Sot për herë të parë, ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plotë një dokument me siglën “Tepër sekret” të Ministrisë të Punëve të Brendshme, të përpiluar nga vetë ministri i asaj kohe, Hekuran Isai, në nëntorin e vitit 1990. Ky dokument, për të cilin thuhet se ka qenë nga më sekretët e gjithë periudhës së regjimit komunist, madje duke iu mbajtur i tillë edhe vetë Enver Hoxhës, iu dërgua në formën e një procesverbali, Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Ramiz Alisë, në një mbledhje që ky i fundit do të zhvillonte me Byronë Politike në selinë e Komitetit Qendror. Në atë mbledhje të thirrur me shumë urgjencë, si pikë kryesore ishte çështja e arratisjeve të shumta që kishin filluar në mënyrë masive pak muaj pas hapjes së ambasadave, gjë e cila po trondiste së tepërmi themelet e regjimit komunist 46-vjeçar. Korriku i vitit 1990, do të rezultonte tejet alarmant për sa i përket aspektit të ekzistencës së regjimit komunist shqiptar, pasi me mijëra qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm, të ndikuar nga lëvizjet e njëpasnjëshme demokratike në shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore për shembjen e komunizmit, do të ndërmerrnin një veprim tejet të guximshëm dhe shpresëdhënës për atë periudhë, hyrjen në bllokun e ambasadave kryesisht të vendeve perëndimore të akredituara në Tiranë. Hyrja e papritur e turmave të njerëzve në muret rrethuese të ambasadave të ndryshme, do të ishte, pa dyshim, një shenjë e qartë se Tirana zyrtare po kapitullonte përballë një gjendjeje dëshpëruese ekonomike dhe sociale që kishte arritur kulmin në fundin e viteve ’80. Dokumenti në fjalë i Hekuran Isait dërguar Ramiz Alisë, do të diskutohej gjerësisht në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 20 nëntor 1990, madje edhe me prezencën e Nexhmije Hoxhës, gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë. Pjesëmarrja e Nexhmije Hoxhës në atë mbledhje, në një farë mënyre ishte një shenjë presioni ndaj udhëheqjes së lartë dhe vetë Ramiz iz Alisë, të cilëve po u rrëshqiste pushteti nga duart. Në këtë kontekst, pra si një kundërvënie ndaj Nexhmije Hoxhës, apo më saktë një shfajësim për atë që po ndodhte, pra arratisjet masive, Ramiz Alia, i këshilluar nga Hekuran Isai, detyrohej të paraqiste për herë të parw para Byrosë Politike atë dokument, ku thuhej qarë se që nga viti 1944 e deri në fundin e vitit 1989, nga Shqipëria ishin arratisur plot 13.692 persona. Thuhet se kjo shifër u ra si bombë të gjithë anëtarëve të Byrosë, dhe dokumenti kaloi dorë më dorë prej tyre, të cilët e shikonin me habi duke shfaqur shenja mosbesimi. Kjo, jo vetëm për faktin se deri në atë kohë nga propaganda zyrtare thuhej me të madhe se kufijtë e Shqipërisë ishin të paprekshëm, por edhe pasi ai dokument u nxirrej për herë të parw. Pra, me kwtë telegram, Ramiz Alia i thoshte hapur Nexhmijes se, arratisjet nga vendi nuk i kishte ndaluar dot as Enver Hoxha… Në këtë kontekst të rrjedhës së ngjarjeve, Byroja Politike do të detyrohej që të ndërmerrte disa hapa për të qetësuar dhe normalizuar gjendjen në vend, veprime që në fund të fundit nuk do ta ndalonin rënien e pashmangshme të këtij regjimi. Në këtë mbledhje urgjente, nga ai dokument tronditës, për herë të parë dalin