Nga pak ,,diogjen” te secili prej nesh
ose rreth të vërtetave të një poetike
Të gjithë poetët e vërtete mbartin në vetvete nga pak ,,Diogjen”. Ata dinë të jenë vetvetja, si në misionin e shenjtë të jetës, si në misionin e shenjtë të fjalës. Vëllimi ,,Vdekje më të mirë nuk dua” i poetit Bedri Zyberaj vjen si testament poetik i njeriut që gjithçka që shkruan mes vargjesh, e ka vuajtur plot guxim edhe në jetën e tij jashtëletrare. Në poezitë e Zyberajt, me një kthjelltësi të pashoqe, konturohet koha e marrëzisë në atdheun e shqipeve. ,,Zambakë të marrëzisë kanë hapur petalet anembanë”, shprehet poeti në poezinë ,,Shpërfytyrim”. Të mundesh të jesh, në një kohë kur mundësia për të qenë vetvetja është shndërruar në një sfidë kapitëse, kjo është drama më e madhe e një individi, i cili gjer më dje vajtonte lirinë, ndërsa sot nuk di ç’të bëjë me të.
,,Tani
Edhe me lirinë u ngopëm”
,,Tretësirë e ngopur”
Në një kohë kur ngopja me liri është gjeneza e lindjes së tiranisë, për të cilën dikur mallkonim fatin tonë në gur e në dru, ndërsa sot e kemi para syve si dritën e diellit. Titulli i vëllimit me poezi ,,Vdekje më të mirë nuk dua” ironizon pikërisht këtë metamorfozë tonën. Na vjen drita në prag dhe përmes saj nuk dimë të shohim. Humbasim në mbretërinë e saj, ndryshe nga koha kur dikur i gjenim drejtimet në errësirën që e kishim mallkim prej tjetërkujt, ndërsa nuk dimë si t’i gjejmë horizontet e ëndërruara me dritën e lindur në shtëpinë tonë (binomi atdheu-shtëpia) falë mundit tonë sizifian.
,,Sa mirë shihnim nga majat e maleve
Sa të verbër jemi pranë llambadarëve”
,,Dëshpërim”
Përse ndodh kjo mpakje e horizonteve para syve tanë, kur ka dritë mjaftueshëm për të parë dhe për të kuptuar?
Përgjigjen e jep vetë poeti, kur shkruan në vargun çelës të krejt vëllimit poetik, se diogjenëve fenerët nuk u bëjnë më dritë si dikur.
Po t’u rikthehemi për një çast legjendave mbi filozofin e lashtë, ato na rrëfejnë dy ndodhi mjaft domethënëse, të cilat mund t’i përdorim si analogji pikante për realitetin e rrëfyer në vargjet kuptimplote të këtij vëllimi. Gojëdhënat rrëfejnë se filozofi endej rrugëve në mes të ditës me një qiri në dorë për të kërkuar një njeri (pak vetë për të e meritonin statusin e njeriut), ndërsa Aleksandrit të Madh që kishte shkuar për ta vizituar i ishte drejtuar me fjalët: ,,Mos më privo të vetmen gjë që nuk mund të ma japësh – Diellin”.
Vargu konceptual i Zyberajt na shpie drejt përfundimit se kemi mungesë drite në vetvete. Ndaj, misioni për të gjetur Njeriun (tjetrin) bëhet kështu krejt i pamundur. Kur drita humb në vetvete, verbimi është shumëdimensional, pasi ti, qenia (po jo Njeriu) e ke privuar veten prej Diellit-at, duke u shndërruar në një Shën Pjetër që nuk mban me çelësat e parajsës për Dheun-mëmë, por në një Prijatar që i bie mohut. Kështu, natyrshëm, pas leximit të vargjeve lind tek lexuesi dilema; kur prijatarët e sotëm nuk janë besnikë të vetvetes, si mund të jenë besnikë të atdheut dhe turmave? Mohojmë diellin, të vetmin dëshmitar të denjë dhe endemi si busulla të çorientuara në tokën prej errësirë drite…
,,Në fund të fundit, ne duhet ta mbajmë mbi shpinë vetveten”[1], shkruan Borgesi në intervistën e tij të fundit, më 1979. Zyberaj nënkupton me ironi se neve na ka rënë vetvetja nga shpina. Poezitë e tij janë elegji për humbjen e lirisë, dëshpërim për mosshijimin e fryteve që ne vetë i mbollëm plot dashuri. E tash s’dimë se ëndërrojmë ndanë degëve të këputura nga vetë ne.
