Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet i arrestuar në Francë, pritet të lirohet sot.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, Haradinaj pritet te lirohet sot rreth orës 13:00 nga ndalimi që i është bërë nga autoritetet franceze.
Ai ka thënë se Haradinaj është duke u mbajtur në një stacion policor.
“Lirimi i Haradinajt pritet të ndodhë sot rreth orës 13:00″, tha Lekaj.
Sipas tij, Haradinaj ka qenë duke udhëtuar me familje kur u arrestua.
“Për ne është e papranueshme që një lider i partisë, luftëtar i lirisë, të ketë kaq shumë probleme”, ka thënë Lekaj në KTV.
Edhe agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj pritet të lirohet.
Sipas agjencisë së lajmeve, lideri opozitar pritet që të enjten në mëngjes të paraqitet para organeve të drejtësisë në Francë ku edhe do të shikohet nëse Haradinaj akuzohet për çështje të njëjta për të cilat është shpallur i pafajshëm në Tribunalin e Hagës.
“Burime tona raportojnë se Franca do të refuzojë kërkesën për ekstradim të Haradinajt, sidomos për faktin nëse është ndjekur për arsye politike”, shkruan Reuters.
Haradinaj ishte duke udhëtuar me pasaportë diplomatike kur ai u ndalua nga autoritetet franceze.
Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në Slloveni dhe ishte liruar vetëm dy ditë pas arrestimit, pas presionit të madh diplomatik.
Komentet