PESHA E FILOZOFISË JETËSORE, ATY KU PËRPLASEN LUMTURIA, HIDHËRIMI, GËZIMI, SAKRIFICA DHE NDERSHMËRIA SI PIRAMIDË E NJERËZORES
(Sejdi BERISHA: “Njeriu ‘Pa’ Vendlindje”, roman autobiografik, botoi “Club Kultura”-Pejë, 2019)
“Andaj,dua të theksoj,se tërë këtë rrugëtim shkrimi e shtrova në këtë libër,për ta mposhtur dëshpërimin dhe për ta madhështuar lumturinë,krenarinë dhe fatin e njeriut!”
(Sejdi Berisha)
Të lexosh librin më të ri e më voluminoz të krijuesit pejanë, z. Sejdi Berisha, është e barabartë sikur të notosh përmes një deti me valë, që të hedhin nga një skaj në tjetrin, nga bregu në bregun tjetër, e prap të kthen në fillim, në vorbullën e jetës rrëqethëse, plot vuajtje, ku jeta shikohet, përjetohet e depërtohet në mënyra të ndryshme, kapur fortë për rrënjët e qëndresës të mosdorëzimit në çaste të vështira, kur tjerët ta imponojnë padrejtësinë, dhunën.
Duke ecur me vëmendje nëpër pesëqind faqet e librit, me titull “Njeriu ‘Pa’ Vendlindje”, në fund, mendimet të shpërndahen e të shkapërderdhen gjithandej botës, për të gjetur e njohur karaktere njerëzish, mendimtarë të brumosur me shkathtësi e dituri, ku jetës ia japin kuptimin e vërtetë, duke u gërshetuar në rreshtat e gjithë filozofisë jetësore, aty ku fërkohet, hidhërimi e gëzimi, përjetimi e përplasjet jetësore, sakrifica, ndershmëria si piramidë e gjitha vuajtjeve, bamirësia, humanizmi si traditë shpirtërore individuale e shoqërore, mbjellë në qenien njerëzore të një populli me shumë vuajtje e sakrifica nëpër shekuj. Dashuria e respekti reciprok në përmasa grupore e shoqërore, do epnin mesazhin e forcës së kalitur, përmes së cilës do realizoheshin të gjitha synimet në jetë…
Gjatë leximit të këtij libri, më erdhi ndërmend, m’u kujtua At Zef Pllumbi dhe libri i tij, ”Te jetojmë për të treguar”, në të cilin libër ndeshemi me dhimbje e dhunë, padrejtësitë e përjetuara në pushtete diktaturash të rënda. Të lexosh në një libër me kaq faqe, me aq shumë vuajtje, me skamjen e varfërinë lidhur rreth qafe shumë kohë të gjatë, njeriu vetvetiu tretet në mendime për të gjetur burimin e atij elani për mbijetesën. Këtë pyetje e plotëson fare mirë dhe bukur e argumenton, z. Sejdi Berisha, në romanin e tij autobiografik, “Njeriu ’Pa’ Vendlindje”.
Zanafilla e të gjitha katrahurave, e ka burimin tek armiqtë e kombit por edhe tek dobësia e vetë njeriut…
Jeta e përshkruar që nga lindja e tij në shtëpinë e dajës në fshatin Lëbushë, komuna e Deçanit, rrita me skamje të papërballueshme me babain e nënën, katër motra, si çipçi duke punuar toka të huaja sa në Shaptej e Carrabreg të Deçanit, falë një krahu pune të babait Bajramit, udhërrëfyesit të jetës së mëvonshme familjare, janë skena sa të dhimbshme, aq trishtuese për një moshë fëminore. Të gjitha këto peripeci jete, i ngjasojnë shkrimtarit me famë botërore, Sergej Jeseninit, të cilin, mosdurimi e ka dërguar në flijim të jetës, si një poet boem i përmasave botërore.
