VOAL

VOAL

Rajoy: Ka filluar procesi i shpërndarjes së Parlamentit të Katalonias

October 28, 2017

Komentet

Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 6 shtator viziton Gjermaninë, ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse që kanë ndodhur gjatë luftës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.

Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt, sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane.

Ky zëdhënës nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë udhëheqësi ukrainas në Gjermani.

Por, media gjermane Der Spiegel, ka raportuar se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit – ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara – që do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein. Kjo media raportoi se Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.

Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën. REL

Andriy Sybiha është ministri i ri i Jashtëm i Ukrainës

VOAL- Andriy Sybiha është ministri i ri i Punëve të Jashtme të Ukrainës. Kështu vendosi parlamenti ukrainas, i cili konfirmoi nominimin e propozuar nga presidenti Voldymyr Zelensky me 258 vota pro. Këtë e raporton RBC Ukraine. Pak më parë, Parlamenti i Ukrainës pranoi dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Dmytro Kuleba.

Lindur në qytetin e Zboriv – në rajonin Ternopol të Ukrainës perëndimore – 49-vjeçarja Sybiha u diplomua në Universitetin Shtetëror Ivan Franko Lviv me një diplomë në drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Pas një karriere diplomatike mes Varshavës dhe Kievit, që nga viti 2012 është ushtrues detyre i drejtorit dhe drejtor i Departamentit të Shërbimeve Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2016 ai u emërua ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm në Turqi dhe në vitin 2021, me dekret presidencial, u bë nënkryetar i Zyrës së Presidentit të Ukrainës. 12 prillin e kaluar – me vendim të qeverisë – ai u emërua zëvendësministër i parë i Jashtëm. ATS/RSI

Presidenti francez Emmanuel Macron emëron Michel Barnier kryeministër të ri të vendit

Dy muaj pas raundit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti Emmanuel Macron ka emëruar Michel Barnier si kryeministër të ri të Francës.

Emërimi vjen pas javësh presioni në rritje nga të gjitha grupet politike për të emëruar një kandidat.

Barnier tani do t’i duhet t’i mbijetojë një votimi mosbesimi në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez.

Asambleja aktuale Kombëtare është e ndarë në tre blloqe: koalicioni i krahut të majtë NFP (që fitoi më shumë vende, por nuk arriti një shumicë absolute), grupi qendror i Macron dhe Fronti Kombëtare e ekstremit të djathtë.

Duke pasur parasysh përbërjen e Asamblesë Kombëtare, presidenti i kishte vënë vetes detyrën për të gjetur një kryeministër të aftë për të mbledhur “shumicën më të gjerë dhe më të qëndrueshme të mundshme”.

Barnier, një konservator, ishte dy herë Komisioner Evropian dhe, midis 2016 dhe 2021,  kryenegociatori i BE-së për Brexit. sn

Dorëhiqet ministri i Jashtëm ukrainas për t’i hapur rrugë riformatimit të Qeverisë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është raportuar të jetë anëtari i fundit i kabinetit qeveritar që ka dorëzuar dorëheqjen, pasi presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, i ka bërë të ditura planet për riformatim të kabinetit, teksa vendi përballet e luftën e nisur prej Rusisë, dy vjet më parë.

Duke bërë të ditur dorëheqjen e Kulebas, kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, ka thënë se dorëheqja e ministrit të Jashtëm do të diskutohet nga ligjvënësit në Parlament.

Një ditë më parë, Stefanchuk ka thënë se zëvendëskryeministrja për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, Olha Stefanishyna dhe zëvendëskryeministrja për Riintegrim të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Iryna Vereshchuk, kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Zelensky ka thënë se ndryshimet në Qeverinë ukrainase do të bëhen për të forcuar ekzekutivin dhe për të sjellë rezultatet që i duhen shtetit.

“Për këtë arsye do të ketë ndryshime të personelit në kabinetin e ministrave dhe zyrën e presidentit”, ka thënë ai më 3 shtator, duke dhënë sinjale se ndryshimet do të bëhen gjatë vjeshtës.

Një ditë më parë kanë dhënë dorëheqje edhe ministrat e Industrisë Strategjike, Drejtësisë dhe Ambientit.

Duke sqaruar ndryshimet, Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë për më shumë ndërveprim në mes të Qeverisë Qendrore dhe komuniteteve, sidomos teksa shteti përgatitet për sezonin e dimrit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Dhjetëra të vrarë nga sulmi rus me raketa në Ukrainën qendrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Ministria e Mbrojtjes thanë se Rusia ka sulmuar me raketa balistike Institutin e Komunikimeve në Poltava, në Ukrainën Qendrore, duke vrarë të paktën 41 persona dhe duke plagosur më shumë se 180 të tjerë.

