“Serbia e Madhe, qëllimi i vërtetë dhe kërcënimi real, çfarë po synon Vuçiçi? Si lidhet kjo situatë që po provokohet gjatë këtyre javëve nga Serbia në veri të Kosovës?”
Pjesë nga intervista e ish-Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, në SYRI TV.
Burim Ramadani: “Platforma e Serbisë së Madhe e cila mbetet një prej platformave më famëkeqe të Serbisë dhe është e vjetër, është artikuluar në formë zyrtare përmes një dokumenti zyrtar, platforme politike qysh në vitin 1844 nga llia Garashanin, atëherë kryeministër dhe më pas kryeministër i principatës serbe dhe ajo është përcjellë më pas edhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë në vitin 1986; është përcjellë nga Millosheviçi sepse ai është bazuar plotësisht në memorandumin e Shkencave të Serbisë, e cila është bazuar në dokumentin e Naçertanije të Ilia Garashaninit.
Por tani të mos harrojmë se edhe presidenti Vuçiç dhe shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, Vulin që të dy janë promovuesit kryesorë të kësaj kohe, të politikës ose platformës së Serbisë së Madhe.
Madje, Vulin e quan Bota Serbe, pra ia ka ndërruar epitetin, bazuar në modelin edhe epitetin e Rusisë që e ka për Botën Ruse. Të mos harrojmë që Vulin ka qenë gjatë kësaj periudhe, publikisht në Moskë me qëndrim atje, por po sjell një fakt që është me interes në vazhdimësi, se ka pasur politikanë serbë edhe nga Maqedonia e Veriut bashkë me Vulinin në qarqet e shërbimeve inteligjente ruso-serbe. Këto tregojnë edhe njëherë, dëshmojnë se plani mbetet i njëjtë dhe se planet janë negative e nuk kanë të bëjnë me bashkëpunime rajonale.
Ajo që është me rëndësi të themi tani për tani është që Milosheviçi ka tentuar ta krijojë Serbinë e Madhe sipas planit të Garashaninit të shek. IXX, por nuk ka arritur sepse ka qenë NATO ajo që ka ndërhyrë dhe ka ndalur mizoritë e tij.
Tani në rajonin tonë mbetet Kosova dhe Bosnje Hercegovina, të cilat nuk janë anëtare të NATO dhe të dy shtetet kanë probleme jashtëzakonisht serioze edhe territoriale nga Serbia me qëllimin e njëjtë: që të zgjerohet territorialisht Serbia atëherë kur ta shohë të mundshme, atëherë kur ta shohë që gjeopolitika apo gjeostrategjia mund të ndërrojë qoftë edhe në nuanca, ajo që po e shohim tani dhe ju e konstatuat sikurse të gjithë ne, që megjithatë ekziston një trysni më e madhe ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë gjatë këtyre muajve të fundit pavarësisht arsyeve që mund të jenë.
Besoj se janë elementë të cilat Serbia po ashtu i ka planifikuar apo i ka dëshiruar që të ndodhin në të ardhmen. Me përfundimin e luftës në Ukrainë, sidomos me çfarëdolloj mundësie që Rusia të rikthehet ose të kthehet nga demokracia, atëherë i bie që Serbia do të tentojë të marrë pak më shumë rol se ç’ka në Ballkan pavarësisht se roli i saj është totalisht negativ.
Pra, ajo po synon që edhe Kosovën, tashmë duke e destabilizuar nga brenda, duke mos e lejuar të jetë funksionale; dëshiron ta shohë Kosovën si shtet të dështuar ku dhe Perëndimi, aleatët perëndimorë që e kanë ndihmuar themelimin e shtetit dhe e garantojnë ekzistencën e këtij shteti, në një farë forme do të heqin dorë për shkak të situatave qoftë të pakoordinuara, qoftë të synuara, në lidhje me afrimin e Serbisë më shumë nga Perëndimi.
Nga ana tjetër Bosnje Hercegovina që është e bllokuar nga brenda, e bllokuar nga jashtë, ne kemi rastin e fundit kur Republika Serpska ka bllokuar ratifikimin e marrëveshjes në parlamentin e Bosnje Hercegovinës për lëvizje të lirë me letërnjoftim për qytetarët e Bosnjës në Kosovë dhe qytetarët e Kosovës në Bosnje dhe kjo është një prej marrëveshjeve kryesore me Procesin e Berlinit, i cili pat inicitivë edhe për zëvendësimin e këtij procesi me “Open Ballkan”, që për mua, edhe më herët edhe tani, ka qenë zëvendësim i kotë dhe i gabuar, sepse kjo po shihet se Bosnja nuk po arrin të tejkalojë veton serbe brenda saj.”/SYRI.NET
*Burim Ramadani, Magjistër i Shkencave Politike, ligjërues i Studimeve të Sigurisë, publicist dhe ish-deputet i parlamentit të Kosovës.
Ramadani është emëruar në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së më 25 nëntor 2019, pasi ka qenë Zëvendësministër i Mbrojtjes 2018-2019 dhe Koordinator Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, 2019.
Ramadani, ndër të tjera, ka udhëhequr punën ndër-institucionale në hartimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, 2018-2019. Ramadani ka diplomuar në studimet Master në Shkenca Politike, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2008. Ka diplomuar në studimet Bachelor në Administratë Publike në Universitetin e Prishtinë, në vitin 2004.