Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu është shprehur sot sërish mbi Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj. Një ditë pas shkëmbimit të replikave të ashpra në distancë mes tij dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe akuzave të këtij të fundit ndaj tij, përmes një postimi në Facebook ambasadori amerikan, ka nënvizuar se “asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulimin politik dhe korrupsionin në gjyqësor. Ky është një premtim”, shkruan ambasadori Lu duke kujtuar se “Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të reformës në drejtësi”.
Një ditë më parë ai kritikoi hapur Prokurorin e Përgjithshëm Llalla se ishte përpjekur të pengonte Reformën në Drejtësi. Nga ana e tij zoti Llalla u përgjigj po me tone të ashpra duke folur për “shantazhe nga ana e ambasadorit amerikan” i cili “nuk mund të jetë zot në Prokurorinë shqiptare”. Zoti Llalla shkoi dhe më tej duke thënë se ambasadori amerikan kishte ndërhyrë në disa raste për të kërkuar mbyllje të hetimeve.
Kryeprokurori Llalla dhe bashkëshortja e tij, janë në listën e zyrtarëve shqiptarë të cilëve u është refuzuar apo revokuar viza. Ambasada amerikane saktësoi se bëhet fjalë për 23 gjyqtarë dhe prokurorë, pa dhënë shpjegime për motivet. Por disa ditë më parë, ambasada amerikane kishte saktësuar se “e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.
Komentet