Edhe poetin, publicistin, romansierin, dramaturgun tonë të spikatur, të gjitha vuajtjet e jetës e kanë pjekur para kohe, e kanë burrëruar për të qëndruar vertikalisht, ndershëm, kokëlartë si familje, si shqiptar. Është për studim mbamendja e një fëmije, adoleshenti, inteligjenca e të cilit befason, kur nuk ka lëshuar asgjë nga jeta personale e familjare pa e hedhur në faqet e këtij libri. Edhe sot e tërë kohën, merret me vdekjen e motrës dyvjeçare, Hajrijes, në fshatin Shapetej, në vitin 1951, varri i të cilës është i rrafshuar nga koha, ndërsa, shkrimtari Berisha, edhe pas kaq vitesh e viziton atë vend dhe atij dheu i vjen era motër. Për këtë flasin poezitë përkushtuese të poetit… Sa domethënëse janë vargjet kushtuar motrës. Po kaq rëndë e përjeton edhe vdekjen e motrës së dytë, Sofijes, në spitalin e Pejës, në vitin 1968.
Një bjeshkë me vuajtje akoma nuk është derdhur, apo, kurrë nuk derdhet në faqet e librave të Sejdi Berishës. Në fund të çdo vuajtjeje, çdo përjetimi të rëndë, përdorë fjalinë shumë domethënëse; ”Kutinë e Pandorës nuk do e hapi kurrë!…”.
Zanafilla e të gjitha këtyre katrahurave, e ka burimin tek armiqtë e këtij populli, tek armiqtë shekullorë, siç është Serbia e Mali i Zi, por edhe tek vetë njeriut…
Familjes Berisha, në kohën kur filloi kolonizimi (nga e para deri e fundit) i tokave shqiptare, shteti i atëhershëm Jugosllav, në tokën e familjes Berisha vendosi kolonistin Mirashin, me Milenën e familjarë të tjetër. Që nga ato vite, familja e shkrimtarit dhe publicistit, mbetët e shkapërderdhur si çipçi fshatrave të Dukagjinit, pastaj, do kohë jetuan edhe në Mamuras të Shqipërisë, për t’u kthyer më vonë në “tokën e çliruar”. Një pjesë e familjes më të gjerë, edhe sot jetojnë në Reshbull, afër Durrësit. Të gjitha këto përplasje, kanë lënë gjurmë të pashlyera në vetëdijen dhe kalitjen e krijuesit, Sejdi Berisha.
Të vetmin gëzim në atë moshë, si fëmijë, e përjeton regjistrimin në klasën e parë të shkollës fillore në fshatin Carrabreg të Deçanit, fshat ku kishin kaluar në një tokë tjetër si çipçi, por më të rehatuar në krahasim me vendet tjera. Shkollimin e vazhdon në xhami të fshatit, në një dhomë të adaptuar për mësim. Këtu filloi ta përcjellë një fat më i mbarë, ngase, për mësues, i caktohet Ali Sutaj, një personalitet i njohur i kohës, një patriot i dëshmuar në vepër,një letrar i spikatur në fushën e letërsisë shqipe, një humanist i madh por një gazetar i dalluar, i cili tërë jetën ia kushtoi mësimit dhe shkrimit, duke lënë gjurmë në kujtesën e shumë gjeneratave të ardhshme. Autori i librit mba mend dhe shënon në libër disa përjetime nga mësuesi Ali Sutaj, por edhe fillimet e shkrimeve të veta aq të hershme.
Jeta i ngjanë lumit me valë plot dhe përplasje, që i “begatojnë” VUAJTJET kudo që të jetosh e veprosh. Ardhja në Pejë sjellë vuajtjet dhe përballjet e ashpra me realitetin…!
Njëra nga hallat e poetit, kishte ndikuar që të kalonin me banim në Pejë, duke menduar se jeta është më e mirë, më e lehtë, por edhe punë mund të gjendej më lehtë për jetesë. Ashtu edhe vepruan, nga se ofrohej koha për shkollim të vetmit djalë që kishte Bajrami, Sejdiun.