Për sa i përket poezisë erotike, aty poeti na vjen si një lirik me të tëra ngjyrat e ylberit. Vargjet e tij të dashurisë janë plot dritë. E dashura, si me praninë, si me mungesën e saj i përndrit poetit krejt hapësirën e tij ekzistenciale. Ndaj edhe kohën pastokësore ai e koncepton të mbushur veç me dritë dashurie. Poezia ,,Dëshirim” përcjell aktin sublim të heroit (aq shumë të përngjashëm më kreshnikët e eposit tonë) që dërgon drejt përtejbotës që në të gjallë të tij, dhimbjen e dashurisë, për ta bërë varrin e tij një varr të përndritur. Plagët e shpirtit për t’i kuruar me melhem dashurie. Sërish kjo të risjell në mend kreshnikët tanë që në jetën e përtejme, nuk janë në varr të vdekur e të pakallur, po rrinë e jetojnë aty, njësoj si në udhëtimin tokësor. Poeti ynë gjithashtu preferon të jetë jo një i larguar sidokudo, po një i ikur i rrethuar nga drita e dashurisë. Kështu në lirikën erotike BedriZyberaj na vjen, jo si një Diogjen me fener në dorë, po si një Mujë i shlodhur ndanë një kroi, ku sapo e ka gjetur gjysmën tjetër të tij, Tanushën e bukur e ëmbëlake që ia ndez gjakun e zemrës e dritën e shpirtit.
,,Na u thafshin krahët vashë mu dhe ty
Gurë e dru u bëfshim
e mbi ne rëntë zemërimi i gjithë brezave
pasi nuk hëngrëm të tërë pjesën e mëkatit që na takonte”.
,,Vetmallkim”
Gjuha e lirikes së dashurisë, e poezisë së Bedri Zyberajt, mbart gjithashtu një nuancë nga gjuha mrekullore e këngëve tona epike, ku mallkimet tanimë nuk janë mallkime të atij konteksti, por mallkime-premtime, për këngën më të bukur të jetës – dashurinë.
Ky lloj poezie që i shërben të vërtetat plot guxim përmes një vargu, ku ironia ngjizet në formën e saj me gjithëpërfshirëse; ky lloj lirike erotike me metafora të kulluara ekzistenciale, ku dashuria ngjizet si zanafilla e parë dhe e vetme e çdo gazmendi a pikëllimi shpirtëror, padyshim që është një vlerë e shtuar në poezinë bashkëkohore shqipe.
[1] Borges, Jorgeo Luis; Tango me Jorgeo Luis Borgesin, intervista e fundit/Jorge Luis Borges; intervistoi Alina Diaconu, Shtëpia botuese “Ideart”, Tiranë 2004, f.6
Bedri Zyberaj
Cikël me poezi nga përmbledhja ,,Vdekje më të mirë nuk dua”, ShBArmagedoni, Prishtinë 2018.
Dëshpërim
Zotynë
Sa të fortë ishim kur shkruanim në gurë
Sa anemik jemi nën dritat e neoneve
Sa me besë ishim kur patëm shpata në dorë
Sa vëllavrasës u bëmë në udhën e shkronjave
Sa mirë shihnim nga majat e maleve
Sa të verbër jemi pranë llambadarëve
Zotynë
Sa madhështor qemë në vogëlsinë tonë
Sa të vegjël u bëmë me madhështinë tonë
Prishtinë, më 9. XII. 2011
Kohë sterile
Gjuhës i kanë rënë dhëmbët
Fjalës i ka humbur pesha
Penës i është tharë ngjyra
Fletoret e kohës
Beronja kanë mbetur
Tretësirë e ngopur
Dikur
Etje kishim për çdo gjë
Përveç robërisë
që n’majet’hundës na pat ardhur
Tani
Edhe me lirinë u ngopëm
Rrugëve të jetës rendim si tretësirë e ngopur
Struk(t)Urë
Mbi shtatin tim
lumenjtë e fatit vijëzonin vijat e ndarjes
Ura – kërkonte jeta
Labirinteve të shpirtit u struk ajo urë
Për t’u bërë
Struk(t)Urë
28.VI.2014
Antijetë
Bulëzat e mallit bulëzojnë nga fundbota e shpirtit tim
Krahni i kohës kreh lulet e ditëve të ikura
Në majëbjeshkë guri i Sizifit ka lëshuar rrënjë
S’ka kush e shtyn tatëpjetë
