Pjesa e dytë
Memorie.al / Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos kur ai dëshmon për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).
-Festivali i 11, rrjedhojë e zhvillimeve artistiko-shoqërore të kohës-
Thënë ndryshe, Festivali i 11 në RTSh, nuk ishte një “bum” i papritur, ose, për të vazhduar më tej me krahasime, nuk ishte si një marsian, që na habit me zbritjen e tij në tokë. Ai ishte vazhdë e një klime që kishte nisur të mbizotëronte, që nga fundi i viteve ’60-të në jetën tonë, e sidomos në letërsi dhe arte. Dihet se prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961, solli afrimin e Enver Hoxhës me Kinën. Në të gjitha drejtimet. Doemos edhe në art.
Ja përse ekranet e kinemave dhe të RTSh-së, ndonëse ende qendër eksperimentale, në ato vite u përmbyt nga filma kinezë. Po ashtu edhe botimet tona, për të mos thënë tekstet e leximit, ku do të shihje pjesë autorësh kinezë, midis të cilave, veçanërisht, ato kushtuar edhe Lej Fenit, heroit popullor kinez. Nga letërsia e huaj, nisën të botoheshin kryesisht vepra me përmbajtje revolucionare. E njëjta dukuri ndodhi edhe me repertorët e tatrove, ose Teatrit të Operës dhe Baletit, etj.
Në Plenumin e 15-të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbajtur më 25-26 tetor 1965, i hovëzuar nga ndikimi kinez që kërkonte që krijimtaria letrare dhe artistike, të bëhej pronë e popullit, Mehmet Shehu arriti të shprehej në këtë mënyrë: “…Mua më duket se krijimtaria artistike në fushë e letërsisë, nuk duhet të mbetet pothuajse monopol i vetëm i shkrimtarëve. Pse të mos u hapim dyert masave të gjera punonjëse, që të shkruajnë vjersha, tregime, novela, kritika…”?!
Mbi të gjitha, Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSh-së, fjalimi i Enver Hoxhës i 7 shkurtit të vitit 1967, që ishte thirrje monstruoze për shkatërrimin e kishave dhe xhamive, si dhe shpallja e Shqipërisë, vend afetar, pasuar edhe me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, sollën një tronditje të madhe shpirtërore të popullit të sfilitur shqiptar. Kjo goditje ra edhe mbi shkrimtarët dhe artistët, që u degdisën deri në fshatrat më të largëta, për të jetuar gju më gju me popullin dhe të frymëzuar prej tij, të shkruanin vepra pa… shpërblim!
Letërsia dhe artet u orientuan edhe më shumë në luftë luftës kundër ndikimeve të artit borgjezo-revizionist. Por nga fundi i viteve ’60-të dhe fillimi i viteve ‘70’të, në letërsi dhe arte zunë dalëngadalë të frynin erëra të tjera. Nëpër librari filluan të dukeshin vepra të reja, nga letërsia e huaj. Në ekranet e kinemave dhe të Radio-Televizioni Shqiptar, të përuruar më 1 nëntor të vitit 1971, nisën të shfaqeshin filma, jo vetëm perëndimorë, por, madje edhe nga vende të ashtuquajtura revizioniste, duke përjashtuar Bashkimin Sovjetik.
Pasi më 1969-ën, ishin dërguar për specializim në Itali, dy punonjës, njëri nga sektori artistik dhe tjetri nga sektori teknik, në vende lindore, si në Bullgari, Çekosllovaki, Rumani, u dërguan ekipe për blerje filmash dhe për marrëveshje të ndërsjella, pa përjashtuar punonjës të tjerë të sektorit teknik, që shkuan Francë dhe Itali, për specializim. Veç kësaj, me urdhër të kryeministrit, Mehmet Shehu, u dha porosi që UEM-i, i cili prodhonte televizorë, të mos e mbyllte kanalin e dytë që lejonte të shiheshin programe dhe nga kanale televizive italiane, e madje jugosllave.