Të vendosur sërish me qera, filluan ndryshe peripecitë e jetës. I regjistruar në shkollë të mesme, në gjimnaz, një ditë përplasë “pa dashje” bustin e një personaliteti të kohës, i cili i kushtoi me përjashtim nga shkolla. Me shumë sakrifica gjen derdalje dhe me regjistrim të mëvonshëm e mbaron të mesmen. Tani, Sejdiu ishte një djalosh i njohur për zgjuarsi dhe aktivitete të lira, edhe si letrar por edhe si aktor i dramave të përgatitura, në fillim në gjimnaz e pastaj në Teatrin e Qytetit të Pejës. Shkëlqente me dijen e treguar dhe aktivitetet e bujshme.
Si i tillë, plot elan pune, vazhdoi regjistrimin në Fakultetin filozofik, për Gjuhë e Letërsi shqipe, në Prishtinë.
Tani jeta fillon ndryshe. Bëhen ndryshime radikale në jetën personale e të familjes, si një intelektual i vlerësuar, pastaj gazetar-korrespodent nga Peja,e në shumë pozita të tjera deri tek themelimi i Radio-Pejës dhe botimin e numrit të parë të gazetës, “Peja”.
Sejdi Berisha, krijues i mirënjohur në rrafshin kombëtarë e jo vetëm, u kalit për jetë, sipas mendimit tim në dy mënyra. Njëra ishte vuajtja, e cila e bëri të pathyeshëm,ndërsa tjetra, edukata familjare dhe karakteri i fortë i qëndresës njerëzore. I krijuar e i rritur me dhimbjen, por edhe me dashurinë, në gjithë krijimtarinë e tij, prej dyzetë veprash të fushave të ndryshme,lehtë hetohen këto dy gërshetime, të cilave nuk kanë mundur t’u ikin as poetët e tjerë me famë, në krijimtarinë e tyre. Pra, Sejdi Berisha, është i zhytur në lëngun dhimbjes e dashurisë njerëzore, me të gjitha vlerat dhe filozofinë që ka fituar nga jeta. Ato janë të ditura, të vlerësuara dhe të pashme.
Ku vërehet thekja e dhimbjes dhe e dashurisë në këtë vepër, ose, si përplaset mendja e autorit me rrathët e Dante Aligierit?!
Ata të cilët do ta kanë fatin për ta lexuar këtë vepër, dhimbjen shpirtërore të poetit Berisha, do ta gjejnë në çdo faqe , si lot, si ofshamë, si zjarrmi, si flakë, si gacë, si rënkim por edhe si lumturi, ku përplaset mendja dhe zemra me rrathët e Dante Aligierit në hapësira të ndryshme. Plagët e jetës, e rëndojnë së tepërmi, sidomos, nga vdekja e prindërve, babës Bajram, i cili ishte piramida e jetës së autorit, me qëndrimet e rralla fisnike e kombëtare që kishte për kohën. Pastaj, plagë mori pas vdekjes së nënës, që do të thotë se ishte i lidhur së tepërmi me prindërit, si mishi me thoin, në dashuri familjare. Flasin qartas përkushtimet me vargje jeseninçe, të rralla në letrat tona. Brengë shpirtit të tij, ishin vrasjet gjatë luftës, ku pushteti okupues vriste burra e gra, fëmijë e pleq, pa asnjë arsye, vrasje të cilat nuk ia lenin lotët e as penën e poetit të pushojë ditë as natë!
Ditët vinin duke ia rënduar jetën. Fillon lufta dhe ikja e fëmijëve nga vatrat e rrezikshme. Përcjell vajzën me tren nga Peja, me të fejuarin e saj në botën e paditur të azilantit. Në shkrimin “Treni i Pejës”, derdhë gjithë fuqinë e dhimbjes krijuese, ku reflekton jo vetëm fati i individit, por edhe i kombit, dhe atë nëpër shekuj e decenie. Pra, kjo vepër provokon edhe për historinë e kombit, pafatin e atdheut.
