Ky dokument sekret dërguar në Komitetin Qëndror me 10 gusht 1972, zbërthen thelbin e anës së errët të regjimit komunist, funksionimin e levave të tij përmes spiunimeve dhe luftës së paprinciptë brenda llojit. Në fushën e artit dhe letrave kjo marrëdhënie ishte më e ashpër se kudo. Me mjetet e tyre punonjësit e Sigurimit, vilnin çdo ditë informacione nga tavolinat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Çfarë thonin mes njëri tjetrit, cilat ishin smirat, qejfmbetjet, miqësitë dhe armiqësitë, kush përflitej, kush rebelohej, si e analizonin veprën e seicilit.
Në fushën e letrave në qendër të raportimeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit ishte shkrimtari Ismail Kadare. Në këtë raport të Drejtorisë së Punëve të Brendshme informatat e mbledhura nga bashkëpunëtorët e Sigurimit zbulonin një përplasje të paprecedentë mes Fatos Arapit dhe Ismail Kadaresë. Sipas tyre Fatos Arapi kishte botuar një novelë me titullin “Dikush më buzëqeshte”, ku përflitej se aty në një personazh negativ autori kishte portretizuar Kadarenë. Prej këtu nis një intrigë e gjatë thashethemesh e raportimesh, ku sipas raportit të Sigurimit një klan shkrimtarësh e kritikësh ishin shfaqur hapur në luftë kundër shkrimtarit.
Zjarrin e ka ndezur më tej një artikull i Hamit Beqaj në “Zërin e Popullit”, të cilin kundërshtarët e Kadaresë e cilësonin si një artikull të porositur nga Ramiz Alia pas ankesës që kishte bërë Kadare për novelën e Fatos Arapit.
Me këtë ton dhe ritëm intrigash është i gjithë raporti prej 13 faqesh, ku zbulon thuajse gjithçka mendonin e flisnin kundër njëri-tjetrit në tavolinat e Lidhjes, shkrimtarët dhe artistët shqiptarë.
Si një dokument me përmbajtje mjaft delikate, siç janë shumica e dokumentëve që dilnin nga zyrat e Sigurimit të Shtetit, sot mund të ngjallë edhe reagime të vetkuptueshme. Por publikimi i tij mund të vlejë si dëshmi fortë për shkallën e paprecentë të survejimit të jetës së shkrimtarëve dhe artistëve në vite te regjimit, duke depërtuar në çdo bisedë, a mendim të shfaqur, qoftë edhe mes dy miqve kokë më kokë.
Mund të vlejë si matës i helmimit të ndërgjegjes së njerëzve, tek të cilët përmes levave të tij, regjimi ia dilte të nxiste konflikte, smirë, ego të sëmurë dhe klane të forta, e si rrjedhojë kushte perfekte për t’i mbajtur ata nën frerë e në shërbim të ideologjisë komuniste.
Më poshtë sjellim pjesën e parë të dokumentit.
Dokumenti i plotë, pjesa e parë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 10.08.1972
Nr. 3871
INFORMACION
MBI DISA QËNDRIME NË RADHËT E SHKRIMTARËVE
E ARTISTËVE TË TIRANËS
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
(Drejtorisë së I-rë)
TIRANË


Ashtu siç kemi njoftuar edhe në materialet e mëparshme, në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve ka mjaft diskutime në rrethe të ngushta, konsiderata për punën e Lidhjes dhe shkrimtarëve në përgjithësi, si dhe në disa raste vlerësime dhe qëndrime jo të shëndosha partie. Këto mendime dhe shfaqje shpeshherë janë të lidhura me interesa, me egoizmin profesional, me simpatitë personale, por që në fund të fundit dëmtojnë krijimtarinë letrare-artistike të vendit tonë. Veçanërisht këto kohët e fundit po bëhen komente të ndryshme rreth novelës “Dikush më buzëqeshte” të Fatos Arapit, ku aludohet për shkrimtarin Ismail Kadare dhe rreth artikullit të Hamit Beqos: “Letërsia, arti, mendimi ideoartistik”.
