Sapo Ignazio Cassis, Këshilltari Federal dhe Nr.1 i Politikës të Jashtme të Konfederatës Helvetike la aeroportin Nënë Tereza të Tiranës pas një vizite zyrtare të suksesëshme për kremtimin “live” të 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Shqipërisë, pasi sot për shkak të pandemisë një pjesë e mirë e takimeve bilateriale apo konferencave ndërkombëtare bëhen me video, Parlamenti i Shqipërisë miratoi kërkesën e mazhorancës dmth të Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor, që do të hetojë raportin e senatorit zviceran Dick Marty.
Shprehur troç, dora vetë kryeministri i Shqipërisë, përmes shërbëtorit të tij të bindur Taulant Balla, vuri në lëvizje një nga instumentat e omnipushtetit të tij, sikur është Parlamenti i Shqipërisë, që drejtohet nga “mentori”dhe “bodyguardi” i tij Gramoz Ruçi, ish Ministri i Brendshëm i kohës së diktaturës.
Prej kur opozita është larguar nga Kuvendi i Shqipërisë, de facto e de jure Shqipëria është nën qeverisjen e një njeriu të vetëm.
Raporti i Dick Marty-t u rikthye temë e ditës pas arrestimit nga Gjykata Speciale e ish-zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës nën akuzën për krime kundër njerëzimit.
Kryeministri i Shqipërisë, me profesion mësues vizatimi, që kur u përfol se Hashim Thaçin me shokë i priste Gjykata Speciale, ka instrumentalizuar një fushatë kundër këtij institucioni me pretendimin se “kjo gjykatë është ngritur kundër luftës të drejtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së”. Paralelisht edhe nëpër televizionet shqipfolëse propagandohet e njëjta gjë sikur Gjykata Speciale është kundër UÇK-së.
Kryeministri Edi Rama po pērdor edhe Parlamentin e Shqipërisë për “të hetuar raportin hetues të Dick Marty-it”.
Fillimisht në 2011 kur doli në dritë, raporti i Dick Marty-t krijoi hutim. Edhe autorja e këtij shkrimi iu kundërvu Senatorit zviceran për faktin se asaj kohe në raport për shkak të kufizimit të hetimit përmendeshin vetëm viktimat serbe dhe askund vrasja nga makineria kriminale Milosheviçit e civilëve shqiptarë.
Por Shqipëria dhe Kosova do të duhej ta merrnin seriozisht Raportin e Dick Marty-t, për faktin se asnjëherë institucionet e drejtësisë nën ndikimin e politikës së inkriminuar nuk kanë hetuar mbi vrasjet e shqiptarëve të ndodhura prej 1998 në territorin e Republikës të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Nëse “Shtëpia e Verdhë” në një fshat të humbur ngjante si fantazi për triller, po vrasjet ?
Kush e vrau ish Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin në mes të Tiranës në shtatorin e 1998? Kush e vrau Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn? Po vrasjet në kufi kush i ekzekutoi? Po vrasjet e ish Komandantëve në Kosovë, po të kundërshtarëve politikë të krahut të luftës, po të gazetarëve?
Duke kërkuar hetim mbi Raportin e Dick Marty-t, Edi Rama instrumentalizon Parlamentin e Shqipërisë për të krijuar mjergull, ndërkohë kur i gjithë sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i paralizuar.
Raporti i Dick Marty-t daton janarin e vitit 2011. Po të funksiononte, drejtësia në Shqipëri e Kosovë me ndihmën dhe asistencën e institucioneve të drejtësisë kishin patur boll kohë për ta zbardhur të vërtetë. Gjë që nuk e kanë bërë. Veç janë marrë me anatemimin e Dick Marty-t.
Tani një dekadë pas i rikthehen prapë senatorit nga Tiçino.
Në krah të Edi Ramës është vënë edhe Behxhet Pacolli, i cili disa ditë më parë se Parlamenti i Shqipërisë të miratonte Komisionin e Posaçëm hetimor i ishte drejtuar nëpërmjet një letre kryeministrit të Shqipërisë ku i kërkonte që ky “të drejtojë një përpjekje të gjerë kombëtare për të kundërshtuar në mënyrë diplomatike raportin Dick Marty”. Edhe Behxhet Pacolli i bie të njëjtës buri. Ai shkruan në rrjetin social se, sipas tij, “Raporti Dick Marty ishte rezultat i një dezinformimi dhe fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në.”
