Revista amerikane, “Newsweek” shkruante se Shqipëria ishte në prag të revolucionit. Siç e dimë tashmë, ky revolucion nuk ndodhi asnjëherë. Por, pse mediat perëndimore gabuan kaq shumë? Së pari, Shqipëria ishte një entitet i panjohur jo si vendet e tjera të bllokut komunist. Shumë ambasada kritikuan intelektualët e vendit për faktin se s’ishin në gjendje të artikulonin kërkesa të qarta, siç kishin bërë Vaclav Havel dhe Aleksandër Solzhenicini për Çekosllovakinë dhe Rusinë. Disa analistë perëndimorë mendonin se Beogradi kishte një interes të veçantë në destabilizimin e Shqipërisë…
Kanë kaluar 25 vjet nga lëvizja studentore e dhjetorit 1990. Unë, që i kam përjetuar intensivisht zhvillimet në Shqipëri vërej me kënaqësi shumë ndryshime që kanë ndodhur në vendin tuaj. Kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive, pavarësisht pakënaqësisë që shprehin më të drejtë shumë qytetarë. Por, ndryshimet kanë ndodhur. Unë pajtohem me të gjithë ata që mendojnë se ndryshimet mund të ishin më të mëdha dhe se realizimet janë larg asaj që pritej të ndodhte.
Besoj se nuk do të më paragjykojnë qytetarët shqiptarë, nëse them se pamundësia e ndryshimeve të pritshme ka ndodhur për shkak të politikanëve që e kanë drejtuar vendin gjatë kësaj periudhe. Por unë them me bindje se një klasë politike më e përgjegjshme mund ta kishte çuar vendin shumë më përpara nga kjo gjendje që është sot.
Si është e mundur që, 25 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, shqiptarët të kërkojnë të ikin nga vendi i tyre i mrekullueshëm? Mua më kanë trishtuar jashtë mase pamjet e refugjatëve shqiptarë në Gjermani gjatë këtij viti…
***
Në verën e vitit 1990 mediat europiane botonin në titujt kryesorë një fjali tejet dramatike: “Rrëzohet dominoja e fundit në Europën Lindore, Shqipëria në humnerë”. “Rrëzohet bastioni i fundit i stalinizmit”. Këta tituj kryesorë ishin si jehonë ndaj skenave dramatike të cilat tregonin me mijëra shqiptarë që përpiqeshin të hynin në ambasadat e huaja në Tiranë.
Përveç disa rasteve të vogla, në disa media të specializuara, kjo ishte hera e parë që shqiptarët dëgjonin për Shqipërinë. Mediat ndërkombëtare po paralajmëronin përhapjen e dhunës së përgjakshme për rrëzimin e regjimit të Ramiz Alisë brenda 6 javësh. Revista amerikane, “Newsweek” shkruante se Shqipëria ishte në prag të revolucionit.
Siç e dimë tashmë, ky revolucion nuk ndodhi asnjëherë. Por, pse mediat perëndimore gabuan kaq shumë? Së pari, Shqipëria ishte një entitet i panjohur jo si vendet e tjera të bllokut komunist, dhe së dyti, përveç disa grupe shqiptarësh në diasporë, nuk kishte ekspertë perëndimorë të informuar dhe të aftë për të bërë një koment të kujdesshëm për situatën e cila ndryshonte aq shpejt. Ky fakt çoi drejt një konfuzioni dhe keqinterpretimi të asaj që po ndodhte vërtet në Shqipëri.
Vrasja e Çausheskut shkaktoi drithma në Tiranë
Shpejtësia e rënies së komunizmit në Europën Lindore, që kulmoi me vrasjen e presidentit Çausheskut, shkaktoi dallgë shqetësuese në elitën e pushtetit në Shqipëri. A e kishte radhën Shqipëria? Në janar të 1990-s u regjistruan trazira në Tiranë, Kavajë dhe ndonjë qytet tjetër, por situata më serioze ishte ajo në Shkodër. Rreth 4 mijë persona, pjesa më e madhe studentë, rrëzuan një bust të Stalinit.
