1.DY FJALË PËR SKEMËN E LOBIMIT TË PD-SË ME PARATË E KREMLINIT
(Skema amerikane e lobimit dhe fondet e zeza ruse) Tashmë, skema e lobimit, pra, për mbështetjen që do të siguronte PD-ja për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e vitit 2017 nëpërmjet përkrahjes amerikane, por duke përdorur para të zeza ruse, është e njohur. Kryetari i PD-së në atë periudhë, në vitet 2016 e më pas, Lulzim Basha, nënshkroi me dorën e tij marrjen e kësaj shume, duke ia kaluar kompetencën e sigurimit të përkrahjes së administratës së ish-Presidentit Trump, një kompanie seksere lobuese, Nick Muzine, e cila ruajti rol kyç në tërë këtë transaksion të dyshimtë. Ishin gazetarët investigativë të revistës amerikane “Mother Jones” dhe shërbimi i inteligjencës amerikane ata që me investigimin e tyre zbuluan se mbrapa këtij lobimi dhe shume të konsiderueshme dollarësh, qëndronin rusët dhe shërbimet e tyre të spiunazhit.
Taulant Balla, një “as” i fortë goditës në duart e Edi Ramës, e denoncoi në Prokurori këtë veprim si një skandal financiar për pastrim parash, ku dyshohej se nëpërmjet përdorimit të këtyre parave me origjinë ruse, ato ishin përdorur për mbështetje politike (një Zot e di se sa është shifra e vërtetë dhe në xhepat e kujt ka vajtur). Por duke ardhur në rrugë ilegale dhe të padeklaruara në financat e PD-së u krye edhe pastrimi i tyre, për të mos lëne gjurmë, ndërkohë që nuk u raportuan saktë, por u falsifikuan deklarimet për të dhënat financiare të PD-së nga Lulzim Basha në KQZ. Kjo është me pak fjalë fabula e kësaj ngjarjem që me një të parë të syrit kuptohet se ishte jo vetëm një skandal financiar, por edhe veprim kriminal, pa më të voglin moral. Organet e Prokurorisë të investuara në hetim për shkak të kallëzimit kryen një hetim sipërfaqësor dhe të dobët, duke u besuar gënjeshtrave e aludimeve justifikuese të Lulzim Bashës, se ato ishin para të “diasporës shqiptaro-amerikane”. Kjo histori e përzier me çorbën e dollarëve rusë me lobimin e “pritur” nga amerikanët, kur ka edhe shumë detaje dhe hollësi të tjera, të cilat më së shumti u morën vesh direkt jo nga prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë të paaftë, por nga raporti amerikan i komunitetit të shërbimeve inteligjente. Konkluzioni i raportit të komunitetit të inteligjencës amerikane është se rusët kanë përdorur për të ndërhyrë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në dhjetëra vende të Evropës e Ballkanit. Rreth 300 milionë dollarë, prej të cilave mbi 500 mijë në Shqipëri. Mësimet e nxjerra nga Lufta për dominim dhe zhvillimet në Ukrainë i detyruan strukturat e administratës se Presidentit Biden të studiojë këtë fenomen me qëllim që t’i presin duart influencimit të spiunazhit rus në këto vende. Fabula amerikane e raportit tregon se spiunazhi rus ka qenë aktiv edhe në Shqipëri për të fituar terren, ashtu sikundërse ka synuar këtë terren në Malin e Zi, Bosnje, Kosovë etj. Arrestimi ditët e fundit rastësisht i tre të dërguarve të inteligjencës ruse në disa zona në Shqipëri, na bind se rusët, agjencitë e inteligjencës, janë aktive, madje ata kanë synuar të përdorin dhe të blejnë parti dhe politikanë shqiptarë.
Janë disa nga drejtuesit e Partisë Demokratike, ata që janë përdorur apo dhe blerë për shkak të synimit për të ardhur në pushtet me çdo kusht. Dyshimi kryesor është se emrat dhe personat më të mundshëm janë Lulzim Basha si dhe babai e “kujdestari” i tij politik, Sali Berisha.
