Pavarësisht komplikacioneve me të cilat përballen çdo ditë, shqiptarët vijojnë të mos tregojnë kujdes ndaj shëndetit. Situatë e cila ka bërë që gjatë viteve të fundit niveli i sëmundshmërisë, veçanërisht asaj kronike, të pësojë rritje të frikshme. Ajo që konsiderohet edhe si më shqetësuese është ulja e kufirit të moshës në përhapjen e shumë sëmundjeve që disa vite më parë i përkisnin një brezi më të madh.
Stili i ri i jetesës që dominohet nga kequshqyerja apo dhe mungesa e aktivitetit fizik, konsumi gjithnjë e në rritje i pijeve alkoolike, duhanit, e kanë përmbysur këtë raport duke shtuar në listën e të sëmurëve edhe moshat më të reja. Ndër më shqetësueset pohohen të jenë sëmundjet kronike, veçanërisht tek ato të zemrës, diabetit, mushkërive, tensionit etj, përhapja e të cilave në vendin tonë pohohet të jetë në nivele alarmuese. Kjo pasi pjesa dërrmuese e sëmundjeve zbulohen në stade tepër të rënduara, kohë në të cilën trajtimi mjekësor mund të mos japë efektet e duhura shëruese.
Duke u ndalur veçanërisht tek sëmundjet kronike, ekspertët e shëndetit publik kanë vënë në dukje se mbi 70 për qind e të moshuarve kanë një deri dy sëmundje të tilla, si: zemra, tensioni, ishemia e trurit apo dhe diabeti. Po sipas statistikave shëndetësore faktohet më tej se njëkohësisht edhe 40 për qind e moshave të rritura mbi 30 vjeç kanë të paktën një sëmundje të tillë. Sëmundshmëri këto që kanë si faktorë shkaktues stresin, obezitetin dhe mënyrën e ushqyerjes. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ushqimeve që ndikojnë negativisht në sëmundjet e gjakut dhe hipertensionit. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore.
Si mund ta kontrolloni vetë hipertensionin arterial
Ndiqni shtatë rekomandimet e specialistëve për të rregulluar tensionin e gjakut pa ilaçe. Tensioni i lartë i gjakut mund të përballohet duke bërë ndryshime në jetën e përditshme si dhe në regjimin ushqimor.
Nëse interesoheni të dini se a mund të rregulloni tensionin e gjakut pa marrë ilaçe, përgjigjja është tepër optimiste. Më poshtë po ju paraqesim disa udhëzime të shkurtra si të jeni në gjendje që të kontrolloni hipertensionin tuaj arterial. Sipas specialistëve, në disa raste tensioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni jo shumë i lartë, mund të përballohet me sukses duke realizuar disa ndryshime në jetën e përditshme si dhe në regjimin ushqimor. Të njëjtat udhëzime vlejnë edhe për rastet e hipertensionit të mesëm dhe atij shumë të lartë, por gjithmonë në kombinim me terapitë mjekësore për të pasur rezultat më të mirë.
Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre.
BalkanWeb
Komentet