Kryeministri Edi Rama i ka dhënë mesazh të prerë PD-së, teksa ka folur për zgjedhjet vendore në Kavajë. Nga emisioni DritaremeRudinën, në Vizion Plus, Rama paralajmëroi se ky qytet nuk do të bëhet sheshi ku PD do të rrëzojë shtetin.
Rama tha se në 7 maj, nuk do të ndodhë asgjë, përveçse se zgjedhje. Sipas tij PD, duhet të heqë dorë nga këto provokime, pasi i ka shumë borxhe këtij qyteti.
“Kavaja nuk do të bëhet sheshi ku PD do të bëjë përsheshin e ’97 dhe as sheshi ku do të rrëzojë shtetin që ne po ndërtojmë. Dhe as shteti ku PD do të pengojë qytetarët e një qyteti, të cilit PD i ka borxhe shumë të mëdha dhe që duhet t’ia kursejë këto provokime dhe duhet t’ia kursejë këto lloj shfaqjesh të cilat trembin dhe fusin ankthin tek njerëzit e zakonshëm. E kam thënë dhe përsëris, ky vend ka zot dhe zot është populli sovran. Nuk mund të bëjë askush lodra me popullin dhe mbi të gjitha ne nuk do të lejojmë kurrë që Shqipëria të kthehet mbrapa dhe që ky vend të destabilizohet, vetëm se disa në PD janë të tmerruar nga Vettingu dhe nga reforma në drejtësi. Nëse kanë arsyet e tyre të tmerrohen le të gjejnë një mënyrë tjetër, por nuk mund të marrin peng popullin që të mos shkojnë para drejtësisë. Do të shikoni se në Kavajë nuk do të ndodhë asgjë dhe do të ndodhin zgjedhje”, tha kryeministri, transmeton dritare.net.
PD ka njoftuar se do të mbajë një protestë masive në Kavajë më 7 maj, për të pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, PS ka zyrtarizuar kandidatin e saj për Kavajën, Klodian Shehi, i cili është aktualisht nënkryetar i kësaj bashkie.
Komentet