Ata me dijeni të plotë kanë pranuar ofertën e shërbimeve inteligjente ruse dhe Kremlinit, që nëpërmjet bankave dhe kompanive offshore në Ukrainë, Skoci etj. të derdhen mijëra dollarë për llogari të PD-së.
Në analizë të këtij veprimi do të thosha se ndodhemi përpara një veprimi kriminal, një grupi spiunësh, të cilët duhet të përgjigjen jo vetëm politikisht për këtë skandal dhe aferë korruptive, por edhe penalisht për pastrim dhe falsifikim klasik të parave në bazë të neneve 174, 186 të Kodit Penal.
Hetimi në vazhdim mbi bazën e të dhënave dhe dokumentacioneve të tjera dhe të reja nga organet e drejtësisë shqiptare në bashkëpunim me ato amerikane, siç vunë në dukje dhe ambasadorja Yuri Kim, do t’i “hapë petët lakrorit” siç thotë populli. Ajo që sugjeroj në këtë rast është se këta persona të rrezikshëm si Basha dhe Berisha, duhet të izolohen menjëherë për të parandaluar fshehjen e provat që vërtetojnë veprimtarinë kriminale pasi kanë cenuar rëndë rendin kushtetues, demokracinë dhe sigurinë e Shqipërisë. Është qesharake tani që drejtues të dy PD-ve akuzojnë njëra-tjetrën si fajtorë të “zënë në çark”, ku me aktivi shfaqet Sali Berisha, që për të hequr përgjegjësinë nga vetja, akuzon Lulzim Bashën, se është ai që ka vepruar pa dijeninë e tij, “se veprimet e tij kanë qenë personale jashtë marrëdhënieve të PD-së”, se “ka shumë mundësi” që këto para i ka përvetësuar si një hajdut i rëndomtë etj. Ndërkohë që nga ana tjetër Basha ka pohuar se ishte i porositur që duhej patjetër të eliminonte Non Gratën Sali Berisha nga Partia Demokratike, ose ndryshe do të shkonte vetë në birucë”!!! Ende e pashpjeguar se nga kush e mori këtë porosi.
Ç’do të ndodhë tani pas këtij zbulimi të kësaj afere korruptive?
Kuptohet që organet e drejtësisë shqiptare janë të detyruara të fillojnë përsëri hetimin mbi bazën e rrethanave dhe provave të reja, por kjo kërkon veprime eficiente dhe proactive, kërkon seriozitet profesional për të zbuluar e goditur këtë aferë, që ka tronditur politikën dhe opinion shqiptare e që do t’i vërë notën përfundimtare Strukturës së Posaçme të luftës kundër Krimit të Organizuar, SPAK-ut.
2. A KA DIJENI PËR KËTË SKANDAL ILIR META DHE HISTORIA E TË QENIT TË TIJ BASHKËPUNËTOR I SIGURIMIT?
A ka të tjerë të implikuar në këtë histori, në këtë komplot me axhendë spiunazhi? Dyshoj se Ilir Meta duhet të ketë pasur dijeni për fondet e lobimit, pasi ai që nga viti 2009 e deri më sot ka krijuar një aleancë, sa politike, aq edhe afërsie shpirtërore sipas parimit “në rrezik dhe në nevojë shoku-shokun ta ndihmojë”.
Ndërkohë, Edi Rama fërkon duart sepse një shkresë e dalë nga Autoriteti i Dosjeve me drejtore Znj. Genta Sula, ka vënë në qarkullim një “kleçkë” biografike me synimin për ta konsideruar Ilir Metën si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, kur Genta Sula vetë nuk është aq e sinqertë me të dhënat e dosjeve të paraardhësve të saj familjare. Cilësimi i Ilir Metës si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit e eliminon atë përfundimisht nga politika dhe zelli i tij i madh për të qenë në krye të misionit të integrimit europian të Shqipërisë. Kam bindjen se Ilir Meta nuk ka pasur kohë të bëhet bashkëpunëtor i mirëfilltë i Sigurimit të Shtetit, por diçka tjetër e “njollos” atë në këtë histori. Ambicia, egoja, karrierizmi, karakteri i tij i dobët e kanë shtyrë në kohën dhe moshën e rinisë studentore, në marifete informative, denoncuese, si sekretar i rinisë së fakultetit, të cilat regjimi i paraviteve ‘90 ia ka arshivuar dhe ai i pasviteve ‘90 ia ka shfrytëzuar, duke e mbajtur peng. Ilir Meta është i pabesë, veti personale të cilën shpeshherë ia ngatërrojnë me “pragmatizmin” e tij të paskrupullt.
