Nga Pjetër Pepa
Pjesa e parë
“11 dhjetor 1946 – Zbulohen “Armë në Kishë“; Sekuestrohet Kuvendi Franceskan! Arrestohen e torturohen: 1. Imzot. Frano Gjini; 2. Imzot. Nikoll Deda; 3. Patër Mati Prendushi; 4. Patër Çipirian Nikaj; 5. Patër Pal Dodaj; 6. Dom Tom Laca; 7. Dom Ndoc Sahatçija; 8. Patër Gjon Karma; 9. Dom Nikoll Shelqeti; 10. Patër Mhill Miraj; 11. Fra Zef Pllumi etj. Sigurisht, që kemi të bëjmë me një shtet diktatorial të specializuar, për të shpifur e për të ndryshuar të vërtetat, por edhe për të përzgjedhur, ndryshuar, e transformuar dokumentet. Dëshmitarët e ditëve të para të përmbysjes së diktaturës, e kanë parë me sytë e tyre, se si u dogjën Komisariatet e Policive dhe Deget e Puneve të Brendeshme, aq tabu e te paprekshme, deri ditët e mëparshme…!
Sigurisht që ata, sekretarët e shkruesit e atyre dokumenteve, zgjidhnin e ruanin, çfarë i duhej, çfarë i shërbente atyre e gjithçka komprometonte sa më shume të ndëshkuarit, për të justifikuar krimet e kryera prej tyre. Ato ruanin gjithçka që i shërbente justifikimit e diskreditimit, për “fajtorët e të pandehurit“, e asgjë nga ato që mund te komprometojë, ose të fajësojë ato vetë. Prandaj, asgjë në këtë drejtim, nuk ka rreth torturave të zhvilluara, “deponimeve“ me dhunë të marrë nga ata të gjorë të pandehur, si e çka, donin kriminelet. Ndaj, edhe këto që janë ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, të vetmet që mund të shfrytëzohen në ditët e sotme, nuk bëjnë përjashtim në këtë drejtim. Janë të shumtë të mbyturit ndër tortura, për të cilët nuk ka as edhe një dokument, sado të vogël.
Por, nuk ka edhe për shumë të tjerë, ndonëse janë gjykuar nga të ashtuquajturat; “Gjykata të popullit“. Ku mund të gjendet një dokument, për Dom Zef Marksen, e sa të tjerë kolegë të tij, të dënuar e më pas edhe të pushkatuar, pa as shenjën më të vogël të dosjeve e të dokumentit. Haptas në këtë drejtim, shërben edhe gjyqi i Patër Pjetër Meshkallës, për të cilën janë dëshmitarë gjithë qytetarët e qytetit të Shkodrës, se si u zhvillue e sa mjerisht, siç do ta shohim më poshtë, do të dokumentohet në këto arkiva. Tek ato, siç e kam shprehur edhe në fillim, s’ke veçse “zift për të ndotur…me zor të vërtetën”, e sa herë historiani do të përballet me to, do të psherëtij me dëshpërim: ku gjyqi, ku gënjeshtra e shpifja, e ku e vërteta?! Të pamoralët, arrijnë të dokumentojnë në dosjet e tyre, akuza materiale e morale, si e si të diskreditonin me çdo mënyrë, e me çdo kusht, Klerin Katolik, para popullit, i cili nga ana e tij, e njihte mirë moralin e persekutorëve, perversitetin e tyre, duke filluar nga më i madhi, vetë diktatori Hoxha, i cili përflitej aq shumë që në periudhën e tij të shkollës në Paris e deri tek shëmbëlltyra e tij vogël, prokurori Aranit Çela.