Pemës së diturisë i janë kalbur frytet
Eva edhe po të dojë nuk i ha dot
Këtej e tutje
Adami do të dergjet në Parajsë
S’ka zot që do të kujtohet për të
Vdekja nga vetmia e lumtur do t’i vjen
Prishtinë, 28. VII. 2015
Iluzion
Rri si peshku në zall
Zoti më ka harruar
Përpëlitem me shpresë se një pikë ujë do të më vjen nga njeriu
- XII. 2015
Mujsharë të vetvetes
Rrëmujshëm shaluam kuajt e lirisë
Sofrën e lirisë rrëmujshëm shtruam
Ne
Mujsharët e vetvetes
25.I.2017
Nën hijen e zhgënjimit
Në mungesë të zotësisë së përkuljes
I kërrusur nga peshë e dinjiteti
Ripërtyp kujtimet e kohës
kur shpresën kishim ushqim
Tani
Harlisem nën hijen e zhgënjimit
12.III.2017
Vetëvrasje
Sa pak që ishim
Në kohë të vështira
Frikën
Vramë
Robërinë
Sa shumë u bëmë
Në kohë paqeje
Vrasim veten
Gjakhumbur do të shkojmë
- VI. 2014
Shpërfytyrim
Zemërimit
Më shumë se asnjëherë po i rrah zemra
Zambakë të marrëzisë kanë hapur petalet anembanë
Faqja e zezë doli ne sheshnajë pa u skuqur aspak nga e zeza e vet
Zoti ka dhënë shpirt ka kohë
Minjtë e gjirizeve mbajnë rendin
Shpërfytyrimi ka pllakosur çdo gjë
Identitet
Askund
Në këtë pus pa fund
- II. 2016
Pelegrinazh në Antikë
Në qytetin e Apollonisë
I.
Në maje të Kodrës ngjitem
Në thellësinë e kohës për të zbritur
Përballë gurëve e mureve
Në heshtje
Mëkohem me të largëtën
II.
Mjeshtër
Arkitektë
Gurgdhendës
Muratorë
Mjaftë keni pushuar tash e dymijë vjet
Në këtë ditë shtatori të vitit 2017
Ejani ta ndezim nga një duhan
………………………………………..
III.
N’tokë e n’qiell
U përgjërohem
N’ujë
N’diell e n’frymen e shpirtit
Më tregoni
Për idenë e parë të themeleve të këtij qyteti
Për mundin tuaj të skalitur në këto mure tempujsh
Për makutërinë e kohës që kulmet ka ngrënë
Për qyqarllëkun tonë ndërsa shkelim mbi këtë tokë
……………………………………………..
IV.
Do të heshtni?
S’ka gjë
Në gjunjë i bie vuajtjes tuaj
Heshtjes ja puth ballin madhështor
Kujtimit i falem si diellit
Me djersën tuaj shuaj etjen e epokave
V.
Mjeshtër
Arkitektë
Gurgdhendës
Muratorë
Juve që në këta gurë e në këto mure
Gdhendur e murosur keni
Djersë
Mendje
Dashni
U falem
Me përunjësi
Apolloni – Fier
10.IX.2017
Vdekje më të mirë nuk dua
Në takimin e parë
Shikimi yt vezullues më dorëzoi çelësat e shpirtit tënd
Që atë ditë i bart në qafë
Zëri yt
Më është ngulur në shtat
Ofshamë dashnie ka mbjell në shpitin tim
Si gurgullimë gurre shpërthen harlisur
Vetëm kur jam me ty
Buzëqeshja jote mbështjell shtatin tim të zhveshur
Pashë njat Zot
Më shtrëngo fort
edhe nëse shpirtin ma merr
Vdekje ma të mirë
nuk dua
As të jetoj pas këtij çasti
Nuk dua
- XII. 2015
Vetëm me ty
Kokrrat e mendimeve
m’i thyen një nga një
Si të ishin arra
Bajame
Lajthi
Dëshirat mi stolis me lule ëndrrash
Prangat e hipokrizisë mi këput
Lirinë e vërtetë shijoj
Vetëm kur jam me ty
Vetmi
6.II.2017
Nëse
Nëse vjen në ferr
të më takosh
Do të shoqëroj për në parajsë…!!!
1.VII.2016
Shterpërisht
Kur vrasim dashurinë
Fundjeta fërkon duart
Rrah flatrat e dëshirës së vet
Farkon harqet e shpresës
Kur dyert ia mbyllim dashurisë
Flakëron bukurinë vrastare
Lisit të jetës i bien gjethet e lumturisë pa qen stinë vjeshte
Shëmtia lëshon shtat
Kur dashurinë e shtrijmë në sarkofagun e moralit
Jeta shterpërisht jeton
19.VII.2017
Komentet