Përjetim i rëndë vërehet të jetë ikja edhe e autorit me të birin e bashkëshorten. Vuajtjet gjatë rrugëtimit plot rreziqe, burgosja në Gjermani, qëndrimi në Austri dhe Zvicër, të gjitha bashkë, ishin një jetë golgotë tepër e rëndë, nga se tani në atë kohë lufte, kishte filluar ta shkelte edhe mosha. Mbi të gjitha vuajtjet e pasosura i ngelen në shpirt, por qëndresa e madhe i la ato pas shpine. Edhe kjo periudhë të cilën e përshkruan autori, nuk është thjeshtë reflektim i fatit të tij dhe të familjes së tij, por një pasqyrë e dhembshme e tërë kombit, jo vetëm e kësaj kohe, por edhe nëpër periudha kohore dhe historike. Dhe, këtu e ka peshën edhe më të madhe dhe shumëdimensional vepra, “Njeriu ‘pa’ atdhe”.
Kur u ktheva në atdhe, edhe pse shtëpia ishte e plaçkitur dhe e djegur, më dukej se isha në hotel me pesë yje…!
Kur kthehet në Pejën e dashur, shkrimtari gjen shtëpinë e djegur, dhe ngelet i ngirë para asaj pamje tmerri, por edhe pa ditur se ku të strehohet… Me plaçkat e rrugës, shtrihet në oborrin e shtëpisë, nën erën çatisë së djegur dhe të shkrumbit, ku i bën disa ditë nën mburojën e qiellit të dashur të Pejës. Edhe ashtu, shkruan autori, më dukej se isha në hotel me pesë yje…!
Nuk mund të numërohen dhe të shënohen në këtë shkrim, të gjitha ato vuajtje, dhembje, por edhe krenari dhe qëndresë, nga faqet e librit “Njeriu ’Pa’ Vendlindje”.
Në secilin fund të kapitullit të shkruar në libër autori nuk harron të thotë jo pa shkas: ”Unë, nuk do e hapi kurrë kutinë e Pandorës!….”, që shumëçka tjetër nënkuptohet brenda kësaj fjalie!
Pesha e krijuese dhe mllefi për neglizhencën që zhvlerësojnë vlerat shpirtërore dhe kulturore, ose, shkrimet me mesazhe njerëzore e humanitare
Sejdi Berisha, gjithmonë me prirje dhe karakter të lartë njerëzor, tani i mirë formuar si njeri e intelektual në shkallë vendi, i njohur me krijimtarinë e tij edhe përtej kufijve të vendit të tij, subkoshienca personale e nxitë të dërmojë mendjen me padrejtësitë që rrjedhin, bëhen me nënçmime nga nomenklatura e kohës më të re. Në këtë kuptim, autori, nuk dëshiron që njerëzve eminent të shkencës e kulturës, të lavdërohen e t’u ndahen mirënjohje e dekorata pas vdekjes së tyre. Por, ata, frytet e veprave dhe të punës së tyre duhet t’i gëzojnë deri sa janë në jetë, deri sa janë gjallë. Në këtë kuptim, përkujton mangësitë e interesimit të shoqërisë për akademikë, për artistë e krijues eminent, të cilët shoqërisë dhe kombit u dhanë shumë, ia falen gjithë jetën dhe lanë emra veprat e tyre. I tillë ishte Akademik Musa Haxhiu, një ndër mjekët më eminent që pati Kosova në vitet 70-ta, i cili bashkë me mikrobiologun pejanë, Osman Imami, dhanë dijen shkencore ndër breza. Musa Haxhiu, jetoi kohëve të fundit në SHBA, ku edhe u varros, për t’u harruar ndoshta përgjithmonë!
Shkrimet përkujtuese të krijuesit Sejdi Berisha, zënë faqe në këtë libër me përsonalitet e artit filmik, siç ishin figurat madhore, Istref Begolli, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli e shumë të tjerë. Këto personalitete, jo vetëm që lanë gjurmë të pa shlyera në artin skenik, por Kosovës e kombit ia rriten namin në botën e këtij arti dhe të vlerave kulturore përgjithësisht.
