Rebelët sirianë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, morën kontrollin e plotë të një baze ajrore nga militantët e Shtetit Islamik, pranë qytetit Raka.
Rikthimi i kontrollit shihet si hap i rëndësishëm në betejën për të dëbuar xhihadistët nga Raka, të cilën e kanë vetëshpallur kryeqytet të tyre.
“Forcat Demokratike Siriane kanë nën kontroll të plotë aeroportin ushtarak Tabqa”, tha zëdhënësi i kësaj aleance, Talal Sello.
Sipas tij, luftëtarët kurdë po vazhdojnë të avancojnë drejt qytetit.
Megjithatë, grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime për sigurinë e qytetarëve që jetojnë në zonë.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut tha se sulmet e koalicionit ndërkombëtar kanë vrarë së paku 89 civilë gjatë javës së kaluar.
Rebelët thanë se aeroporti Tabqa tani mund të shfrytëzohet si bazë për sulme në digën Tabqa, e cila kontrollohet nga militantët.
Këta të fundit paralajmëruan se diga mund të plasë si pasojë e slmeve ajrore, por zyrtarë të koalicionit ndërkombëtarë e mohuan një gjë të tillë, duke thanë se rebelët kanë nën kontroll një kanal shkarkimi, në veri të digës, që mund të shfrytëzohet për të lehtësuar presionin.
“Diga, me sa dimë ne, nuk është dëmtuar në strukturë dhe koalicioni përpiqet të ruajë tërësinë e saj si burim jetik për popullin e Sirisë”, tha një zëdhënës i koalicionit ndërkombëtar, që udhëhiqet nga SHBA-ja.
Kombet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë paralajmëruar përmbytje katastrofike në Siri nëse diga Tabqa dëmtohet.
Kjo digë, pos që ka rëndësi strategjike dhe siguron energjinë elektrike në rajon, besohet se shfrytëzohet si seli e Shtetit Islamik, ku liderët e grupit, sipas Pentagonit, bëjnë komplote për sulme jashtë Sirisë.
Baza ajrore Tabqa, ndërkaq, ka rënë nën kontrollin e militantëve islamikë qysh në gusht të vitit 2014. Xhihadistët në atë kohë kanë vrarë rreth 200 ushtarë të qeverisë dhe kanë shpërndarë video të vrasjeve të tyre.
Luftëtarët e Shtetit Islamik, të cilët kanë pushtuar territore të mëdha në Siri dhe Irak në vitin 2014, janë duke u sulmuar tani në dy fronte – përreth Rakës dhe në Mosul, bastionin e tyre të fundit në Irak.
Avionët luftarakë amerikanë po mbështesin misionin e ushtrisë irakiane për të rimarrë Mosulin nga Shteti Islamik.
Mbi 320,000 njerëz janë vrarë në Siri, prejse ka nisur konflikti në mars të vitit 2011, fillimisht me protesta antiqeveritare.
Irani, në një kohë tensionesh së rritura me Izraelin, e ka ekzekutuar një burrë hebre të dënuar për vrasje. Familja e tij e ka mohuar akuzën duke thënë se ai kishte vepruar për t’u vetëmbrojtur pasi ishte sulmuar.
Agjencia e lajmeve Mizan, e cila është e lidhur me gjyqësorin e Iranit, e citoi Hamidreza Karimin, prokurorin e qytetit perëndimor iranian, Kermanshah, duke thënë se Arvin Ghahremani, 23 vjeç, u ekzekutua më 4 nëntor.
Ghahremani u shpall fajtor për therjen e një burri për vdekje më 2022 pranë një palestre në Kermanshah. Viktima i kishte para borxh Ghahremanit dhe, sipas familjes së tij, kjo mosmarrëveshje nxiti një përleshje mes tyre atë ditë.
Viktima ishte e armatosur dhe Ghahremani veproi në vetëmbrojtje, thanë ata, duke shtuar se ai madje kishte ndihmuar në përpjekjet për ta mbajtur të gjallë viktimën pas përleshjes.
Pasi u dënua me vdekje, avokati i Ghahrmanit nuk ia doli ta dërgojë familjen e tij për vizitë te familja e viktimës, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, për ta falur atë dhe për t’ia shpëtuar jetën.
Legjislacioni islamik mundëson hakmarrjen, pra me ndëshkim, në rastet e vrasjes.
Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë për kohë të gjatë se ky ligj është diskriminues ndaj jomyslimanëve, të cilët shpesh ndëshkohen më ashpër sesa myslimanët e dënuar për vepra të njëjta.
Avokatët e Ghahremani kishin kërkuar rigjykim në tri raste të ndryshme, por të gjitha kërkesat e tyre ishin hedhur poshtë nga gjykatat iraniane.
Grupi Iranian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Norvegji (IHR) e dënoi ekzekutimin e Ghahremani, i cili, sipas grupit, ishte 20 vjeç, dhe jo 23.
Grupi gjithashtu kundërshtoi fajësinë e Ghahremani, duke thënë se ai ishte sulmuar me thikë nga viktima. Ai tha gjithashtu se familja e viktimës fillimisht kishte pranuar ta falte Ghahremani, por ndryshoi mendje pasi mësoi se ai ishte hebre.
“Arvin ishte hebre, dhe antisemitizmi i institucionalizuar në republikën islamike pa dyshim luajti një rol vendimtar në zbatimin e dënimit të tij”, tha drejtori i IHR, Mahmood Amiri-Moghadam, në një deklaratë, duke shtuar se çështja kishte “të meta të mëdha.”
Hebrenjtë përbëjnë një pakicë të vogël prej rreth 20.000 vetash në Iran, i cili është komb me shumicë myslimane shiite dhe ka gati 92 milionë banorë. Shumë hebrenj u larguan nga Irani pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, pasi regjimi i ri zbatoi një qëndrim të ashpër kundër Izraelit, duke përfshirë mosnjohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
Izraeli dhe aleatët e tij në Liban dhe Rripin e Gazës janë duke luftuar tash e një vit, prej se njëri prej grupeve, Hamasi, kreu një sulm brenda Izraelit dhe vrau rreth 1.200 njerëz në një sulm të paprovokuar.
Ky grup, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, gjithashtu i rrëmbeu 240 pengje gjatë sulmit. REL
Një studente u zhvesh me të brendshme jashtë universitetit të saj në Iran, në atë që disa studentë dhe grupe të të drejtave thonë se ishte një protestë kundër kodit të rreptë të veshjes islame të vendit, raporton CNN.
Një video që qarkullon në mediat sociale dhe e shpërndarë nga grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International tregon gruan e ulur jashtë universitetit me të brendshme dhe me flokët e saj të zbuluar.
Ajo bën gjeste drejt kolegëve të saj studentë, shumë prej të cilëve janë femra dhe të veshur me shami, përpara se të shëtisin nëpër ambiente.
Një video tjetër e tregon atë duke ecur nëpër një rrugë, ende në një gjendje të zhveshur, përpara se një grup burrash ta rrethojnë, ta futin në një makinë dhe të largohen.
Amnesty tha të shtunën se gruaja ishte ” arrestuar me dhunë ” pasi ajo protestoi kundër kodit të veshjes në Universitetin Islamik Azad të Teheranit. Panorama
Kemi Badenoch ka thënë se do t’i tregojë “të vërteta të hidhura” si shtetit, ashtu edhe partisë së saj, teksa ka nisur punën si lidere e Partisë Konservatore në Britani të Madhe.
Në paraqitjen e parë para mediave, Badenoch ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Britania po varfërohet dhe po humb garën me shtetet tjera.
Përgjatë intervistës, ajo ka thënë se “duhet analizuar se si mund të riorganizojmë ekonominë tonë për të qenë gati për të ardhmen, dhe jo vetëm për atë që kemi bërë deri më tani”.
“Mendoj që në këtë pikë kemi sfidë, por jam shumë optimiste për atë që mund të bëjmë”.
Brenda ditësh, ajo pritet t’i bëjë publikë emrat e kabinetit të saj brenda partisë, që aktualisht është në opozitë.
Badenoch është bërë gruaja e parë me ngjyrë që udhëheq një parti të madhe politike evropiane.
Përzgjedhjet e saj në kabinet do të tregojnë se në çfarë drejtimi mëton të çojë partinë, teksa konservatorët tentojnë të marrin veten, pas humbjes në zgjedhjet e fundit.
Në fjalimin e saj të fitores të shtunën, Badenoch e ka pranuar se partia e saj ka shumë punë për të bërë dhe që duhet të jetë e sinqertë për gabimet që ka bërë.
“Ka ardhur koha për të thënë të vërteta, për të rritur zërin për parimet tona, për të planifikuar të ardhmen, për të rikrijuar politikat dhe mënyrën e të menduarit, dhe për t’i dhënë partisë e shtetit tonë fillimin e ri që e meritojnë”.