Madje, meqë numri i televizorëve ishte ende i pakët, u rekomandua që në qendra pune, ku kishte televizorë, punonjësit, së bashku me familjarët e tyre, mund të ndiqnin Festivalin e San Remos dhe shfaqje të tjera të RAI-t. “Pak më vonë, – shkruan Ramiz Alia në librin e tij; “Jeta ime”, – konkretisht në prill të vitit 1971, Enver Hoxha pati një bisedë mjaft interesante me Agim Meron, i cili në atë kohë ishte Sekretar i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Thelbi i bisedës, ishte që organizatat e partisë dhe institucionet shtetërore si RTSh, etj., të ishin më të vëmendshme ndaj rinisë, të jepni më shumë filma, koncerte e muzikë, që kërkonte mosha e saj, të organizoheshin më shumë mbrëmje vallëzimi të rinisë, duke luftuar konservatorizmin që shfaqej rëndom në qëndrimin e organeve të partisë ndaj rinisë. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe çdo gjë ndryshoi, (faqe 262).
Në këtë frymë, që RTSh-ja të kishte përmirësime më të ndjeshme, u pa e arsyeshme që Thanas Nano, që më 1961-in ishte emëruar drejtor i Radio Tiranës, e pastaj i RTSh-së, që më 1961, të zëvendësohej nga Todi Lubonja, në atë kohë sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës. Vetë fakti, që në mbledhjen e organizuar në 28 janar të viti 1972, (për arsye pune, unë nuk u ndodha atje), ku, për të paraqitur drejtorin e ri para punonjësve të RTSh-së, erdhën Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës së bashku me Xhaferr Spahiun, kandidat i Byrosë Politike dhe zv/kryetar i Këshillit të Ministrave, dëshmonte rëndësinë që i jepej këtij ndryshimi, në drejtimin e RTSh-së.
Këtë e provoi edhe fakti tjetër se, Manush Myftiu, siç më shpjeguan shokët pjesëmarrës në këtë takim, në fjalën e rastit tha, pak a shumë ftohtë, (mbase edhe sepse e shoqja e tij, Nefoja, grua e fisme, e dashur dhe e arsyeshme, drejtoreshë e Radio Tiranës, kishte pasur fërkime me të), se; Thanas Nano kishte punuar, “por edhe gabime kishte bërë” dhe se Todi Lubonja, ishte njeri me koncepte të avancuara, që do t’i hapte horizonte të reja RTSh-së, duke lënë të kuptohej, se tashmë drejtori i mëparshëm, zëvendësohej edhe për prirjet të tij konservatore, fakt që, siç do ta shohim edhe më poshtë, ishte plotësisht i vërtetë, po të kemi parasysh se ai, ishte edhe pedant, në mënyrën e drejtimit dhe komunikimit me vartësit.
Sigurisht që, në zëvendësimin e Thanas Nanos me Todi Lubonjën, ka ndikuar drejtpërdrejt Ramiz Alia. Këtë ma pati pohuar vetë Todi, gjatë takimeve që përmenda më sipër, aty nga fillimi i viti 1991. Për disa nga pikat kulmore të kujtimeve që ruaj gjatë atyre takimeve me Todi Lubonjën, do të flas edhe në pjesët e tjera të këtij cikli, por, kur erdhi fjala për emërimin e tij si drejtor i përgjithshëm i RTSh-së, i thashë: -‘Sikur të ishe emëruar kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike, ashtu siç u fol atëherë, në mjediset sportive, nuk do të kishin ndodhur ato që ndodhën’.
– “Ishte Ramiz Alia, shoku im që në vitet e vegjëlisë, – më sqaroi ai, – që nguli këmbë, se më mirë do të ishte që të vija në RTSh. Unë, të them të vërtetën, nuk doja. Do të isha kështu përsëri nën mbikëqyrjen e afërt të Enver Hoxhës, për të cilin kisha krijuar bindje, se nuk më donte, sido që njohja ime me të, ka filluar që më 1938, kur e kisha pasur për tre muaj, profesor të frëngjishtes në Gjimnazin e Tiranës. Atëherë, madje, edhe më pati lëvduar për zellin që kisha treguar në mësimin e kësaj gjuhe. Jo vetëm kaq, por më 1942, kur tashmë isha lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe isha hedhur në ilegalitet, jam takuar me të në një shtëpi të vogël tiranase, bazë e luftës, që ndodhej në rrugën ‘Isa Boletini’. Më njohu, mua ish-studentin e tij, dhe madje edhe më ngarkoi që të shpija një dokument me rëndësi në një bazë tjetër ilegale. Mirëpo më pas punët ndryshuan”.
