Ramiz Kelmendi është krijuesi që mishëron të gjitha tiparet dalluese të një personalitetit letrar, krijues dhe intelektual tek i cili shkrihen kombëtarja dhe universalja, si në kuptimin e madhështisë ashtu edhe në kuptimin më fundamental të gjakimit drejt lirisë.
Kështu shkruan studiuesi i tij, Xhemail Peci, i cili duke përkujtuar 86 vjetorin e lindjes së tij u drejtohet me thirrje institucioneve të vendit, që t’ia botojë të plotë veprën e tij shumëdimensionale.
Ai është njeriu i urave, njeriu që afron, që bashkon e që këshillon me fjalën e tij të urtë e me peshë. Ai është shkrimtari dhe intelektuali i cili doemos na e kujton shkrimtarin e madh francez Balzakun, për dy arsye. E para: sepse dhe për të mund të thuhet se ka më shumë vepra të shkruara e të përkthyera sesa vite jete mbi supet e tij. Dhe arsyeja e dytë, ështëporosia për gjuhën.
Balzaku u bënte thirrje bashkëkombësve të tij:
“Ruajeni artin dhe gjuhën, sepse, edhe kur të mos jemi gjallë, do të vazhdoni të jetoni me krijimet tuaja, të cilat kurrë nuk vdesin, bile edhe sikur të zhduket vendi ynë, njerëzit do të thonë: këtu ka qenë Franca.”
Ramiz Kelmendi ka bërë dhe bën thirrje edhe sot e edhe mot:
“Atdheu është gjuha vetë. Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi”.
Në sofrën e shkrimtarëve shqiptarë vepra e tij dhe emri i tij zënë një vend meritor. Në penën e tij gjuha shqipe është gjuha zonjë. Ajo është një lule e bekuar, sepse ai e ka gdhendur fjalën shqipe me një durim shenjtori e me një qëndismë filigrani.
Ramiz Kelmendi është krijues për të cilin letra ka më shumë forcë se floriri:
“Çka nuk dhemb nuk është jetë. Ç’qe e kaluara jonë, edhe se ç’jemi në fakt, edhe se ç’gjak na rrjedh ndër dej, po ama edhe ç’duhet të jemi për jetë të jetëve…Deri ku shtrihet atdheu ynë? Deri ku arrin kënga e djepit shqip. Apo deri ku arrin vajtimi shqip? Gjithë sa jemi dhe kudo që jemi. duhet t’i blatohemi me mish e me shpirt kombit…”
Ramiz Kelmendika trasuar rrugë e ka hapur shtigje. Ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen. Ai i ka dhuruar kultursë sonë një thesar të madh shkrimor. Në misionin e tij letrar ka pasion dhe prirje, dhunti dhe imagjinatë, vizion dhe erudicion.
Tavolina e punës është fushëbeteja e tij, pena është arma e tij, fjala është kreshta më e bardhë përmbi Bjeshkët e Rugovës sepse fjala është fryma e shpirtit të tij, libri është drita e syve të tij, e numri i madh i lexuesve dhe i adhuruesve të veprës së tij letrare e publicistike, janë armata e tij.
Të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh Rilindas i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215-të intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, të themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e princit të gjuhës shqipe “Faik Konica”, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60-të vjet rrjesht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite-të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje; t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht sepse e ke parathënë të vërtetën e madhe të një misioni të cilin e ke shpalosur përmes një vizioni prej Rilindasi:
“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha-nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.”
Vallë, cila akademi e arteve dhe e shkencave, cili institucion kulturor nuk do të lakmonte mermerin monumental të këtij ligjërimi fjollor?
Përgjigja më e mirë le të jetë thirrja publike për ta botuar TË PLOTË veprën letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit.
Studiuesi i përkushtuar i veprës ramiziane Prend Buzhala, me të drejtë ka folur për stilin ramizian e për artin ramizian, duke thënë se: “Ai është Njeri i Artit aq sa është edhe Njeri i Kulturës”, duke ia falur atij një varg epitetesh nga më të merituarat, si: “Klasiku modern, titani i përkthimeve, Molieri i letrave shqipe, mjeshtri i kontrastit, krijues i mirëfilltë, shpëtimtar i dashurisë, zëdhënës i kohës me veprën e tij, memorie e gjallë e brezave, encikoledi e gjallë, mrekulli e komonukimit të qartë”, si dhe duke e krahasuar rëndësinë e veprës së tij me kronikat e Marin Barletit e me veprën e madhe të Servantesit:
“Le të themi se për letërsinë tonë emri i Ramiz Kelmendit ështëi rëndësishëm pikërisht ashtu sikundër janë tërëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit, Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaçios për letërsinë europiane, dhe ashtu sikundër janë tërëndësishëm për letërsinë shqipe emri i Çajupit me komeditë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i Faik Konicës me “Doktor Gjilpërën”, i Kristo Floqit me komeditë e tij satirike, i Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave”, e deri te Qamil Buxheli me romanet e tij.”