Sipas saj, Qeveria aktuale e laburistëve “do të dështojë”, sepse “janë duke përsëritur shumë gabime tonat në këtë sistem të thyer”.
Zgjedhjet e radhës në Britani do të duhej të mbaheshin më 2029. REL
Bombarduesit amerikanë B-52 kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftuan dje të shtunën forcat e armatosura amerikane, një ditë pasi Pentagoni njoftoi se do të vendoste më shumë mjete ushtarake për “mbrojtjen e Izraelit ” si një paralajmërim për Iranin.
“Bombarduesit strategjikë B-52 kanë mbërritur në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM”, sipas një postimi të komandës së ushtrisë amerikane për Lindjen e Mesme.
Pentagoni amerikan njoftoi mbrëmjen e së premtes së kaluar vendosjen e pashmangshme të forcave shtesë në rajon, me një horizont të “muajve të ardhshëm”, për “mbrojtjen e Izraelit” dhe si një paralajmërim për Iranin, një armik i betuar i shtetit hebre dhe një dele e zezë për Uashingtonin. sn
Kemi Badenoch është bërë liderja e re e konservatorëve dhe gruaja e parë me ngjyrë në krye të kësaj partie të madhe politike në Britani të Madhe.
Ajo e ka fituar garën me premtimet për ta kthyer partinë në parimet themelore.
Badenoch, 44-vjeçare, zëvendëson ish-kryeministrin Rishi Sunak, dhe është zotuar për ta udhëhequr partinë në një periudhë rigjenerimi, pas humbjes në zgjedhjet e përgjitshme të korrikut në Britani.
Në krye të Partisë Konservatore, Badenoch pritet të sfidojë, çfarë quan ajo, të menduarit institucionalist të majtë, dhe që është koha të mbrohen parimet e fjalës së lirë dhe tregut të lirë.
Badenoch është liderja e pesë e konservatorëve prej mesit të vitit 2016.
Ajo i ka fituar 57 për qind të votave brenda partisë, në rundin e fundit të garës që ka zgjatur një muaj.
Ajo e ka mposhtur në fund ministrin për Imigrim, Robert Jenrick, i cili i ka fituar 43 për qind të votave.
Kryeministri laburist i Britanisë, Keir Starmer, e ka mirëpritur fitoren e saj, duke thënë se “liderja e parë me ngjyrë e një partie të Uesministerit, përbën moment krenarie për shtetin tonë”.
Vetë Badenoch ka thënë publikisht se nuk preferon të ketë fokus në racën e saj.
E pyetur në Partinë Konservatore më herët gjatë viti se si do të ndihet nëse bëhet gruaja e parë me ngjyrë në krye të partisë, ajo ka thënë se dëshiron që “ngjyra e lëkurës të mos ketë më shumë rëndësi sesa ngjyra e flokëve apo e syve”.
Me një fillim jo shumë të lehtë të laburistëve në udhëheqje të shtetit, disa konservatorë besojnë secilën herë e më shumë se mund të kthehen në pushtet në zgjedhjet e radhës, që do të duhen të mbahen më 2029. REL
Një grua merr pjesë në një ceremoni në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, në përkujtim të ushtarëve të vrarë në një sulm në korrik të 2022-tës, që shkatërroi një ndërtesë ku strehoheshin të burgosurit ukrainas të luftës në Olenivka, Ukrainë.
Todd Prince
Kur amerikanët të votojnë për president më 5 nëntor, vendimi i tyre do të ketë jehonë në të gjithë botën.
Ukraina – mbrojtja e së cilës kundër Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike e SHBA-së – mund t’i ndiejë efektet më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Nën presidentin në largim, Joe Biden, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 56 miliardë dollarë vetëm ndihma për sigurinë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ato i kanë dhënë vendit në luftë edhe dhjetëra miliarda të tjera në forma të ndihmës financiare dhe humanitare.
“Faktori më i rëndësishëm që do ta përcaktojë rezultatin e luftës dhe, sigurisht, atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë zgjedhjet në SHBA”, thotë Ruth Deyermond, pedagoge e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Rezultati i zgjedhjeve “do të përcaktojë, në fakt, nëse Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ose masën se sa do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë Deyermond për Radion Evropa e Lirë.
Ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, kanë shprehur qëndrime shumë të ndryshme për mbështetjen për Ukrainën.