E, deri në mbyllje të të gjithë kësaj masakre, edhe në Parlamentin Shqiptar, ata vetë si edhe bijtë e tyre, kërkonin t’i përcillnin, gjithë ato krime, vetëm me një amnisti, pra ”falje… të pështirë”, e jo pafajësi të tyre! Natyrisht, përballë të vërtetës, Kisha Katolike nuk është trembur asnjëherë e s’kishte pse të trembej edhe këtë radhë. Ajo nuk trembet sepse edhe vetë apostujt e Krishtit ishin njerëz si gjithë të tjerët, që pranuan e u penduan për dobësitë, gabimet e fajet e tyre. Shën Pali, Shën Pjetri, Shën Maria Magdalene, Shën Dizma etj., janë shembuj domethënës në këtë drejtim. Por kur të pamoralët, nën torturat psikologjike e fizike, vrasin për politikë dhe kërkojnë të gjejnë e të veshin edhe defekte morale, tek ata që janë shenjtër të vërtetë, në raport me moralin e tyre të fëlliqur, kjo kalon çdo cak.
E, me një rast të tillë, kemi të bëjmë edhe tashti. Diviza e përjetshme e Klerit, ka qenë: “Për Fe e Atdhe”. Gjithmonë ai ka kryer misionin e tij, për t’i shërbyer popullit e për të qenë pranë tij, në shqetësimet e jetës materiale e shpirtërore. Mospërzierja në politikë, ka qenë rruga e tij e përjetshme, por kur fatet e kombit, kanë qenë në rrezik, kur rreziku për popullin e tij ka qenë evident, ai është detyruar të marrë pjesë aktivisht edhe në këtë drejtim. Pranë flamurit shqiptar, para interesave të atdheut, qenë gjithnjë, duke sakrifikuar gjithçka e pse jo edhe jetën, që nga Bogdani, Kaçorri, Bumçi, Prennushi, Doda e sa e sa të tjerë. Por njerëzit në pushtet kërkuan ta shtyjnë këtë shumë më tej.
Shtypi dhe propaganda, nuk diti ku e si të ndalet, me të vetmin qëllim, të asgjësojë sa më shpejt, gjithë Klerin Katolik Shqiptar. U gjetën çuditërisht armë, në kishat shqiptare, në Shkodër po e po, por edhe në Mirditë edhe në Rubik e ku jo tjetër. Madje edhe nëpër shtetet e tjera të Evropës, siç do ta shohim më poshtë, u aplikua i njëjti skenar; ose të thuash, që andej erdhi. Sekuestrohet e kthehet në hetuesi e burg, vetë Kuvendi. Pra, tashti, ndonëse kaq shpejt mbas dy vjetëve, vjen radha e Françeskanëve. Përzierja e Patër Gjon Shllakut, me radhën e parë, me jezuitët, mjerisht ishte fatkeqësi e “rastësi” për të. Kishte vlera të posaçme, ishte të thuash “ideologu“ e filozofi që zëvendësonte me dinjitet Patër Anton Harapin, e për më tepër edhe në moshë fare të re.
Porosia e ambasadorit jugosllav, duhej plotësuar menjëherë, ndaj ai duhej të shkonte me përparësi, e futej ashtu kot me Urdhrin e Jezuitëve, që do të eliminohej i pari, duke pasur shumicën të huaj, italianë. Duhej bërë sa më parë, izolimi me botën jashtë, për të filluar mirë e me sistem, shtypjen e reprezaljen brenda, pa marrë vesh njeri. Ata ishin thuajse shumica italianë, mbanin lidhje me Perëndimin, lidhje këto që duheshin prerë shpejt e përfundimisht se ndryshe si do të mund të bëhej gjithë ajo masakër që ishte në plan të bëhej. Ata madje, kishin përgatitje të mirë teorike e praktike kundër komunizmit dhe kishin dhënë prova në këtë drejtim. Por tashti, ajo ishte kryer, qysh me atë, goditjen e parë të madhe; zbulimin e organizatave terroriste.