– Në përgjithësi shkrimtarët dhe artistët dënojnë qëndrimin e Fatos Arapit kundrejt Ismail Kadaresë, duke e konsideruar si një poshtërsi. Bile edhe shokët e afërt të Fatosit, siç është p.sh., Anastas Kondo etj., janë indinjuar për sjelljen e tij dhe kanë shfaqur habinë se si është e mundur që të veprohet në atë mënyrë kundrejt një kolegu. Fatosin e konsiderojnë njeri ambicioz dhe të etshëm për lavdi. Tendenca e tij për të luftuar të tjerët, qoftë edhe ata me të cilët dikur ka qenë i afërt, duket edhe në shprehjet e tij të thëna në intimitet Agim Shehut. Ai (Fatosi) është shprehur:
“… Ikën të vjetrit, tashti do të përleshemi me njëri-tjetrin neve të rinjtë, se me ata i qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin…”. nga të dhënat që disponojmë nuk rezulton që Fatos Arapi të ketë pranuar se në novelën e tij bëhet fjalë për Ismail Kadarenë. Përkundrazi flitet se ai me atë personazh ka pasur parasysh Skënder Kamberin – piktor në Vlorë. Burimet tona thonë se kjo novelë është botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, ku shefe e redaksisë është Dhurata Xoxe, gruaja e Jakov Xoxes, i cili nuk shkon mirë me Ismail Kadarenë. Gjithashtu dhe redaktori i novelës Adriatik Kallulli nuk shkon mirë me Ismail Kadarenë.
Prandaj mendohet, – thotë një burim i yni, – se si Dhurata ashtu edhe Adriatiku e kanë kuptuar qëllimin e keq që ka pasur Fatos Arapi dhe me ndërgjegje e kanë lejuar të botohet. Adriatik Kallulli nuk ka pranuar që në kohën e redaktimit të ketë qenë ajo pjesë që aludohet për Ismailin. Edhe Nasho Jorgaqi, i cili e ka lexuar dorëshkrim atë novelë deklaron se nuk ka ekzistuar një përshkrim i tillë. Bile, – thotë Nasho, – kam biseduar edhe me Dalan Shapllon, por edhe ai nuk ka konstatuar gjë. Ndërsa kopja e parë e novelës në fjalë, e cila do të vërtetonte nëse ka qenë qysh në fillim pjesa që aludohet, apo është dorëzuar mbas redaktimit, sipas shokëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk gjendet në redaksinë përkatëse të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe mendohet se është zhdukur qëllimisht.
Por të dhënat flasin se për Ismail Kadarenë dhe krijimtarinë e tij mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, bile flasin ashpër. Adriatik Kallulli është shprehur se “… Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist ka figura shokësh që unë nuk u kam besim të nesërmen…”. Shkrimtari Gjergj Zheji i ka thënë një burimit tonë se në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua) “ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto një thes me të meta”. Për botimet në gjuhë të huaj të romaneve të Ismail Kadaresë ka mendime që lënë të kuptohet se përderisa pëlqehen dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë gabime.
Kështu shkrimtari Fatmir Gjata kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është shprehur: “Borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër”. Kurse Luan Qafzezi ka thënë: “Gabim i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizmit. Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar si ato modernistët”. Nonda Bulka para pak ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni” ka thënë se “… të gjithë po lexojnë novelën e Fatosit. Për mua kot e botoi “Zëri i Popullit” atë artikull. Drama e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka falimentuar qysh në shfaqjen e premierës…”.
Kurse poeti Viktor Qurku, duke diskutuar rreth këtij artikulli, është shprehur se “novela e Fatosit është shumë interesante dhe se kryesorja në këtë vepër nuk është figura e shkrimtarit, apo qëllimi i Fatosit për të diskredituar Ismailin, por Heroina e Popullit Qeriba Deri”. Dionis Bubani, i cili e konsideron Ismailin mendjemadh dhe lekaxhi ka thënë se “një javë para se të botohej artikulli e kam marrë vesh nëpërmjet Naum Priftit se ka ndodhur diçka midis Fatosit e Ismailit, mirëpo kjo nuk është gjë. Ata kanë grindje të vjetra. Ky qorri (herë qorri, herë gjyslyqe i flasin disa) ka shkuar te Ramiz Alia dhe është ankuar, ndërsa shoku Ramiz ka ngarkuar Hamit Beqon që të botonte artikullin. Dhe në fakt i gjithë ai artikull është shkruar vetëm për ato 3-4 rreshta që flet për Fatosin, por këtë nuk e kapin dot mbasi në atë pjesë të shkruar në novelë për të cilën flet Hamiti, nuk del emri i Ismailit, prandaj nuk është gjë ajo punë…”.
Poeti Adem Estrefi thotë: “Unë nuk e kam lexuar “Zërin e Popullit”, por duhet të jetë problemi i një novele që ka shkruar Fatosi, të cilën ia kundërvënë romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë. Romani “Kronikë në gur” është autobiografi e Ismailit. Fatosi pasqyron elementë të autobiografisë së vet në novelë. Me një fjalë thotë se biografia jote është një hiç, se unë kam marrë pjesë edhe në luftë kundër okupatorit kur ti bridhje pas pëllumbave. Kanë pasur fërkime. Unë di një gjë, që Fatosi është njeri i lartë”. Burimi thekson se Agim Gjakova, Adem Estrefi dhe Guri Demiri nuk e pëlqejnë Ismail Kadarenë dhe për atë thonë se është mendjemadh, nuk e shikon me sy letërsinë kosovare dhe nuk shkruan asgjë për Kosovën megjithëse i ka mundësitë”.
