Në foto tre fëmijët e poetit të shquar Hamit Aliaj: Drenisi, Rugova në mes dhe Beskida.
Ka reaguar Rugova Aliaj, e bija e poetit Hamit Aliaj pas botimit të shkrimit të Ibrahim Dizdarit, i cili pas vlerësimeve të pafundme me të drejtë që iu bënë figurës dhe veprës të Hamit Aliajt pas vdekjes, pyet: “Duhet me vdekë që njerëzit të flasin për vlerat që pate!” dhe midis të tjerave shkruan: “Siç u tha me të drejtë nga përsonalitete të larta të letersisë, diplomacisë e te pushtetit sot në ceremoninë e përcjelljes se Tij për në banesen e fundit Hamit Aliaj ishte shumë dimensional në poezitë e Tij . Ato poezi i japin vlerë te re Tropojës, Kosovës, Çamërisë dhe krejt Shqipërisë . Kënget e kënduara me tekstet e Hamit Alisë kanë sherbyer si burim frymëzimi për rritjen e frymës patriotike në kosovë e vecanërisht në epopenë e lavdishme të UÇK-së. Duke qenë i tillë a eshtë e mjaftueshme qe Atij t’i jepet vetem shtetërisht titulli : ‘Qytetar Nderi Tropojes e Mjeshter i Madh’, këto janë vleresime madje shumë të larta por çeshtja shtrohet shumë ma’ gjanë : A duhej parë kjo figurë si një rast i veçantë për t’i krijuar Atij kushte të plota ekonomike per të punuar? A mundet ky pensionist por që ka vlera të jashtëzakonëshme në brendesinë e Tij qe t’i prezantojnë ato në vepra me një pension qesharak ? . A ishte e nevojshme qe vepra e Hamit Alisë te studiohej me themel nga institucionet përgjegjese e mbi këtë bazë t’i jepej vendi që i takon në letersinë Shqiptare.”
Ja edhe reagimi i Rugova Aliajt:
“E vërtetë, fatkeqësisht. Dimensionet e artistit tashmë janë njohur prej vitesh, që as pensionin special si artist nuk ia dhanë. Qe sa vite i pashpërblyer, edhe pse nuk ishte përparësia e babës tim shpërblimi ekonomik si vlerë monetare, por më tepër si vlerë mirënjohjeje ndaj punës së tij – edhe kur pretendohej minimalisht vlera ekonomike e punës së tij.
Ju Faleminderit që po thuhen edhe disa të vërteta, uroj që kjo dhimbje e familjes sonë të bëhet një pikënisje për artistët e tjerë të pashpërblyer.
Ai iku me zemrën plot për ne fëmijet, edhe pse ishte shumë kundër iniciativave tona të vrullit të rinisë për të vrapuar pas ëndrrës “Amerikane ” – Perëndimore, drejt shpërblimit të formimit tonë profesional. Ishte një ndër pengesat tona më të mëdha kundër emigrimit tonë ekonomik, kur morëm rrugët e botës para disa viteve – edhe një ndër dhimbjet e tij shpirtërore që e plakën edhe para kohe.
Por kur pa ato pak suksese tonat si të Don Kishotit, sepse emigrimi është sfida më e vështirë për një të ri plot ëndrra, aty edhe vriten ëndrrat. Ai ishte i lumtur dhe donte të rikthehej përsëri tek ne – edhe për të vazhduar mbase jetesën tek ne fëmijët e emigruar.
Këmbanat po bien prej vitesh për Shqipërinë në të gjitha dimensionet sociale, paçim veshë për t’i dëgjuar e forcë për të reagur. Me besim të plotë që një ditë Shqipëria do të bëhet, por jo sot.”
Luan Rama, adhurues i poezisë të Hamit Aliajt dhe mik i poetit, mes familjarëve për ngushëllim.