Tashti e kishte radhën tjetra: goditja e dytë e madhe me emrin ndjellakeq të “Armëve në Kishë”, e cila mjerisht do të ketë edhe më shumë viktima, të thuash të gjitha ata që kanë mbetur më shumë vlerë. Janë shumë ata që do të shkojnë drejt për drejtë me ngjarjen dhe gjyqin, por do të jetë edhe më i madh numri i të tjerëve që do të shkojnë si pasoje “e dijes apo mos denoncimit; fshehjes apo mos pranimit“, Sa e sa të tjera “zbulime“ të mëvonshme lidhur me to, që mjerisht do të kemi mundësinë t’i paraqesim në vazhdim. Tashti, goditja e dytë ose drama e dytë, siç e kemi quajtur, do të paraqesë dy akte sepse, mbas viktimave të para, klerikëve të nderuar që pushkatohen “për armët në kishë”, shpejt do t’i vinte radha e burgimit e të pushkatimit edhe të vetë atyre që e kishin zbatuar skenarin e famshëm dhe i kishin futur këto armë në Kishën e Françeskanëve në Gjuhadol.
Ata ishin të rinj dhe u ishte premtuar e ata kishin besuar se kështu do të bënin karrierë, por nuk e kishin menduar se më pas duheshin zhdukur provat e gjurmët e këtij krimi, ndaj edhe ata duheshin eliminuar. Pra, le të ndalemi në veçanti tek kjo ngjarje, që është vërtetë goditja e dytë edhe më e fuqishme që diktatura i jepte Klerit Katolik Shqiptar. Në fakt ka ndodhur edhe me të tjerë intelektuale e nacionaliste; ka ndodhur edhe në vendet e tjera jashtë Shqipërie. Ka ndodhur pothuajse në të gjitha diktaturat. Ndodhte edhe tashti në Shqipëri. Këtu, i gjithë Kleri katolik u asgjësua, nëpërmes pothuajse 4-5 skenarësh kryesore.
E kemi lexuar diku më lart, tek familja e D. Zef Oroshit, se si i ati strehoi vrasësin e të birit. Se ndërsa tjerët e kërkonin atë nëpër krahinë, vijnë edhe e gjejnë atë, tek dhoma tjetër, ndërsa në njërën prej tyre ishte vendosur kufoma që i bëhesh vaji dhe nderimi përkatëse. E ndërsa ceremonia zhvillohej andej, në dhomën tjetër këtej, në krye të oxhakut, plaku i ofronte cigare e kafe vrasësit të birit që i kishte rënë mik në derë pa ditur se ku e si ka trokitur. Ja pra norma e Kanunit që përbuzet aq shumë e aq padrejtësisht. Ja ligji që ne vepronte maleve tona, për të cilin ishim dhe jemi krenar. Por tashti menjëherë një normë e tillë kthehej për pushtetin komunist në krim. Pra, cilido duhej të nxirrte nga shtëpia, mos të pranonte, mikun e tij, bashkatdhetarin e tij, bashkëkrahinësin e tij, bashkë-shokun e tij të idealit e të fesë, sepse ishte i arratisur, sepse kishte dalë në mal për t’i dalë Zot Shqipërisë, popullit të vet, që mos të pësonte atë që pësoi përgjatë 50 vjetëve.
E këtë, duhet ta bënte edhe prifti e frati. Edhe ai, po pranoi një të tillë të “zgjebosur“ apo siç quhej, të arratisur, duhej ta dorëzonte, ta padiste. Madje të tregonte edhe të gjitha që ai ja thoshte në rrëfim. Dhe në se nuk e bënte këtë kthehej në kriminel, që kishte bërë krim të madh, kundër popullit e pushtetit. Ja pra, skenari i parë që do të përfshinte një grup jo të vogël klerikësh. Fjala e lirë, dëshira e votës së lirë, pluralizmi dhe demokracia, diçka normale për botën tjetër, ishte këtu skenari i dytë, që përfshihej në “Organizata terroriste“. Vrasja e njerëzve të veçantë, e njerëzve të ashtuquajtur të Pushtetit, nga armiqtë e tyre privatë, e pse jo edhe nga vetë pushteti, për të organizuar skenarë të mëtejshme, për t’i nxjerrë dhe ata si diversantë të “besueshëm“ që të bien tjerët viktimë në besueshmërinë ndaj tyre, ka ngrënë gjithashtu kokat e mjaft klerikëve tjerë.