Zelensky dhe Ministria e Mbrojtjes tha se dy sulme raketore u kryen pak pas lëshimit të alarmit për sulme ajrore, prandaj njerëzit që ishin brenda institutit nuk kishin kohë që të evakuoheshin në një strehimore për bomba.

“Një nga ndërtesat e Institutit të Komunikimeve u shkatërrua pjesërisht. Njerëzit mbetën nën rrënoja. Shumë janë shpëtuar. Më shumë se 180 persona janë plagosur. Fatkeqësisht, shumë kanë vdekur. Deri më tani, 41 viktima janë të konfirmuara”, tha Zelensky.

Sulmi duket të jetë një prej më vdekjeprurësve që kanë kryer forcat ruse që kur nisi lufta në shkurt të vitit 2022.

Zelensky, përmes një videoje të publikuar në Telegram tha se po zhvillohen operacione të shpëtimit të njerëzve të bllokuar nën rrënoja.

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për disa viktima në sulmet e kryera gjatë natës nga Rusia në Zaporizhja.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase po ashtu raportoi se një e katërta e betejave me forcat ruse në 24 orët e fundit janë zhvilluar në lindje të shtetit, afër qytetit strategjik Pokrovsk, në rajonin e Donjeckut. Në këtë zonë, trupat ruse është raportuar se javët e fundit kanë bërë përparime të mëdha. REL

Zelensky i lutet Perëndimit t’i heqë kufizimet në armë, pasi një sulm rus vret 6 njerëz

Ukraina ka nevojë për “vendime të fuqishme” nga partnerët e vet për ta ndaluar terrorin që Rusia është duke e kryer në Ukrainë, tha të premten vonë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi një sulm rus goditi një ndërtesë banimi dhe një kopsht, duke lënë të vdekur gjashtë njerëz.

“Ky sulm u krye nga një bombë ajrore ruse. Ky sulm nuk do të kishte ndodhur sikur forcat tona të mbrojtjes të kishin pasur aftësi t’i shkatërrojnë avionët luftarakë rusë në bazat e tyre. Ne kemi nevojë për zgjidhje të fuqishme nga partnerët tanë për ta ndaluar këtë terror. Nuk ka arsye racionale për ta kufizuar Ukrainën në mbrojtje. Ne kemi nevojë për armë me rreze të gjata veprimi”, tha Zelensky në Telegram.

Zelensky e publikoi edhe një video e cila shfaq vetura në një parking duke u djegur nga zjarri dhe tym duke dalë nga katet e mesme dhe të larta të një ndërtese.

Ai gjithashtu theksoi marrëveshjet që Ukraina i ka arritur me partnerët e vet për dhurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të zbatohen patjetër.

Sulmi ajror në Harkiv e goditi hyrjen e një ndërtese 12-katëshe në qarkun industrial të qytetit, thanë autoritetet lokale.

Një vajzë 14-vjeçare është në mesin e gjashtë njerëzve të vrarë, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov.

Ai tha se 47 njerëz të tjerë u plagosën. Më herët, ai tha se rreth 20 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Harkivi ka qenë në qendër të bombardimeve ruse në të kaluarën, por ka pasur një rënie të intensitetit në javët e fundit. REL

Diskutime në Bruksel për mbështetjen ushtarake për Kievin

VOA/Marrë nga Associated Press

Në Bruksel po zhvillohet takimi i parë i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas pushimit veror. Në qendër të këtij takimi është sulmi rus kundër Ukrainës.

Ministrat evropianë u bënë thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnizim me armë të Ukrainës dhe diskutuan mbi aftësitë e Kievit për mbrojten ajrore.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson komentoi lajmin për rrëzimin e një nga disa avionët luftarakë F-16 që Ukraina i mori nga partnerët e saj perëndimorë.

“Këto janë gjëra që ndodhin në luftë. Nuk shoh asgjë dramatike. Ukrainasit duhet të tregojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha ai.

Avioni luftarak u rrëzua të hënën, ndërsa Rusia ndërmorri një sulm në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë në mbarë vendin, tha në një deklaratë ushtria ukrainase.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur përgëzoi Kievin për avancimet e fundit në territorin rus, një operacion që e quajti të guximshëm.

Por, zoti Pevkur u bëri thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnzimin me armë të Ukrainës dhe ta lejojnë Kievin të shfrytëzojë armët perëndimore brenda territorit rus.