Harris ka thënë se do ta vazhdojë politikën e Bidenit për ta ndihmuar Ukrainën, duke shprehur qartë dëshirën e saj për ta parë Rusinë të mposhtur.
Trump e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta mbajë pjesën më të madhe të barrës në mbështetjen për Kievin kundër pushtimit rus, si dhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Ai ka refuzuar të komentojë nëse do që Ukraina të fitojë dhe ka pohuar vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt – edhe para se ta merrte detyrën në janar.
“Ndërsa mund të presim që një Shtëpi e Bardhë nën Harrisin do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si Shtëpia e Bardhë nën Bidenin – sigurisht jo me ndonjë kthesë dramatike sa i përket Ukrainës – Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron të shohë një fund të luftës shpejt”, thotë Deyermond.
“Dhe, ne e dimë se një nga prioritetet e tij afatgjate të politikës së jashtme, një nga pozicionimet e pakta të qëndrueshme në politikën e jashtme që ai ka mbajtur qysh para se të zgjidhej në vitin 2016, ka qenë, siç ka thënë, mirëkuptimi me Rusinë. Kështu që ai do të dëshironte të shihte që lufta të përfundonte shpejt, dhe sipas kushteve të Rusisë, mendoj”, shprehet Deyermond.
Trump ka thënë se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedimet e paqes “janë të papranueshme” dhe kjo do të thotë se ai ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se presidentët tjerë.
Ai, po ashtu, ka thënë se Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën, nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2017, ai i ka dhënë dritën jeshile SHBA-së për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Ukrainës, diçka që paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, ka refuzuar ta bëjë, për shkak të shqetësimeve se mund ta provokojë Moskën.
“Jo më”
Në prill, Trump ka thënë se do të ishte i hapur për diçka si programi i huadhënies – përkatësisht si ai që Shtetet e Bashkuara aplikuan për t’i ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore – në vend të granteve të ndihmës.
Trump ka folur pak për mënyrën se si do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një intervistë për Fox News në korrik të vitit 2023, ai ka thënë se do të përpiqet ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, të negociojë, duke kërcënuar se do t’i hapë rubinetat e ndihmës për Ukrainën.
Në anën tjetër, ai ka thënë se do t’i bënte presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën.
“Do t’i thosha Zelenskyt: ‘Jo më! Duhet të bësh një marrëveshje’. Do t’i thosha Putinit: ‘Nëse nuk bën marrëveshje, ne do t’i japim shumë [Zelenskyt]’”, ka thënë Trump.
“Do ta bëja marrëveshjen brenda një dite. Një dite!”, ka thënë ai.
Ukrainasit kanë frikë se çdo trysni për marrëveshje të shpejtë paqeje, do t’i shkonte në favor Rusisë, duke e lënë rreth një të pestën e vendit të tyre nën kontrollin e Moskës dhe duke i mundësuar Putinit që ta shfrytëzonte ndërprerjen e armiqësive për t’i rigrumbulluar forcat e tij për një sulm të ardhshëm.
Fjalë dhe veprime
Në çdo rast, ajo që do të bëjë fituesi kur ta marrë pushtetin, është e paqartë dhe ka një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në veprimet e presidentit të ardhshëm.
Qeveria e Zelenskyt ka qenë shumë e frustruar me administratën Biden, duke thënë se ndihma ushtarake e SHBA-së po i arrin shumë ngadalë dhe me shumë kufizime.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Biden nuk e ka lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së për të goditur thellë brenda Rusisë.
Ukraina ka ende mungesë të mbrojtjes ajrore dhe municionit dhe kjo bën që Rusia të vazhdojë t’i godasë qytetet dhe infrastrukturën e saj kritike nga qielli, si dhe të avancojë më thellë në rajonin e Donjeckut.
Harris nuk e ka bërë të qartë nëse do të ishte më e rreptë me dërgesat e ndihmave dhe nëse do t’i hiqte kufizimet – gjë e cila është një prej pikave të “Planit të Fitores”, të cilin Zelensky ua ka paraqitur udhëheqësve perëndimorë.
Ajo nuk e ka komentuar as pikën tjetër të rëndësishme në këtë plan – ftesën e shpejtë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n.
Një faktor që do të ndikonte në mënyrën sesi presidenca Trump do të sillej me Ukrainën dhe pushtimin rus, do të ishte përbërja e kabinetit të tij.
