“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”.
Frederik Vilhelm
Reformimi i shkollës është një sistem shumplanesh dhe rezultat i bashkëndikimit dhe bashkëpunimit të shumë faktorëve e aktorëve, jep ndikimin e tij në harmonizimin e mirë të faktorëve që ndikojnë drejtpërsëdrejti në reformën e nisur, e cila do të bënte të mundur që të funksiononte më së miri mekanizmi i drejtimit dhe i menaxhimit subjektiv të arsimit. Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit.
Militantizmi e ka dëmtuar rëndë
sistemin e arsimit të vendit
Jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepolitike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë. “Meritat” e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.
Është shkruar e folur shumë për rolin e drejtorit apo zv/drejtorit të shkollës (ky i dyti, çelësi i shkollës autori MB), fare pak ose aspak nuk i është kushtuar rëndësi parësore nga DAR, ZA apo përse jo nga vetë Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Pra, flitet e flitet, bëhen seminare e jepen receta shabllone dhe përsëri “në qafë” të kolektivave, vihen drejtues formal ose ekstremistë të maturuar se sa “socialistë” apo “demokratë” janë. Sigurisht, që diplomimi, specializimi, gradat a titujt kanë vlera të rëndësishme, por në drejtim të shkollës nuk është takti, mjeshtëria, drejtësia, përkushtimi dhe reformimi atëherë ata që janë fituar dhe emërimi që bëhet dalin kanceroze, ku më shumë dëmtohet se sa ecët përpara. Sa i drejtë, sa punëtor dhe veprimtar e organizator është drejtori? Pasqyra e këtyre janë kolektivi pedagogjik, nxënësit e qeveria dhe komuniteti prindëror. Ky trinom është syri i përditshëm, është rojtari më vigjilent që maturon “gradat”, “diplomat” e mbi të gjitha efektivitetin praktik dhe drejtësinë e atyre që bëjnë emërimet. Vërtetë e fiton “konkursin”, mund të paraqesë dëshmi kualifikuese, ai bëhet drejtues shkolle, por nëse nuk e ka parësore shembullin si mjeshtër i mësimdhënies, si ndihmës e dashamirës me mësuesit, i thjeshtë, këshillues dhe mbi të gjitha i prerë, bazuar në rregullore, atdhetar, “shkundet” liberalizmi dhe konformizmi pedagogjik. Faktet e realitetit bashkëkohor dëshmojnë se ndërhyrjet partiake e kanë dëmtuar shumë cilësinë e drejtimit të shkollës e pse jo edhe atë të stafeve drejtuese në DAR.
Të mos lëmë mënjan
si gjoja të pavlefshme përvojat në arsim
Pa rënë në arkaizëm, por për hir të së vërtetës, e dimë të gjithë se ish-drejtuesit dhe mësuesit tanë, por dhe prindërit tanë, nuk kanë patur këtë shkollim, specializim, a kushte si në kohët e sotme, por sedra, edukata, fjala e shembulli i tyre mbetën një testament i zbatimit praktik të edukimit. Nëse një nënë u flet fëmijëve kundër babait të tyre, apo kundër kushërinjve a fqinjëve, i shndërron fëmijët në ziliqarë, egoistë, të cilët fitojnë në gen urrejtjen e përbuzjen ndaj të tjerëve, madje-madje edhe hipokrit edhe vrastar. Sot më shumë se kurrë është e arsyeshme të njihen në rrënjë traditat e vyera arsimore, përvojat e vjetra dhe të reja, të vetëveprohet me takt, me shpirt, me maturi e guxim duke rrezatuar në praktikë zotësitë, duke bërë që pema e diturisë të blerojë, që në mjedisin e komunitetit të krasiten dukuritë negative. Sa e si komunikon drejtori a zv/drejtori? Sa autoritet ka në shkolle dhe jashtë saj? Sa rrezaton si udhëheqës i veprimtarive? Mbi të gjitha sa i drejtë e reformues, sa u jep dritë vlerave në kolektiv e komunitet? Drejtimi është art, por sa artist është drejtori?