Le të bëhet një herë burrë e t’i sqarojë paudhësitë që ka kryer ndaj shokëve e miqve në vitet e rinisë e më pas. Kështu mund edhe të shpëtojë të paktën nderin.
3.CILI JENI JU, ZOTI RAMA, – UDHËHEQËS POLITIK DHE KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË?
Studimi biografik dhe i aktivitetit kryesisht politik të tij, dhe i dosjes se përpunimit agjenturore të tij, na japin një pasqyrë disi të veçantë dhe problematike. Ja çfarë përfundimi arrij unë së bashku me studiuesin direkt të dosjes së tij, B.H. për formimin dhe personalitetin e tij, bazuar dhe në dokumente dhe vëzhgime të hollësishme.
Ekscentrik si natyrë, anarkist deri në palcë si mentalitet, të cilin e ka të shoqëruar me zgjuarsi në erudicion, kulturë të gjerë, rrjedhojë e ndikimit të Nolit dhe Konicës siç i pëlqen të mburret. I dallueshëm dhe i suksesshëm në oratorinë e tij, i prirur për nuancë dominuese, por denigruese e agresive ndaj të tjerëve. I prejardhur nga familje me origjinë komuniste, që në rininë e tij është paraqitur herë si antikomunist i tërbuar e herë si fundamentalist i bindjeve fetare katoliko-myslimane. Janë të pashpjegueshme qëndrimet kontroverse estetike të tij, për moralin, shijet jo normale në veshje, i prirur për novacione dhe kombinime ngjyrash të ndezura, si dhe në marrëdhëniet me gratë.
Është i pashpjegueshëm kontraversiteti i tij, në qëndrimet politike, ku dominon edhe nacionalizmi i tejskajshëm, dhe nuancat patriotike, por edhe përbuzja ndaj luftës çlirimtare, admirimi i Mitat Frashërit, si lider politik dhe ushtarak i Ballit Kombëtar, i etiketuar si tradhtar dhe kriminel lufte, por qe ai i kushtoi nderime të mëdha në ceremoninë e rivarrimit në krah të patriotëve të tjerë rilindës.
Ma do mendja se këtë nderim të pamerituar, dikujt ia kishte premtuar si qokë…
Ka qenë dhe mbetet këmbëngulës, me vullnet të papërballueshëm, shpeshherë dhe të palogjikshëm, për të arritur qëllimin e tij, por shquhet si intrigant, cilësi siç i quan Makiaveli, e nevojshme për një politikan. Ka ngjitur me zigzage e ngulmin të llahtarshëm, duke përdorur çdo gjë, veçanërisht bërrylat, shkallët e karrierës politike, duke provuar fillimisht të djathtën politike, por arriti të penetroje tek e majta pa qenë asnjëherë i majtë, duke u bërë dhe lider i saj. Falë kjo edhe gjendjes së “sëmurë” e pasivitet të Partisë Socialiste dhe mbështetjes së pakuptueshme të njërit prej liderëve autoritarë të saj, Gramoz Ruçit etj…
Është pjesë e biografisë së tij të hershme, kur që në moshë të re ka dominuar tipologjia problematike në marrëdhëniet me ambientin. Reflektues ndaj ideve dhe shtypjes që realizonte ideologjia komuniste, të cilën ai e urrente hapur, por edhe me marifet e pranonte, si rezultat i presionit familjar e shoqëror në atë periudhë.
