Shumë atdhetarë të njohur të mërgatës i mbyllen sytë në varfëri të madhe, pasi i sherbyen kombit dhe kulturës kombëtare për dekada me radhë. Disa prej tyre u kujtuan me ndonjë shkrim modest, e disa të tjerë i mbuloj pluhuri i harresës dhe nuk ju dihen as varret. Një prej tyre, i cili i sherbeu me penë çështjes kombëtare për 60 vjet dhe vdiq në skamje të thellë ishte Refat Gurrazezi. Ai lindi me 15 qershor të vitit 1894 në katundin Gurrazez të Tomorricës, rrethi i Beratit. Ai erdhi në Amerikë kur ishte 22 vjeç; erdhi me ëndrën për të bërë prokopi dhe përfundoi në sherbim të atdheut, ku shpesh i mungoi edhe buka e gojës.
Vitet e para Gurrazezi punoi në Detroit në një fabrikë dhe banoi në një hyrje të vogël bashkë me tre shokë. Si tashi më kujtohen fjalët e tij: “Nga rroga e vogël që merrja pagueja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën ”.
Kohën e lirë, pas punës së rëndë, Gurrazezi e kalonte duke lexuar e studiuar çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. Për një kohë shumë të shkurtë ai e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur sa pak kush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vemendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.
Kur “Vatra” po tronditej në themel nga ndarja e pikëpmajeve politike midis kryeudhëheqësve të saj dhe Konicës po i ngushtohej rrethi i njerzëve të penës, Gurrazezi emrohet Sekretar i Federatës “Vatra” (1926), dhe dy vjet më vonë Editor i “Diellit” (1928).
Editori i ri energjik, gazetar i shkathtë e kritik i ashpër politik, me bindje të patundur monarkiste dhe përkrahje të fuqishme të Konicës, fillimisht e nxori “Diellin” dy e më vonë një herë në javë. Përmbajtjen e “Diellit” dhe aftësinë gjuhësore të Gurrazezit, Konica e vlerësoi lartë:
“Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka ktheillsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9/10/1932).
Me shkrimet polemizues kundër Nolit të përjashtuar nga “Vatra” dhe forcave liberale në mesin e vatranëve, Gurrazezi krijoi shumë armiqë e kundërshtarë. Viti 1936 për të ishte viti më i vështirë i jetës së tij. Fërkimet politike midis antarëve të “Vatrës” shkojnë aq larg sa “Vatra” ndahet dysh. Një prej kryetarëve të respektuar të “Vatrës”, mik dhe kundërshtar i Gurrazezit, dr. Andrew Elia shkruan për të:
“Në jetë të tij pati humbje si shumë të tjerë, po humbja më e madhe për të ish ftohësia që ndjeu nga Faiku kur mori inisjativën të shpjerë Shoqërinë Vatra dhe gazetën Dielli në Detroit. Konica e quajti këtë akt si një shenjë armiqësie dhe si një dëm të math për Vatrën. Po Refatit ju dha rasti (me ndihmën bujare të shokëve të Detroitit) të shikoje edhe një herë Vatrën e Bashkuar dhe të zevendësuar në Boston., në qytetin ku u fillua, pranë Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila në atë kohë qe e vetmja fole ndihmese dhe dorë e djathtë e Rilindjes Kombëtare. Koha shëron plagët e çdo shoqërie dhe njeriu me vleftë dhe e kthen humbjen në fitim. Refati e ujdisi miqësinë me Konicën dhe arriti të vijë përsëri në Boston si editor i Diellit.” (Dielli 16/9/1979).
Megjithëse Konica ndarjen e “Vatrës” e shikoi si një gabim të madh dhe ftohi marrëdhëniet me mikun e tij më të ngushtë, Gurrazezi asnjëherë nuk ndjeu pendesë për ndarjen e saj. Ai pohoi me shkrim se “Vatra” e Detroitit me Fazlli Panaritin në krye, ishte “Vatra” legjitime dhe përfshinte në gjirin e saj shumicën e vatranëve. Gazetën “Dielli” e nxori rregullisht në Detroit. Personalisht nuk e kritikoi Konicën por ju la vënd të tjerëve ta kritikonin atë për përkrahjen që i jepte “Vatrës” së Bostonit dhe pajtimit të tij me Nolin.
Afër dyzetëvjet më vonë, Gurrazezi shkruan për marrëdhëniet e Nolit me Konicën:
“Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë për një kohë të gjatë, njëri në Boston dhe tjatri në vende të ndryshme n’Evropë, po miqësia u shtua tepër në mes të tyre me anë të letër-kembimit. Miqësia personale dhe politike në mes të dyve vazhdoi gjer më 1925, dhe pas kryengritjes së dytë më 1924, u-ndanë politikërisht. Po miqësinë personale e vazhduan tërë jetën e tyre. Këtë gjë nuk e dinë shumica e Shqipëtarëve, po është fakt që provohet me dokumenta. Lufta e fjalëve mes tyre me anë të shtypit vazhdoj lart nga shtatë vjet, që më 1926 dhe gjer më 1933, po letër-këmbimin nuk e kishin prerë, prapë ishin miq, dhe bashkoheshin tok në Boston kur Konica vinte nga Washingtoni.” (Dielli, 28/2/1974).
Për të forcuar pohimin e tij mbi marrëdhëniet e tyre, ai botoi një letër të Nolit dërguar Konicës:
“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur… Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. I jap funt letrës, se u-lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.”(Dielli, 28/2/1974).