Duke pasur parasysh standardet e vendeve të tjera të Europës Lindore, këto trazira nuk ishin shumë të rëndësishme dhe në pamje të parë nuk kishte një lider të këtyre protestave dhe as objektiva. Po për Shqipërinë ishin të rëndësishme. Pavarësisht denoncimit të Ramiz Alisë se ajo që po ndodhte në Europën Lindore tregonte se klasa drejtuese po devijonte nga rruga e vërtetë.
Pakënaqësia do të mjaftonte për të rrëzuar nga pushteti partinë që kishte drejtuar vendin për 46 vitet e fundit. Alia ndërmori një program të kujdesshëm për reforma politike dhe ekonomike, të cilat nuk ranë aspak në sy jashtë Shqipërisë. Ato u pasuan nga një seri ngjarjesh të cilat shpesh nuk lidheshin me njëra tjetrën, por koha kur ndodhnin nuk ishte një rastësi. Së bashku ato nënvizonin faktin se në Shqipëri nevojiteshin ndryshime të menjëhershme.
Ndërsa studentët protestonin, në media kritikohej stalinizmi. Ekonomistët paralajmëronin se partnerët tregtarë të Shqipërisë ishin në vështirësi aktualisht dhe mungesa e Shqipërisë do të ishte një anakronizëm i papërdorshëm. Reformat e Ramiz Alisë po thyenin çdo rregull të vendosur nga Enver Hoxha dhe në fjalimet e tij para Komitetit Qendror, ai e përmendte gjithnjë e më pak paraardhësin e tij.
Por shkatërrimi i mitit të Hoxhës ishte gati i pamundur, pasi ata që i përkisnin linjës së fortë në parti kontrolloheshin nga e veja e tij, Nexhmije. Me botën e jashtme që ende ishte indiferente ndaj këtyre ngjarjeve në vend, do të ishte shpërndarja me dhunë e protestuesve në Tiranë në vitin 1990 që do të bënte perëndimorët të uleshin dhe të mbanin shënim për Shqipërinë dhe atë që po ndodhte atje.
Menjëherë pas dhunës, katër shqiptarë kërkuan azil në ambasadën gjermane, dhe pak ditë më pas ishin me mijëra që ndoqën shembullin e tyre duke kërkuar azil në ambasadat e tjera të huaja. Pamjet dramatike bënë që për herë të parë Shqipëria të dominonte lajmet perëndimore duke treguar se si shqiptarët nga bastioni i fundit i stalinizmit, po kërkonin lirinë në Europë.
Vizita ime e parë në Shqipëri
Në prag të një krize menaxhimi, njerëz pranë regjimit shqiptar paralajmëruan më shumë ndryshime në kabinet, duke sugjeruar se Ramiz Alia po shkaktonte krizën në ambasada për të hequr vëmendjen nga reformat. Në atë që dukej si një lëvizje për të përmirësuar jetesën në vend, Alia ndryshoi kryesisht ministrat që menaxhonin industrinë e ushqimit.
Duke parashikuar rezistencë ndaj reformave të tij, Alia vendosi në gatishmëri Sigurimin, duke u përqendruar te çështja e Kosovës, vendosi një numër njësish ushtarake në kufi me Jugosllavinë dhe planifikoi një sërë ndryshimesh në hierarkinë politike. Në këtë aspekt, Perëndimi nisi të shihte më me kujdes Shqipërinë por vërente se Alia kishte ende disa gjëra që punonin në favor të tij. Alia u përball me rezistencën e radikalëve.
Radikalët, kryesisht intelektualë të rinj, mendonin se këto reforma ishin të pakta dhe të gabuara, ndërsa frikësoheshin, se ashtu si kishte ndodhur më parë, praktika ishte shumë larg premtimeve një gardh për rrugën e tyre drejt ambasadave. Por nga ana tjetër, ata që i përkisnin linjës së fortë fajësonin Alinë për trazirat. Personalisht, unë kam hyrë në Shqipëri nga Hani i Hotit në 1990-ën, me një grup të vogël vizitorësh të huaj, një gjerman, dy francezë, një italian dhe tetë britanikë.