“Përmbysja pushtetit me dhunë“, qoftë kjo edhe për një fjalë të vetme, një takim të vetëm privat, një mbledhje kryer për krejt tjetër qëllim, pra që bëhej e vërtetë, vetëm se fjala është dhunë, ajo që lejohej gjithkah e gjithkund, përveç atyre vendeve ku sundonin diktaturat, përbënte skenarin tjetër, le të themi të fundit, sepse nuk ka nevoje për më shumë. Me këtë skenar janë asgjësuar pothuajse shumica e tyre. E gjitha kjo i atribuohej Vatikanit, si inspirues, armik i betuar i popullit e Lirisë. Të gjithë etiketoheshin agjentë të Vatikanit. Ndaj fillonte që me kërkimet në biografi, ku e si ka studiuar; pse dhe si e ka pritur fashizmin, nazizmin. E, për ardhjen e tyre në Shqipëri, masakrohej e dënohej edhe Dom Anton Muzaj me shokë, që ishin vetëm 27 vjeç e nuk kishin as edhe një vit që kishin ardhur nga shkolla, nga Italia. Masakroheshin e torturoheshin, vriteshin e mbyteshin ndër tortura, ata që kishin dhënë shembuj të gjallë vetëmohimi, nderi e sakrifice gjatë jetës së tyre. “Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët”, – thoshte shqiptari i madh, Sami Frashri, në një nga librat e tij.
Kjo, po ndodhte këtë radhë, edhe në Shqipëri. Merita e Klerit është e dukshme, për atë që don të shohë por natyrisht; “nuk ka të verbër më të madh se ai që nuk don të shohë…”! Historikisht, Kleri Katolik Shqiptar, ka qenë i shpërndarë deri ndër skutat më të thella e më të rrezikshme të atdheut, kudo ku pati shqiptare e të krishterë. Merita e tij, që tashmë e dinë të gjithë, që se punoi për shqiptarët në Shqipëri, pa u larguar asnjëherë e pa iu shmangur vështirësive ekonomike, kushteve të rënda të jetës e, sidomos persekucionit, që nuk iu nda pothuajse gjithnjë gjatë gjithë qenies së tij. Ai nuk mendoi e punoi tue qenë nëpunës i lartë i Sulltanit si patriotët: diplomati Ismail Qemali a, politikani Pashko Vasa, por ktheu në Mirditë, si Abat Doçi, luftëtar i lirisë, apo në Lurë, si Dom Nikoll Kacorri, luftëtari i Pavarësisë, ktheu në Kallmet të Lezhës, si Imzot Luigj Bumçi, luftëtari për tërësinë e tokës shqiptare.
As nuk shkroi në qytetet apo kryeqytetet e huaja, si: Frashëriotët, Çajupi, Filip Shiroka, Asdreni etj., por në fshatrat e atdheut, si: Dom Ndoc Nikaj, Imzot Vincenc Prennushi, Patër Marin Sirdani, Patër Bernardin Palaj, e të tjerët me radhë. As nuk shijoi jetën e Amerikës, si: Konica e Noli, por punoi në Kukël, si Mjeda e, në Troshan si Fishta. Ai buroi nga malet e fushat shqiptare dhe, si u diplomua në qendrat më të kulturuara të Evropës, kthej sërish atje, në thellësitë e maleve, luginat e shpellat, ku pati njerëz e shqiptar për të ndriçuar mendjet, për të zbutur zemrat e tyre e për t’i pajisur me dinjitetin e duhur si pjesë e Evropës. Ai trajtoi kulturën evropiane, u bë urë lidhëse e Shqipërisë me Evropën, pati miq e bashkëpunoi me Perëndimin, bëri të gjitha përpjekjet që Shqipëria e shqiptarët të ishin gjithmonë pjesë e perëndimit dhe Evropës, luftoi si askush tjetër orientalizmin në të menduar e të vepruar dhe shpesh e pësoi rëndë e pikërisht e vetëm për këtë.