Neglizhencat ndaj të gjitha këtyre meritave dhe thesareve, z. Sejdi Berisha, i ndien si fyerje dhe përçmime jo vetëm ndaj atyre njerëzve që u hodhën në harresë pa meritë, e që borxhi ndaj tyre është shumë i madh. Kështu, ngjau edhe me krijuesit e artit letrarë, ku heshtja ndaj tyre është e paarsyeshme dhe e pa dëshirueshme. Na takon si shoqëri dhe si komb t’u japim meritat atyre që i merituan me punën e tyre jetësore të palodhshme…
Poeti, publicisti, romansieri, Sejdi Berisha, gjatë punës krijuese letrare por edhe asaj gazetareske, dha kontribut të çmueshëm, ose të paharrueshëm nëpër kohë, të cilat meritojnë, jo vetëm theksimin e tyre, por edhe vlerësimin e punës në ato vite të vështira.
Në vitin 1979 në kohën e tërmetit në Mal të Zi, kur Ulqini ishte bërë thuaja rrafsh me tokë, Sejdi Berisha, dërgohet si reporter special i Radio-Prishtinës në rajonin e Ulqinit dhe të qyteteve të tjera përreth, për ta informuar opinionin për ngjarjet që ndodhnin atje që kishin goditur bregdetin e Malit të Zi. Pas disa ditësh qëndrimi, i lindë ideja për formimin e Radio-Ulqinit. Duke analizuar mendimin dhe duke gjetur përkrahjen e vendorëve, në një “kamp prekolicë”, ku ishte edhe e vendosur studio e improvizuar e radios, hodhi idenë për themelimin e Radio-Ulqinit, nga e cila “radio studio” opinionit i përcilleshin të gjitha lajmet dhe informacionet. Po këtë punë e bëri edhe në Pejën e tij të dashur, ishte themelues i Radio-Pejës, e cila më vonë ishte një ndër më të dëgjueshmet jo vetëm në Pejë por edhe gjithandej Kosovës.
Të gjitha këto punë të cekura dhe të gjitha këto veprime të z. Sejdi Berisha, që nga fëmijëria e deri në moshën e sotme, e bëjnë me shumë vlerë jetën dhe veprën tij, por, e madhështojnë edhe emrin e tij, i cili njeriut, kombit dhe atdheut e jo vetëm, i dhuroi vepra të çmuara nga fusha e letërsisë.
Emri dhe vepra e Sejdi Berishës, tani është pjesë e jetës dhe kujtesës e popullit për mirësitë e bëra, për sakrificat, për qëndresën e hekurt të një njeriu të dëshmuar në të gjitha kohët.
Libri më i ri, ”Njeriu ‘Pa’ vendlindje” i z. Sejdi Berisha, mendoj se është kulmi i krijimtarisë së tij jetësore, në të cilin, të gjitha rrugëtimet të shoqëruara me vigjilencë, qëndresën, njerëzoren e humanitaren. Të gjitha këto janë fortifikatë për jetën më të lumtur të njeriut…!
Andaj, këtë shkrim do e përfundoj me një fragment të librit, “Njeriu ‘pa’ vendlindje”:
“Ky libër le të jetë ajo dëshmia e themeltë dhe e përgjithmonshme, por edhe si kapital për dëlirësinë shpirtërore, për punën gjithmonë të sinqertë, që do të jetë krenari dhe dokument i ndritshëm brez pas brezi për madhështinë e qëndresës, për moralin e nderin për të jetuar e mbijetuar ndershëm dhe me atë mundësinë, edhe nëse është modeste, për t’i kontribuar lumturisë dhe fatbardhësisë së njeriut e njerëzimit…”!
Gjakovë,
14 gusht 2019 Tahir Bezhani
Një shkrim i angazhuar dhe profesional që në mënyrë të fuqishme ka shkoqitur mesazhin e veprës, që ka shprushur tërë materialin e veprës duke spikatur edhe anën e fuqishme të peshës filozofike të veprës.
E përgëzoj autorin e shkrimit, z. Tahir Bezhani, i cili tanimë ka krijuar një taban serioz për shkrime të kësaj natyre me peshë të veçantë.