Fillimisht pjesëtarët e grupit dukeshin arkeologë, natyralistë apo turistë. Por në fund të javës u kuptua se të paktën katër prej tyre ishin gazetarë dhe të tjerët nëpunës të shërbimeve sekrete. Dhe për habinë tonë vendi dukej pak a shumë i qetë. Dukej se nuk do të kishte një revolucion të stilit polak.
Shumë ambasada kritikuan intelektualët e vendit për faktin se s’ishin në gjendje të artikulonin kërkesa të qarta azili politik, siç kishin bërë Vaclav Havel dhe Aleksandër Solzhenicini për Çekosllovakinë dhe Rusinë. I vetmi intelektual i famshëm që njihej dhe jashtë vendit shkrimtari Ismail Kadare, u largua nga vendi në tetor të 1990-ës, i cili deklaroi nga Parisi se “premtimet për demokraci kanë vdekur”. Shumë të rinj, veçanërisht studentët, u ndjenë të tradhtuar nga vendimi i Kadaresë për t’u larguar.
Edhe pse ata kishin kuptuar se intelektualët ishin shumë të përçarë për të krijuar një front të përbashkët kundër Alisë, ata e shihnin Kadarenë si një simbol dhe largimi i tij shkaktoi trishtim dhe një ndjenjë izolimi.
Në tetor të vitit 1990 në Londër u mbajt një takim nga Grupimi më i madh jo politik në vend, kryesisht analistë, për të biseduar rreth Shqipërisë. Në tryezë u ulën përfaqësues të qeverisë britanike dhe akademikë si dhe ata pak gazetarë që mund të dinin diçka për Shqipërinë. Pas një debati të nxehtë u arrit në përfundimin se për momentin pushteti komunist në vend kishte më shumë të ngjarë të ndodhte një revolucion nga lart, i cili do të ishte më i frytdhënës se sa një revolucion nga poshtë.
U ra dakord se ambasadat e huaja në Tiranë po luanin rolin e një valvule sigurie për të pakënaqurit dhe se Alia përpiqej të siguronte një të ardhme alternative për vendin. Disa javë më vonë do shënohej dhe fundi i një mosmarrëveshjeje të gjatë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, – pas mbytjes së një anijeje lufte britanike dhe konfiskimit të arit shqiptar, – kur ministria e jashtme britanike deklaroi se do të nisnin bisedimet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Fati i pasigurt i Shqipërisë u duk më qartë në mes të muajit dhjetor kur trazirat në vend ekspozuan rreziqet e përballjes me regjimin teksa përpiqej të liberalizonte vendin pa e humbur kontrollin. Kjo ishte shumë e dukshme duke parë dhunën e shpërthyer në Shkodër dhe Elbasan. Opozita demokratike akuzonte forcat e errëta brenda regjimit komunist se po pengonin lëvizjen drejt demokracisë. Demokratët ishin të shqetësuar se tranzicioni nuk do të ishte paqësor.
Disa analistë perëndimorë mendonin se Beogradi kishte një interes të veçantë në destabilizimin e Shqipërisë. Ndërsa të tjerë akuzonin Athinën se po shkaktonte tensione me Shqipërinë. Por ndërsa viti 1991 tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare e cila u fokusua larg Europës Lindore, duke u drejtuar në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Ballkani u bë shumë shpejt lajmi kryesor dhe Shqipëria ishte larg vëmendjes europiane. U hapën misione diplomatike ndërkohë misionarë, gazetarë dhe organizata të ndryshme vërshuan në vend. Revolucioni nuk ndodhi dhe Alia arriti të fitojë zgjedhjet e para shumëpartiake në vend.