Megjithatë, gjithnjë “frangar non flectar”,- u thye copë copë, por nuk u përkul para asnjë persekutimi e mundimi, qoftë edhe ky i fundit komunist. Shembujt në këtë drejtim, janë të shumta. Le të kujtojmë për pak çaste, vetëm disa prej tyre: I sollën makinën te shtëpia, për të ikur Dom Mikel Koliqit, ndërsa iknin të tjerët, me gjithë vëllain e tij, Ernest Koliqin, por: “Unë jam bari shpirtrash e, bariu nuk e len kurrë grigjën e vet“, që përgjigja e tij. Ishte në Gjermani në verën e vitit 1944, Patër Anton Harapi, i vetmi regjent në botë, me sandale e këmbët zbathur dhe e kishte fare të lehtë, të rrinte andej, por kthej. Edhe gjermanët i propozuan ta merrnin me vete, duke e ditur fare mirë, se çfarë do ta gjente. Madje edhe kolegu i tij, Sulço Begu, i propozon ta marrë tek të vetët, në Podgoricë, edhe malësorët deshën ta përcillnin andej jashtë, por jo; – “…dua që eshtrat e mija, të pushojnë në atë tokë, për të cilën u përpoqa e punova gjithë jetën”- është përgjigja e tij.
“Do të shoqërosh Delegatin apostolik, Leoni Nigris në Romë dhe mund të rrish edhe vetë atje”, është propozimi që i bëjnë Dom Tom Laces. Por; “jo”, është edhe përgjigja e tij: ”Do të kryej detyrën e, do të kthej aty ku kam grigjën time…të krishterët e mi”! E paralajmërojnë se, do të arrestohej e do të masakrohej, Patër Gjon Shllakun, ndaj të merrte masat për të shpëtuar, por “jo”: “Të lusim Zotin që, të na japë forcë e zemër, që të durojmë provat e vështira që do të kalojmë…“, është përgjigja e tij. E njëjta ftesë, për shpëtim i bëhet Monsinjor Frano Gjinit, nga mirditorët e arratisur, që e donin dhe e nderonin kaq shumë e, mundësitë ishin fare të lehta; por “jo”…”S’kam kujt t’ja lë besimtarët dhe Kishën e Shën Lleshdrit” është përgjigja e vetme.
E rastet e tilla, s’kanë fund për të treguar, jo se nuk mundën, as se nuk e ditën, por se nuk deshtën, ose më sakt të thuash, deshën vetë, me ndërgjegje të pastër e të plotë, të rezistonin provat e vështira që i afroheshin, në këmbim të idealit e besimit të tyre, rrugës që ata me ndërgjegje të plotë, kishin zgjedhur. ”A kam fat me dekë martir“ – ishte thirrja e të gjithëve. ”Ku do ta kisha atë fat, që të më gozhdojë në kryq, ashtu siç është gozhduar dhe ka vdekur mësuesi im. E ti më shumë, a mund të bëjë”? do t’i përgjigjej Patër Pjetër Meshkalla, hetuesit që e kishte torturuar dhe habitej me qetësinë tij. E pra, pikërisht këta, do të ishin “tradhtarët e atdheut e armiqtë më të rrezikshëm të shqiptarëve”, në diktaturën e sapo nisur komuniste.
