Vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!
Shenjat që ka dërguar viti 2024 paralajmërojnë, faleminderit Zotit, që Viti i Ri 2025 do të jetë i ri në 12 muajt e tij dhe në 365 ditët e tij. Do të jetë, pra, vit i fillimeve të reja, vit i shpresave të reja, vit i vendimeve të reja për të gjithë ata që besojnë në mundësitë e reja, në shpresat e reja, në zhvillimet e reja të rëndësishme.
I tillë do të jetë Viti i Ri 2025 në shkallë planetare, i tillë do të jetë edhe në hemisferën politike së cilës i përkasim vendosmërisht ne shqiptarët, i tillë do të jetë Viti i Ri 2025 edhe për Kombin tonë, për mbarë Shqiptarinë, i tillë do të jetë për të gjithë ne shqiptarët që besojmë në mendjet tona, në talentet tona, në energjitë tona, në frymëzimet tona, në vizionet tona, që besojmë se është i mundur lartësimi i mëtejshëm vendimtar i jetës sonë, shoqërisë sonë, kombit tonë, që besojmë në rritjen e rolit tonë jo vetëm për një fat më të mirë që ne e meritojmë, por edhe në rrafshe më të gjera përtej nesh, në zhvillimet evropiane, perëndimore dhe më tej.
Viti 2024, që sapo e lamë pas, ishte një tjetër vit 2023, vit me luftë, si viti paraardhës. Shpresat tona nuk u realizuan, urimet dhe lutjet tona nuk u dëgjuan, lufta është në kontinentin tonë dhe përtej kontinentit tonë, kërcënimet e luftës janë gjithnjë më pranë rajonit tonë, i njohur botërisht si fuçi baroti.
Premtimi i shenjave është se Viti i Ri 2025 nuk do të jetë përsëritje e ngjashme e vitit 2024, i cili, si viti 2023 nuk u bë dot sinonim i paqes, të cilën qytetarët e botës e duan, perëndimorët, evropianët e duan, shqiptarët, më shumë se të gjithë e duan.
Prandaj, ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, ne shqiptarët, ndoshta edhe të tjerët, anembanë botës, ndahemi më lehtë shpirtërisht edhe nga viti 2024, ndonëse do ta kemi ndoshta të vështirë të besojmë e të shpresojmë se ky vit do të jetë ai që duam, do të jetë një vit që ne evropianëve dhe mbarë njerëzimit t’ia largojë fantazmën e një përplasjeje të re botërore, një lufte të re të përmasave botërore;
ndonëse e kemi të vështirë të besojmë e të shpresojmë, kur demokracia në Shqipëri është më e asgjësuar se kurrë, kur në kufijtë veriorë të kombit, u kërcëlluan me ashpërsi putinët e vegjël, shovinistët serbomëdhenj millosheviçianë të Beogradit.
Përballë sfidave të tilla qeniet individuale dhe ato kolektive kombëtare, pra qenia jonë njerëzore dhe kombëtare, e forcojnë më shumë se kurrë imunitetin, instiktin e qëndresës, të përballimit dhe të kundërveprimit ndaj të gjitha të këqijave, të ligave që i vërtiten dhe i kanosen kombit tonë. Në këtë rrafsh, edhe viti 2024 ishte vit i akumulimit të përvojave të mëdha, nga ato që maten me përmasa kohore epokale.
Ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë vit i vendosjes së paqes në Evropë, vit i triumfit ndaj kërcënimit të egër putinian në Ukrainë dhe i triumfit ndaj frymëzimit putinian serbomadh në zemër të Ballkanit.
Më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë, sa më parë, vit i vendosjes së paqes në Izrael, në Rripin e Gazës, në gjithë Lindjen e Mesme, drejt një zgjidhjeje sa më afatgjatë për paqen dhe stabilitetin!
Viti 2025 premton të jetë cilësisht i ndryshëm, do Zoti, rrënjësisht i ndryshëm edhe falë përfshirjes së një fatori tejet vendimtar në jetën e shoqërisë në Shqipëri. Ky faktor ndryshues quhet Vota e Diasporës.
Le të jetë Viti i Ri 2025 vit i shpresës për një rifillim të demokracisë në Shqipëri, çka do të ishte edhe një trimërim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, që të përparojnë në rrafshin kombëtar dhe në rrafshet individuale e grupore, në të gjitha fushat e jetës!
Urojmë nga zemra që Kosova, e cila do të votojë më 9 shkurt, ta dëshmojë veten se është gjithnjë e më e përkushtuar të përshpejtojë integrimet perëndimore dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, çka është vendimtare për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë!
Ne shqiptarët e meritojmë këtë më shumë se kushdo tjetër në gadishull dhe kontinent, ndoshta në botë, si për shkak të historisë sonë flijuese e vetëflijuese, edhe për shkak të rolit historik që na ngarkohet në kuadër të fateve tona dhe të fateve evropiane e më gjerë.
Botuesit e VOAL, me një ndjenjë më të lartë, më të frymëzuar dhe të përgjegjshme se kurrë, urojnë nga zemra që Viti i Ri 2025 të jetë një vit vendimtar në përmbushjen tonë kombëtare, në përcaktimin sa më fatlum të ardhmërive tona!
Zoti qoftë me shqiptarët!
Le të mendojmë mirë, të shpresojmë mirë, të besojmë mirë, të veprojmë mirë, që të bëhet më mirë e më mirë!
Gëzuar e me shumë fat, shqiptarë të dashur, vëllezër e motra, Vitin e Ri 2025! Qoftë i ri, o Zot, në 12 muajt e tij, në 365 ditët e tij!
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Botuesit
e Voal.ch
Komentet