Fushata e Trumpit thuhet se është duke shqyrtuar ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për postin e sekretarit të Mbrojtjes dhe ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, për sekretar të Shtetit.
Të dy e kanë kritikuar administratën Biden për kufizimin e përdorimit të armëve amerikane dhe kanë kërkuar më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Në një artikull të botuar në gazetën The Wall Street Journal në korrik, Pompeo ka bërë thirrje për krijimin e një programi të huadhënies – prej 500 miliardë dollarësh – për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar që Ukrainës t’i ofrohet anëtarësimi në NATO – për të cilën gjë O’Brien ka thënë këtë javë se “është shumë provokuese në këtë pikë”.
“Viti i diplomacisë”
Një faktor tjetër është Kongresi. Ndërkohë që presidentët kanë ndikim më të madh në politikën e jashtme, legjislatura mund ta detyrojë Shtëpinë e Bardhë që ta rregullojë qëndrimin e saj për çështjen e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mund të ndryshojë në zgjedhjet e 5 nëntorit – demokratët mund të fitojnë shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët dhe republikanët në Dhomën e Sipërme.
Kjo do të ishte një situatë më e favorshme për Ukrainën, pasi një Senat i kontrolluar nga republikanët ka të ngjarë ta mbështesë ndihmën për Ukrainën, ka thënë muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë Kurt Volker, i dërguar i posaçëm i Trumpit për negociatat për Ukrainën në vitet 2017-2019.
Ai ka thënë se një program i huadhënies, do të ishte më lehtë të kalonte përmes Kongresit.
“Të arrish mbështetje për shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë për Ukrainën, është gjithnjë e më e vështirë, por t’i lejosh [ukrainasit] të marrin hua aq sa kanë nevojë për të blerë armë amerikane dhe për të luftuar luftën, nuk duket të jetë e diskutueshme. Mendoj se do të kishte mbështetje masive dypartiake”, ka thënë Volker.
Por, Charles Kupchan, analist në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë ta shtyjnë Ukrainën drejt bisedimeve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet – pjesërisht për faktin se lufta është duke i ngarkuar burimet perëndimore.
“Do të prisja që viti 2025 të ishte vit i diplomacisë. Unë nuk besoj se kjo ku jemi sot, është e qëndrueshme”, thotë Kupchan.
Sipas tij, ndërprerja e ndihmës për Ukrainën nuk është mënyrë për t’i çuar dy palët në tryezën e bisedimeve.
“Kjo është një ftesë për Putinin që të vazhdojë me të tijën”, përfundon Kupchan.
Një gjeneral rus është arrestuar nën dyshimin për korrupsion. Arrestimi i gjeneral-major Alexander Ogloblin, ish-kreu i departamentit të komunikimeve ushtarake të Rusisë, është arrestimi i fundit i një figure të lartë ushtarake ruse.
Ogloblin po mbahet në paraburgim për dyshimin se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 10 milionë rubla (103,000 dollarë) nga një kompani telekomunikacioni për të siguruar kontratat e ministrisë së mbrojtjes, sipas Komitetit Hetues të Rusisë, raportuar nga gazeta e biznesit Kommersant.
Ogloblin tashmë ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për përvetësim në shkurt 2022 me akuza të veçanta, por u lirua herët pasi dëshmoi kundër ish-eprorit të tij, Vadim Shamarin, i cili ishte zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë. Megjithatë, arrestimi i dytë i Ogloblin pasoi dëshminë e dhënë kundër tij nga Shamarin, sipas Kommersant.
Shamarin u akuzua për marrjen e rryshfetit të prokurimit nga prodhuesi Perm Telefon Fabrika Telta. Ai ndau ryshfetin me Ogloblin, të cilin ai e zbuloi si pjesë të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me hetuesit, sipas Kommersant. Në raportimin e historisë, gazeta New Voice of Ukraine tha se Shamarin mund të ketë kërkuar hakmarrje ndaj ish-vartësit të tij.
Ai tha gjithashtu se ndërsa ish-ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu ende nuk është akuzuar për korrupsion, “është e mundur që dikush prej tyre përfundimisht ta implikojë atë”.
Ministria Britanike e Mbrojtjes (MOD) tha të mërkurën se arrestimi i dytë i Ogloblin sinjalizoi një goditje nga autoritetet ruse kundër ish-zyrtarëve të mbrojtjes që ishin emëruar nga Shoigu, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
John Foreman, ish atasheu britanik i mbrojtjes në Moskë dhe Kiev, tha se hetimi nga agjencia kryesore e inteligjencës ruse, FSB, po përparon “ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme” përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe se një hetim korrupsioni ka vazhduar për vite me rradhë.