në dritë statistikat dhe shifrat reale tronditëse të vrasjeve dhe plagosjeve në kufi nga ushtarët e reparteve kufitare të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu, po për herë të parë, në këtë diskutim Ramiz Alia detyrohet të pranojë edhe numrin e madh të personave të arratisur për 46 vite nga territori shqiptar drejt vendeve fqinje, për t’u katapultuar më pas drejt Perëndimit. Shifra zyrtare, tepër sekrete këto, të papublikuara kurrë më parë deri në nëntorin e vitit 1990, kur tashmë kishte nisur edhe shembja përfundimtare e sistemit komunist në vend. Por një tjetër lëvizje e dëshpëruar e qeverisë komuniste të kohës do të ishte diskutimi për shpalljen e një amnistie, për të “falur” të gjithë ata persona të cilët ishin arratisur nga Shqipëria ose larguar me ambasadat e huaja për në Europën Perëndimore ose SHBA. Kjo, me synimin për frenuar sadopak arratisjet e tjera në Shqipëri në mënyrë që ajo të mos kthehej në epidemi. Por të gjitha këto “reforma”, me të cilat regjimi i kohës do të shpresonte për ta zgjatur sadopak ekzistencën e vet, do të shfuqizoheshin përfundimisht vetëm një muaj më pas, me daljen në skenë të studentëve në dhjetorin e atij viti, të cilët nëpërmjet demonstratave të fuqishme masive do të përshpejtonin edhe shpalljen e sistemit pluralist në Shqipëri dhe rënien e atij unipartiak komunist, në 20 shkurt të vitit 1991. Shoku Ramiz Mendoj që materiali, për vetë rëndësinë e problemeve që trajton, të diskutohet në një nga mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Me respekt Hekuran Isai Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme. Drejtoria I. Nr. 10905 Sekret Ekzemplar nr 1. Tiranë, më 20.11.1990 Lënda: Për të arratisurit dhe refugjatët. Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së,
Shokut Ramiz Alia.
Tiranë Gjatë 46 viteve, janë larguar nga vendi ynë, në rrugën e arratisjes dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit, individualisht, dhe së bashku me pjesëtarë të familjeve, 13.692 persona, prej të cilëve 988 kanë vdekur. Përveç tyre, u larguan nëpërmjet ambasadave të huaja në Tiranë 4.785 persona, ndërsa kanë ikur me pasaportë si vizitorë (individualisht ose me familje) dhe s’janë kthyer më akoma, rreth 800 persona. Duke u nisur nga dukuritë e reja që kanë lindur në situatën e sotme, të cilat në të ardhmen do të marrin përmasa më të gjera politiko-shoqërore, mendojmë ta shohim problemin nga aspekte e këndvështrime shumëdimensionale. Dokumenti i Isait për Alinë: Në emigracion merren me veprimtari armiqësore 1.510 vetë, prej të cilëve 300 janë kriminelë 1- Mbi gjendjen e elementit të arratisur Deri në vitin 1959, janë arratisur 7.211 persona dhe me amnistinë e shpallur me Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 3005, datë 23.11.1959, përfitojnë 7.003 persona, kurse 208 kriminelë lufte nuk përfitojnë (tani janë 104 persona, të tjerët kanë vdekur). Nga dalja e dekretit, deri në 31 tetor 1990 kanë kryer kalimin e paligjshëm të kufirit rreth 2.009 persona. Gjatë periudhës 45-vjeçare janë riatdhesuar 60 persona dhe iu është hequr cilësimi si të arratisur 190 vetëve. Janë regjistruar dhe evidentuar gjithashtu gra të të arratisurve me kombësi shqiptare apo të huaj 1.000 si dhe fëmijë të lindur jashtë