Sipas Gurrazezit: “Pak ditë më vonë, me 6 Janar 1934, Fan Noli i shkori prapë letër Konicës në Washington dhe i thosh se mori përgjegje nga Mbreti dhe i dërgoi një ndihmë prej 3000 franga ari (flori). Me atë ndihmë të Mbretit, Noli pagoi doktorin dhe vajti në spital që u shërua nga sëmundja. Po gjeti belanë nga disa njers – “shokë” dhe pasanik të tij – të cilët e kundërshtuan sepse mori ndihmë nga Mbreti, dhe i thanë: “Na tradhëtove”! Fan Noli gjysëm i sëmurë, u përgjegj: “Po të kisha marrë ndihëm nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Serbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ‘na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikërisht nuk jemi të bashkuar në mendimet, po të dy punojmë dhe mendojmë për Shqipërinë.” Kështu u hap fjala ahere nga ata që ishin pranë tij.” (Dielli 28/2/1974).
Gurrazezi e drejtoi gazetën “Dielli” afër 12 vjet, në Boston dhe në Detroit. Ai ishte edhe një prej konferencierëve më të shquar të “Vatrës” në vitet 30-të
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe bashkimit të dy “Vatrave”, Gurrazezin e shohim përkrah Nolit e Konicës në përpjekje për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim nën kryesin e Mbretit Zog. Vdekja e Konicës me 1942 dhe ardhja e regjimit komunist në pushtet në Shqipëri e goditën atë si rrufe. Ai nuk u largue nga “Vatra” por ndeji në heshtje dhe rrall shkroi ndonjë artikull për gazetën “Dielli”. Prishja e marrëdhënieve të “Vatrës” me regjimin e Enver Hoxhës e inkurajoi angazhimin e mërgatës së re në Federatën “Vatra”. Siç duket ky faktor ndikoi në Gurrazezin për riangazhim të plotë në Shoqatën e tij të vjetër. Në vitet 70-të, megjithëse i thyer në moshë e i ngacmuar nga sëmurjet e ndryshme të pleqërisë, emrohet përsëri Editor i “Diellit”, shkruan në secilin numër të gazetës, redakton si dikur në moshën e re, dhe herë pas here goditë pa frikë veset e dëmshme të shqiptarëve:
“Mjerimi i Shqiptarëve ka qënë, edhe është, se gjithmonë kanë qënë të përçarë, s’kanë patur bashkim! E dimë që shumë njerës nuk do t’a pëlqejnë këtë, dhe mund të na shajnë, po është fakt, dhe fakti është ky: Si pas mendimit t’onë, dhe s’jemi të lajthitur mi këtë pikë, vetëm dy gjëra janë që munt t’i bashkojnë Shqipëtarët: Interesi i metelikut, dhe frika e kamxhikut, – dhe ajo po mbretëron sot: Frika!” (Dielli/1/21/1974).
Gurrazezin e takova për herë të parë në Selinë e Tij të Shenjët, në zyrën “Vatrës”, 25 Huntington Ave. Boston, Mass; në atë zyrë të vogël, gjysëm të errtë, me një tavolinë pune e dy-tre karrige për mysafirë, me libra të shpërndara dhe gazeta e letra të pluhrosura, ku mëmzi lëvizje dhe të zihej fryma. Në një qosh të zyrës, në anën e majtë të tavolinës së punës, ai kishte edhe një lavaman të vogël. Aty herë pasë here mbushte një gotë letre me ujë për të lagur gojën. Në atë ambjent të ndotur nga pluhuri i letrave dhe tymi i duhanit, gdhihej dhe errej kalorësi veteran i Federatës “Vatra”, i cili varfërinë e thellë në pleqëri e përballoi me stoicizëm të pashoq dhe me kryelartësinë e burrave të vjetër shqiptar. Kur i shkonte ndonjë mik për ta vizituar ose për të pirë një kafe me të, ai nuk e lëshonte pa qeras. Shpenzonte edhe ata dy-tre dollarët e fundit që i kishte ruajtur në xhep vetëm për raste të tilla. Gurrazezin e njoha atëherë kur i dridheshin duarët dhe ai shkruante e redaktonte në një makinë të vjetër shkrimi të dhuruar nga Faik Konica.
Refat Gurrazezi vdiq me 14 gusht, 1979; vdiq në (Nursing home) një shtëpi kujdesjeje të qytetit pa pasur asnjë shqiptar afër kur i mbylli sytë. Përshendjetja e fundit iu dha në Boston. Sherbimet fetare i bëri Imam Vehbi Ismaili. Anthony Athanas shtroi një drekë për kujtimin e tij. Kryetari i “Vatrës”, dr. Andrew Elia mbajti një fjalim prekës dhe më vonë botoi një nekrologji të shkurtër, të cilën e mbyll me këtë paragraf:
Refati, “… Punoj pa kursyer për Vatrën, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ja duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës Dielli. Deshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e Vatrës dhe të varroseshe pranë Faik Konicës. Për fat të zi asnjë nga ne kemi në dorë të zgjedhim vendin për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vent. Po trupi i Refatit u mbulua fare afër deshires së tia, nëpërmes të shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mass …”. ( Dielli, 9/16/1979 ).
Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte. Dikur me të më lidhi një miqësi dhjetëvjeçare, sot me të më lidh admirimi për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas.
* Botohet me rastin e 125 Vjetorit te Lindjes : Refat Gurrazezi, 15 qershor 1894, 14 Gusht 1979