Këta do të ishin “agjentët e të gjitha agjenturave të huaja“, këta “bashkëpunëtorët e ndihmësit, këta varrmihësit e Shqipërisë”; këta “shfrytëzuesit e grabitësit“, e pasurisë së popullit”, këta “jezuitët”, “cinikët”, “veladon-zezët”, “korbat kobndjellëse“ të fateve të “Shqipërisë së lumtur e, të begatë komuniste”. Dhe, duke i akuzuar kështu, pikërisht këta ishin ata që më shembullin, veprën dhe jetën, vdekjen e tyre, u mësonin shqiptarëve idealet, për të cilat ja vlen të flijohet jeta, për “Fe e Atdhe“; ja vlente të falej gjithçka, të durohej gjithçka, të pësohej gjithçka: “Durojeni e faleni njeri tjetrin; I falim edhe kriminelët, që na kanë munduar…edhe ata që do të shtien mbi trupat tonë…edhe ata…edhe ata…deri në fund…”! Për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, siç i ka dashur e i ka falur edhe vetë mësuesi i tyre, që në frymëmarrjen e fundit në kryq, do të thoshte “Fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”. Ja pra, këtë radhë kemi të bëjmë pikërisht me këtë skenarin më të rrezikshëm e me dëmsjellës; atë të “Armëve në Kishë”.
Le t’i referohemi për pak librit “Dosja e Diktaturës“. Vëreni se si zhvillohej propaganda e radiove dhe e shtypit të atyre ditëve: “Armët e shumta dhe të llojeve të ndryshme që u gjetën të fshehura në Seminar, Kuvend e institucione tjera, pohon provinciali françeskan, Mati Prendushi, ne i ruanim me shumë kujdes. Depot me armë, një pjesë të pushkëve, të mitralozave, të bombave dhe mortajave dhe municionin përkatës, ne i patëm marrë nga ushtria italiane…”! “Altari i Zemrës së Krishtit, në ish Kishën Françeskane Shkodër, ku sipër dhe në fund të tij, janë fshehur armë lufte (fishekë, mitraloza e bomba), për t’u përdorur kundër pushtetit popullor…”! “Në altarin e Shën Ndout, në Kishën Françeskane u gjetën armë brezi.
Disa ditë më vonë edhe në Kishën e Madhe në Shkodër u gjetën armë lufte të markës gjermane dhe arka me municion…”. “Me 16 dhjetor 1946 seksioni i sigurimit të shtetit zbuloi në Abacinë e Mirditës brenda në Kishe e në Qelë armë e materiale të tjera komprometuese…”. “Vendi ku më 1946 u zbuluan me shumicë armë lufte, pushkë, bomba, mitraloza të fshehura nga klerikët në Argjipeshkvinë e Shkodrës…”! “Prifti Donat Kurti, mbasi ka prishur murin e dhomës së tij, tregon vendin ku gjendej depoja e armëve të fshehura që Kleri Katolik, kishte marrë nga gjermanët” (Rakip Beqja, libri “Roli reaksionar i Klerik Katolik, material nga gazetat e kohës, etj.)
Mbas gjithë kësaj propaganda, ja tashti prologu i saj: S’kishin kaluar as edhe dy vjet, nga nëntori i tretë, nga “çlirimi” i tretë, e nga shpresa e tretë, kur mjerisht Shqipëria, fillonte sërish robërinë. Sapo fillonte diktatura e, formohej arkipelagu i burgjeve dhe i kampeve komuniste, sapo fillonte të formohej Sigurimi, që fshehtas dhe haptas, do të endte krimet. Po lëshoheshin anatemat, mbi bijtë e Shqipërisë, e një ndër të parat, po binte mbi një Urdhër fetar. Ishte Urdhri i Shën Françeskut, Shenjtit të Paqes që u pagëzua në Assisi, më 1182-in, e që gjatë gjithë jetës së tij, përhapi vetëm besim e shpresë dhe hapi vetëm rrugët e paqes. Gjithë jetën i varfër dhe i përvuajtur, u varros me dëshirën e tij, jashtë Assisit, sepse desh të jetë, për të gjithë dhe i të gjithëve. E me vdekjen e tij, nisi udhën një ndër Urdhrat fetar, më të fuqishëm.