shtetit me prindër të arratisur 3.500 vetë (statistikat janë me mangësi). Nga evidencat rezulton se janë marrë e po merren me veprimtari armiqësore 1.510 persona, prej të cilëve 300 janë kriminelë që nuk përfitojnë nga amnistia, krerë të organizatave e grupeve të emigracionit reaksionar, pjesëmarrës në demonstrata e provokacione ndaj vendit tonë e përfaqësive tona jashtë shtetit, kurse rreth 760 persona janë përgatitur në shkolla e kurse spiunazhi dhe kanë vepruar si diversantë. II- Mbi refugjatët e larguar në vitin 1990 Në këtë kategori përfshijmë: A – Shtetasit shqiptarë që hynë në ambasadat e huaja në 2 korrik 1990, të cilët u pajisën me pasaportë dhe u larguan nga vendi ynë; janë rreth 4.785 persona. B- Personat e pajisur me vizë, por që kanë qëndruar në shtetet ku kanë shkuar duke kërkuar strehim politik. Numri i tyre është i pasaktë, megjithëse afërsisht e kanë kaluar tremuajshin rreth 800 persona. Në këtë grup hyjnë disa kategori: Persona që kanë shkuar si vizitorë dhe nuk kanë respektuar afatin e vizës. Persona që kanë shkuar familjarisht me pasaporta dhe nuk janë kthyer më. Persona që kanë shkuar si vizitorë dhe kanë kërkuar strehim politik. Persona që kanë grisur pasaportat dhe janë paraqitur si emigrantë politikë. Pjesa dërrmuese e personave të këtij grupi rrjedhin nga familje me qëndrim të mirë politik. Mbledhja e Byrosë Politike: Personat që janë arratisur dhe që kanë hyrë në ambasada, kanë krijuar problem të karakterit politik
II- Problemet që kanë lindur me këto kontingjente Jo të gjithë personat e arratisur kanë pasur motive politike kur kanë ndërmarrë aktin e braktisjes së atdheut. Rreth 7.000 prej tyre janë falur me dekretin e vitit 1959. Sipas Kodit Penal, ndaj tyre vepron Instituti i Parashkrimit. Një pjesë e tyre ka mbajtur qëndrim indiferent, dashamirës apo pozitiv. Në këtë aspekt ka ndikuar edhe qëndrimi i lidhjeve të tyre në vendin tonë, por sidomos qëndrimi i fuqishëm i atdheut. Amnistia e vitit 1959, ishte një akt politik me rrjedhoja pozitive, por ai nuk shënoi rehabilitimin e tyre, pasi kondicionohej me riatdhesimin. Kjo kategori personash ka të drejtë të kthehet në atdhe mbështetur në Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ndërsa për ardhjen e tyre si vizitorë, meqenëse është e papërcaktuar ligjërisht, është mbajtur qëndrim i prerë – jo me disa përjashtime. Sot kemi kërkesa të dyanshme për vizita të ndërsjella. Kur kemi bërë miratime të veçanta, janë shoqëruar me shqetësime e reagime në emigracion me dy kahje: A- Pse disa lejohen dhe të tjerë jo? B- Pse lejohen të arratisurit të vijnë në vendin tonë? Një çështje tjetër është, nëse do të mbajnë lidhje këta persona me atdheun dhe me përfaqësitë tona jashtë, si qytetarë me prejardhje shqiptare ose si nënshtetas shqiptarë. Deri tani kjo ka qenë fakultative dhe tepër e diferencuar. Prandaj mendojmë që, për sot e në të ardhmen, duhet ta kthejmë këtë forcë në favor të atdheut. 2- Personat e larguar nëpërmjet ambasadave apo ata që kanë shkuar vizitorë dhe kanë kërkuar statusin e refugjatit, kanë krijuar dukuri e probleme të reja të karakterit politik. Edhe kjo kategori ka të drejtë të kthehet në atdhe, ndërsa, do të merren ose jo në përgjegjësi penale është e papërcaktuar. Ka prej tyre që vijnë me iniciativë në atdhe, ka kërkesa për bashkimin e familjeve, për komunikim të dyanshëm. Për të gjitha këto nuk ka asnjë akt ose interpretim ligjor. Megjithatë duhet të dilet me një qëndrim e veprim unik ligjor, pa kaluar as në sektarizëm, as në liberalizëm. 