Në foto: Piktori Edi Rama gjatë punës part-time si kryeministër
I dashur Shef Edi!
Panairi i punësimit ishte një sekses i vërtetë. Tre të rinj u punësuan në kantiere të reja pune me rroga 3 mijë euro. Bisedat e rekrutimit të tyre në punë, i kam regjistruar dhe them t’i publikoj tek faqja ime Transparenca.al, se ka disa ditë e pa apdejtuar. Pz
Më poshtë të kam nisur transkiptet e bisedave me të rinjtë:
***********
EPISODI 1:
Recepsioni: Përshëndetje; mirëseerdhët në Panair.
Qytetarja: Përshëndetje, unë quhem Ermonela dhe kërkoj punë.
Recepsioni: Ermonela çfarë arsimi keni?
Qytetarja: Unë jam juridikse; me Bachelor tek Meti Kristalit ndërsa specializimin e kam bërë tek ai lokali ngjitur me UET.
Recepsioni: Oh sa mirë; patentë keni?
Qytetarja: Po po kam dhe patentë.
Recepsioni: Marshalla Ermonela. Kemi një ofertë për ju. Kompania e koncensionit të Check-Up-it kërkon një shofere femër për të shoqëruar pronaren. Vilma quhet; po të jap dhe numrin.
Qytetarja: Po rroga ime cila do jetë?
Recepsioni: Rroga do jetë 300 euro vitin e parë, me perspektivë rritje deri në 3 mijë euro.
Qytetarja: Sa mirë, pas sa kohësh mund të më bëhet 3 mijë euro rroga mua?
Recepsioni: Po zonja Vilma ka kapur deri tani 3 koncensione. Deri në vitin 2017 parashikon të kapë gjithësej 13 koncensione. Ajo parashikon që pas koncensionit të 10-të, rrogën e shoferes do e bëjë 3 mijë euro.
Pra mendojmë që brenda vitit rroga juaj shkon 3 mijë euro.
Qytetarja: Fantastike; po e telefonoj menjëherë.
EPISODI 2:
Recepsioni: Përshëndetje zotëri; mirëseerdhët në panair.
Qytetari: Mirëdita, unë quhem Shegush dhe dua punë.
Recepsioni: Zoti Shegush; çfarë arsimi keni?
Qytetari: Unë kam studiuar për shkenca politike; aktualisht punoj falas në një faqe fejsbuku që quhet “Qytetarët për Parkun”. Bëj komente aty, por falas pa pagesë.
Recepsioni: Patentë keni z.Shegush?
Qytetari: Po patjetër, aktualisht po kualifikohem në kategorinë për autobusë dhe saurrelë, sepse mendova mos filloja punë me ato betonieret që shoh çdo ditë tek kjo faqja e fejsbukut ku punoj falas.
Recepsioni: Shumë mirë; por ne kemi një ofertë për ju që s’ka nevojë për këtë kategori. Një njeri i mirë ka kërkuar shofer personal; Olsi quhet; Olsi Rama. Po ju jap numrin e tij të telefonit.
Qytetari: Patjetër, faleminderit. Po rroga sa është?
Recepsioni: Rroga bazë është 300 euro; por shkon deri në 3 mijë euro me gjithë shërbimet dhe vështirësitë e punës.
Qytetari: Po çfarë vështirësish?
Recepsioni: Po të paktën një herë në muaj duhet të udhëtoni bashkë me z.Olsi në Hong Kong dhe do paguheni ekstra kur të mësoni rrugicat e Hong Kongut apo kur të flisni kinezçen rrjedhshëm.
Gjithashtu do keni dieta sa herë që do ju marrë në telefon një shoku Olsit i cili quhet Gazi dhe do ju dërgojë për të blerë cigare.
Qytetari: Më jepni menjëherë numrin; qenka fantastike.
EPISODI 3:
Recepsioni: Përshëndetje zonjush; mirëseerdhët në panair.
Qytetarja: Përshëndetje; unë quhem Jozela dhe kam përfunduar studimet e gjeneratës së re për fizkulturë dhe kam bërë një specializim në linguistikë gjatë një ekskursioni në Durrës.
Recepsioni: Sa mirë Jozela; pikërisht në Durrës kemi një ofertë për ju. Është një kompani e re dhe shumë ambicioze e cila kërkon të ndërtojë një ndër hotelet më moderne në Evropë.
Kërkon ca vajza për promocion. Hotel “Vollga” quhet.
Qytetarja: Ua sa mirë, është ai hoteli vjetër përballë pallatit të një shoqes sime nga Durrësi. Më pëlqen shumë. Po rroga sa do jetë?
Recepsioni: Rroga bazë vitin e parë do jetë 300 euro; por pasi të përfundojë rikonstruksioni i hotelit, do ketë rritje të paparë rroge deri në 3 mijë euro.
Qytetarja: Ua po si do ndodhë kjo gjë?
Recepsioni: Për më tepër do flisni me personin e kontaktit; quhet Pandi Carapuli, ai më pas kur të vijë koha do ju lidhë me ortakun e vetë që aktualisht ndodhet me pushime tek resorti 302.
Por kam përshtypjen se në fazën e dytë, ju të promocionit do keni dhomat tuaja dhe do i bindni klientët që të vizitojnë hotelin nëpërmjet videokonferencave nga dhoma me webcam.
Qytetarja: Ua po kjo është fantastike, tamam punë zyre. Faleminderit.
************
Këta ishin tre fituesit Shef. Të lutem më konfirmo nëse duhet t’i publikojmë e t’i bëjmë transparente.
Mish e thua i joti, Endri Transparenti.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
(HashtagAlbania)
Komentet