“Po lufton vetëm me një dorë. Dorën tjetër e ka të lidhur pas kurrizit, sepse nuk mund të përdorë të gjitha armët që ka. Shpresoj që të gjithë do ta kuptojnë rëndësinë që ukrainasit të kenë mundësi të luftojnë me të gjitha sistemet e armëve, municionet dhe raketat”, tha zoti Pevkur.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se heqja e kufizimeve për përdorimi i armëve brenda Rusisë, është një çështje që u takon vendeve që furnizojnë Kievin me armë, por mbrojti përdorimin e armëve kundër objektivave ruse dhe hodhi poshtë pretendimet se kjo do të nënkuptonte përfshirjen e BE-së në një luftë kundër Rusisë.

“Askush nuk do të futet në luftë me Rusinë. Ne thjesht po mbështesim Ukrainën. Por, vendoseni veten në pozitën e ukrainasve. Nëse bombardoheni nga rusët nga një pikë që është jashtë rrezes së kapacitetit tuaj, do të donit të luftonit në kushte të barabarta”, tha zoti Borrell.

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans tha se vendi i tij, siç kishte premtuar, është pranë dërgimit të sistemit të mbrojtjes ‘Patriot’ në Ukrainë.

“Nuk dua ta them datën e saktë të furnizimit. Jo se nuk dua të jem transparent, por nuk dua të informojmë Rusinë, sepse ata vëzhgojnë kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Por, ashtu siç kemi premtuar, dërgesa do të niset së shpejti”, tha ai.

Të enjten Rusia kreu një sulm intensiv ajror kundër Ukrainës, i treti në katër ditë, duke goditur me raketa dhe dronë që kryesisht u rrëzuan, thanë forcat ajrore të Ukrainës.

Forcat ruse sulmuan me pesë raketa dhe 74 dronë ‘Shahed’ ndaj objektivave ukrainase, tha Kievi në një deklaratë, ndërsa shtoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy raketa dhe 60 dronë.

Sulmet e ashpra ruse me rreze të gjatë veprimi kanë goditur zonat e banuara me civilë që kur Moska nisi sulmin ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia – të gjitha vende anëtare të NATO-s – janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me mbi 60 avionë. Kapaciteti i forcave ajrore ruse është 10 herë më i madh.

Ukrainës i duhen të paktën 130 avionë luftarakë F-16 për të neutralizuar fuqinë ajrore të Rusisë, thonë zyrtarët e Kievit.

Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve, duke thënë se Kievi ka të drejtë t’i sulmojë vendet nga të cilat sulmohet.

Duke folur në Bruksel, përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, Borrell tha se është “absurde” të thuash se sulmet në territorin e Rusisë, do të nënkuptonin luftë direkte kundër Moskës.

“Askush nuk dëshiron” një luftë me Rusinë, tha ai.

“Por vendoseni veten në vendin e ukrainasve: Rusët po ju bombardojnë nga një vend ku nuk mund të arrini. Ju dëshironi të luftoni si të barabartë”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i godasë vendet nga ku Rusia e sulmon.

Zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, u kanë bërë vazhdimisht thirrje aleatëve globalë të Ukrainës që ta lejojnë atë t’i godasë objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë, me armët që ia siguron Perëndimi.

Javë më parë, Ukraina ka nisur një inkursion në territorin rus.

Zelensky ka thënë se Rusia “duhet ta ndjejë atë që ka bërë”.

Ditëve të fundit, Rusia është përgjigjur me sulme të ashpra me raketa dhe dronë, të cilat kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas thonë se, pavarësisht dërgesave të armëve të reja që po e ndihmojnë Ukrainën, forcat e saj të armatosura janë ende në disavantazh, sepse kufizimet e Perëndimit i pengojnë ato që t’i përdorin armët me rreze të gjatë, për të goditur thellë brenda territorit rus.

“Siguria afatgjate për Evropën fillon me vendime afatshkurtra dhe të guximshme për Ukrainën”, u tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gazetarëve në Bruksel më 29 gusht. REL

‘Serbia duhet të zgjedhë paqen’, Macron para vizitës në Beograd: Do të angazhohem personalisht për Asociacionin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se do të mbetet i përkushtuar që të zbatohen Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marcon para vizitës së tij në Beograd i është drejtuar qytetarëve të Serbisë me një mesazh të publikuar në “Danas”.

“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola me guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e SHBA-së, donim të ndihmonin rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, u shpreh Macron në mesazhin e tij.