Todi pas këtyre fjalëve nënqeshi dhe vazhdoi: – “Në verë të vitit 1958, kur isha sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë, së bashku më një delegacion të rinjsh, Enver Hoxha, tashmë udhëheqës legjendar, na priti në zyrën e tij. Këtu më duket se bëra një gabim. Duhej të kisha qenë unë pas takimit, që t’i kisha kërkuar atij, të bënim një foto bashkërisht me të rinjtë, gjë që e bëri ai. Veç kësaj, duhej të isha treguar edhe më i qeshur në ato çaste. M’u duk se atij nuk i erdhi mire! Në tetor të vitit 1960, bëja pjesë në grupin e punës, që po redaktonte Rezolutën për mbledhjen e Moskës, ku do të merrnin pjesë së bashku me delegacionin tonë, edhe delegacione të 80 partive komuniste.
Pasi mbaruam redaktimin dhe u kthyem në atdhe, duhej të isha treguar më entuziast, kur me shokë të tjerë u ndodha para Enver Hoxhës, pra të tregohesha më i gëzuar për aktin e madh të Partisë sonë, që po ndahej përfundimisht nga diktati sovjetik. Më 1967-ën, nuk duhej kurrsesi që të bëja një faqosje të re të ‘Zërit të Popullit’, që u quajt nga Enver Hoxha; ‘si e gazetave perëndimore’ dhe solli si pasojë, që të transferohesha me urdhër të tij, sekretar partie në Korçë. Po atje më 1969, nuk duhej të kisha lejuar, që të të vihej në skenë drama; ‘Njollat e murrme’, të cilën ai e pa në Tiranë dhe vendosi të mos shfaqej më, edhe pse kishte fituar çmimin e parë, në Festivalin Kombëtar…”!
Sidoqoftë, Todi Lubonja, duke pasur mbështetjen e Ramiz Alisë, nisi të punonte me pasion në RTSh. Njeri me kulturë dhe shije të holla, (jo më kot Kadareja i famshëm, para botimit, herë pas here, i jepte vepra të tij për lexim dhe vlerësonte mendimet e tij), ai, ndonëse nuk i njihte nga afër veçoritë e gazetarisë radiotelevizive, u përpoq të sillte të risi në këtë fushë. Në mbledhjet tepër të çiltra që organizoi, me redaktorë të Radios dhe TV-së, kërkoi që ata të mos ngurronin në gjetjen dhe përdorimin e formave të reja të emisioneve, gjë që, natyrisht, nuk ishte kërkesë e panjohur. Por ai dha dhe shembuj praktikë rreth këtyre formave.
Veç të tjerash, Todi Lubonja, krijoi një atmosferë të ngrohtë me punonjësit. Nuk priste që gjithçka ta diskutonte dhe ta zgjidhte në zyrë e tij, por shkonte ai nëpër zyrat tona dhe studiot, ku fliste me përzemërsi me ne, teknikët, ishte kureshtar të njihte proceset teknike, sidomos të regjistrimeve a transmetimeve të drejtpërdrejta, dëgjonte mendimet e sugjerimet që i jepnim ne gazetarët dhe personeli teknik, përgëzonte ata që bënin emisione të mira, madje, jo rrallë, me të mbaruar emisioni, e bënte këtë edhe me telefon.
Shkonte edhe në kafenenë e Radio-Televizionit, pinte kafe me këdo që gjente atje, bënte edhe shakara. Ishte një qëndrim thuajse krejt i kundërt, me qëndrimin e drejtorit të mëparshëm Thanas Nano, që kurrë nuk veproi kështu, që qëndronte, edhe në të tilla raste; “mbi” kolektivin, që nuk mori pjesë kurrë një një mbrëmje vallëzimi, vajtje në kinema, muze, a teatër, me punonjës të Radio-Televizionit, a në ekskursione që organizoheshin herë pas here.