“Shoigu mbetet mjaft i izoluar në NSC (Këshilli i Sigurisë), i mbajtur në një zinxhir të ngushtë dhe i paaftë për të sjellë njerëzit e tij. Askush nuk është plotësisht i sigurt se çfarë po ndodh në të vërtetë”, tha ai.
Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë për spastrim të shtabit të përgjithshëm apo kundër figurave të tilla si komandanti i forcave ruse në Ukrainë, Valery Gerasimov.
Andrei Soldatov, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), tha se FSB ka ngacmuar ushtrinë, por deri më tani arrestimet kanë synuar stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo gjeneralët dhe oficerët që po luftojnë në Ukrainë.
Ai tha se që nga fillimi i inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, objektivat kryesore ushtarake ishin ish-zëvendësministri i mbrojtjes Pavel Popov dhe Valery Mumindzhanov, zëvendëskomandant i Qarkut Ushtarak i Leningradit.
Në prill, Timur Ivanov, 48 vjeç, një zëvendësministër i mbrojtjes që mbikëqyrte projekte të mëdha ndërtimi të lidhura me ushtrinë, duke përfshirë rindërtimin e qytetit portual të shkatërruar të Ukrainës, Mariupol, u arrestua me dyshimin për marrjen e një ryshfeti të madh – një vepër e dënueshme deri në 15 vjet burg.
Në vazhdimësi, Shamarin, gjeneralmajor Ivan Popov, një ish-komandant i lartë në ofensivën ruse në Ukrainë dhe gjeneral-lejtnant Yury Kuznetsov, kreu i drejtorisë së personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, u arrestuan gjithashtu me akuza për ryshfet.
Në maj, një zyrtar i pestë i ministrisë, Vladimir Verteletsky, nga departamenti i prokurimeve të mbrojtjes, u arrestua dhe u akuzua për shpërdorim detyre që rezultoi në dëme në vlerë prej mbi 70 milionë rubla (776,000 dollarë), tha Komiteti Hetues.
Arrestimet filluan pak para se Putini të fillonte mandatin e tij të pestë dhe të zëvendësonte ministrin e tij të mbrojtjes, Shoigu. bw
Google ka marrë një gjobë prej më shumë se dy undecilion që do të thotë një shifër me 36 zero pasi hoqi llogaritë e drejtuara dhe pro qeverisë nga Youtube. Thënë ndryshe, undecilioni është një trilion i shumëzuar tri herë me veten e tij.
Gjoba që Google ka marrë nga Rusia është më e madhe se i gjithë Prodhimi i Brendshëm Bruto i botës i cili sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar është 110 trilionë dollarë.
Google ka një vlerë prej 2.16 trilionë dollarë dhe duket se me kaq para, nuk do ia dalë ta shlyejë Rusinë. Gjoba gjithashtu rritet për shkak të mospagesës dhe nëse nuk shlyhet për 9 muaj, do të dyfishohet çdo ditë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Tass.
Shifra ‘e frikshme’ është rritur pasi Google nuk ka rikthyer llogaritë e Youtube që i përkasin 17 kanaleve televizive ruse, sipas RBC News. Google mund të kthehet në tregun rus vetëm nëse zbaton vendimin e gjykatës.
Çështja u ngrit privatisht në vitin 2020 pasi llogaritë e kanaleve Tsargrad TV dhe RIA FAN u bllokuan nga sanksionet e SHBA-së. Më pas situata përshkallëzoi pas fillimit të luftës në Ukrainë kur Youtube bllokoi llogaritë që i përkisnin Sputnik dhe RT ku u përfshinë edhe autoritetet ruse. sn
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin (majtas) flet gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes të Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, në Pentagon, më 30 tetor.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.
Duke folur në një konferencë për media në Pentagon mbrëmjen e 30 tetorit përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.
Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe bartin pajisje ruse. Njësite të tjera nga Koreja e Veriut ndodhen tashmë në Kursk, sipas tij.
Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.
Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.
“Ka një numër gjërash që mund të ndodhin”, tha Austin.
Ai shtoi se “gjasat janë shumë të larta” që Rusia t’i përdorë trupat koreanoveriore në luftime.