Ai u bëri thirrje të rinjve të Serbisë që të zgjedhin paqen dhe të ardhmen, ndërsa theksoi se do të angazhohet personalisht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Unë personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se edhe BE-ja në tërësi do të mbetet, te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe”, thuhet në mesazhin e Macronit. sn

Ushtari ukrainas qëllon me mitraloz nga helikopteri, rrëzon dronin rus

Ish-këshilltari i ministrit të brendshëm ukrainas, Anton Gerashchenko ka publikuar një video interesante në platformën e tij X.

Në të shihet një ushtar ukrainas, që qëllon me pushkë automatike mbi një dron rus.

Është e paqartë se ku dhe kur është realizuar video, por se ajo është bërë virale në rrjetet sociale.

Video është shpërndarë fillimisht nga blogerët ushtarakë rusë, kurse në të shihet një helikopter ukrainas, brenda së cilit ushtari me mitraloz qëllon mbi dronin rus.

Droni është Shahed, që Irani ia ka dhuruar Rusisë, për shkak se mungojnë prodhime të dronëve rusë.bw

Ukraina godet rajonin rus të Belgorodit, forcat e Kremlinit sulmojnë hotelin me gazetarë

Hoteli ku strehoheshin gazetarët

VOA

Pesë persona vdiqën nga bombardimet ukrainase në rajonin kufitar të Belgorodit në Rusi, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa forcat ruse goditën një hotel në Ukrainën lindore, duke lënë një gazetar të zhdukur dhe dy të tjerë të plagosur.

Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në fshatin rus Rakitone, 38 kilometra nga kufiri ukrainas, mes tyre një vajzë 16-vjeçare që raportohet të jetë në gjendje kritike, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.

“Forcat ruse goditën një hotel gjatë natës në qytetin Kramatorsk në rajonin lindor të Donetskut, duke plagosur dy persona dhe lënë një të bllokuar nën rrënoja”, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin. Sipas njoftimeve ata ishin gazetarë nga Ukraina, SHBA dhe Britania e Madhe.

Agjencia e lajmeve Reuters tha të dielën se gazetari i saj që mbulonte luftën në Ukrainë ishte zhdukur dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit u shtruan në spital pasi “Hotel Sapphire”, ku po qëndronte një ekuipazh prej gjashtë personash, u godit “nga një sulm i dukshëm me raketë të shtunën”. “Një nga kolegët tanë është i zhdukur, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në spital për mjekim,” njoftoi agjencia Reuters.

Përveç hotelit, u shkatërrua edhe një ndërtesë se lartë aty pranë. Rajoni lindor i Ukrainës, Kharkivi gjithashtu u godit nga raketat ruse që shkaktuan plagë mes popullsisë civile.

Itali: Hetime dhe mbi pistën e vrasjes, çfarë dyshohet se shkaktoi mbytjen e jahtit të milionerëve britanikë

Në pritje të përfundimit të operacionit të kërkimit për trupat ende të zhdukur në anijen e fundosur në Palermo, vëmendja e hetuesve është përqendruar në shkaqet e mbytjes së anijes që ndodhi në agim të së hënës pas një tornadoje.

Sipas Tgcom, hipoteza e një zinxhiri gabimesh në bazë të aksidentit po fiton terren. Rasti është duke u hetuar për mbytje anijeje, fatkeqësi, vrasje të shumëfishta dhe plagosje.

Hipoteza e zinxhirit të gabimit njerëzor koordinohen nga prokurori Ambrogio Cartosio i cili që në fillim ka ruajtur konfidencialitet të rreptë për hetimin, duke bërë të ditur një konferencë për shtyp vetëm për ditën e shtunë.

Hipoteza në të cilën po fokusohen hetuesit është pikërisht ajo e një zinxhiri të supozuar gabimesh njerëzore që do të kishin shkaktuar fundosjen e jahtit.

Prokurori Raffaele Cammarano ka marrë tashmë në pyetje kapitenin e jahtit, James Cutfield dhe të mbijetuarit e tjerë. Kapiteni thuhet se deklaroi se nuk e kishte vënë re ardhjen e papritur të stuhisë. Gjithsesi, mbetet për t’u kuptuar se si ka qenë e mundur që një mjet lundrues 56 metra, i pajisur me të gjitha teknologjitë dhe pajisjet më të sofistikuara të radarit, të mbytet në vetëm pak minuta, siç tregohet nga videot e marra nga hetuesit nga vilat dhe nga një klub i zonës. Më pas do të urdhërohen autopsitë e trupave nga prokuroria.

Për momentin, 15 të mbijetuarit kanë zgjedhur të mbështeten në çështjen ligjore nga një kompani e rëndësishme ligjore angleze, e cila duhet të kujdeset edhe për aspektet delikate që lidhen me kompensimin e sigurimit. sn


Send this to a friend