“O Zot, më bën vegël të paqes sate/ Ku është mëria, të sjellë dashurinë,/ ku është fyerja, të sjellë faljen,/ ku është mashtrimi, të sjellë të vërtetën,/ ku është dyshimi, të sjellë besimin,/ ku është dëshpërimi, të sjellë shpresën,/ ku është terri, të sjellë dritën,/ ku është pikëllimi, të sjellë gëzimin”. Kjo ishte lutja, kjo ishte diviza, ky ishte qëllimi dhe synimi i Urdhrit, të atyre që u shpërndanë në të gjithë botën. Pra: gjithçka për të tjerët e asgjë për vete. Me këtë lutje të themeluesit të Urdhrit, u vendosën françeskanët edhe në trevat shqiptare, shtatë shekuj më parë. Me këtë divizë, në mendje e në zemër, jetuan e punuan ata për Fè e Atdhe, dhe aty ku ishte varfëria e mjerimi, aty ishin ata me ngushëllimin e ndihmën e tyre. Që nga fillimi, e deri në ditët tona, Ata vazhduan traditën e përpjekjeve, për zgjimin e çlirimin kombëtar, duke u gjetur gjithnjë në ballë e, duke sjellur dritë e shpresë, në netët e gjata e të errëta të pushtimit, që fatkeqësisht Shqipërisë nuk ju ndanë kurrë.
E, për çudinë e dhimbshme, ata që u flijuan më shumë e dhanë më shumë, ata edhe u sulmuan deri në asgjësim si asnjë tjetër. Sa më shumë dhanë dije, kulturë e dritë, aq më tepër u quajtën prapambetje e errësirë. Sa më shumë dhanë martirë aq më tepër u quajtën tradhtar. Sa më shumë pajtuan gjaqe, aq më tepër u quajtën gjakësorë. Sa më shumë thanë e mbrojtën të vërtetën, aq më tepër u quajtën mashtrues, e gënjeshtarë. E kjo fatkeqësisht, do të arrinte kulmin, pikërisht në shekullin XX-të. Diktatura komuniste, me tellallët e saj, politikanë e shkrimtarë, ideologë e gjykatës, prokurorë e artistë, do t’i baltoste deri në përdhosje, duke i identifikuar me tradhtinë e reaksionin, me agjenturën e mashtrimin, me intrigën e imoralitetin e, duke ia nënshtruar një holokausti, që për përmasat e egërsisë, do të mbetej unikal, në gjithë historinë shqiptare, e pse jo ndoshta edhe në atë botërore.
S’është prandaj për t’u çuditur në se brezat e rinj, në mungesë të informacionit të vërtetë, të hallakaten në imazhe të gabuara, që padyshim historia do t’i korrigjojë, e do t’i çojë, në vendin e vet. Por deri atëherë, cilido që të shkruajë duhet të pasqyrojë, diçka mbi atë të vërtetë, sepse, duke vënë një gur mbi atë themel, do të vejë një gur, mbi të ardhmen e kombit. Sot, jemi ende në ujëra të turbullta e, duhet ta pranojmë se historinë, e kemi rrënuar ne vetë, e s’ka pse t’ia vëmë fajin të tjerëve. Është prandaj rasti, të bëjmë pa asnjë ekuivok, pyetjen: A ka qenë antikombëtar e reaksionar Kleri Katolik Shqiptar? Mundimet dhe vdekja ndër kombe e shtete, krijojnë monumente të pavdekshme, pse më të tillë kundërshti, është e ndërtuar kjo botë. Lumturia në mjerim, madhështia në dhimbje, jeta në vdekje, sjellin heronj që qëndrojnë si kryevepra të pavdekshme.
