Ambrozia Meta ka reaguar pas incidentit të rëndë që ndodhi dje paradite me Kryeministrin Edi Rama, i cili e gjuajti në faqe duke shkelur çdo lloj etike.
Gazetarja shpreh keqardhjen që sot u bë ajo lajm e jo pyetjet e saj për Kryeministrin.
“Kryeministri bëri një gjest të ulët dhe të turpshëm, duke më gjuajtur në faqe dhe duke shkelur çdo lloj etike. Është një veprim që nuk më intimidon, siç nuk më step fare gjuha e tij ofenduese, sepse unë kam guximin t’i kërkoj llogari, pasi nuk bëj kurrë pazare me profesionin tim dhe e kam shumë të shenjtë dinjitetin”, shkruan gazetarja.
Reagimi i plotë i Ambrozias
Siç tashmë është marrë vesh, sot pata një përplasje me Kryeministrin Edi Rama, gjatë një prononcimi për media. Pas një sërë pyetjesh lidhur me investimet e reja në Sazan, skemën e përdorur në portin e Durrësit dhe përfitimet që do të kenë shqiptarët nga këto marrëveshje, në përpjekje për të shmangur llogaridhënien, Kryeministri bëri një gjest të ulët dhe të turpshëm, duke më gjuajtur në faqe dhe duke shkelur çdo lloj etike. Është një veprim që nuk më intimidon, siç nuk më step fare gjuha e tij ofenduese, sepse unë kam guximin t’i kërkoj llogari, pasi nuk bëj kurrë pazare me profesionin tim dhe e kam shumë të shenjtë dinjitetin.
Jam shumë mirënjohjese për reagimin e gjithë shoqatave të gazetarëve, kolegëve dhe gjithë njerëve të tjerë, që kanë shprehur solidaritet me mua, në mënyrë që ai veprim aq i shëmtuar dhe i ulët, që Rama e cilëson si përshëndetje miqësore, mos të kthehet në një normë komunikimi të Kryeministrit siç janë bërë tashme të zakonshme, ofendimet, arroganca ndaj gazetareve dhe masat qesharake si riedukimi.
Edi Rama e ka kuptuar sot më shumë se kurrë, që unë i bëj pyetjet e mia e pa ndikuar nga askush, siç besoj se duhet bërë në interes të opinionit publik dhe të vendit tim, të cilin ai mendon se mund ta ndajë si ta ketë pronë të familjes, duke ja falur oligarkëve vendas dhe të huaj;të lidhur me të apo me politikanë të tjerë, nga të cilët mund te ndikohet fati i tij. Më vjen shumë keq që sot përfundova unë duke u bërë lajm dhe jo pyetjet, për të cilat kërkova me aq ngulm përgjigje.sn