4- Disa propozime 1- Të riatdhesohet amnistia e vitit 1959, e cila mund të shtrihet deri në vitin 1988 ose 1989, me qëllim që të mos konsiderohet më një akt formal, nëse do të bëhet për ata persona që përfitojnë si rezultat i Institutit të Parashkrimit. Amnistia të mos përfshijë personat që nuk përfitojnë nga dekreti i vitit 1959, si dhe të tjerë me veprimtari dhe rrezikshmëri, apo të njohur në opinionin atdhetar si antishqiptarë. Personat që do të përfitojnë ose jo, mendojmë t’i nënshtrohen një studimi të plotë në shkallë fshati, lagjeje dhe rrethi. Sidoqoftë, përcaktimi se cilët persona do të amnistohen dhe të ç’periudhe do të jenë, duhet parë mirë e me kujdes. Dokumenti i Isait: Të krijohen regjistri dhe një grup parlamentar për shqiptarët jashtë atdheut Amnistia do të krijonte një klimë neutralizuese në mënyrë të dyanshme. Për shpalljen e amnistisë mund të shfrytëzohej 11 janari ose 24 maji 1991. 2- Për refugjatët, fillimisht duhet të dilet me akte ligjore, si do të konsiderohen e trajtohen, përfshi këtu edhe personat që tentojnë e do të tentojnë të hyjnë në ambasadat e huaja. Ky kontingjent të trajtohet i veçantë nga të arratisurit. 3- Në botë jetojnë miliona shqiptarë. Pjesa dërrmuese e tyre janë atdhetarë dhe një forcë e madhe që kërkon një punë edhe më të kujdesshme e të institucionalizuar. Së pari, të krijohet regjistri (Amza) për shqiptarët jashtë atdheut. Të punohet që të ruajnë shtetësinë shqiptare më shumë persona. Për këtë, dekret të veçantë, deri në pajisjen me pasaportë shqiptare, çka u krijon edhe lehtësi. Së dyti, të krijohet Komiteti Për Shqiptarët Jashtë Atdheut, një organizëm i veçantë dhe tepër i nevojshëm sot.
Së treti, të ketë një grup deputetësh në Kuvendin Popullor (grup parlamentar), që do të merren me shqiptarët jashtë atdheut dhe me të drejtat e tyre. Ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai Lidhje 2 II – Mbi refugjatët e larguar gjatë vitit 1990 Disa nga treguesit statistikorë të kësaj kategorie janë: Sipas rretheve: Tirana-3905 persona, Berati-16, Durrësi-455, Elbasani-43, Erseka-3, Fieri-40, Gjirokastra-6, Korça-16, Kruja-49, Kukësi-7, Lezha-9, Librazhdi- 1, Lushnja-35, Burreli-3, Mirdita-1, Peshkopia-14, Përmeti- 2, Pogradeci-2, Saranda-5, Skrapari- 2, Shkodra-139, Tepelena-2, Tropoja-3, Vlora-27. Sipas ambasadave ku u strehuan: Në ambasadën e RFGJ-së-3172 persona, të Italisë-809, të Francës- 547, të Greqisë-29, të Turqisë-73, të Hungarisë-40, të Çekosllovakisë- 51, të Jugosllavisë-6, të Egjiptit-6, të Bullgarisë-5, të Polonisë-52. Sipas gjendjes shoqërore: 1.509 të rinj, nxënës të shkollave 8- vjeçare e të mesme. 59 studentë: me arsim të lartë, 2.013 me arsim të mesëm, 1.974 me arsim 8-vjeçar (të tjerët fëmijë). 230 nëpunës, 2.296 punëtorë: 4477 nga qyteti dhe 308 nga fshati. Nga numri i përgjithshëm, 750 vetë kanë qenë të pazënë në punë. 695 të dënuar: 419 nga një herë, 128 nga dy herë, 148 nga tri deri në tetë herë. Në evidencat e organeve tona kanë qenë 855 persona.
Komentet