Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar që të mbledhë në një miting më 12 maj në Athinë, emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, por institucionet greke i kanë sugjeruar që ta shtyjë datën dhe ta organizojë takimin pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që mbahen më 9 qershor.
Sipas avokatit të njohur Franc Nuri, autoritetet greke gjykojnë se kjo vizitë e planifikuar pikërisht më 12 maj, datë që përkon me një vit të arrestimit të Fredi Belerit, mund të ketë ndikim në zgjedhjet që do të bëhen në Greqi në kushtet kur Beleri, i burgosur në Shqipëri, është caktuar kandidat për Parlamentin Evropian nga partia kryesore greke.
Gazeta greke Kathimerini shkroi më 2 maj 2024 se “janë ngritur pikëpyetje nëse vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë do të lejohet më në fund më 12 maj, kur ai ka planifikuar të mbajë një fjalim në një miting me emigrantët shqiptarë, anëtarë dhe mbështetës të partisë së tij.
Mitingu fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Sallën Olimpike në Galatsi, por leja u anulua nga bashkia në fjalë për shkak të aktiviteteve të tjera të planifikuara.
Pra, mbetet për t’u parë se ku do të zhvillohet takimi apo nëse nuk do të zhvillohet fare. Duke qenë se deri të mërkurën nuk kishte mbërritur asnjë kërkesë me shkrim në Ministrinë e Jashtme të Greqisë dhe autoritete të tjera përkatëse për vizitën e Ramës (ndonëse jozyrtare), ende nuk është dhënë hapur asnjë deklaratë nga pala greke,” vijon artikulli.
Lidhur me lajmin në fjalë është kërkuar sot mendimi i avokatit Franc Nuri në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.
“Patjetër që me afrimin e zgjedhjeve në Shqipëri janë ndezur motorët e fushatës elektorale, – tha Nuri. – Para fushatës, të gjitha partitë, po sidomos pushteti dhe në këtë rast qeveria e kryesuar nga Rama po tentojnë që të fillojnë që tani përgatitjet dhe parapërgatitjet.
Të mos harrojmë se kësaj radhe është dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votën e emigrantëve që palët politike duan apo nuk duan, do të përpiqen që të gjejnë një mekanizëm për votën e emigrantëve dhe votën e diasporës në Shqipëri , kështu që qeveria duke qenë se ka dhe gurin dhe arrën mund të influencojë në këtë lloj sistemi të ri zgjedhor.
Pra, rregullat e lojës me zgjedhjet është e sigurt që do të ndryshojnë përsëri dhe çfarë bën Edi Rama?! Zhvillon dhe bën fushatë me emigrantët shqiptarë kudo nëpër botë, sepse edhe turi në Athinë i parashikuar që do të zhvillojë Rama hyn në këtë kontekst, hyn në takimet që Edi Rama dhe PS do të bëjnë me emigrantët shqiptarë kudo që ata janë.
Dihet që Greqia apo Italia apo dhe shtete të tjera perëndimore janë shtete ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, dhe ku ka më tepër peshë elektorale apo supozohet se do të ketë elektorat për t’u joshur për zgjedhjet e ardhshme, kështu që parë në këtë kontekst, në këtë lloj turi, ne shohim një tendencë për të joshur emigrantët shqiptarë duke u afruar atyre edhe votimin. Metoda se si do të arrihet votimi mbetet për t’u parë, por tentohet për t’i tërhequr për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ndërsa lidhur me vizitën në Athinë dua të theksoj se nuk është rastësi data që kishte kërkuar në axhendë për këtë takim nga pala shqiptare. Nga mediat mësohet se ishte kërkuar data 12 maj që përkon fiks, me një vit pas arrestimit të zotit Fredi Beleri. Edhe këtu unë shoh një simbolikë dhe një tendencë nga zoti Rama. Nuk më duket se është një gjë e lënë rastësisë.
Nga pala greke mësohet se është kërkuar që ky takim me diasporën shqiptare në Athinë të spostohet, të shtyhet pas datës 9 qershor sepse me përfundimin e fushatës elektorale që po ndodh në Evropë dhe në Greqi për zgjedhjet e parlamentit evropian , duke shprehur faktin se kjo vizitë mund të tensionojë situatën dhe të ndikojë në zgjedhjet evropiane.
Theksoj në parantezë se Beleri është kandidat tashmë në zgjedhjet e PE në listën e partisë kryesore në Greqi, kështu që për të shmangur këtë lloj ndikimi, është kërkuar që ky takim të spostohet.
Por me sa duket përfaqësuesit e Edi Ramës kanë insistuar që takimi të zhvillohet në atë datë dhe jemi akoma në këto faza.”/SYRI.NET