Prej disa ditësh, e majta ka nisur një sulm frontal ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me shpenzimet që partia e tij ka bërë për të lobuar në SHBA gjatë fushatës zgjedhur të vitit të kaluar.
Stuhia e akuzave erdhi pas publikimit të artikullit të ‘Mother Jones’ një javë më parë, ku ngrinte akuza se PD-ja ka shfrytëzuar një kompani lobuese të lidhur me dy biznesmenë rusë, duke hedhur kështu dyshime të forta, se PD-ja ka rënë nën influencën ruse.
Edhe pse, Basha për disa herë me radhë i ka mohuar këto akuzua, duke theksuar se ato vijnë nga media e majtë, që është paguar nga kryeministri Edi Rama.
Por, reagimi i Ramës lidhur me këtë çështje, duket i çuditshëm në fakt, pasi nga njëra anë thotë se çështja në fjalë është shumë e rënda dhe i bën thirrje Bashës të shkojë në Prokurori, por ama nga ana tjetër, videot dhe postimet e tij i shoqëron me ikona qesharake.
Dhe nga këto kuptohet shumë qartë se qëllimi i vërtetë i Edi Ramës, nuk është që të zbulohet e vërteta, por largimi i vëmendjes nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, siç është ajo e kapjes së 613 kg kokainë, ku të arrestuar janë vetëm shoferi i kamionit dhe menaxheri, dhe ende nuk dihet asgjë për porositësit.
Lobimi i partive politike shqiptare në SHBA dhe jo vetëm ka qenë dhe është një problem i madh, dhe kryeministri Edi Rama nuk është personi i duhur për të kërkuar llogari.
Sepse ende nuk dihet sesa paguhet ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, i cili prej disa vitesh është angazhuar nga Rama për të këshilluar qeverinë e tij, ama nga ana tjetër, ai kërkon me ngulm që Basha të shkojë në prokurori. Kësaj i thonë: Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë.
Komentet