Dje Sali Berisha u ndje më i liruar se vetë Ardian Fullani, më i ‘pafajshëm’ se vetë Ardian Fullani. Ish Kryeministri festoi lirimin e ish Guvernatorit më shumë se ky i fundit festoi lirimin e vet.
Mekanizmi që i rregullon marrëdhëniet midis të fortëve të Tiranës, në këtë kontekst edhe midis pozitës e opozitës, midis Ramës e Berishës është i thjeshtë në thelb aq sa është i ndërlikuar në dukje.
Gjykatësi Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm Ardian Fullanin, i cili akuzohej si përgjegjës për humbjen pa shenjë e pa gjurmë të 7 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit dhe për shitjen e Hotel Dajtit pa procedura të rregullta.
Artan Gjermeni e liroi Ardian Fullanin. Mbiemri Gjermeni fletë vetë për të kuptuar sa është ai njeriu i Ramës. Ardian Fullani është njeriu i Berishës. I zgjedhur dhe i mbajtur në krye të Bankës Qendrore për vite të tëra.
Ky lirim, kjo pafajësi konfirmon edhe një herë se marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës, në përgjithësi marrëdhëniet midis të fortëve në Tiranë janë marrëdhënie klienteliste, ku ndërsjelltas palë ndërrohet me tjetrën në role.
Prej një viti e sa një ndër objektivat kryesore ku është përqëndruar opozitarizmi i Sali Berishës dhe i Partisë Demokratike është lirimi i Ardian Fullanit, pafajësia e Ardian Fullanit.
Lirimit të Fullanit i janë kushtuar me dhjetëra intervista, po aq konferenca shtypi, me qindra fjalime në Kuvend, më mijëra statuse në rrjetet sociale nga ana e ish kryeministrit, deputetëve dhe zyrtarëve të tij në Partinë Demokratike. Berisha e akuzoi Ramën se ish Guvernatori u burgos dhe u akuzua me urdhër politik, prandaj lirimi i tij i dha fund hakmarrjes politike të Ramës. Në këto akuza ai ka plotësisht të drejtë. Pozita dhe opozita në Shqipëri kanë plotësisht të drejtë në akuzat e tyre ndaj kundërshtarëve politikë. Sepse Berisha e di se Rama bën atë që ai vetë ka bërë kur ishte kryeministër. Rama e di se Berisha bën atë që ai vetë ka bërë kur ishte në opozitë. Asgjë e re, gjithçka e vjetër.
Ish Guvernatori për një vit të tërë është pjesë e fjalorit shantazhues të opozitës ndaj pushtetit.
Marrëdhëniet klienteliste janë marrëdhënie shitjeje dhe blerjeje favoresh të pamerituara. Opozita blen favore që nuk i takojnë për eksponentët e klaneve të saj, qeveria blen opozitarizmin klentelist, që nuk e çan kokën për misionin e saj si opozitë.
Misioni i opozitës është kontrolli i qeverisjes, është mbrojtja e interesave të elktoratit real dhe atij potencial të saj, mbrojtja e qytetarëve ndaj padrejtësive të qeverisjes.
Opozitat në Shqipëri asnjëherë nuk kanë mbrojtur aq përfaqësuar interesat e votuesve të tyre, por vetëm interesa e financuesve të tyre, bashkëfajtorëve të tyre, të bashkëkorruptuarve të tyre, të bashkëinkriminuarve të tyre.
Rasti Fullani konfirmon se marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri vazhdojnë të jenë marrëdhënie klienteliste.
Pra, njëra dorë i jep tjetrës dhe anasjelltas. Njëra dorë nxin tjetrën. Të dyja nxijnë fytyrën. Fytyrën e kanë përbashkët.
Mjerisht nxijnë jo vetëm të veten. Nxijnë edhe fytyrën e popullit të tyre.
Komentet