Kush nuk e njeh biznezmenin multimilionar të përfshirë me një parti shumë të vogël tashmë në politikën e Kosovës merr plot info nga shtypi zviceran ku mëson se Behxhet Pacolli ka patur marrëdhënie shumë të mira si me Serbinë, ashtu edhe me Rusinë dhe ish republikat sovjetike. Shtypi zviceran kujton se Pacolli gjatë konfliktit Kosovë – Serbi, ka negociuar deri tek kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviçi. Po ashtu shtypi zviceran përmend akuzën e ngritur për pastrim parash më 1999 kundër Pacollit nga ish kryeprokurorja e Zvicrës Carla del Ponte. Në akuzë thuhej se Pacolli u kishte dhuruar karta krediti milionëshe vajzave të presidentit të atëhershëm të Rusisë Boris Yeltsin në këmbim të kontratave miliarda dollarëshe. Por në 2001 Prokuroria Federale e Konfederatës e arkivoi çështje “Rusiagate”, kështu quhej, për shkak se hetuesit zviceranë u bllokuan nga pala ruse. Shtypi zviceran shkruan se dosja Rusiagate u mbyll, por Pacolli nuk e heq dot prej qafës imazhin e keq.
Sa për senatorin Dick Marty, ai njihet si paladini i drejtësisë. Kush jeton në Zvicër e ka parë këto kohë kudo fotografinë e një vajze të vogël peruane nën tekstin “Ujë i ndotur” “Fëmijë e helmuar”, i përdorur si poster sensibilizues për inisiativën “biznes i përgjegjshëm” që votohet sot më 29 nëntor. Pikërisht, senatori Dicky Marty është bashkëkryetar i komitetit nismëtar të kësaj inisiative ku propozohet të shtohet një nen në Kushtetutën e Konfederatës i cili i detyron shumëkombëshet zvicerane dhe të huaja me seli në Zvicër dhe ato të kontrolluara prej tyre jashtë Zvicrës, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe standartet mjedisore. Është një inisiativë që merr në mbrojtje popullësitë e varfëra të vendeve në Amerikën e Jugut, Afrikë etj, cilat nuk kanë mundësi financiare të kërkojnë mbrojtje përballë shumëkombësheve tejet të fuqishme.
Dick Marty i laureuar si jurist u emërua në vitin 1975 në moshën 30 vjeçare prokuror i Kantonit të Tiçinos, ku u dallua në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës. Prej 1995 u zgjodh senator në Këshillin e Shteteve të Konfederatës si dhe në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Më 2005 është caktuar nga Këshilli i Europës të hetojë mbi dyshime rreth burgjeve sekrete të CIA-s në Europë, ndërsa më 2011, po në Këshillin e Europës, paraqiti raportin për trafikim organesh të të burgosurve serbë të vrarë nga njerëz të UÇK-së. Prej 1996 deri më 2007 ka qënë president i Turizmit Zvicër, i Fondacionit Zvicra e Skautizmi etj. Pra emri i Dick Martyt është një emër shumë emblematik në Zvicër.
Komuniteti shqiptar në Zvicër e ka patur gjithmonë këtu senatorin Dick Marty për të ndërtuar një komunikim korrekt, profesional dhe miqësor. Por mjerisht ky komunitet prej vdekjes të Rugovës dhe sidomos pas hypjes në pushtet të Hashim Thaçit me shokë, të gjithë ish emigrantë politikë të strehuar në Zvicër, është përçarë dhe përdorur si eskortë si nga kryepolitikanët e Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë.
Në intervistën që i kam marrë senatorit Dick Marty në Këshillin e Europës në janarin e 2011, pikërisht kur ky raport sapo doli, ai ishte shumë i qartë në pozicionin e tij në mbrojtje të drejtësisë dhe të etikës. Sot duket se janë të rrallë personalitetet si ai. Megjithëse pyetjet e mia ishin një lloj Hard Talk, ( po të ishte intervista sot do të isha më pak emotive dhe më shumë racionale) Dick Marty tha se “shqiptarët nuk janë të mirinformuar rreth raportit, ata që më shkruajnë, kur unë i sqaroj, më kërkojnë ndjesë”.