Këto cilësi problematike për kohën e rrumbullakosën “me laps të kuq”, si subjekt pune të Sigurimit të Shtetit. Të nominuarit sipas drejtimeve që kanë qenë afër tij e që kanë përdorur pseudonimet si “Piktori”, “Skifteri”, shënimet për Ramën intelektual i arteve etj., duke e shoqëruar së bashku me historinë atërore të ambasadës italiane. Të gjitha këtyre u bashkëngjitet edhe me një kartele mjekësore greke, për të cilën kujdesej doktori psikiatër Y.V., i cili e trajtonte klinikisht si person me diagnozë “sociopat me simptoma patologjike”, si qenia e babit Kristaq Rama, personalitet i nderuar si artist i popullit dhe skulptor klasi e “kursenin nga kafshimet” e egra të Sigurimit të Shtetit. Ambienti shoqëror ku ai rrotullohej e quante “shakaxhi të përparimit”, por edhe dredharak e të paqëndrueshëm, pa ndonjë filozofi të përcaktuar qartë mendimi. Në dosjen e Ramës ka mjaft shënime e konstatime për të si dhe shënime e referime e opinione të tij për të tjerët. Në vitet ‘90-‘91 ishte më i avancuari i intelektualëve të lëvizjes demokratike, saqë bërtiste vend e pa vend “komunistët në litar”, “Partia Komuniste jashtë ligjit”, “vetëm e vetëm për të fituar dafina politike”. Ishte ky reagim i papërmbajtur që e detyroi Sali Berishën të urdhëronte largimin e tij nga PD-ja si “tellall provokator”. Eksperimenti i tij i botimit të një libri në ato vite, shfaqi hapur qëndrimin dhe idetë e tij te njëjta afërsisht me autorin e librit Main Campf, të piktorit Adolf Hitler. Ndoshta i turpëruar nuk e përmend me këtë fakt, përveçse autorësinë e librit tjetër të tij, “Kurban”. Me sipër folëm kryesisht për vese të Edi Ramës “Njeri”, por që pas dy dekadash e kemi në krye të maxhorancës politike dhe ekzekutivit shqiptar.
4. QUE VADIS ME EDI RAMËN?
Ramën e kemi ndjekur, madje e kemi mbështetur shpesh edhe me naivitet në tërë rrugëtimin e tij politik, duke i pëlqyer jo vetëm karizmin, por edhe përkrahjen për fitoret elektorale ndaj Sali Berishës. Kemi duartrokitur punët e mira pa u lodhur për ndryshimin e çehres së Tiranës dhe të Shqipërisë, që shpeshherë nuk kanë qenë vetëm fasada, por kemi ndjekur të çuditur edhe marifetet e tij statusore partiake për ta komanduar me dorë të fortë e autoritare Partinë Socialiste, duke mbytur dhe eliminuar mendimin e kundërt, kritikat dhe vërejtjet. Kemi ndjekur me shpresë reformat për t’u ardhur në ndihmë shtresave të mesme dhe të ulëta, ndërkohë që na bënte përshtypje jo të mirë rruga që ai nisi për të mbështetur jo këto shtresa, por kastën e oligarkëve të biznesit të madh etj. Me autoritarizmin në drejtimin e shtetit dhe të partisë, tashmë Edi Rama është bërë problematik dhe dalëngadalë po ia merr frymën dhe po e shndërron atë jo në parti politike progresive, por në një sekt ku ai ka grumbulluar bashkëpunëtorë të etur jo për punë të mira, por për pune të liga, ku ka dominuar atje për të zhvatur edhe veprimet korruptive. Me plot gojën mund të them se ai e përdor tërë anturazhin e një pjesë të atyre që drejtojnë sot si një “bankomat” ku sigurohen vetëm të ardhura financiare të pamerituara. Shembull tipik për këtë është përkrahja që i jep ishkryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që jo vetëm është shpallur person Non Grata, por që qëndron edhe në krye të mafies politike dhe ekonomike të qytetit të Durrësit e që nuk heziton të ngrejë vilën e tij në ish-bllokun pranë vilës qeveritare të Kryeministrit në plazhin e Durrësit. Nuk e di ç’mendim ka Edi Rama për çka konstatuam më sipër, por në qoftë se do reagojë për to, i duhet kujdes, qetësi dhe jo ta mbërthejë delli i hakmarrjes siç e ka zakon. Unë jam socialist më shumë se ai, kam qenë 25 vjet deputet i PS-së, madje prej dekadash ushtroj edhe profesionin e nderuar të juristit. Pra, këta janë liderët dhe drejtuesit kryesorë politikë që kanë monopolizuar tërë jetën edhe te ashtuquajturin zhvillim të Shqipërisë. Berisha, Rama, Meta, Basha këto 30 vjet etj. Ata janë përfaqësuesit tipikë të një klase antipopullore që ka në dorë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Është i dëmshëm vazhdimi i tyre në drejtim. Ata meritojnë të quhen kush më shumë e kush më pak “vrasës politikë”, pasi “kanë vrarë” e “dënuar me vdekje” ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve për një jetë më të mirë dhe demokraci të vërtetë. Vetëm goditja morale dhe penale e pandëshkueshmërisë së tyre nga drejtësia do ta shpëtojë këtë vend.
