Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut të premten që lamë pas është keqkuptuar.
Sipas saj, shfaqja e flamurit me “Shqipërisë etnike” në mesin e përkrahësve të Kurtit në Tetovë është thjesht lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar.
Osmani në konferencën për media të mbajtur me rastin e vizitës në Komunën e Dragashit tha se Maqedonia e Veriut është një prej fqinjëve më të çmuar të Kosovës.
“Lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar… Në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetar se çka ka në dorë, por kjo është si parim.
Natyrisht, nëse institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë ndonjë shqetësim, e vetmja kërkesë e jona si institucione të Republikës të Kosovës është që gjithçka të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së komuniteteve joshumicë, dhe duke respektuar gjithmonë rolin shtetformues që komuniteti shqiptar ka pasur në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe këtë rol të jashtëzakonshëm vazhdon ta luajë edhe sot, dhe këtë e dinë institucionet e Maqedonisë së Veriut…
Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për relacione pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani, raporton kp.
Faktorët politikë maqedonas e shikojnë si nacionaliste paraqitjen e Kurtit, gjatë fjalimit të të cilit, para mijëra përkrahësve në Tetovë, shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë etnike”.