Mullisi e priti miqësisht oxhakfshirësin syndritur,
dhe pa filluar ende punë, i nxori shishen e rakisë.
Punë e mbaruar! kthehu gotën plot oxhakfshirësi,
Mbarë e paç! iu përgjigj me fund dhe zoti i shtëpisë.
Kthe me fund gotën njëri dhe kthe me fund tjetri,
përfunduan tërë eufori shishen e parë të rakisë.
-Shpejt, të dytën! i thirri çakërrqejf gruas mullisi,
dhe të dy vijuan traditën e pijes së marrëzisë.
-Tani them të fillojmë, tha i bërë xurxull ustai,
me gjuhë të trashur dhe vështrim të mjegulluar.
-Për punë kemi ardhur, usta!-ngriti zërin mullisi,
e duke iu marrë këmbët e çoi te oxhaku i bllokuar.
E pa oxhakfshirësi oxhakun e zënë krejt nga bloza,
foli diçka nëpër dhembë dhe bëri të futej brenda tij,
por mullisi, sy zgurdulluar, i thërriti sa i hante zëri:
te oxhaku im, do futemi unë i pari, ti i dyti, or zotëri!
-Ti qenke dehur, më lërë të futem, i tha Oxhakfshirësi.
-I dehur je ti, do futemi bashkë, të dy, ia ktheu mullisi.
Oxhakfshirësi syndritur, i hollë; mullisi i trashë, buall,
u futën në oxhak, të ngjeshur, si një deng me dru lisi.
Shkundën oxhakun me zallamahi rreth një orë,
përhapën përqark re të dendura bloze dhe tymi,
e ndërsa mullixhesha priste t`dilnin “dy heronjtë”,
n`grykë u shfaq vetëm syndrituri, oxhakfshirësi:
-Oxhak si ky nuk kam rastisur kurrë ndonjëherë,
me shumë punë e mundim mezi arrita ta zhbllokoj,
por ndërsa unë dola, ai sarhoshi yt s`dëgjon t`dalë,
ka rënë në një gjumë të thellë dhe s`ka top ta zgjojë!
-Shpejt, ta nxjerrim! thirri me alarm mullixhesha,
e duke dredhur trupin e kolmë futi kokën n`oxhak,
sytë e oxhakfshirësit dalldisën te fustan`i zbërthyer,
vallë i lënë vetë, apo, kush e di pse atë çast u hap!?
Kur pa që burri i saj s`kishte ndërmend të dilte,
gruaja iu kthye syndriturit, që rrinte te oxhaku:
Usta bëj një dush, lau sa t`i dalë gjumi tim shoqi,
pastaj bëjmë pazarin sa t`shkon mundi dhe haku.
N`pritje të zgjohej mullisi, që tek oxhaku gërhiste,
ata bisedonin ëmbël e sy mekur te minderi i qoshes,
pastaj, kush e di pse oxhakfshirësi diç nisi të bënte,
me një kopsë të këmishës së zonjës mullixheshë…
Komentet