Kur reforma në drejtësi u artikulua në fillim si një shpikje që do të gjeneronte më në fund drejtësinë e munguar, të gjithë u shprehën shpresëdhënës, e pse mos ta pranoj që mes të ngazëllyerve isha edhe unë.
Nuk është se ky ngazëllim më ka humbur nga drita e shikimit edhe sot, vetëm se me një ndryshim, pasi tashmë për të parë reformën e vërtetë që prodhoi e ashtëquajtuara katarsis në pallatin e korruptuar të drejtësisë, me duhet të përdor edhe optikën si një lloj xhami zmadhues gjyslyke për të parë nëse në të vërtetë kjo drejtësi po shkon në kahun e duhur, apo po na përdor si miopë.
Dhe këtu duhet të ndalem te viktimat që groposi kjo drejtësi ca me të drejtë e ca më të pa drejtë dhe te ata, të cilëve lupa e drejtësisë së re, është aq skrupuloze sa nuk fal as te qimja e maccokut pullali që lëpiu buzët kur pa kusinë e madhe me qumësht që valonte në zjarr.
Një nga këto raste është edhe ai i prokurorit Anton Martini.
Por që ta themi që në fillim pavarësisht hamendësime që mund të prodhojë ky shkrim dhe që tu lehtësoj ccdo barrë dyshimi, unë bëj pjesë pavarësisht subjektivizmit se bëj pjesë në grupin e atyre gazetarëve që kam qenë dhe jam e mendimit se Reforma në Drejtësi ishte e domosdoshme dhe është e vetmja mënyrë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar apo të paaftë, si e vetmja formë për të parë një vend, le të themi pak më të drejtë nga ai që kemi parë deri më sot.
Sihurisht në 3 vitet e fundit, kam qenë shpesh kritike për mënyrën sesi po zbatohet Reforma, përderisa kam konstatuar se ka patur raste kur Institucionet e Vettingut kanë certifikuar dhe lënë jashtë sistemit emra të cilët nuk e kanë merituar fundin e dramës me emrin e madh Reformë në Drejtësi. Sikurse kam vlerësuar se kanë ikur nga “tempujt” e drejtësisë, profesionistë e njerëz me integritet, si rasti i zonjës Antoneta Sevdari.
Por një shprehje e vjetër popullore thotë se me “me të thatin, digjet dhe i njomi”.
Dua të sqaroj gjithashtu se 15 vite të jetës sime i kam shpenzuar duke ndjekur proceset gjyqësore në gjykata e hetimet e prokurorisë për cështje nga më të ndryshmet, që nga ato për bosët e krimit, trafikantë apo dosje që lidhen me koprrupsionin e krimin në familje.
Për këtë shkak, kam krijuar një perceptim për pjesën dërrmuese të njerëzve të drejtësisë, e sidomos për trupën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Krimeve të Rënda.
Sot, dua të ndalem tek një emër konkret.
Ai është Anton Martini, ish prokuror i Krimeve të Rënda, aktualisht prokuror i komanduar në institucionin e hetimit në kryeqytet. Kandidat për në Prokurorinë e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dhe këtu vlen për kronologji ta nis nga fillimi si e kam njohur unë Anton Martinin? Pikëtakimi i parë ishte në sallën e gjyqit në gjykatën për Krime të Rënda. Ai, bashkë me një tjetër koleg kishin hetuar dhe dërguar nën akuzë zyrtare krerët e Bandës së Durrësit. Bëhet fjalë për 2006. Është kohë e largët. Por, kam memorizuar çdo detaj nga ajo dosje.
Kujtoj prokurorin Martini, që përballej me kërcënime në sallën e gjyqit, me akuza të forta nga të pandehurit. Por, ai për asnjë moment nuk u tërhoq. I shkoi çështjes deri në fundit.
Më vonë, Anton Martini hetoi dhe mbrojti në gjykatë akuzat kundër biznesmenit Arben Frroku, ku sigurisht iu bëri ballë shumë presioneve, edhe kur u tentua të vritej dëshmitari i mbrojtur, edhe kur në sallën e gjyqit i pandehuri i drejtonte gishtin dhe shprehej se: “kur të dal nga burgu, me ty do e kem”.
Sërish pashë vendosmëri tek ai njeri. Për të vijuar, është i njëjti prokuror që kur u komandua në Shkodër, guxoi të hapte dosje të nxehta, për krerët e bandave që veprojnë në kryeqendrën e veriut.
Antoni si shumë kolegë e kolege, po i nënshtrohet testit të vettingut. Është një “provim” i vështirë për gjithsecilin nga njerëzit e drejtësisë, pasi japin llogari për ccdo qindarkë, madje edhe për të ardhurat e babait të ndjerë, sikurse ishte rasti i Bledar Maksutit.
KPK e ka konfirmuar në detyrë muaj më parë, por Komisioneri Publik, Z. Ballhysa e ankimoi këtë vendim, duke pretenduar se Anton Martini nuk justifikonte pasurinë. Po cilën pasuri? Shtëpinë më pas se 100 metra 2 blerë me dy kredi? Sot unë kam disa pyetje për Komisionerin Publik. A e dini Z. Ballhysa që Anton Martini prej 15 vitesh jeton i mbrojtur nga forcat speciale?
Kjo për shkak të detyrës, kam bindjen e keni mësuar gjatë procesit. A e dini Z. Ballhysa se prokurori Martini ka hetuar bosët e krimit? Nëse jo, mësojeni. A e dini Z. Ballhysa se për Anton Martinin u paguan para nga kriminelë që të trasferohej që dosja e tyre të mos ishte në duart e tij? Besoj që jo, se ndryshe s’do kishit kurajon të debatonit me të në Kolegjin e Posaccëm të Apelimit. Sot, Z. Komisioner Publik, që paguhesh me taksat tona për të mbrojtur interesat e publikut në procesin e vettingut, duhet të ulesh e të shohësh me kujdes ccdo detaj të jetës së këtij prokurori, që edhe duke ngrënë është vëzhguar nga syri i forcave të policisë, e besoj në jo pak raste edhe nga kriminelët. Sot, duhet të kuptosh më shumë se kurrë se largimi i Anton Martinit nga drejtësia është një humbje për sistemin, jo për atë. Se në fund të fundit, ai jurist do të mbetet. Sot të ftoj të shohësh edhe dosjen e gjyqtarit Gurali Brahimllari, një ish-pilot, që vendosi të mos e shihte Shqipërinë nga ajri, por të kontribuonte në emër të Kushtetutës dhe Ligjit. Po guxoj tju them që gabuat dhe kur shkarkuat Idriz Mulkurtin, i cili duroi ccdo presion edhe mbi familjarët e tij, por kurrë se braktisi detyrën dhe as nuk amnistoi vrasësin e katër policëve. Sot, guxoj të flas, sepse skam qenë, s’jam e s’do të jem në asnjë konflikt interesi. Mbase njerëzit e vettingut janë.
Është në nderin tuaj dhe të gjyqtarëve të KPA-së të shpëtoni nga ndëshkimi njerëzit e drejtësisë që e meritojnë, që kanë kontribuuar për këtë vend, e duhet ti inkurajoni të bëjnë drejtësi edhe në të ardhmen. Qytetarët janë lodhur nga padrejtësisë. Sot ju keni shansin dhe mundësinë të përzgjidhni më të mirët që ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. Unë e njoh njërin prej njerëzve profesionale, pjesë e këtij sistemi. Është Anton Martini! Ai duhet të jetë në SPAK.
Komentet