E kjo mjafton që të thuhet se historia e letërsisë bashkëkohore shqipe nuk mund të shkruhet pa veprën e Ramiz Kelmendit, veçmas pa romanet e tij. Historia e publicistikës shqiptare nuk mund te shkruhet pa perlat e penës së tij, sepse publicistika e Ramiz Kelmendit është vazhdimësi e publicistikës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Ramiz Kelmendiështë njëNestor i urtë e një mentar i hollë, një shkrimtar i shquar, të cilit i është falur epiteti nga më të rrallët e gjithsesi edhe nga më të bukurit në letrat shqipe: Kreshnik i fjalës sëëmbël; talentin e të cilit me të drejtë profesori erudit Hasan Mekuli e ka cilësuar sitalentii tij epik, penën e të cilit akademiku Rexhep Qosja me të drejtë e ka quajtur pena e tij e artë.
Si i tillë ai mbetet në kulturën tonë kombëtare një personalitet i veçantë e meritor, sepse siç e ka vlerësuar atëmë tej studiuesi Prend Buzhala:
“Ramiz Kelmendi na shfaqet më shumë se sa ç’është një personalitet, ai është një medium i gjallë ku gërshetohen kohët dhe historia jonë, letërsia jonë dhe kronika jonë, arti ynë dhe shpirti ynë…Do të thoshim se Ramiz Kelmendi është ndër stilistët më të përkryer të letrave shqipe, një mag i letrave shqipe.”
Prandaj, botimi i plotë i veprës letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor, dhe se duke shpresuar në përkrahjen e kësaj nisme, kjo VEPËR E PLOTË do të mund të botohej, pak a shumëme këtë renditje:
1. Vija e vrragë& Dy rrëfime
2. Ahmet Koshutani & Njerëzit dhe kërmijtë
3. Heshtja e armëve
4. Shtatë persona ndjekin autorin
5. Kapuç me mëngë
6. Letra prej Ulqini & Suzana
& Tregimi ynë humoristiko-satirik
7. Kokrra kripe
8. Fytyra dhe turinj (Polemika në letrat shqipe)
9. Kritikë letrare
10. Publicistikë & Kolumne
11. Këshhtu foli Kadareja
12. Fejtonistikë (Rilindja Kombëtare Shqiptare)
13. Rrugët
14. Shtegtimet e mia
15. Marie Shllaku
16. Radiodrama & Drama televizive
17. Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip (I-II)
18. Antologji (Përkthime & Përpilime)
19. Intervista
20. Nga ditari im (Kujtime)
21. Prend Buzhala: Klasiku modern i tekstit
(Letërsia e Ramiz Kelmendit)
22. Hashim Baftiari: Ramiz Kelmendi (humorist dhe satirik)
23. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi-Sokol Halili i letrave shqipe
24. Xhemail Peci: E bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit
25. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit
26. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica)
27. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët
28. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe
29. Shkrimtari dhe sytë e Mona Lizës
30. Ahmet Koshutani në mes të Kafkës dhe Dostojevskit.(Biografi dhe bibliografi)
Prirem të shpresoj se institucionet e kulturës në Kosovë do ta përkrahin këtë thirrje për botimin e plotë të krijimtarisë letrare dhe publicistike të shkrimtarit Ramiz Kelmendi, sepse siç ka theksuar studiuesi më i përkushtuar i veprës së tij letrare, profesori Prend Buzhala:
“Barleti na shfaqet si sinonim i epokës kastriotiane. Kështu është edhe me kronistin Ramiz Kelmendi. Kosova e kaq e kaq kthesave historike, nuk mund të përfytyrohet pa kronikën e tij të gjallë e nëpër dekada”.
Rrjedhimisht, duke e nderuar trashëgiminë kulturore të një krijuesi emblemë, duke e botuar të plotë veprën letrare dhe publicistike të shkrimtarit Ramiz Kelmendi, Republika e Kosovës do të nderonte atë që aq shumë i ka parapri rrugës së mendësisë dhe të lirisë sonë të gjakuar nëpër shekuj, do të nderonte pra: Republikën e Letrave Shqipe.
Përmbi çdo gjë, shpresoj se Republika e Kosovës nuk do ta lëshojë këtë rast kaq të rrallë, një rast kaq solemn për të nderuar një kolos të gjallë, klasikun e vet modern të letërsisë, njeriun dhe intelektualin që ka pri me veprën e tij dhe që në letërsinë shqipe po prinë edhe me jetëgjatësinë e tij, Rilindasin i cili në rrugëtimin e tij po mbanë mbi supet e veta gati një shekull, Një shekull dije dhe drite: Ramiz Kelmendi.
Komentet