s’ka qênë i zoti të marrë masa preventive dhe dërgon në vênd të tij nji tjetër, të fortë, energjik qi thonë se ka pasë bâmë namin n’ Ancona.
Ndashti janë marrë masa të rrepta. S’flutron dot zogu. Në ç’do kând të qytetit gjên nji, dy ase tre karabinierë tue ruejtun. Masa si koshi mbas të vjelash. Na qi kemi mbetun këtu sigurisht s’kemi qênë mâ pak të zotët se ata qi ikën për t’a mësŷe at’udhë. Barka ka qênë mjaft e madhe për me na nxânë edhe neve tjerët mbrênda. Por secili ka pasun nji arsye, nji mêndim qi e ka ndalun në kët’ anë. Sidoqi të jetë, na s’duhet të përzihemi në punët t’auktoritetevet për ça s’na përket drejtpërdrejt e për s’afërmi. Pika qi na nep të drejtë neve me folë, me u ankue, me protestue me të tânë energjín t’onë âsht nji tjetër. Auktoritetet e Zarës mund të vênë në ç’do hap nga nji karabinier mbi gjithë bregun e detit e mbi gjithë kufînin; nuk kanë të drejtë, por, të na i vênë karabinierët te dera e shtëpisë e pas nesh kahdo qi vemi sikurse po bâjnë! Këtê jo. Kjo s’âsht nji masë e dêjë për nji shtet të madh. Asht marre mâ fort për Italínë se për ne mos me mundun grat shqiptare pa burra në Zarë me kapërcye prakun e shtëpís, pse të ndjekuna prej karabinierësh!…
Vetëm kosovarët e shpëtuen veten prej kësaj mase t’ashpër me nji telegrafë qi i rrahën Mussolinit si kosovarë, tue i diftue se janë anmiq të papajtueshëm të Jugosllavís, të ndjêkun e të dënuem prej saj pa kurrfarë posibiliteti me shkue kush prej tyne n’ atê vênd.
Tash këtu në Zarë s’jet mâ kush, veç meje me gjithë fëmijë e fëmijës së Danajvet, të ruejtun e të ndaluem me dalë përjashta Italís. Ka qênë edhe Beqir Valteri. Por… edhe ai dijti t’a rregullojë punën e tij në tjetër mënyrë! Ashtu si i ka hije nji djali të ri e pa fré në gojë si ai. I paska thânë karabinierit qi e ruente se ai mund t’ikte gjithnjî, sado i ruejtun qi ishte, edhe do t’ ikte sigurisht!… Âsht i burgosun kah tri dit e kujtoj se nesër mbrâma do t’a nisin për t’a internue në provincën e Ankonës.
Un kam kërkue kah nji muej të dal jashta Italís për do punë private shumë me rândësí qi kam në Zvicër e qysh’atëherë pritet e s’vjen përgjegja prej Rome! As dreqi s’e merr vesht se ku âsht dobia e gjithë këtij shtrëngimi mbi ne për qeverin italiane. S’kam lajme nga shokët e Barit e të Brindisit, por nuk shpresoj nji gjêndje mâ të mirë as për ata. Kam thânë kudo qi më ka tokue me folë, zyrtarve mâ të mëdhâj të këtushëm e privatve me pozita shoqnore të nalta, se refugjatët e Italis nuk përbâjnë tashmâ as sasisht as cilsisht veçse nji pakicë fare të vogël të nacjonalistavet shqiptarë, të shpërdamë nëpër botë. Veprës nacjonaliste shqiptare nuk do t’i mungojë kurrgjâ me mungesën t’onë. Nji zyrtar më pyeti nji ditë:
̶ A mund të veprojnë edhe n’ êmën t’uej shokët qi keni përjashta Italis?
̶ Plotsisht, me kartë të bardhë! – iu përgjegja. A s’i kam thânë të vërtetën?
Mustafa KRUJA.
Gazeta “Liria kombëtare” 27 Prill 1927
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”
Komentet