Në vërtetim të kësaj, që në shekujt e parë, me kokën nën shpatë dhe gjakun deri në gjunjë, prelatët e Kishës, punuan dhe studiuan duke pasuruar me dinjitet fenë, së cilës ata i shërbyen. Edhe kur nga Veriu, nuk i qëndronte dot njeri sulmit të barbarëve, kur Hunët e Vizigotët, kishin futur botën nën thonjtë e injorancës, Kisha ikte ndër shkretëtira, fshihej në thellësitë e pyjeve dhe aty në vetmi, ndër ato kasolle të murgarëve të veshur keq, të ushqyer keq, pa i detyruar askush, ajo studionte e mbarte thesare, te përparimit botëror. Hiqi botës së qytetëruar, kontributin që dha Krishterimi në ide, ligje e zakone, në dituri e art, në familje e shoqëri, moral dhe material e, do të shohësh se kultura modern, varfërohet shumë. Po në Shqipëri? Le t’i referohemi “ad fontes”, historisë dhe fakteve, për të evidentuar diçka mbi këtë të vërtetë, aq të nëpërkëmbur, nga historia e përmbystë komuniste.
Do të shohim nga faktet se, që në vitin 53, para se të shkonte për të përhapur krishterimin në Romë, Shën Pali, do të ndalej në Durrës. Pra Shqipëria do të ishte e krishterë, para shteteve të tjera të Europës e, për ta dëshmuar atë do të fillonin që në shekullin e pare, salvimet e vrasjet, dëshmorët e martirët e fesë. “Shpesh, mbyllem në bibliotekën time, shkruan Ali Podrimja, aty në një kënd të errët, kujtoj një kishë atje në Majnë dhe qiriun që kisha ndezur, pas një udhëtim të gjatë që kisha bërë, për t’u takuar me Shën Albanin nga Iliria, i cili që në shekullin III-të, viti 286, në hapësirën Gjermane, kishte përhapur kristianizmin, e Kisha Gjermane, e kishte shpallur shejt…! Ndërsa gjatë një vere të nxehtë, në njërën nga bibliotekat e shumta të Vatikanit, shfletoja me kujdes Biblën, përkthimin e së cilës, e kishte bërë Shën Jeronimi, Ilir nga Dalmatet, që në shekullin IV-të.
Dhe kur dilja nga biblioteka, korridoreve të pafund, më bëhej sikur dëgjoja zërin e Papës Shqiptar, Klementi XI dhe nuk di a mund të harrojë Europa, edhe Nënën Terezë, nga kohët moderne”. Me këto shembuj, që nxjerrin në pah Ilirinë e dikurshme, e Shqipërinë e sotme, zoti Podrimja don të sjellë një mesazh: “Është shumë krishtërimi për Shqipërinë, e me një krenari të ligjshme, e ballafaqon atë me cilindo popull të Ballkanit. “In Hoc Signo Vinces”, pra, me këtë shenjë do të fitosh, është shenja e mistershme që Kostandini i madh do të shihte gjatë betejës tek Ura e Milvit, pranë Romës, viti 312, që e bëri të fitojë e të reformojë më pas Perandorinë, të luftojë skizmat e përçarjet e, të bashkojë provincat…! Ndoshta, edhe që këtu mund të fillojë krenaria shqiptare, përderisa edhe ky simbol qenka shqiptar. (A. Plasari – ‘Vija e Teodosit rishfaqet’. 1992 f.58). Evropa duhet të kujtojë me respekt, aleancën Katolike me Skënderbeun, që ju bë ledh Perandorisë së tmerrshme të kohës së sulltanëve, që ishin zotuar të ngulnin gjysmëhënën mbi Shën Sofinë e Stambollit e të tagjisnin kuajt në Oborrin e Shën Pjetrit në Romë. /Memorie.al/