Nisur nga përvoja shumëvjeçare e punës tonë në arsim e drejtim, mendojmë se mësuesit bashkëkohorë sot fare pak e njohin e studiojnë psikologjinë dhe traditat komunitare. Vërtet ka klasa me shumë apo me pak nxënës, por në këto mbetet që të ngulmohet me shpirt krijues për t’i mësuar dhe edukuar që të brumosen të dashur e dëgjues të prindërve, me respekt e nderim për njëri-tjetrin, për fqinjët, për vendlindjen a mjedisin ku banojnë. Njohja e vlerave dhe e traditave e bën nxënësin të jetë i sjellshëm, kokulur ndaj dijes, fëmijët t’i shmangin emisionet amorale të internetit. Sot drejtuesit e mësuesit, e mbi të gjitha prindërit, janë në fushëbetejë të re për edukimin larg fjalëve boshe e klisheve pa bukë. Në fshat a në lagje të qyteteve jo vetëm fëmijët, por në shumë raste gjen plot që nuk njohin e pasqyrojnë traditat atdhetare, luftarake, zakonet e mira, figurat e shquara, historikun familjar e më gjerë. “Një shembull në praktikë, – shkruan filozofi Sami Frashëri, – vlen më shumë se një mijë fjalë të bukura”. Është fakt se në situatën e re gjen mësues e drejtues të tulatur, pa guxim e maturi, Përse? Nën pretekstin se të mos bëj “dhunë”. Zgjedh liberalizmin ose në disa raste bajraktarizmin, ku ky i dyti shpërfaq kryeneçësinë, kamuflimin e formalizmin. Përse? Ngaqë përzgjedhja me portal në dukje është i mirë, i arrirë, por drejtuesi e mësuesi janë në provë të përditshme përpara punëve që dalin me mendje krijuese, vetëveprim, studim e fryte konkrete. Pra, nuk mjafton vetëm ta mbjellësh arën, të hedhësh farën, por të ecësh me korrektësi në drejtim të shërbimeve në vijimësi që të korrësh frytet e duhura. Të jemi realist, ta themi troç: Mungon mendimi krijues, shpirti human e pasionant me qëllim që drejtuesi, mësuesi e prindi të jenë në veprim ditor, bashkëkohor, me shembull, me takt, me durim e me fjalë të peshuara, duke maturuar në vijimësi ecurinë e fëmijës. Është e ditës, e udhës, domosdoshmëri: Reformimi, përkushtimi dhe zbatimi që emri i sistemit arsimor të dritësojë, që shpirti të dritësojë nëpërmjet dashurisë së nxënësve për dijet për njëri-tjetrin, për mësuesit, për familjen e traditat komunitare e më gjerë. Konceptet si “është fëmijë i padurueshëm e nuk bindet”, “ hë, se kanë faji familja apo e ka shkolla” kësaj i thonë të shkatërrosh bucelat, të mbetesh në plan konstatimesh pra, si i thonë vetëm t’i heqësh lëkurën arës, ndërkohë që prodhimet i merr kur punohet qilizmë. Është koha të luftohet në mënyrë ballore formalizmi në mësim dhe edukim, në veprimtari, në punën e diferencuar- sigurisht dominant është drejtori, por dhe mësuesi e prindi. Kërkohet konceptim i ri, veprime konkrete ku për të rritur emrin e sistemit arsimor do rritur shpirti veprues, reformimi i përditshëm drejtues-mësues-prind; trinomi themelor reformim, përkushtim, veprimtari ku të demonstrohen arritje mësimore edhe edukative të dukshme, cilësore e të prekshme.
Jo formalizëm
por rezultate konkrete në përvetësimin e dijeve
Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra, tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë patur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor.
I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”, është huazuar në formën më të shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë praktikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera evropiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë, mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimor. Ky është portal që po shërben si fasadë djallëzore e MAS dhe Drejtorive Rajonale e ZA–ve, për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën alla shqiptarçe. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tone arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.
Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative të punës në shkollat shtetërore, ndryshe ndodh në shkollat jopublike, ku zotëron rregulli dhe disiplina janë në kuota optimale. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona. Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.
Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve tëvendit që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo stërzgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MASR nuk e ka pikën e impenjimit për të parë nëse është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.
Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit.
Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës të punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar.
Sado të flasim,
përsëri është politika që po e shkatërron arsimin
Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialistë, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoratit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.
Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor, sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.
Ç`po ndodh me tekstet shkollore?
Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare.
Fatkeqësisht, sot lloj-lloj shoqatash po futen çdo ditë në shkollat tona, pa dijeninë e autoriteteve dhe komunitetit prindëror, duke aplikuar programe që i kanë fituar në tendera të ndryshëm, madje shpesh, duke cenuar edhe programin mësimor.
Ajo që është më e turpshme, përmes një ankete, nxënësit nga mosha 11-15 vjeç janë pyetur për llojin e seksit që kanë kryer, anal, vaginal apo oral, duke thyer kështu çdo normë të edukatës qytetare. Dhe kjo, me justifikimin se plotësimi i formularit ishte “vullnetar” dhe nxënësit nuk ishin të detyruar t’i përgjigjeshin të gjitha pyetjeve apo se pyetësori ishte përgatitur nga ndërkombëtarët. Kështu deklaron MAS.
Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA–ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri.