Analisti Damir Rastoder thotë se nisma “Ballkani i Hapur” tashmë po numëron orët e fundit para vdekjes përfundimtare, ndërsa iniciatorët e saj, sipas tij, bënë që kjo iniciativë ballkanike të dështonte.
Një hap drejt dështimit të “Ballkanit të Hapur”, të nisur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sipas analistit, e çoi ideja për një botë serbe.
“Projekti që në fillim kishte vulën personale të Vuçiçit dhe të Ramës ndikoi shumë në rezultatin përfundimtar të tij. Dyshimet, sidomos ndaj Vuçiçit, madje edhe ndaj ‘Ballkanit të Hapur’, u shtuan kur nga Serbia u hodh ideja e një ‘bote serbe’. Përputhja politike e dy projekteve, në përmbajtje dhe në thelb, është më se e dukshme, aq sa ‘Ballkani i Hapur’ cilësohet si një emër tjetër për ‘botën serbe’. Dallimi i vetëm është se ‘Ballkani i Hapur’ mbrohet me argumente ekonomike, kurse ‘bota serbe’ me nevojën e bashkimit kulturor dhe shpirtëror të të gjithë serbëve, pavarësisht se ku jetojnë. Kur edhe Sergej Lavrov i dha mbështetje të hapur ‘Ballkanit të Hapur’, ai praktikisht i nguli gozhdën e fundit këtij projekti”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kur pro nismës “qëndroi me gjithë zemër” edhe Hungaria, u bë e qarta që “Ballkani i Hapur” nuk do të kishte sukses. Në kolumnën e tij, Rastoder shtron çështjen edhe të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për këtë nismë.
“Pse SHBA-të e mbështetën projektin? Vetëm dikush që nuk di asgjë ose ka qëllime të këqija mund ta mbështesë këtë nismë të vdekur politikisht. Ai dikush është Gabriel Escobar. Megjithatë, asgjë nuk është befasuese nga një diplomat amerikan që ka jetuar dhe punuar në rajon për kaq shumë kohë dhe që pretendon se korrupsioni dhe një ekonomia e dobët janë problemet kryesore në Ballkan, jo urrejtja, nacionalizmi, populizmi, hegjemonia…Nëse ka ndonjë logjikë në këtë eksperimentim të Escobarit, atëherë ajo duhet kërkuar për të kënaqur orekset e të fortëve (serbëve dhe shqiptarëve) në kurriz të kombeve të mbetura e më të vogla ballkanike”, shkroi ai.
Kolumnisti i mediumit sarajevas thekson se edhe i dërguari i SHBA-së, Escobar, besonte se “Ballkani i Hapur” do ta lehtësonte zgjidhjen e problemit të Kosovës “për shkak të rolit proaktiv të Shqipërisë, duke injoruar marrëdhëniet komplekse mes Tiranës e Prishtinës”.
Për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, Rastoder, shkruan se ajo kishte nisur Procesin e Berlinit me qëllim të inaugurimit së “stabilokracisë” në Ballkan, që siguronte paqe dhe shtim të demokracisë. Ai thekson se efektet e dobëta të Procesit së Berlinit çuan në nismën e “Ballkanit të Hapur”.
“Në Serbi projekti pati mbështetjen më të madhe. Zërat kundër “Ballkanit të Hapur” mezi dëgjoheshin ose ishin sporadikë. Në Maqedoni kjo mbështetje nuk ishte plebishitare, madje presidenti Stevo Pendarovski shprehu rezerva për këtë projekt. Në Shqipëri, sipas hulumtimit të kryer atje, vetëm 26% e të anketuarve e kanë vlerësuar pozitivisht nismën. Në Kosovë, qeveria dhe opozita, si dhe sektori civil, pothuajse unanimisht refuzuan të diskutojnë fare për ‘Ballkanin e Hapur’, sepse procesi i Berlinit është një kornizë më e mirë dhe më e pranueshme për bashkëpunim rajonal, sepse zhvillohet nën patronazhin e BE-së. Në Mal të Zi ka pasur një polarizim të qartë të shoqërisë edhe për këtë çështje. Partitë pro-serbe dhe natyrisht Dritan Abazoviç shprehën gatishmërinë për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”, ndërsa pjesa sovraniste e spektrit politik u shpreh shprehimisht kundër”, thuhet në shkrimin e tij.