PROPOZIM BAJAT I DEPUTETIT TË DJATHTË, E. ALIBEAJ…
Ka disa kohë që deputeti Enkelejd Alibej dhe zonja J. Godole janë bërë nismëtarë të një projektligji provokativ, i cili në thelb kërkon të kthejë rrotën e historisë mbrapsht, duke iu imponuar Parlamentit dhe shoqërisë ta votojnë këtë ligj sa qesharak në përmbajtje, aq edhe antikushtetues, e që merr nëpër këmbë një sërë ligjesh të tjera. Është ky projekt kopje e një ligji me nuanca neonaziste, e marksariste që kërkon të zhdukë dhe eliminojë historinë e popullit shqiptar, të luftës antifashiste dhe arritjet e pasluftës.
Ai kërkon të eliminojë kulturën, letërsinë, artin, filmat, këngët, kinematografinë, botimet, sistemin arsimor, simbolet patriotike, varret e dëshmorëve, duke shfrytëzuar me këtë rast një të ashtuquajtur Institut të Luftës kundër Komunizmit, duke i dhënë kompetenca e prerogative policore. Ishte ky Institut e drejtuesit e tij, Agron Tufa, Celo Hoxha etj., nen dirigjimin e pseudohistorianit Uran Butka, që i cilësuan në botime të posaçme, zinxhirin komandues e drejtues të formacioneve partizane, si krimineli lufte, duke evokuar organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, si organizata që do të realizonte prosperitetin dhe çlirimin e Shqipërisë demokratike.
Ky deputet i PD-së, duke përfituar edhe nga pasiviteti i maxhorancës socialiste dhe drejtuesve të saj, ka vënë në plan të parë nëpërmjet këtij ligji hakmarrjen, revanshizmin e lustracionin, me synimin për të nxjerrë jashtë ligjit jo vetëm bindjet progresive apo simbolet komuniste, por vetë historinë e PS-së, të drejtuesve të saj në vite, por edhe aktualet, duke propozuar kritere përjashtuese ekstremiste dhe të papranuara nga vetë Konventa Kombëtare dhe nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Me terma dhe kritere eliminuese, ky projektligj eliminon ata persona që kanë qenë ishdrejtues të Partisë së Punës, si sekretarët apo punonjës të tjerë të drejtësisë, hetuesit, prokurorët, gjykatësit e specialistët, të cilët u angazhuan pas viteve ‘90 edhe në drejtimin e Partisë Socialiste.
Në thelb, ky ligj synon të eliminojë historinë e PS-së, drejtuesit kryesorë të saj si: Fatos Nanon, Gramoz Ruçin, Servet Pëllumbin, Fatmir Xhafën e shumë të tjerë. Pra, tërë plejadën dhe personazhet politikë që kanë kontribuar në modernizimin dhe zhvillimin e kësaj partie dhe vendit. Kur them historinë e PS-së, me këtë fakt kam parasysh se ata tashmë janë pensionistë të nderuar, por qëllimi është edhe të baltosen. Kjo është “ëndrra” e partisë së tij dhe këtij deputeti arlekin teatral i ushqyer me cirkun politik të Ballit Kombëtar e Partisë Demokratike, që ma do mendja do të mbetet një eksperiment i dështuar dhe i papranuar nga opinioni, veteranët dhe vetë maxhoranca ligjvënëse socialiste.Gazeta Shqiptare
Nga Fotografia duket se cuni i Ibrahimit Spartak Braho eshte me skizofren se Edi Rama.