VOAL – PRISHTINË – Agim Çeku ishte arrestuar edhe në Hungari dhe Bullgari, ndërsa pati telashe edhe në Kolumbi për shkak të një fletarresti të lëshuar nga Interpoli, me kërkesë të Serbisë. Më 2003, për pak orë ishte ndaluar në Hungari edhe Hashim Thaçi, që ishte liruar pas presionit të madh ndërkombëtar. Megjithatë, apetitet e Serbisë nuk ishin kënaqur.
Asnjëri nga ta nuk u ekstradua në Beograd.
Rasti i arrestimit të sotëm të Ramush Haradinajt nuk është i pari që u ndodh liderëve politikë të Kosovës dhe ish-komandantëve të UÇK-së në Slloveni dhe vende tjera të BE-së. Klan Kosova sjell një kronologji të këtyre arrestimeve, në të cilat ishin prangosur edhe Hashim Thaçi, Fatmir Limaj dhe Agim Çeku.
Ky i fundit, si ish-komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, u pat arrestuar më 22 tetor të vitit 2000 në aeroportin Brnik të Sllovenisë, derisa po e shfrytëzonte këtë port ajror për t’u kthyer në Prishtinë, pasi kishte qëndruar disa ditë me familjen e tij që ndodhet në Kroaci.
Ai u mbajt një ditë, për shkak të fletarrestit të Interpolit, të iniciuar nga Serbia, e që kishte për bazë një vendim të Gjykatës së Qarkut të Nishit, të vitit 2002, sipas të cilit Çeku kërkohej për gjenocid dhe krime kundër policëve dhe civilëve serbë gjatë luftës së Kosovës.
Në Slloveni u arrestua edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Kjo ndodhi më 18 shkurt 2003, në Kranjska Gora. Pas prangosjes në Slloveni, Limaj u transferua në Tribunalin e Hagës.
Ndaj tij ishte ngritur padi më 27 janar 2003 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Arrestime të liderëve e komandantëve të UÇK-së pati edhe në vende tjera.
Kryetari i PDK-së dhe shefi i drejtorisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi ishte ndalur në Hungari më 30 qershor 2003. Ai u lirua pas vetëm pak orëve, pas intervenimit të shpejtë të shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Michael Steiner dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Javier Solana.
Thaçi ishte arrestuar në bazë të një fletarresti të lëshuar nga qeveria jugosllave, sipas të cilit akuzohej për përfshirje në vrasjen e tre policëve, në Drenas, më 1997.
Në arrestime u përfshi edhe Bullgaria. Aktor ishte prapë Agim Çeku.
Ai u ndalua më 24 qershor 2009 në vendkalimin kufirin Gushevo mes Bullgarisë e Maqedonisë. Edhe ky rast kishte për bazë një fletarrest të lëshuar nga Interpoli, sipas kërkesës së Serbisë.
Në fakt, Çeku ishte ndaluar edhe njëherë tjetër, në Budapest, në shkurt të vitit 2004, por ishte liruar shpejt.
Telashe pati edhe kur ndodhej në Kolumbi, në maj 2009, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në kongresin e parë të çarmatimit dhe për të folur për përvojën e UÇK-së.
Mediat serbe patën raportuar se ai u përzu nga ky vend pas kërkesës së Beogradit.
Por, në asnjë rast, Çeku e as të tjerët, nuk u dorëzuan në Serbi.
Vetëm Limaj ishte dërguar në Hagë, ku pas disa viteve, ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat.
Komentet