Gjyqtarët dhe prokurorët, pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe paketës së 7 ligjeve, do të përfitojnë pension më të lartë se Presidenti, Kryeministri apo Kryetari i Parlamentit.
Ministria e Financave, në një korrespondencë me Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, ka ngritur si shqetësim se kostoja e lartë e pensioneve për prokurorët dhe gjyqtarët me miratimin e projektligjit të ri për statusin e tyre do të ketë një faturë të lartë për buxhetin e shtetit, që arrin vlerën e 32 miliardë lekëve në vit.
Ministria e Financave e ka quajtur si shqetësues faktin se, përveç pagave që magjistratëve që në vit kërkojnë nga buxheti i shtetit 45 milionë dollarë, vetëm pensioni i tyre tejkalon pritshmërinë buxhetore dhe bien ndesh me parimet e pensioneve aktuale.
“Nëse marrim në konsideratë edhe faktin që pagat e propozuara janë shumë të larta, atëherë në vlerë absolute, ku deficiti për 1000 persona me paga mesatare 300.000 lekë në muaj, deficiti në log term është afërsisht 32 miliardë lekë”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Financave.
ARGUMENTI
Në analizën e Ministrisë së Financave theksohet se magjistratët e rinj, sipas projektligjit, do të përfitojnë si pension 60% të pagës bruto, e cila është më e lartë se paga e Presidentit, Kryeministrit apo kryetarit të Parlamentit.
Barazimi i kufirit të pensionit me ato të krerëve të shtetit bën që magjistratët të marrin më shumë kur të lënë funksionin. “Nga rritja e kufirit nga 40% në 60% të pagës referuese, aktualisht, kufiri 60% i pagës referuese përfaqëson kufizim më të lartë, ose të barasvlefshëm me funksionin e Presidentit/ kryetarit të Kuvendit/ Kryeministrit.
Rritja në vlerë, pasi paga referuese e magjistratit është e lartë. Referuar këtij përcaktimi rezulton që magjistrati përfiton një pension në vlerë më të lartë se paga neto kur ai punonte (46- 50% të pagës maksimale-pension pleqësie, plus 60% të pagës pensioni shtetëror suplementar), gjë e cila bie ndesh me parimet e ligjit aktual.
Magjistari përfiton një pension suplementar për paaftësi në punë, në masën 60 për qind të pagës referuese. Ky përcaktim përcjell të njëjtat problematika si më lart”, thuhet në shkresën e ekspertëve të Financave. Duke analizuar statusin që u jep projektligji i ri gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata përfitojnë një pension më të lartë se paga neto që merrnin kur ishin në punë.
FORMULA
Projektligji i ri për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që pritet të miratohet në Parlament, sipas Ministrisë së Financave, u jep magjistratëve pension më shumë se kontributi i tyre. “Sipas përcaktimit të projektligjit për çdo vit shërbimi, përfitohet 1.5% e pagës si pension suplementar dhe masa shkon në 60% të pagës për 65-vjeçarët dhe 67.5 % për 70-vjeçarët. Norma e kontributit është 4% e pagës bruto dhe për një periudhë 40-vjeçare sasia e parave të akumuluara është 160% e pagës bruto vjetore.
(40 vjet x 4% = 160%), ndërsa përfitimi i pensionit social me një kohë mesatare gëzimi presioni prej 15 vjetësh shkon në 900% e pagës bruto vjetore për ata, të cilët dalin në pension 65 vjeç dhe 675% për ata që dalin në pension 70 vjeç. E thënë ndryshe, për 1.6 lekë të paguara do të përfitohen 9 lekë si përfitim, ose rreth 5.6 herë më shumë”, thuhet në shkresën e Financave.
PENSIONE EDHE PËR GJYQTARËT AKTUALË
Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë do t’i nënshtrohen procesit të “Vetingut”. Por, në projektligjin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, është lënë një mundësi që këta të fundit t’i shpëtojnë kontrollit. Magjistratët që nuk duan t’i nënshtrohen “Vetingut” mund të japin dorëheqje dhe ndaj tyre nuk do të ketë asnjë lloj kontrolli të pasurisë, të figurës, apo dhe të performancës së tyre.
Nëse një magjistrat do të japë dorëheqjen, atëherë ai do të dalë në pension të parakohshëm. Ende nuk dihet sa do të jetë masa e përfitimit për gjyqtarët dhe prokurorët që do të tentojnë t’i shpëtojnë “Vetingut”, duke qenë se projektligji i rivlerësimit është ende në proces rishikimi.
Komentet