Pas takimit prej 3 orësh mes kreut të LSI-së Ilir Meta me kreun e PD-së Lulzim Basha mëngjesin e së djelë si dhe nisjen sot të takimeve në Kryeministri me Ramën dhe ndërkombëtarët, palët do të ulen nesër në tryezën e komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Komisioni nis nesër me shqyrtimin e draftit nen për nen, ku vetë kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj zbardhi edhe një pjesë të dakortësuar me opozitën.
“Sot në mëngjes shpërndamë draftin e komisionit. Nesër mblidhet komisioni. Do të shqyrtojë e votojë nen për nen e në tërësi draftin. Drafti që do të jetë në tavolinë është reflektim mbi draftin e paraqitur në komision në datën 4 maj dhe i është nënshtruar një votimi në parim. Është e pranueshme dhe për sa kohë u rekomandua si një zgjidhje konsensuale ne e kemi pranuar dhe në respekt të nevojës dhe dakordësisë së arritur. Sot në projekt është me 2/3”, ka thënë Xhafaj nga Kryesia e Kuvendit.
Ndërkohë që gjithë debati nga ana e opozitës për ‘vendet e rezervuara’, Xhafaj tha se nuk ka qenë një propozim i ndërkombëtarëve, por një ndarje që vetë partitë duan të bëjmë me institucionet.
“Vendet e rezervuara nuk janë propozim i ndërkombëtarëve, por është formulë në funksion të nevojës seleksionuese brenda trupave parlamentare. Vendet e rezervuara nuk ka qenë kurrë e dakordësuar mes palëve dhe nuk është definuar nga Venecia si zgjidhje. Institucionet të ndahen mes partive. Që do të thotë PS të ketë të vetët në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, PD të vetët, dhe LSI të vetët. Kjo zgjidhje në KQZ është problematike dhe KQZ është bërë shpesh pjesë e votimit politik sipas përzgjedhjes që kanë bërë partitë. Por KQZ është ndërtuar si organ politik, ndërsa Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Prokurorisë janë qeveritë e një pushteti tërësisht të pavarur ku influenca politike do të ishte cënim i pavarësisë së tyre”, tha kreu i Komisionit për Reformën në Drejtësi, teksa shtoi se ‘ në mungesë të një konsensusi, atëherë populli do të jetë ai që do të vendosë për Reformën në Drejtësi, duke lënë të hapur kështu mundësinë e mbajtjes së një Referendumi Popullor.
Komentet