Por aty-këtu flitet se dhe Ismail Kadareja i është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se më përpara, Ismaili, duke folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se “Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Ali Abdihoxha etj., janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre, ashtu siç janë edhe në jetën personale”. Pandeli Koçi i ka thënë një burimi se Ismaili, duke folur për romanin “Juga e bardhë” të J. Xoxes, i ka përmendur fjalët se “të gjithë kanë ngelur në faqen 27 të romanit”. Një burim tjetër tregon se kur është diskutuar në Shkodër romani “Dasma”, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se si shkove andej, është përgjigjur se “u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi” etj.
– Nga të dhënat del se ndër shkrimtarë e artistë diskutohet shumë për Kryesinë e Lidhjes dhe veçanërisht organet e saj letrare, për gazetën “Drita”.
Flitet se Kryesia e Lidhjes ka dobësi në punën e saj si dhe anësi. Sulejman Mato më parë ka thënë se “aparati i Lidhjes drejton në mënyrë burokratike dhe se ai lufton elementët e rinj në fushën e letërsisë, prandaj duhen hequr konservatorët dhe të vijnë të tjerë, ata që na vlerësojnë neve”. Disa, si Filip Ndrocaj, Pandeli Koçi, Siri Sulejmani, Rudi Spahiu, Sulejman Mato etj., shfaqin ankesë karshi Lidhjes lidhur me krijimin e mundësive për prodhimtari artistike. Ata thonë se, p.sh., Kiço Blushit, që është dhëndëri i Kryetarit të Lidhjes i japin 3-6 muaj leje krijimtarie, kurse shkrimtarëve të tjerë, sidomos atyre punëtorë, të cilët kanë prodhimtari në vepra letrare të barabarta me të, u jepet më pak leje krijimtarie.
Sipas një burimi, shkrimtari i ri Siri Sulejmani ka shkuar te Kryetari i Lidhjes dhe është ankuar se u bëhet padrejtësi letrare punëtorëve, duke thënë: “Ne që punojmë në fronte të vështira me turne 8 orë të plota, me plan e me norma, na jepni nga një muaj leje, kurse atyre që kanë kushte pune të lehta, që kanë orar të reduktuar u jepni 3, 4-6 muaj leje çdo vit…”. Letrari tjetër i ri Myrteza Kasa thotë se ka biseduar me sekretarin e Lidhjes Vilson Kilicën në emër të shkrimtarëve punëtorë, se i ka thënë Vilsonit se ne na quajnë “me nder punëtorë”, fjalë që ka përdorur dikush në redaksinë e revistën “Nëntori”. Një burim thekson se ndër skulptorë e piktorë ka një farë pakënaqësie, sepse ngarkohen me vepra monumentale vetëm K. Rama, M. Dhrami e Sh. Haderi, sikur në Shqipëri s’ka të tjerë ndërsa Lidhja nuk është përpjekur për të tjerët. Kompozitori Abdulla Grimci thotë se nuk i bëhet të punojë, mbasi ndaj tij është mbajtur qëndrim nënvleftësues dhe për punën e tij s’ka interesim.
Nga disa piktorë e skulptorë si Janaq Paço, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Qamil Prizreni, Nexhmedin Zajmi etj., del prej burimeve tona – është mendimi se ekziston një ambient rreth Vilson Kilicës. Flitet se kur Vilsoni ishte Drejtor i Institutit të Arteve, tërhoqi atje Ksenofon Dilon, Danish Juknurin etj. Mbas ardhjes në Kryesinë e Lidhjes, vazhdon të përkrahë ata, p.sh. Ksenofonin e Danishin i çoi në Francë. Ambienti i tij (taraf siç i thonë ata) janë të dështuar në punën e tyre, bile kanë ngrënë dajak për izmat dhe u janë rrëzuar punimet, megjithatë përkrahen. “Kur unë i thashë Sandër Banushit, – thotë burimi, – tani me rastin e zgjedhjes si sekretar i Lidhjes të Ksenofon Dilos se ai është orator i mirë, ai (Sandri) më përsëriti disa herë se është demagog i mirë, është njeri i tarafeve, është njeri që përfaqëson izmat”.
