Klubi spanjoll i futbollit Real Madrid dhe Liverpooli nga Anglia do të përballen nesër në finalen për titullin e Ligës së Kampionëve të UEFA-së në kryeqytetin ukrainas Kiev.
Kompleksi Kombëtar Olimpik Sportiv do të jetë stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja.
Real Madridi ka fituar një rekord prej 12 titujsh të Ligës së Kampionëve dhe është në kërkim të titullit të tretë rresht.
Liverpooli së fundmi fitoi titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2005, duke mposhtur AC Milan në penallti pas një rikthimi emocionues nga 3-0 në Stamboll.
Klubi anglez ka fituar gjithsej pesë tituj kampioni në garën më prestigjioze të klubeve evropiane.
Sulmuesi egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah dhe braziliani Roberto Firmino do të përbëjnë rrezikun kryesor ofensiv për Real Madridin. Salah ka shënuar 10 gola në 12 paraqitjet e Ligës së Kampionëve këtë sezon, po aq sa ka edhe Firmino.
Përveç kësaj, anësori senegalez Sadio Mane ka shënuar nëntë gola.
Ronaldo do të kryesojë te Real Madridi
Ylli portugez i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka shënuar 15 gola në 12 ndeshje në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, mbrojtësi spanjoll Dani Carvajal, 26 vjeç, pritet të humbasë finalen për shkak të lëndimit. Edhe paraqitja e mesfushorit Isco është gjithashtu e dyshimtë.
Te Liverpooli, anglezi Alex Oxlade-Chamberlain, mbrojtësi kamerunas Joel Matip dhe mbrojtësi anglez Joe Gomez vuajnë nga lëndimet.
Megjithatë, menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se mesfushori gjerman Emre Can, i cili ishte i lënduar, tani është i aftë për të luajtur në finale.
Ndeshja në Kiev do të fillojë në ora 20:45 dhe do të referohet nga gjyqtari serb Milorad Maziç.
Komentet