Pas mbylljes së disa institucioneve që funksiononin nën sistemin e Serbisë në veri të Kosovës, disa pjesëtarë të komunitetit serb shprehin frikën se autoritetet e Kosovës mund t’i mbyllin edhe institucionet arsimore dhe shëndetësore.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sllagjana nga Leposaviqi thotë se serbët në veri janë “nën presion nga të gjitha anët” dhe shpreson të ketë një zgjidhje që do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve të thjeshtë.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të të cilave janë arritur disa marrëveshje, por shumica e tyre nuk zbatohen.
Sllagjana ka një fëmijë që ka filluar klasën e parë në gjuhën serbe dhe për të është e paimagjinueshme që institucionet arsimore të funksionojnë jashtë sistemit serb.
“Ne kemi të drejtën e arsimimit në gjuhën tonë, në shkollën tonë”, thotë ajo.
Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucione, të cilat punojnë nën sistemin e Serbisë, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore.
Për Kosovën, këto institucione janë të paligjshme, ndërsa për pjesëtarët e komunitetit serb “kanë një rëndësi të madhe për mbijetesë”.
Rafaillo dhe Sllagjani nga Leposaviqi thonë se për ta është “i tmerrshëm” vetë mendimi se në periudhën e ardhshme, Qeveria e Kosovës mund të fillojë t’i mbyllë institucionet shëndetësore apo arsimore.
“Njerëzit po flasin [për mbylljen e institucioneve arsimore dhe shëndetësore]. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse diçka e tillë ndodh, do të ishte fundi i fundit”, thotë Rafaillo.
“Ne do të luftojmë që kjo të mos ndodhë, jemi të tronditur nga gjithçka që po ndodh”, thotë Sllagjani.
Rashiq: Duhet të planifikohen opsionet
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, shpreh besimin se këto institucione, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.
“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.
Me marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel në vitin 2013, është rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për ngritjen e komunave dhe të institucioneve të tjera sipas sistemit të Kosovës, si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili do të rregullonte funksionimin e disa institucioneve serbe dhe financimin e tyre.
Përkundër kësaj, Kosova nuk e ka formuar Asociacionin dhe Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë institucionet e saj paralele.
Por, nga fillimi i këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë filluar t’i mbyllin institucionet serbe, me arsyetimin se puna e tyre cenon rendin kushtetues të Kosovës.
Këto veprime janë kritikuar nga komuniteti serb dhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thotë se lëvizjet e tilla “të pakoordinuara” mund t’i rrisin tensionet në terren.
Institucionet e Serbisë që janë mbyllur deri më tani, janë: organet e përkohshme komunale në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec, Dragash, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, pastaj Qarku i Kosovës në Mitrovicë, Fondi për sigurim pensional dhe invalidor në Mitrovicë të Veriut, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Posta e Serbisë në veri të Kosovës dhe banka Kursimorja e Postës.
Kosova ka ndaluar edhe përdorimin e dinarit serb – gjë që e ka vështirësuar edhe më shumë financimin e institucioneve që punojnë në Kosovë nën sistemin serb, përfshirë këtu shëndetësinë dhe arsimin.
A ka zgjidhje?
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për planet e ardhshme, kur bëhet fjalë për të punësuarit në institucionet serbe, dhe nëse është duke shqyrtuar integrimin e tyre në sistemin e Kosovës, por nuk mori përgjigje.
Ministri Rashiq thotë se duhet të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët, as punonjësit.
Ai nuk mund të thotë se cilat janë ato modele, por thekson se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”.
Ai rikujton se Plani i Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit është hartuar Kushtetuta e Kosovës – parashikon formimin e një grupi ekspertësh, që do ta përshtaste kurrikulën për pjesëtarët e komunitetit serb.
Sipas tij, institucionet shëndetësore dhe arsimore serbe duhet të bashkëpunojnë me Kosovën për të gjetur një zgjidhje për funksionimin e tyre.
Rashiq thotë se, mesa di, tash për tash nuk ka një bashkëpunim të tillë.
“Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme”, thotë ai.
Trajkoviq: Arsimi dhe shëndetësia nuk duhet të rrezikohen
Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova me banim në Beograd, thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, pas luftës së vitit 1999, janë themeluar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe se mbyllja e tyre nga autoritetet e Kosovës do të ishte “e paprecedentë”.
Trajkoviq, e cila në periudhën e pasluftës ishte drejtore e Shtëpisë së Shëndetit – nën sistemin e Serbisë – në Graçanicë dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, beson se çdo keqkuptim rreth funksionimit të institucioneve serbe, mund të zgjidhet me negociata.
Ajo thotë se pret që arsimi dhe shëndetësia në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të mos rrezikohen.
“Këto janë institucione të rëndësishme dhe luajnë rol në mbijetesën e serbëve në Kosovë. Në asnjë shoqëri normale nuk mbyllen institucionet që janë në funksion të sigurisë shëndetësore dhe arsimore, të sëmurëve dhe fëmijëve, apo të rinjve në sistemin arsimor”, thotë Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në fillim të shtatorit se në Kosovë funksionojnë ende institucionet më të rëndësishme, përkatësisht shëndetësia dhe arsimi.
Ai ka thënë se është “shumë i trishtuar” për mbylljen e institucioneve të tjera serbe dhe se autoritetet e Kosovës nuk duan paqe.