Fitorja e PD në vitin 1992 dhe zhgënjimi
Por, një vit më pas, më 22 mars 1992, në pushtet do të vinte Partia Demokratike me në krye Dr. Sali Berishën. Megjithatë, pak të huaj kishin dijeni të mjaftueshme për natyrën e vërtetë të shtetit shqiptar komunist sipas mënyrës që kultivoi Enver Hoxha. Ky lloj shteti u imponua me dhunë për pesëdhjetë vjet dhe mbeturinat e tij u dukën më 1997. Rruga e Shqipërisë regjimi komunist shtypës drejt demokracisë së qetë u shënua nga ironia.
Në ndryshim nga vendet e tjera të Europës Lindore, Shqipëria ishte në gjendje të kalonte nga një shtet një partiak në një shtet pluralist pa revolucion dhe pa gjakderdhje. Por dhe pas 5 vitesh demokraci vendi u çua në humnerë. Në vitin 1997, vendi ishte pranë një lufte civile e cila shkaktoi vdekjen e katër mijë personave. Atë vit në Tiranë dhe thuajse në mbarë vendin banditët bënin ligjin natën, duke u kujtuar korrespondentëve të huaj skenat e Sajgonit në fund të luftës së Vietnamit.
Në mars 1997 Qeveria e re e Finos nuk i kishte mundësitë praktike të kontrollonte portet dhe aeroportet. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme britanike tregonte se ‘ishte tmerrësisht e vështirë të dilje përjashta. Njerëz të armatosur vraponin përreth aeroportit. Sikur kishte një marrëveshje të përgjithshme për të hapur zjarr pa dallim dhe për të mbjellë kaos.
Në këto rrethana, Berisha ka shqyrtuar mundësinë e largimit nga vendi apo të qëndruarit aty për t’u përballur pastaj me zemërimin e popullit. Humbja e kontrollit të qeverisë ishte thuajse tërësore në mbarë vendin me përjashtim të ndonjë zone rurale.
Rënia e pushtetit të Berishës në jug dhe shkërmoqja e shtetit shqiptar në vetvete, po bënin të tingëllonin fort kambanat e alarmit në ministritë e jashtme europiane e më tej. Ishte menduar se në pak javë shqetësimi do të largohej dhe ushtria shqiptare, së toku me forcat e sigurisë, do të ishin në gjendje të shuanin ‘anarkinë’ që tashmë kishte marrë përmasat e një kryengritjeje popullore.
Kjo ishte njëherësh dështim i ideve të pasakta të tyre dhe të shërbimeve të zbulimit të vendeve të BE-së. Por fatkeqësisht, në ditët e fundit të marsit, politikanët dhe zyrtarët besuan se po shihnin fillimin e kapitullimit të shtetit shqiptar.
Rënia e skemave piramidale ishte thjesht katalizatori i irritimit të hidhur të popullit që nuk ishte në gjendje të shkulte administratën thellësisht jo-popullore të presidentit Berisha me anë të procesit parlamentar. Pas dështimit të zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë, udhëtimi i ngadaltë i Shqipërisë drejt demokracisë bëri një kthim të madh mbrapa.
Në atë kohë, Berisha kishte nën kontroll të rreptë parlamentin dhe korrupsioni kishte vajtur deri në zemër të makinës shtetërore. Gjatë qëndrimit të tij në pushtet, ai u përpoq të konsolidonte mbështetjen për veten duke u caktuar njerëzve nga qyteti i tij i lindjes, Tropoja, dhe zona të tjera të veriut, pozita të rëndësishme, veçanërisht në forcat e sigurisë. Prandaj shumica e policëve ishte nga veriu. Kjo ishte një nga arsyet pse valët e urrejtjes u përhapën më shpejt në jug.
************
*Historiania e njohur angleze, Miranda Vickers, është rikthyer në Tiranë dhe ka folur në një konferencë shkencore rreth ngjarjeve të dhjetorit 1990. DITA ka botuar në numrin e sotëm pjesë nga referati i saj si dhe një rrëfim ekskluziv. /Përgatiti Xh.Shehu/
Komentet