Peshqeshi i hidhur i historisë sonë ishte në Athinë. Jo për të përsëritur ekspozitën e pikturave “gjeniale” të disa kohëve më pare në kryeqytetin grekë dhe për t’i mbajtur gjithmonë të magjepsur shtetarët grek me artin e tij, i cili nuk ka qenë kurrë art. Arti i shkarravinave të tij që i ka shpërthyer me siguri një dramë të thellë me pasoja brenda vetes.
Është fenomen i njohur historik, kur shumë ëndërrimtarë të dështuar, mbas një zhgënjimi në krijimtarinë e tyre, mundimi shpirtëror i ka shtyrë që pushtetin e munguar t’ia kërkojnë politikës. Përveç Hitlerit, ka pasur dhe personazhe të tjerë madje edhe mbretër, që i kanë bërë dëme të mëdha popujve dhe historisë.
Nuk kishte paradoks n֝ë Galatsi stadium të Athinës siç menduan disa.
Do ishte vërtet paradoks për cilindo të besonte se kreu i regjimit të sotëm do të “përqafohej” me emigrantët shqiptarë në Athinë dhe ata do mbushnin një stadium ku të dëgjonin me ngazëllim fjalën e tij, i cili do t’iu fliste për marrëdhëniet shqiptaro – greke dhe përspektivën europiane të Shqipërisë.
Të vërtetën tashmë e zbulon çasti dhe dita.
Ky aktivitet ishte truku i provuar i radhës, për të cilat kryeministri është shumë i avancuar me krijimtari të tilla dhe aq më shumë që halli pushtetit është dhe halli burgut dhe i prangave për të.
Ajo pjesë e stadiumit të grumbulluar nuk ishin as pakica me emigrantë shqiptarë, pa lere më shumica. Sepse ata nuk mund t’i tregonin mirënjohje kasapit që i detyroi të iknin nga vendi i tyre me politikat e luftës klasore.
Me pak përjashtim, këta të gjithë ishin patronazhistët, që kanë ringjallur strukturën e Sigurimit të Shtetit, ishin të frikësuarit e administratës shtetërore, autorë të lumit të pëlqimeve me detyrim dhe hallexhinj të paguar nga fshatrat kufitarë.
Pamë sërish një propagandën e stilit të kohës së pandemisë, kohë kur Shqipëria mbushte morgjet me arkivolet e të vdekurve nga Covid-19, kryeministri i një vendi europian shumë të varfër, dërgonte mjekë shqiptarë në Bergamo, me një ceremoni të papërshtatshme për kohën, sa që edhe sot kjo ceremoni e kontestuar të provokon të vjellat.
Një entuziazëm i tillë i stimuluar me gjithçka që ka në dorë regjimi, është një ngjashmëri e përkryer me ato koncertet e sponsorizuar nëpër rrugë apo nëpër salla, me tinguj të fortë dhe zëra elektronikë, që vdesin sapo njerëzit largohen nga rruga.
Ky ishte ekzaktësisht një koncert rruge, për të cilin monarku ka lëvizur të gjitha fijet nga zyra e tij e errët.
Duke iu përshtatur filozofisë unike të Mao Ce Dunit, ku gjithçka duhet turbulluar që të kthellohej, Gadaffi shqiptar, mbasi u vuri dinamitin marëdhënieve shqiptare një ditë me diell, na del dhe na flet sot në Greqi për miqësinë mes dy popujve, aq më shumë, kur përveç truqeve dhe fjalëve, nuk ka asnjë gjurmë kontributi për këto marrëdhënie.
Edi Rama me vizitën e tij të provokuar e bëri edhe më të nderë situatën që ka krijuar me burgosjen politike të Fredi Belerit. Ai vajti jo vetëm si mik i paftuar, por duke mos njohur etikë diplomatike dhe shtetërore dha këshilla babai si një udhëheqës me të drejta të pakufizuara.
Në Athinë përsëri e kishte nën thundër transparencën e shpenzimeve.
Sepse transparenca të diskretiton, të tregon ai që je, të thotë se nga vjen, ku shkon, ku i ke marrë paratë e këtyre shpenzimeve dhe të shpenzimeve të tjera që do vijnë.
Njerëzit ngadalë – ngadalë po ndërgjegjësohen se këto udhëtime jashtëtokësore për Shqipërinë e varfër, të cilën njerëzit po e boshatisin, e kanë burimin nga aferat rrëqethëse të inceneratorëve me një faturë stratosferike; e kanë burimin nga skandali financiar 5D, nga droga, nga vjedhjet e përditshme, nga taksat tona shfrytëzuese etj etj.
Pra këto janë para krimi dhe korrupsioni, për të cilat sot po protestohet me forcë në Tiranë.
Dje në Athinë Edi Rama ishte më lepur se kurrë, më gënjeshtar dhe më provokator me Greqinë.
Një analizë mes rreshtave të fjalëve të tij e dekonspiron qartë, se ai tashmë ka frikë për vdekje nga Greqia. Lepuri që ka në bark nuk bëhet dot luan.
Ka frikë nga kurthi që i ka ngritur vetes me kryebashkiakun e burgosur politik të Himarës, Fredi Belerin.
Ka frikë nga kurthet makbethiane të “non gratës” ndaj Berishës; ka frikë nga afera McGonigal; ka frikë nga përgjimet dhe mesazhet mafioze prej tij të interceptuara nga shërbimet e fshehta perëndimore.
Ka frikë nga gjykata, ka frikë nga diplomacia e ardhshme edhe pse ka një iluzion të heshtur se botën demokratike do ta përmbysë “Vëllai i Vogël” i tij dhe ai do jetë në krahun e tij.
Greqia është një vend demokratik dhe trualli saj është djep i qytetërimit perëndimor dhe kuptohet se mbrojtja që i bën Fredi Belerit është vetëm çështje lirie, siç është edhe çështja e madhe për mbrojtjen e lirisë s֝ë Berishës.
Edi Rama është antishqiptar i damkosur në aktivitetin e tij publik dhe askush nuk e merr seriozisht nacionalizmin e tij propagandistik me vepra të kundërta.
Me foltoren e organizuar me shumë photoshop dhe montazh të super ekzagjeruar në stadiumin e Galatsit, ai ishte pikërisht, në një nga skenat e krimit ndaj shqiptarëve .
Ftesa që iu bëri emigrantëve për t’u rikthyer në vendin e tyre dhe për të investuar është një prapësi propagandistike, që i ngjan çuditërisht asaj shprehjes së urtë tiranase “më ka çu lala me la gojën” sepse në mëndje ai ka të fiksuar në errësirë, planin djallëzor të dizenjuar nga Xhorxh Sorros për shpërnguljen totale të shqiptarëve nga trevat e tyre.