Për redaksitë e organeve letrare-artistike të Lidhjes, ka gjithashtu ankesa. Është mjaft i përhapur mendimi se pranimi për botim i një tregimi, novele e poezie në organet e shtypit të Lidhjes sidomos “Drita”, varet shumë nga redaktori dhe shija e tij. po nuk i pëlqen mendimi apo kritika për “X” vepër redaktorit Vasil Mallo, – thonë Filip Ndocaj apo Fatos Arapi, – natyrisht nuk mund të botohet. Sidomos disa letrarë të rinj ankohen se “gazetat nuk na botojnë gjë, se duhet të jesh firmë e madhe ose duhet futur vitamina “m”. Në të tilla raste – flitet, e pësojnë të rinjtë, sepse këtyre mund t’u refuzohen më lehtë shkrimet, mbasi ata janë akoma të pa afirmuar dhe si të tillë i riu nuk e bën problem, përkundrazi një firmë e njohur i detyron që shkrimin e tij ta shikojnë me vëmendje dhe deri në kolegjium.
Ka mendime se redaksitë e redaktorët mbajnë një qëndrim të paracaktuar ndaj një vepre, duke e lavdëruar deri në fund ose kritikuar. Si shembull marrin Ismail Kadarenë, veprat e të cilit lavdërohen dhe s’pranohet kritikë, kurse për Ali Abdihoxhën u botuan artikuj kritikë që nuk u pranuan artikuj mbrojtës. Prandaj, thonë disa se “e kemi derën të mbyllur”. Klara Kodra ka thënë se “kam përgatitur një artikull kritik për “Kështjellën” e I. Kadaresë, por nuk e pranuan për botim, kurse Koço Bihiku ka shkruar kritikë mbrojtëse për “Gardën krutane” por nuk e botuan.
Një burim thekson se “si vetë Fatos Arapit, ashtu dhe disa të tjerëve u duket se, ndërsa Fatosit i vihen në dukje edhe të meta të vogla, në të kundërtën Ismailit nuk i vihet në dukje asnjë e metë dhe se gjithçka atij i pranohet, pra Fatosi me shokë mendojnë se fetishizohet personi i Ismailit”. Një burim tjetër njoftoi se “Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dalan Shapllo, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli etj. (ndër këta përfshihet dhe vetë burimi), nuk janë të kënaqur që krijimtaria e I. Kadaresë vetëm lavdërohet dhe asnjëherë nuk vihen në dukje anët e tij të dobëta, apo kufizimet ideoestetike. Kjo gjë, – thonë ata, – rrit ambicien, dëmton në radhë të parë vetë atë, por edhe letërsinë tonë”.
Gjithashtu qarkullon edhe një mendim tjetër që ka të bëjë
7. me opinionin që kanë lart në udhëheqje për “X” shkrimtar apo veprën e tij. Për rrjedhim, – thotë një burim i yni, – redaktorët e redaksisë, në përcaktimin e vlerës së ndonjë vepre letrare, shikojnë edhe mendimin që kanë lart. P.sh., thuhet se një nga udhëheqësit ka lavdëruar romanin “Kronikë në gur” dhe kjo konsideratë përhapet në masë dhe pastaj të tjerët heshtin. Një gjë e tillë thuhet dhe për artikullin e Pipi Mitrojorgjit mbi “Dasmën”, për të cilin burimi thotë se të tjerët shprehen se është artikull direktiv dhe për pasojë në rast se flitet kundër këtij vlerësimi konkret, atëherë mendohet se je ngritur kundër direktivës ose pozitës së paracaktuar dhe kjo e mbyll dhe debatin.
Por është për të përmendur se shumë flitet edhe në adresë të kryeredaktorit të gazetës “Drita”, duke e quajtur të pazot dhe pengesë për letërsinë tonë. Fatos Arapi thotë se “Ibrahim Uruçi nuk ka aftësi të kuptojë letërsinë”; Dritëro Agolli e ka karakterizuar Ibrahimin si “një plis në derën e letërsisë, një plis i zi”; Sandër Banushi, – tregon një burim, – ka thënë se “mbaroi epopeja e Ibrahim Uruçit, i cili nuk është as gazetar, as dramaturg, as poet e as letrar dhe si i tillë nuk mund të kuptohet pse të jetë kryeredaktor, veçse ngaqë është sekretar i organizatës së Partisë të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Gazetën ai e ka bërë pronë të tij dhe mund të botohen vetëm çfarë do ai dhe shokët e tij. Për këtë ka ngrënë dajak në KQ”. Edhe Selman Kasapi ka thënë se “mbaroi Ibrahim Uruçi, ai ka qenë gjithmonë nul dhe atë tani do ta shkartisin në ndonjë vend”. Një burim tjetër thotë se Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dalan Shapllo etj., para mbledhjes së korrikut 1972 në KQ, “shfaqin një gëzim të madh për heqjen e Ibrahim Uruçit fare nga Lidhja dhe gazeta. Bile një largim i tillë duhej bërë me ceremoni e demaskim.
Komentet