Austin përsëriti se trupat koreanoveriore duhet të presin të jenë në shënjestër e ushtrisë ukrainase, e cila përdor armë të dhuruara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, në fushëbetejë, dhe se disa prej tyre ka mundësi ta humbin jetën.
“Nëse ata luftojnë përkrah ushtarëve rusë, atëherë ata po bashkëluftojnë, dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ata do të vriten dhe do të plagosen si pasojë e kësaj”, tha Austin.
Shtetet e Bashkuara po e marrin situatën shumë seriozisht dhe i bëjnë thirrje Kremlinit ta ndryshojë kursin.
Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara tha në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork më 30 tetor se bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel ligjin ndërkombëtar dhe nuk është “i drejtuar kundër vendeve të treta”.
Vasily Nebenzya gjithashtu mohoi lajmet se trupat koreanoveriore janë të pranishme në vijën e parë të luftës.
“Këto deklarata për ushtarët koreanoveriorë në frontin tonë nuk duhet të habisin askënd, sepse janë gënjeshtra të hapura”, tha Nebenzya, duke akuzuar Uashingtonin dhe Londrën për “dezinformim”.
Koreja e Jugut ka paralajmëruar se Pheniani do të merrte mësime të vlefshme nga trupat e tij dhe do të shihte luftën moderne duke ndihmuar Rusinë, dhe kjo do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Seulin.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha në një konferencë për shtyp me Austin se ai nuk beson se dislokimi do të shkaktojë luftë në Gadishullin Korean, por mund të rrisë kërcënimet e sigurisë pasi Koreja e Veriut me gjasë do të kërkojë teknologji ushtarake ruse në këmbim të dërgimit të trupave.
Kjo mund të përfshijë armë bërthamore taktike dhe teknologji për raketa balistike ndërkontinentale.
Ndërkohë, diplomati i lartë i Koresë së Veriut mbërriti në Moskë për bisedime, që sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, mund të përfshijnë diskutime për dërgimin e trupave shtesë dhe se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim. REL
Izraeli miratoi të hënën një ligj të hënën që ndalon a agjencinë e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë, UNRWA që të operojë në vend. Ligji mund të ndikojë në punën e saj në Gazën e shkatërruar nga lufta.
Ligjvënësit që hartuan ligjin cituan, siç u shprehën, “përfshirjen e disa punonjësve të UNRWA-s në sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe faktin që punonjës të saj ishin anëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura.
Ligji ka alarmuar Kombet e Bashkuara dhe disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët druhen se kjo masë do të përkeqësojë më tej situatën e rëndë humanitare në Gazë, ku Izraeli lufton prej një viti kundër militantëve të Hamasit. Masa ligjore e ndalimit të veprimtarisë nuk i referohet operacioneve në territoret palestineze apo gjetkë.
“Punonjësit e UNRWA-s të përfshirë në aktivitete terroriste kundër Izraelit duhet të mbahen përgjegjës. Duke qenë se shmangia e një krize humanitare është po ashtu thelbësore, ndihma e qëndrueshme humanitare në Gazë duhet të vazhdojë tani dhe në të ardhmen,” shkroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në mediat sociale pas votimit.
“90 ditët përpara hyrjes në fuqi të ligjit dhe më pas ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar që Izraeli të vazhdojë të lehtësojë ndihmën humanitare për civilët në Gazë në një mënyrë që nuk kërcënon sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.
Parlamenti miratoi gjithashtu një shtesë në ligjin e ri sipas së cilës autoritetet izraelite nuk mund të kenë më kontakte me UNRWA-n, por mund të bëhen përjashtime në të ardhmen.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë UNRWA, e cilësoi votimin një “precedent të rrezikshëm” që kundërshton kartën e OKB-së dhe shkel detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar.
“Kjo është e masa e fundit në kuadrin e fushatës për diskreditimin e UNRWA -s dhe goditjes së rolin të saj në ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve për refugjatët palestinezë,” shkroi ai në platformën e mediave sociale X.
Agjencia e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë, UNRWA , ka dhjetëra mijëra punonjës dhe ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për miliona palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri.
Prej kohësh ajo ka patur marrëdhënie të tensionuara me Izraelin, por ato janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gazë dhe Izraeli ka kërkuar vazhdimisht që UNRWA të shpërbëhetd dhe që përgjegjësitë e saj të transferohen tek agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara.
