Një reagim i ashpër ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndaj LDK-së, pas akuzave që kjo e fundit i bëri ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me deklaratat e tij për kryeministrin e vendit dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Në reagim thuhet se është një grup i vogël banditësh që e kanë kapur LDK-në e presidentit Rugova dhe sipas AAK-së, ky grup, shumë shpejt do ta marrë përgjigjen e qytetarëve.
AAK thotë se LDK-ja përpara se të shkruaj “paçavure në formë komunikate, me një gjuhë qyqare kundër partive opozitare, me lloj-lloj ofendinesh, herë për “brigadat e kuqe” e herë për “koalicionin e mollotovëve”, duhet të japë llogari për hisen e saj në rrezikimin e shtetit dhe të territorit të Kosovës.”
Sipas AAK-së, trillimeve për gjoja pasuri marramendëse të Ramush Haradinajt, tashmë ju ka dalë boja dhe ato nuk do të mund t’i mbulojnë veprimet anti-Kosovë të atij grupi të vogël udhëheqësish të LDK-së, të cilët qëndrojnë prapa trillimeve, siç është edhe kjo komunikatë e sotme.
“Haradinaj e ka transparente pasurinë e tij dhe nuk ka kurrfarë afere me privatizimin e kurrfarë t oke. Por ai dhe Partia e tij, nuk do të zmbrapsen pa i zbardhur krejt faqet e zeza të kësaj qeverie duke përfshirë edhe banditët e vegjël, që s’kanë lënë gjë pa vjedhur e pushtet pa i shërbyer”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
AAK thotë se pikërisht ky grup e ka kapur edhe LDK-në e presidentit Rugova, por shumë shpejt, sipas AAK-së, këta dhe të tjerët do ta marrin përgjigjen e qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve, pa asnjë dyshim, do të jetë edhe elektorati i LDK-së.
“Një gjë është e sigurt, sado të shumta të jenë gabimet e Opozitës, ato nuk do të mund t’i mbulojnë faqet e zeza e dosjet e lidershipit të LDK-së e as marrëveshjet e Qeverisë që e kanë nxjerrë vendin në pazar, bash si me ia u pas lanë baba”, thuhet në fund. /KosovaPress/
Komentet