Ndonëse vëmendjen kryesore, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSh-së, e kishte përqendruar te Televizioni, kur Radio- Tirana transmetonte 17 orë program në ditë dhe TV-ja vetëm pesë, Todi Lubonja, një herë në një mbledhje me redaktorët, kërkoi veç të tjerash, që programet e Radios, të kishin një regji, ku personazhe të shquara në fushën e artit, mundësisht gojëtarë të shkathët, me paraqitjen e programeve, ndërhyrjet dhe bisedat me të ftuar të tjerë, të krijonin lidhje organike të emisioneve, që pasonin njeri-tjetrin dhe, më pas që redaksitë e lajmeve të Radios dhe Televizionit, të bashkoheshin, që të ndihmonin kështu më mirë njëra- tjetrën, përvojë që ishte zbatuar edhe nga RAI.
Për t’i pasuruar lajmet e jashtme, menjëherë u nënshkrua një marrëveshje me kompaninë “Visnjuz”, që siguronte kronika televizive nga bota. Për herë të parë në emisionet muzikore të Radios, u transmetuan këngët e Festivalit Evropian, që sapo kishte përfunduar, (maj të 1972), që për Thanas Nanon, do të kishte qenë skandal. (E të mendosh se 32 vjet më pas, më 2004, Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë, por jo të fundit, në një veprimtari të tillë dhe kënga shqiptare, do të arrinte në vendin e gjashtë!)
Më 25 prill të vitit 1972, Todi Lubonja, më ndali në korridoret RTSh-së dhe më pyeti: “Hë, a je në gjendje të komentosh ndeshje futbolli nga televizionet e huaja”? I befasuar, se këtë radhë nuk isha unë, por ai që ma bënte këtë propozim, iu përgjigja “Po”. Por, jo pa ngurrim. Dhe kështu të nesërmen, në orën 17.00, RTSh-ja transmetoi nga RAI, ndeshjen Itali-Belgjikë, që luhej në Milano, (0-0), dhe në orën 20.30, nga TV Beogradi, ndeshjen Angli- Republika Federale Gjermane, (1-3) që luhej në Londër.
Jehona qe e jashtëzakonshme, madje edhe nga “kupola e kuqe”. Një mëngjes qershori të vitit 1972, Todi Lubonja në ftoi me ngut në zyrë dhe në tha se shoku Enver, ishte i kënaqur me të rejat që kishte parë në TV dhe kishte shtuar, që të vazhdohej në këtë rrugë. Më pyeti se ç’mund të bënim tjetër në fushën e sportit. Iu përgjigja se; mund të transmetonim lojërat olimpike, që në gusht-shtator zhvilloheshin në Mynih të Republikës Federale Gjermane. “Pa tjetër”, – më tha ai. Dhe kështu ndodhi.
Mbase u teprua që, me disa përjashtime, prej orës 14.00-23.00, madje edhe më vonë, nga RTSh-ja, duke u kombinuar me emisionet lajmeve të orës 18.00 dhe 20.00 dhe me emisionin e fëmijëve të orës 18.30, u transmetuan tërë llojet e sportit të Olimpiadës së zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore. Mirëpo jehona kudo në Shqipëri, qe e madhe. Më kujtohet se në një takim që Pirro Kondi, aso kohe drejtor i Drejtorisë së Propagandës në Komitetin Qendror, në tetor të vitit 1972, pati me gazetarët sportivë, ku merrja pjesë edhe unë, vlerësoi transmetimin e këtyre lojërave nga RTSh-ja.
Dhe ja, me ardhjen e Todi Lubonjës në RTSh, në vazhdën e këtyre dukurive të reja, që kishin filluar në emisionet radio-televizive, në letërsi dhe arte, madje, edhe një jetën tonë të varfër shpirtërore, u përgatit edhe Festivali i 11-të Kombëtar i Këngës. Regjia e tij, iu besua të talentuarit Mihal Luarasit, që edhe ai si Todi Lubonja, ishte transferuar nga Korça në Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte tërhequr menjëherë prej tij në RTSh, si udhëheqës artistik. Pra, siç e pamë nga faktet dhe argumentet e mësipërme, ky festival nuk ishte rrufe në një qiell të kthjellët…! Memorie.al