OKB-ja tha në gusht se nëntë punonjës të UNRWA-s mund të kenë qenë të përfshirë në sulmin e 7 tetorit dhe ishin shkarkuar. Një komandant i Hamasit në Liban, i vrarë muajin e kaluar në një sulm izraelit, rezultoi të kishte punuar për UNRWA-n. Një tjetër komandant i vrarë në Gazë javën e kaluar kishte qenë punonjës i ndihmave të OKB-së. UNRWA konfirmoi se të dy ata kishin qenë punonjës të agjencisë.
Pentagoni thotë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10 000 trupa për t’u trajnuar në Rusi. “Ne besojmë se DPRK-ja ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për t’u trajnuar në Rusinë lindore”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh, duke iu referuar inicialeve të emrit zyrtar të Koresë së Veriut.
“Një pjesë e ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës dhe ne jemi përherë e më të shqetësuar se Rusia synon t’i përdorë ata në luftime ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën”, shtoi ajo.
Më herët, NATO-ja konfirmoi se trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe se një pjesë e tyre është dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e Kievit ndërmorën një sulm të befasishëm në gusht dhe ku ende mbajnë nën kontroll një pjesë të territorit.
“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit dhe atë Euro-Atlantike,” u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, pasi zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s u informuan nga një delegacion i zbulimit i Koresë së Jugut, si edhe nga zyrtarë ushtarakë.
Zoti Rutte tha se vendosja e 3,000 trupave të Koresë së Veriut përfaqësonte “një përshkallëzim të ndjeshëm” të angazhimit të Phenianit në “luftën e paligjshme të Rusisë” në Ukrainë, një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një “zgjerim të rrezikshëm” të luftës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut ishte një shenjë e “dëshpërimit në rritje” nga ana e presidentit rus Vladimir Putin.
“Mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje ta përballojë agresionin ndaj Ukrainës pa mbështetje të huaj”, tha zoti Rutte.
Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi trupat apo pajisjet që Koreja e Veriut ka dërguar bashkë me trupat. Kur u pyet nga Zëri i Amerikës se çfarë aftësish shtetesë kanë trupat, zonja Singh tha se “ishin forca shtesë në fushën e betejës”.
“Nëse shohim trupat e DPRK-së që lëvizin në dhe drejt vijës së frontit, ata janë bashkëluftëtarë në luftë”, paralajmëroi ajo.
Kremlini i kishte hedhur poshtë njoftimet për trupat e Koresë së Veriut si “lajm të rremë”. Por Presidenti Putin nuk e mohoi javën e kaluar që trupat e Koresë së Veriut ndodheshin aktualisht në Rusi dhe tha se i takon Moskës të vendosë se si t’i dislokonte ato si pjesë e një pakti sigurie të mbrojtjes reciproke që ai ka nënshkruar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor.
Në kundërshtim me komentet e presidentit rus, një përfaqësues i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara në Nju Jork i karakterizoi javën e kaluar njoftimet për vendosjen e trupave të Phenianit në Rusi si “thashetheme të pabaza”.
Goditje me dronë
Në frontin e betejës, ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat ruse sulmuan gjatë natës me 100 dronë duke vënë në shënjestër zona në të gjithë vendin.
Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 66 dronë, shumica mbi rajonet Cherkasy, Khmelnytskyi dhe Kiev. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi gjithashtu dronë mbi Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava, Rivne, Ternopil dhe Zhytomyr.
Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha në Telegram se sulmet ruse goditën ndërtesat e banimit në qytetin Kherson, duke vrarë të paktën dy persona.
Në Kharkiv, zyrtarët njoftuan për sulme me bomba dhe granata ruse, përfshirë sulme që dëmtuan një ndërtesë apartamentesh dhe një shtëpi.
Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha në Telegram se të paktën 13 persona u plagosën në sulmet ndaj tre lagjeve të qytetit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të hënën se shkatërroi 21 dronë ukrainas. Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 13 dronë mbi rajonin Belgorod, gjashtë mbi Byransk, një mbi Voronezh dhe një mbi Kursk. Guvernatori i Voronezhit Alexander Gusev tha se dronët dëmtuan dy biznese dhe plagosën dy persona.
Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Reuters dhe Associated Press
Një shtëpi e rrënuar nga bombardimet izraelite në Han Junis, në jug të Gazës, 25 tetor 2024.
Më shumë se 43.000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.
Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua shumë nga sulmi.
Izraeli i ka sulmuar disa spitale në Gazë gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militatë të tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe tash e tri javë.
OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se të paktën 400.000 njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është rritur, pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë. REL
Komentet