TIRANË – 10 vjetori i krijimit të Komunitetit të Energjisë ka mbledhur së bashku gjatë Samitit të Vjenës përfaqësues të lartë të shteteve anëtare. Shqipëria aktualisht mban Presidencën e radhës së Komunitetit të Energjisë. Në këtë kuadër u mbajt Konferenca e 10 vjetorit të krijimit të Komunitetit të Energjisë, nën patronazhin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Rama në fjalën e tij në këtë konferencë u shpreh se Shqipëria është vendi i dytë më i pasur për burimet hidroenergjetike, pas Norvegjisë. “Shqipëria është vendi i cili deri tani është mësuar të jetojë me këtë potencial, duke e parë si një barrë dhe si një problem, jo si një burim dhe një aset. Një treg i hapur i energjisë mes vendeve të Ballkanit jo vetëm do të përmirësojë sigurinë e furnizimit, por gjithashtu do të sigurojë çmimet më të lira dhe të favorshme të energjisë dhe marrëveshjet më të mira për të gjithë konsumatorët tanë. Krijimi i ndërlidhjes energjetike midis vendeve në Ballkanin Perëndimor është jo vetëm jetike për rritjen ekonomike në vazhdimësi të vendeve tona, por do të ndihmojë Bashkimin Europian në luftën e tij të e vazhdueshme për sigurinë energjetike”- u shpreh Rama.
Ndër panelistët kryesorë ishin edhe Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcoviç, Komisionerit Evropian për Zgjerim dhe Politikë Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn.
Në fjalën e tij, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcoviç theksoi se 10 vjet më parë, Komuniteti i Energjisë u krijua për të rritur bashkëpunimin e vendeve të rajonit me BE-në dhe për integrimin e tregjeve të energjisë të vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin dhe me BE-në. Sipas tij me kalimin e kohës, Komuniteti i Energjisë është shndërruar nga një instrument rajonal i para-anëtarësimit në një instrument për sigurinë e përbashkët të furnizimit dhe të bashkëpunimit në fushën e energjisë.
Komuniteti i Energjisë është themeluar mbi bazën e një traktati ndërkombëtar në vitin 2005. Qëllimi kryesor i tij ishte afrimi i vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe Detit të Zi me Bashkimin Europian dhe për të zgjeruar tregjet e energjisë të brendshme të BE-së dhe tërheqë investimet në prodhimin e energjisë dhe të rrjeteve të furnizimit.
Komentet