I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, një ditë pas statusit të çuditshëm që bëri i pari i shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se e ka të vështirë ta komentojë atë status, për arsye ka kohë që nuk është takuar me të, raporton Express.
“Shumë vështirë e kam me komentu atë që ka paralajmëruar presidenti, ne kemi kohë që ne nuk jemi takuar po se di për çka ka menduar konkret. Ne po punojmë në materien e një marrëveshje. Po bëjmë çdo gjë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Haradinaj.
Tutje, kryeministri shtoi se borën e ka përmendur shkaku që nuk do t’i përziejë ngjarjet duke përmendur edhe grevat.
“Unë borën e kom përmend shkaku qe s’kam dasht ngjarjet me i përzi. Nuk muj me i komentu të tjerët çka po thonë me këtë borë. Greva është rezultat i ligjit është normale me pasë, sepse kurrë s’kemi pas ligj për grevat”, përfundoi ai.
Haradinaj, gjithashtu, ka folur për mocionin për rrëzim të Qeverisë, duke thënë se kurdo që kanë 61 votat e mjaftueshme, mund të rrëzojnë Qeverinë.
Dje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një status të çuditshëm, duke shkruar me figura letrare për shkrirjen e borës dhe skllotën. Fillimisht, është menduar se dikush ia ka thyer llogarinë në Fb.
Por shefi i Shtetit këtë deklaratë ia ka dërguar Ramush Haradinajt, i cili ka thënë se bora do të shkrihet kur është pyetur se kur do të hiqet taksa ndaj produkteve serbe të kërkuar nga SHBA-ja.
Pas tij, presidentit i është përgjigjur edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Halil Matoshi, që publikoi një poezi të Ndre Mjedës. /Express
Komentet