Në këtë intervistë senatori Dick Marty sqaroi se “Kryeprokurorja e Hagës Carla del Ponte ka deklaruar se Shqipëria nuk ishte dakord për të vazhduar hetimet, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës nuk kishte kompetenca për territoret që nuk i përkisnin atyre të ish-Jugosllavisë, dhe se faktet lidheshin me periudhën pas konfliktit. Zonja Del Ponte ishte shokuar për faktin se askush nuk ishte i interesuar rreth këtyre të dhënave, që kishin të bënin me trafikimin e organeve.”
Në fund të intervistës Dick Marty tha: “Unë besoj se Shqipëria, qeveria shqiptare, shoqëria shqiptare do të kishte interes që të bënte të pamundurën për të zbuluar të vërtetën, për faktin se nëse në territorin shqiptar kanë ndodhur krime, kjo nuk do të thotë se ky është një krim i popullit shqiptar, është një krim i shoqërisë shqiptare. Në Zvicër ndodhin çdo ditë krime, por nga kjo nuk do të thotë aspak që shoqëria zvicerane është kriminale. Besoj se duhet të dilet nga kjo gjendje mendore, sipas të cilës kjo është një fyerje kundër vendit, kundër Shqipërisë.”
Mjerisht paranoja që vuri në dukje Dick Marty në atë intervistë pothuaj një dekadë më parë vijon, në përmasa më drastike, sepse njē dekadë më vonë trushplarja e udhëhequr nga kryekasta politike shqiptare në Kosovë e Shqipëri vazhdon bashkë me mediat që ata kanë nën urdhëra e nën kontroll.
Ndërkohë askush nuk i ka ndalur shqiptarët e Kosovës, por nuk e kanë bërë, të sensibilizojnë botën mbarë për krimet kundër njerëzimit të ekzekutuara nga makineria kriminale serbe. Askush, veç politikanët e korruptuar, e ka penguar shtetin e Kosovës, të ndërtojë një Yad Vashem kosovar. Amnezinë kombëtare e ka ushqyer Hashim Thaçi me tipa si Baton Haxhiu duke ua mbajtur iso Edi Rama, duke kërkuar deri amnesti të krimeve serbe.
Prej 1998 tek Raporti i Dick Marty-it në janarin e 2011 e deri sot 2020, drejtësia nuk ka funksionuar as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe krimet kanë mbetur të pazbardhura. Kjo bëri që Perëndimi t’i kërkojë Parlamentit të Kosovës të votojë Gjykatën Speciale me seli në Hagë, që para pak kohësh ka çuar përpara drejtësisë eksponentët më të lartë të shtetit të Kosovës.
Asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë gjykatësin, por asnjëri prej nesh nuk mund t’ia ndalojë, pengojë apo shtrëmbërojë rrugën drejtësisë, sikur ka vepruar para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke inicuar hetime parlamentare ndaj Raportit të Senatorit Dick Marty!
Senatori Dick Marty ka një sentencë proverbiale që thotë: “Kërkohet kohë që drejtësia të vihet në vend, por unë jam optimist”.
U deshën mbi 20 vjet që drejtësia në Kosovë e Shqipëri të ishte robinjë e politikës, por po të pyesësh sot të afërmit e viktimave, ata janë optimistë dhe besojnë tek Gjykata Speciale.
I bëj thirrje Edi Ramës dhe gjithë atyre që dalin nëpër televizionet e Tiranës e Prishtinës kundër Gjykatës Speciale, të heqin dorë më në fund nga avokatura e djallit, të mos pengojnë drejtësinë e të mos i manipulojnë turmat sepse me veprimet e tyre, sikur ky i fundit për hetim ndaj hetimit të Raportit Dick Marty, kanë vetëm një funksion: janë autodiskretituese. Për Edi Ramën & Company…
Komentet